ELIFE PODVORICA JASHARI: MIRËSEERDHËT TRIMA, AFRIM ZHITIA, FAHRI E BAHRI FAZLIU DHE AGRON RRAHMANI!

Prishtinë, 23 Nëntor 2019:

 

 

 

 

 

 

”Ata marrin trajtën e lulëkuqeve,
në duart e të rinjëve,
të përtrirë çfaqen në të gjithë Nëntorët me radhë
në ngjyrën e Flamurit”… (S.Zhitia)!

-Njerëzit grupe grupe të veshur bukur po nxitonin drejt dyerëve të Parlamentit të Kosovës, këtu në kryeqendrën tonë, e cila sot po më dukej më festive se çdo herë tjetër… Rrugës takova përplot shok të Afrimit që kishin ardhur enkas nga Zvicra, Gjermania, Austria,etj
E unë nxitoja tek luleshitësi që rri çdo herë në një qoshe që ndan dy rrugicat, për tu bashkuar me sheshin “Nëna Terese”..
Eh! Sot Nëna Qamë që po rrinte përskaj arkivolit të djalit të saj, më ngjalli imazhin e Nënës Terese! Por jo vetëm ajo! Edhe nënat që nuk ishin sot në mesin tonë, por që djemtë e tyre po rrinin shtrirë nëpër arkivolet e tyre! E Nëna Qamë qëndronte e fortë, burrërore dhe nikoqire edhe për dy vllezërit Fazliu, edhe për shokun e tyre Agronin! Çdo herë në të gjitha vitet e saja të jetës si Nënë, kishte ndenjur kështu-në gadishmëri të “punëve”të djalit të saj Afrimit, por edhe të gjithë shokëve të tij, të cilët seç rrinin duke kuvenduar diçka nën zë, deri në orët e hershme të mëngjesit, kur drita hiqte prajshëm terrin e natës… Sa e sa netë të tilla kishte gdhirë Nëna Qamë… sa e sa shokë të të birit kishte takuar dhe kishte shtruar sofrën me bukë në shtëpinë e saj të vogël… Ishte e mësuar ajo… Kështu kishte bërë edhe shoqja e saj, Nëna e Fahriut dhe Bahriut! E ndjera që sot nuk ishte aty… Po kështu, ishte dhe nëna e Agronit..

Dardana dhe Mali Zhitia

Eh sa nëna shqiptare kishin falur nga dy-tre djem në Altarin e Lirisë! Më duket që vetëm nënave shqiptare u ka rënë hise kështu … t’i rrisin djemtë e tyre me dashurinë e paskaj, e pastaj ATA me dashuri të paskaj, të nisen shtigjeve të pakthim….
Por jo! Ata sot po ktheheshin! Të mbuluar me kurora lulesh të freskëta në katër arkivol të mëdhenj! Të përcjellur nga Garda e Nderit !
Kup-kuo-kup… ishte krisma lamtumërise e pushkëve që njëherësh mbushën qiellin e ndritshëm të Prishtinës sot!
Dardanja me Malin përnjëherësh ndalën lojën e tyre dhe të habitur kthyen sytë tek ne!
– Mos u frigoni.. Janë krismat e pushkëve me të cilat bëhet nderimi i fundit për axhin Afrim..
– Janë të vërteta pushkët? – më pyeti Dardana përplotë kureshtje, në sytë e së cilës të dukej se ishte mbledhur e gjithë kaltërsia e qiellit të shëndtritshëm nga rrezet e një dielli të përgjumur vjeshtor…
Po Dardana, por….dhe në vend të përgjigjes takova shikimin me motrën e cila nxori një ofshamë, thellësia e së cilës mu duk se doli nga këtu e tridhjetë vite më parë…
Po! Bregu i Diellit para tridhjetë vitesh kishte ushtuar po kështu nga krisma armësh të cilat si korba të zeza kishin nxirë nënqiellin, në momentin kur nga kjo botë kishin marrë me vete dy djem të rinj…aq të rinjë..24 vjeçar…
Dhe sot po kështu të rinj-24 vjeç-po i përcillnim në Altarin e Lirisë! Ata do të kenë gjithmonë këtë moshë – 24 pranvera në Përjetësinë e tyre …
Mirëseerdhët o Djema..! Thashë me veten time teksa po bëja homazh afër varreve të tyre të mbuluara me tufa-tufa lulesh, të cilat me dashuri, dhimbje e krenari i vënin më të dashurit e tyre, shokët e Idealit, qytetar e student! Ushtarë të Gardës së Nderit, të cilët teksa po bartnin arkivolët e katër Dëshmorëve, dukeshin po aq të rinjë …24 vjeç…
Dhe teksa po rrjedhin emocionet me ngjyrim vitesh nga e shkuara jo fortë e largët, mendja më rri tek Katër Banorët e rinjë të kryeqytetit tim, të cilëve po u bie muzgu si pëlhurë e mëndafshtë mbi tufat me lule të freskëta…. Janë lule me gjethe të freskëta Afrim! Jo sikur ato gjethet e zverdhura që ti dikur para tridhjetë vitesh i shihje nga grilat e burgut të Pozharevcit… dhe t’i kanë hedhur bashkëluftëtarët tu! Shokët e Idealit !
Mirëseerdhët o Trima…! I lehtë ju qoftë dheu i Atdheut!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura