Himarë, 18 Korrik 2019: Pata shkuar këto ditë në Himarë. Ishte ora rreth dhjetës, koha kur zakonisht moshat e thyera, pas një freskimi në det shkojnë në kafentë afër bregut të detit, ku pinë kafe e tregojnë histori të ndryshme. Bëheshim gati 7-8 të njohur mes veti. Andrea nga Qeparoi, një mesoburrë, i cili për hatrin tonë kishte ardhur të lahej këtë fundjavë në Himarë, në një moment ndryshoi temën e bisedimit. Na kujtoi se para dy-tri ditësh në Tiranë qe kujtuar dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe se i kishte bërë përshtypje se nuk kishte ardhur në atë ceremoni solemne asnjë qeveritar, edhe pse jemi në vitin jubile të 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut. “Por ajo që më befasoi më së shumti – vijoi ai – ishte se edhe prej Ministrisë Mbrojtjes, madje edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, nuk qe asnjë i pranishëm, edhe pse ishin ftuar nga Komiteti Veteranëve të LANÇ-it!”
Një prej të pranishmëve u mat t’i thoshte diçka, po në këtë moment shpërtheu me një ton jo të zakonshëm miku im ku unë kisha bujtur atë ditë, xha Thomai, i cili i ka kaluar të 90-tat:
-Unë e di se ti vjen shpesh në Qeparo, apo jo, Andre?
-Po, o xha Thoma, ashtu është , po ç’ke që reagon në këtë mënyrë?!
-Si ç’kam, more?! Sa herë që vjen në Qeparo e ikën nga Qeparoi, nuk e ke parë se çfarë emri i kanë vënë rrugës ku ke shtëpinë e prindërve?
-Po, e kam parë. Dhimo Todhri, në mos gabohem.
-Aty më ri.
Të gjithë e përqëndruam shikimin drejt xha Thomait, ndërsa Andrea, që ishte habitur me mosprezencën e qeveritarëve në festimin e 10 Korrikut, u mjaftua vetëm me shprehjen: “Ke të drejtë, xha Thoma!” Natyrisht që ne të tjerët kërkuam shpjegimin e revoltimit të xha Thomait. Dhe ai filloi të tregoi:
-Dëgjoni, mor shokë a zotërinj, si doni t’u drejtohem. Më falni që u them, por ne si popull ende nuk po e kuptojmë se deri në çfarë shkalle na ka prishur si njerëz kjo e ashtuquajtura demokaci! E shoh që nuk dini asgjë se kush është ky, një farë Dhimo Todhri. Ky ka qenë kryeballisti kriminel dhe më antishqiptari në Qeparo, për mos të thënë në gjithë krahinën e Himarës. Ju nuk e dini se është ky kriminel që e dorëzoi te pushtuesit gjermanë vajzën heroinë të Himarës, Persefoni Kokëdhimën, të cilën e varrën në litar gjermanët, më 17 korrik 1944, bashkë me shoqen e saj të qelisë, Bule Naipin, te sheshi Çerçizit në Gjirokëstër…
Dhe pasi u qetësua disi, filloi të na e tregoi ngjarjen sa tragjike aq edhe të dhimbshme:
Që ta dini mirë, me Vendim të Këshillit Bashkiak Himarë, në Qeparo i është dhënë një rruge emëri “Dhimo Todhri”. Unë dhe siraja ime nuk e dimë çfarë të mira ka bërë Dhimo Todhri nga Qeparoi për popullin tonë, që pushtetarët dhe politikanët tanë duan ta përjetësojnë atë kriminel! Persefoni Kokedhima, që thoni ju e që s’thatë asgjë, kur iu bashkua rradhëve të Br6S ishe vetëm 16 vjeçe vajzë. Ishte femija i katërt i familjes se Petro e Kaliopi Kokëdhimës. Ajo familje ishte e lidhur tërësishtë me Lëvizjen Nacional Clirimtare dhe stani i tyre ishte një nga bazat e forta ku strehoshin partizanët dhe njerëzit ilegalë të Lëvizjes. Vëllai i dytë i Persefonit, Andrea Kokëdhima kishte filluar qysh në vitin 