(Prishtinë, 23 mars 2012 ) – Një babaxhan i ardhur nga shteti i Zeusit të Kosovës shkaktoi tërmet mediatik duke deklaruar se kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa paska blerë shtëpi në Shtutgart të Gjermanisë me paratë e Fondit të 3%. U ofruan pamjet e shtëpisë e cila, duhet pranuar se ishte në një lokacion të mirë dhe se ishte bukur e madhe. Thjesht, një shtëpi që ofron komoditet dhe siguri materiale për gjeneratat e familjes Mustafa në 500 vjetët e ardhshëm. Të gjitha mediet e plasuan si top lajm dhe se babaxhani në fjalë u bë më i famshëm se Anxhelina Xholi, së bashku me Bred Pitin! Mirëpo doli se ajo shtëpi ishte pronë e të ndjerit Mustafa Isa, nga Irani!
Irani dhe Kosovastani*
Në fillim të vitit 1989 kisha hyrë në vitin e tetë të vuajtjes së dënimit si i burgosur politik në Lepogllavë dhe gjithashtu kisha hyrë në vitin e pestë si i burgosur i izoluar ( veçuar ) prej të burgosurve të tjerë politikë shqiptarë. Isha i izoluar pa ndonjë arsye duke më atribuar një rrezikshmëri hipotetike ndonëse isha më paqësorë se vet Him Gova i ndjerë! Nga ky veçim përfitova shumë sepse e mësova shkrim – leximin shqip duke lexuar çdo gjë që më binte në dorë e që ishte përkthyer në gjuhën e pakicës shqiptare të Kosovës, shqiptarëve. Në dorë më ra edhe romani i Kolë Jakovës, “ Fshati Midis Ujërave “ që përmbante një humor të lehtë që të bënte të qeshësh edhe në kohë të vështira. Viti 1989 dhe vitet pas ishin vërtet të vështira. Mos të flasim për vitet para 1989! Atëherë ndodhën ndryshimet kushtetuese: ”me të cilat Kosova nuk humb asgjë, madje fiton shumë “. Ishin izolimet, diferencimet, arrestimet, gjykimet, vrasjet e shqiptarëve të atëhershëm. Në skenë doli elita e neopatriotëve kosovarë në me krye Azem Vllasin dhe Marigonën e atëhershme, Kaçusha Jashari. Neve në burg na u ”bë zemra mal“ që më në fund shpërtheu “patriotizmi“ dhe titistët e morën flamurin e patriotizmës shqiptare. Në fakt, edhe sot ndjehem shumë mirë që patriotët e konvertuar të atëhershëm edhe sot nuk kanë mbetur keq. Jo që nuk e kanë pësuar fare por jam shumë i “gëzuar” që filan diferencuesi qenka bërë deputet, zagari i Titos qenka bërë këshilltar i një ministri me perspektivë evropiane, djali i një udbashi është bërë këshilltar në hije me ndikim të madh në vendimmarrje, se filan gazetari, mik i Serbisë qenka bërë kujdestar mbrojtës i kosovarisë, se trashigimtari gjenetik i regjimit jugosllav titist është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës demokratike dhe multietnike, se qenka emëruar ambasador hajni dhe injoranti që ka punuar kundër Kosovës apo qenka emëruar në një vend shumë të rendësishëm një “bukuroshe“ që ka frekuentuar 50% të krevatëve të Kosovës! Duke përjashtuar këtu shërbimet e ofruara në vetura zyrtare luksoze, gjatë vikendeve në natyrë apo në ndonjë fotele firmato në një zyrë! Po e shihni se orarin e punës e paska pasur shumë të ngarkuar, prandaj edhe emërimi ka qenë shumë i merituar! Po çfarë lidhje kanë Kolë Jakova dhe titulli i këtij shkrimi? Kanë, shumë kanë! Në romanin në fjalë është një pjesë i zëvendësimit të personaliteteve që , njërën anë të bënë të qeshësh deri në situatë kur e humb kontrollin ndërsa në anën tjetër prodhon probleme për urdhërdhënësit e një veprimi. Një karaxhoz kapadai vendos të rrëmben Hanën e Zef Bacës, bukuroshen e fshatit prandaj e paguan një bandë që ta rrëmbejnë hyjneshën e bukurisë. Nata është dita jonë (Qosja) për dhunuesit dhe hajnat prandaj kështu veprojnë duke i hedhur një mbulesë në kokë (mënyra e arestimit që bën EULESH në Kosovë) jo personit të kërkuar, por personit të gabuar , Hanës së Zef Maces, një plake të mbetur fare! Zhgënjimi i dhëndrrit ishte i madh! E di që kam qeshur me zë aq të lartë sa që në kushtet e izolimit total i kam gëzuar gardianët që më ruanin pasi që ata me të drejtë kanë menduar se kam luajtur mendësh ! Se kam rrjedhur nga mendja! Jo që nuk kanë pasur të drejtë!
Një babaxhan i ardhur nga shteti i Zeusit të Kosovës shkaktoi tërmet mediatik duke deklaruar se kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa paska blerë shtëpi në Shtutgart të Gjermanisë me paratë e Fondit të 3%. U ofruan pamjet e shtëpisë e cila, duhet pranuar se ishte në një lokacion të mirë dhe se ishte bukur e madhe. Thjesht, një shtëpi që ofron komoditet dhe siguri materiale për gjeneratat e familjes Mustafa në 500 vjetët e ardhshëm. Të gjitha mediet e plasuan si top lajm dhe se babaxhani në fjalë u bë më i famshëm se Anxhelina Xholi, së bashku me Bred Pitin! Mirëpo doli se ajo shtëpi ishte pronë e të ndjerit Mustafa Isa, nga Irani! E tash, më gjeni lidhshmërinë midis Mustafa Ali nga Irani dhe Isa Mustafës nga Kosovastani *?!
Nga ky sensacion dhe diversion mediatik u shqetësua e veja e Mustafa Ali sepse ajo nuk paska ditur se e paska pasur burrin ministër në qeverinë e Bujar Bukoshit! Po del se burri i saj nga Irani “paska pirë duhan tinëz zonjës Ali“. Në anën tjetër as zonja Mustafa nuk mund të ndjehet mirë kur po del në shesh e “vërteta“ se burri i saj Isa paska pasur shtëpi ilegale në Shtutgart të Gjermanisë! Se edhe ky sikur Mustafa Ali nga Irani “paska pirë duhanin tinëz nga gruaja e tij“! Aq më parë kur për Isën flitet se ka pasur së paku 982 dashnore! Gjithnjë sipas medieve të ”pavarura” dhe gazetave numër 1 në Kosovë! U ndala vetëm në rastin e shtëpisë “pronë“ e Isa Mustafës në Shtutgart, jo për të arsyetuar pronarët dhe shpërdoruesit e fondeve të 3% dhe Vendlindja Thërret por për të treguar se si mediet, raportet dhe mosmarrëveshjet personale i përdorin për kriminalizimin dhe diskreditimin e personave publik dhe jopublik duke keqpërdorur këto medie (pronë private) deri në asgjësimin e kundërshtarit! Në këtë mënyrë janë rrënuar dhe shkatërruar shumë karriera politike, biznesore, profesionale etj. Janë shkatërruar shumë familje duke damkosur fëmijët e pafajshëm të prindërve të fajshëm por edhe të pafajshëm! Janë shqiptuar dënime ende pa filluar hetimet dhe në këtë mënyrë mediet marrin rolin e hetuesit, prokurorit, gjykatës dhe ekzekutuesit! Linçimi mediatik i paraprinë atij fizik! Kjo vetëm dëshmon se në Kosovës , përjashtuar disa raste të rralla vërtet kemi një “ kënetë informative“! Kemi gazeta dhe gazetarë të parapaguar për pushkatim publik të personave të caktuar. E sidomos apo ekskluzivisht këto bëhen me urdhër politik, vendore dhe ndërkombëtare! Ky është mjerimi i gazetarisë kosovare, mercenarëve dhe prostitutave që shiten për një porcion me qebapa me mish të importuar nga Brazili. Nga mishi i lopëve të çmendura, dalin idetë e çmendura! Me një fjalë, përgjegjësia duhet të jetë e barasvlefshme; si për personat që apostrofohen ashtu edhe për ata që kanë për detyrim të krijojnë opinion! Madje, për këta që krijojnë opinion përgjegjësia duhet të jetë shumë më e madhe! Kjo, në Kosovastan nuk mund të ndodhë! Prandaj edhe i kemi Eskadronet e Vdekjes të përbërë nga gazetarë injorantë që vegjetojnë në ambientet e shtëpive publike mediatike! Atyre elektronike dhe të shkruara!