1942 aktivitetin me rininë antifashiste në Vlorë, më vonë pjestar i çetës së Bregut dhe, me krijimin e Br5S u rreshtua partizan, mitralier në Batalionin e dytë të saj. Të afërmit e kësaj vajze, Thanas Kokëdhima dhe Ligor Kokëdhima, gjithashtu partizanë. Të gjithë ata sherbyen si shembull frymëzimi për Persefonin, e cila u aktivizua në fshat me Lëvizjen. Në pranverën e viti 1944, së bashku me dy shoqe të tjera nga Qeparoi, Persefoni doli partizane dhe u inkuadrua në Br6S. Që të mos zgjatem shumë, në Operacionin gjermano-ballist të Qershorit 1944, formacioni partizan ku bënte pjesë edhe Persefoni, i zuri pritë një autokolone gjermane në Qafen e Gjashtës, në afërsi të Sarandës. Në këtë pritë Persefoni u plagos rëndë në shpatull dhe shokët e terhoqën, e mjekuan dhe e lanë tek stani i babit të vetë, në Malin e Qeparoit. Në një prej atyre ditëve farkoi dhe në afërsi të Lizikoit, (një vend me tarraca dhe vreshte mbi fshat), pat shkuar për të “parë vreshtat” e saj një grua e lidhur me familje ballistësh, e cila edhe pse i uroi vajzës shërim të shpejtë, shkoi dhe e spiunoi tek kryeballisti ynë, te Dhimo Todhri. Ky i fundit, së bashku me Idrizin Jazon nga Kuçi dhe dy a tre ballistë të tjerë, shkuan dhe e arrestuan Persefonin, e cila ishte ende në gjendje tepër të rëndë shëndetësore; e lidhën dhe, për ta turpëruar e prunë tek rrapi, në Qafë, kështu quhet një vend në fshatin tënë. Dhe këtë e bënë për të frikësuar gjithë fshatin që të mos mbështeste Lëvizjen. Thanë e ç’nuk thanë për atë heroinë: “vajzë e përdalë”, “vajzë që nuk respekton zakonin dhe normat”, “vajzë që ka turpëruar fshatin”, etj. Dhe për këto prishje zakonesh shqiptare, gjermani do ta varrte në litar!
Shumë gra të Qeparoit i dolën përpara bandës balliste dhe iu lutën Kryeballistit të fshatit dhe Idriz Jazos që të mos e bënin ate veprim, duke e dorëzuar te gjermanët, se ishte turp i madh për fshatin që një vajzë t’i dorëzohej një të huaji. Por dhe lutjet e nënave të fshatit Qeparo nuk u morrën parasysh nga ata kriminelë. Persefoni u mbajt e lidhur këmbë e duar, një natë të tërë në një familje ballistësh në Qeparo; as ujë për të pirë nuk i dhanë. Të nesërmen e dorezuan te Gjermanët, të cilët qenë te Shkalla e Borshit. Dhe gjermanët e hypën në një makinë të mbyllur dhe e çuan në burgun e Gjirokastrës, në një qeli me Bule Naipin… Dhe që të mos u lodh më shumë, ju të gjithë e dini se si përfunduan ato dy heroina shqiptare…
Ekzekutimi i Persefonit bëri që dhe djali i vogël i Milo Kokëdhimës të rreshtohej në rradhët e Br19S, duke luftuar deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Kështu, familja e Persefonit u lidh tërësisht me Mëvizjen dhe dha gjithçka në interes të saj.
Por ajo që dua t’u them, është se me të ardhur në pushtet këta “demokratkasit”, e të mos u hamë hakun edhe këtyre “rilindasve” të PS e udhëheqjes së saj, e “shpërblyen” atë familje, duke i vënë dinamitin bustit të Persefonit që kishte në Qeparo. Por nuk janë mjaftuar me kaq. Për karshillëk, siç e shihni, duan të përjetësojnë vrasësin e asaj heroine, tradhëtarin Dhimo Todhri. A mund të më thoni se çfarë emëri mund t’u vëmë këtyre bëmave të “demonkracisë” e të “rilindjes” shqiptare?