Aristokrate e shartuar dhe snobiste e dëshmuar
Të jeshë diplomat në Kosovë nuk është përgjegjësi por privilegj! Diplomat mund të bëhesh nëse ke para por nuk ke fytyrë! Diplomat mund të bëhesh nëse ke vjedhur buxhetin e Kosovës dhe i ke kthyer bythët në drejtim të Jakovës! Diplomat mund të bëhesh nëse ke qenë mësues fshati, ke fituar tituj me para, të mungon kurrizi dhe i deshë brekët para padronit politik qoftë nëse ka mend aq sa ka një ferrë murrizi! Diplomat mund të bëhesh nëse me sukses ke flirtuar me ndërkombëtarë, ke sharë luftën dhe udhëheqësit e saj duke i quajtur hajna, kriminelë dhe gomarë duke u konvertuar pastaj, përmes proceseve “demokratike“ në përkrahës të këtyre hajnave dhe kriminelëve gjithnjë duke ua punuar prapa shpine si dhe duke mbajtur në duar një litar! E kanë detyrë dhe “ virtyt “ që në momentin e caktuar t’u vënë lakun në fyt! Diplomat mund të bëhesh nëse ke shkathtësi orale, je anëtar i Lidhjes së Kokainës apo nëse je pjesë aktive e nëntokës së Prishtinës! Por janë shumë pak raste kur je diplomat por edhe aristokrat! Zezdita është edhe aristokrate , edhe diplomate! Ka traditë në diplomaci, është artificiale në aristokraci! Diplomacinë e përdorë si faturë për snobizëm dhe aristokraci! Jo me para të xhepit por me para të buxhetit! Është e dështuar në diplomaci sepse më shumë i intereson ambalazhimi i saj fizik se interesi kosovar politik! Më duhet të them sinqerisht se ambalazhimi i saj fizik është shpërfaqje e suksesit të saj diplomatik! Sa i përket diplomacisë së Zezditës e përfundova! Sa i përket snobizmit dhe aritokracisë vetëm sa fillova! Më pëlqejnë definitivisht personat që marrin vendim dhe që kanë qëndrim! Flitet se si yll diplomatik që është nuk pranon të vendoset në hotele që kanë deficit të yjeve. Hotelet ku vendoset Zezdita duhet të kenë së paku 5 yje! Të jenë galaktikë e yjeve! Si person ekscentrik që është nuk pranon që hoteli ku vendoset të jetë më larg se 100 metra nga qendra! Në një rast e paskan vendosur në një hotel larg qendrës në një qytet të Gjermanisë dhe është dashur që urgjentisht ta zhvendosin nga ai hotel në një tjetër në qendër. Me një çmim shumë më të lartë! Këtë ma ka treguar shoferi që e ka zhvendosur duke më treguar gjithashtu se kostoja e angazhimeve diplomatike të saj në Gjermani në vitin 1992 ka qenë astronomike! Nuk po e përmend fare shifrën! Sepse, për cilësi të shërbimeve, qoftë edhe diplomatike nuk është me rëndësi shifra, qoftë ajo edhe astronomike! Po, le të shkojë kështu pasi që jemi definitivisht budallenj në kohën kur për vete mendojmë se jemi gjenial të mëdhenj!
Durimi, shpagimi dhe përfitimi
Nuk ka sot demokrat më të madh në Kosovë e mbase edhe më gjerë se Piter Fejt. Ishte dikur i tillë Kristofer Dell por tash ai llogaritet si demokrat në ikje! Po të mos lente pas vete Fejtin, proceset politike dhe demokracia do të dëmtoheshin në mënyrë të pariparueshme! Kështu, falë Zotit, Zoti Dell po lenë si pasardhës të tij dhe pronarë të demokracisë dhe çdo gjëje në Kosovë zzz. Fejt, Sparks, de Marnjak e sidomos gjeneralin “apolitik“ Drevs. I cili KFOR-in e ka shndërruar në OJQ! Merr shumë fonde dhe nuk bënë asgjë! Piter Fejt po sillet si Majkëll Korleone në filmin Nuni (Kumbara)! Vetëm hesht dhe mbaron punët! Si qytetar i Kosovës dhe bartës i të gjitha posteve më të rëndësishme e “uli“ veten duke marrë pjesë për tri ditë rresht në punët e komisionit për Ligjin e Prizrenit dhe për Ligjin e Velika Hoça. Si demokrat i vërtet që është nuk ndërhyri fare në punën e këtij komisioni! As nuk bëri presion, as nuk u kërcënua e as nuk foli fare! Thjesht, në mungesë të zyrës (janë duke ia rinovuar) u detyrua të azilohet për tri ditë në zyrët e qeverisë! E kishte nga zori! Jo pse donte të merrte pjesë në punët e këtij komisioni që udhëhiqej nga Naiti i cili rrëshqiti në akull kur temperatura ishte 22 gradë me tendencë të përshkallëzimit të mëtutjeshëm! Koha është e tillë kur duhet të rrëshqasin edhe ata që kanë menduar se i kanë rrënjët thellë në tokën e Kosovës! Endrju Sparks veproi si Santino Korleone në filmin në fjalë! Ishte kërcënues dhe i dhunshëm në paraqitje. Prandaj edhe vdiq. Politikisht, moralisht, njerëzisht dhe përfundimisht! Në Kosovë, së paku!
Ftesë për Akademi Përkujtimore
Me rastin e përvjetorit të vdekjes tragjike të Mikut Tim të Madh, bashkëmendimtarit dhe bashkëveprimtarit, Moamer el Gadafi organizoj Akademin Përkujtimore në të cilën ftohen të marrin të gjithë ata që e çmojnë veprën e tij të madhe e sidomos rolin e tij në forcimin e demokracisë! Ardhja është e obligueshme për të gjithë ata që kanë hëngër nga grazhdi im e që nënkupton se sponsorët medial i kam të siguruar! Këshillin organizativ do ta përbëjnë 130 anëtarët e delegacionit që e vizituan Djallin pak para se t’i prehet bileta për në ferr! Aty ka z.kryeministra, të parë dhe kurrfare hiç, ministra, deputetë, këshilltarë, analistë, prostituta politike dhe faktike, studentë të padiplomuar dhe idiotë të certifikuar, dishepuj të shqiptarisë dhe këlyshër të Serbisë e shumë personalitete të tjera pa të cilët nuk mund të paramendohet shqiptaria dhe mbarë Serbia! Në ballinën e bujtinës për strehimin e varfanjakëve dhe të pastrehëve (e ngritur mbi themelet e Ilirisë) do të jenë dy fotografi. E para vetëm Unë dhe Miku Im Gadafi ndërsa e dyta do të jetë e përbashkët, Unë, Miku Im Gadafi dhe anëtarët e delegacionit që me vizitën e tyre e (ç) nderuan Kosovën dhe Amerikën ashtu siç do të (ç) nderoni edhe neve me ardhjen tuaj! Akademia do të fillojë me himnin i përcjellur me vallen: “Xhamadani vija-vija e hëngri Kosova dhe e pati Libia“! I Juaji, Gjet Macolli, kontrabandues në skenën politike kosovare dhe mashtrues i certifikuar i përmasave globale!