Dhe pasi u mbush mirë e mirë me frymë, vijoi:
Eh, sa poshtërsi është për njeriun kur bëhet vegël e armiqve! Por këto bëma antishqiptare që shohim, nuk janë rastësi, mor shokë, por janë një perspektivë. Gjithçka duket se po ndjell një çarje të madhe. Këtu qëndron tragjedia shqiptare, kur dihet se është i vetmi popull që u çlirua i pari dhe me forcat e veta në të gjithë kompleksin e luftës antifashiste, dhe ka qenë po i pari në Evropë që u përgjegj me armë kundër fashizmit pushtues. Dhe fatkeqësia më e madhe është se në vend që të krenohet, ky popull hesht sa herë që PD e PS i mohojnë këtë lavdi… Kur e vërteta zëvendësohet me heshtje, heshtja është gënjeshtër. Të paktën ne, shumica shqiptare që derdhi gjak për pavarësinë e Shqipërisë, nuk duhet të heshtim. Edhe pse nuk na mundësojmë të flasim as në TVSH, të paktën t’i shkruajmë, që brezat të mos na thonë të gjithëve tradhëtarë. Nëse ne do të rrimë indiferentë ndaj nderimit që u bëhet tradhëtarëve dhe poshtërimit që u bëhet heronjve, ne zvogëlohemi si njerëz, si popull. Më mirë i padrejtë se sa indiferent, pasi indiferenca nuk është thjeshtë një mëkat, është ndëshkim, është ndëshkimi më i ashpër. Indiferenca për këto veprime është më e keqe se tradhëtia e Dhimo Todhrit e Idriz Jazos. Të jesh indiferent ndaj poshtërimit që po i bëhet LANÇ-it, si nga PD edhe PS, do të thotë që të mos ndjesh detyrim moral ndaj historisë më të lavdishme të popullit shqiptar. Indiferenca e gjithë anëtarësisë së PS-së dhe e ne pasardhëve ndaj këtyre bëmave kundër LANÇ-it, që nisën nga PD-ja dhe vijuan nga kreu i “Rilindjes”, është miratim i së keqes. Kjo lloj praktike, duke nderuar tradhëtarët dhe duke fyer LANÇ-in dhe heronjtë e saj, do të thotë të ndjellësh luftën civile. Këto akte që nxjerrin këta përfaqësues të popullit duke përjetësuar tradhëtarët dhe mohuar LANÇ-in, pa iu nënshtruar miratimit formal të popullit, do të thotë se kemi të bëjmë me atentat ndaj sovranitetit të popullit. Indiferenca e këtij populli ndaj këtij atentati që po i bëhet LANÇ-it dhe heronjve të saj, nuk është fillimi, është fundi i asaj epoke heroike. Dhe si e tillë, kjo indiferencë është gjithmonë mike e armikut, sepse i sjell përfitime tradhëtarit dhe të huajit që nuk i do të mirën këtij kombi; dhimbja e së cilës shumëfishohet kur ndihet e harruar ajo luftë heroike. Kjo lloj indiference është një qetësi e përkryer që i shkon për shtat vetëm skllavit. Ka ardhur koha t’u shpallim luftë armiqve të brendshëm. Mbrojtja e vlerave të LANÇ-it nuk mund të bëhet veçse prej vetë popullit: dhe pëfaqësuesit e popullit e kanë për detyrë që ta udhëheqin këtë mbrojtje ndaj LANÇ-it dhe jo ta përdhosin atë revolucion heroik, sikundër po bëjnë të dy palët, të majtë e të djathtë.
Doni t’u them se ç’mendoj unë pse nuk qenë dje në përkujtimin e 10 korrikut të SHP “demokratikasit’ dhe “rilindasit”? Kjo ndodh se nuk na bënë dje të verbër, por ka 30 vjet që na kanë verbuar. Na kanë bërë një popull të verbër që shikimin e kemi në rregull, por që, duke parë, nuk shohim se çfarë po na bëjnë.
Dhe të gjithë këta të veshur me petkun e deputetit, ministrit, kryetarit të bashkisë e të komunës, kryetarit të partisë e të degëve të tyre, apo që kanë shokë në to, ata, duke hedhur në erë bustet dhe përkujtimoret e heronjve të LANÇ-it, i bëjnë këto veprime antiligjore e antikombëtare ngaqë janë plotësisht të sigurtë se nuk do të ndëshkohen për krimet që po bëjnë ndaj LANÇ-it; nuk do të arrestohen për vjedhjen që po i bëjnë pasurisë së këtij vendi; dhe se, edhe po qe se arrestohen, nuk do të gjykohen; e nëse edhe gjykohen, nuk do ta vuajnë denimin; por edhe nëse i burgosin, do t’ju falet; e po nëse edhe nuk do të kenë falje dënimi, do t’ju lejohet të ikin. Dhe nesër, kur këta përdhosës të LANÇ -it do ndërojnë jetë, do të varrosen me ceremoni siç i ka hije një heroi të popullit edhe pse armik i tyre, dhe do t’i ngritet edhe lapidari sikundër po u ngrihen gjithë kolaboracionistëve të djeshëm. Ky ka për të qenë përfundimi i demokracisë shqiptare nëse ne do vijojmë të heshtim e të rrimë të verbër me sytë në rregull!
Himarë, më 16 korrik 2019