MEHMET HAJRIZI: SHTIGJET E PËRFLAKURA TË JANARËVE TË LIRISË

Prishtinë, 18 janar 2020: Fjalë në manifestimin „Flaka e Janarit“ në Gostivar dhe Kërçovë, më 16-17 janar 2020
1
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me historinë e saj të gjatë sa vetë sundimi dhe robëria e popullit që përfaqësonte, përbën përvojë të pasur, të pastër e të lavdishme çlirimtare. Organizimi i studiuar dhe profesional i saj, përpjekjet titanike dhe gjaku i derdhur rrëke në emër të idealeve të larta, në emër të së drejtës e të lirisë, të barazisë e demokracisë, e kanë bërë Lëvizjen tonë çlirimtare njërin nga shembujt universal të luftës për një botë më të drejtë, më të lirë dhe më humane.

Rezistenca dhe qëndresa triumfuese e popullit shqiptar kundër robërisë dhe pushtimit të huaj, historia e lavdishme e tij, i mbanë përjetë krenarë brezat e pambarim të racës shqiptare.
Në historinë më të re të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përfaqësues emblematikë të saj, sipas shembujve heroikë të traditës luftarake të paraardhësve, e vunë veten në shërbim dhe përkushtim të plotë për liri, deri në sakrificën supreme. Në këtë vazhdë, në janarët e përflakur të viteve 1982 dhe 1984 ranë për të mos vdekur kurrë edhe heronjtë Kadri Zeka, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Rexhep Malaj e Nuhi Berisha.

Mehmet Hajrizi: Fjalë në manifestimin „Flaka e Janarit“ në Gostivar dhe Kërçovë, më 16-17 janar 2020

2
Kryengritja e vitit 1981 kishte shpërthyer si pasojë e statusit prej kolonie të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, në njërën anë dhe si rezultat i veprimtarisë së gjatë e të bujshme të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në anën tjetër. Regjimi pushtues dhe zëdhënësit e tij në Kosovë, proklamonin me eufori se nga viti 1974, kur Kosova ishte avancuar në element konstituiv i Federatës jugosllave, shqiptarët gjoja ishin barazuar me popujt tjerë në Jugosllavi. Por e vërteta ishte që ata vazhdonin të mbeteshin popull i diskriminuar, i shtypur dhe i shfrytëzuar egërsisht. Jens Reuter, te libri „Shqiptarët në Jugosllavi“ duke shkruar për Krahinën e Kosovës, si streha e të varfërve e Jugosllavisë, thotë: „Më 1947 mesatarja jugosllave e zhvillimit ishte dy herë më e lartë se ajo e Kosovës, kurse më 1980 ky raport ishte katër me një.“
Kryengritja e vitit 1981 përbën nyjën dhe rubikonin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare nën Jugosllavi. Ndonëse u shua në gjakun e dëshmorëve të saj dhe të rreth njëmijë të plagosurve me armë zjarri, ndonëse e pati edhe çmimin e dhjetëra mijë të dënuarve e mbi shtatëqind mijë të trajtuarve në polici, ajo shënoi rezultate dhe fitore historike.
Çështja shqiptare, jo vetëm u bë e njohur gjithandej në botë, duke siguruar solidaritet të gjerë, por mund të thuhet se edhe u shtrua si një problem që kërkonte zgjidhje. Mediat botërore i bënë jehonë të gjerë kryengritjes, kurse diplomacia dhe politika ndërkombëtare, që nga Parlamenti i Bashkimit Evropian dhe deri në Kongresin Amerikan, filluan ta trajtojnë çështjen shqiptare, si një problem të pazgjidhur. Në një botim të veçantë të asaj kohe, propaganda e Beogradit me të drejtë konstatonte se ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, hyjnë në zhvillimet më dramatike në historinë më të re të Jugosllavisë.
Kryengritja e vitit 1981 ndikoi vrullshëm për zgjimin shqiptar, shënoi fillimin e fundit të sundimit serb në Kosovë, hapi një horizont të ri të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare dhe për herë të parë, lëkundi seriozisht themelet e Jugosllavisë së AVNOJ-it. Ajo e lëvizi dhe e ndryshoi historinë, shkroi me gjakun e dëshmorëve dhe shprehu vullnetin politik në mënyrë plebishitare të popullit të robëruar shqiptar, vrau frikën dhe shpërfaqi virtytet e larta të sistemit të vlerave tradicionale e luftarake shqiptare.
3
Kjo kryengritje, si revoltë e organizuar qytetare e kishte parathënien, por edhe pasthënien e vet. Lëvizja Kombëtare e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, pas demonstratave të njohura të 68-ës, për dhjetë vjet rresht kishte vepruar për organizimin, konsolidimin dhe fuqizimin e radhëve të veta, duke formuar militantë profesionistë të përgatitur për staza të gjata të shtegtimit revolucionar. Në themel të këtyre përpjekjeve, që në moshë të re, u angazhuan heronjtë e ardhshëm Rexhep Malaj dhe Kdri Zeka me të cilët më vonë u bashkuan edhe Jusuf Gërvalla, Nuhi Berisha dhe Bardhosh Gërvalla. Ndonëse në organizata dhe në periudha të ndryshme, ata i bashkonte një ideal, një qëllim dhe sakrifica në emër të tij.
Lëvizja Kombëtare e viteve shtatëdhjetë kishte arritur pjekuri të lartë politike, formim teorik dhe intelektual të veprimtarëve dhe zbatonte norma të rrepta organizative, si disiplina dhe konspiracioni. Megjithatë, intensifikimi i veprimtarisë për zgjerimin e radhëve, për shtypin e larmishëm klandestin dhe shpërndarjen e tij, për shtrirjen e strukturave të organizuara në gjithë gjeografinë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia, por edhe në mërgatë, për aksionet praktike në terren dhe demaskimin e politikës pushtuese, për përgatitjen e kushteve të një rezistence të hapur qytetare etj., bënte që rrjeti i dendur agjenturor të gjente fije dhe pista dyshimi për veprimtarët e lirisë. Korifenjtë tanë të Lëvizjes kishin rënë në sy të UDB-së famëkeqe, prandaj Rexhep Malajn e dënuan me shumë vite burg, ku në pranga e vazhdoi veprimtarinë, kurse Kadriu, Jusufi, Nuhiu dhe Bardhoshi u detyruan të vepronin në konspiracion të thellë ose të mërgonin jashtë vendit.
4
Gjatë dhe pas kryengritjes së vitit 1981 Lëvizja Kombëtare u godit rëndë, por ajo nuk mund të zhdukej më, prandaj si feniksi filloi ripërtëritjen. Në rendin e ditës të historisë ishte bashkimi i potencialit të përndarë në disa organizata të kësaj Lëvizjeje, në një front të përbashkët dhe të vetëm. Përpjekjet e para ishin bërë para kryengritjes, por rezultatet u bënë të dukshme pas saj, sidomos në mërgatë, ku Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla i shkrinin strukturat e tyre organizative, jo në tavolinë por në veprim, në demonstratat e fuqishme për mbështetjen e kërkesave të atyre brenda vendit për barazi dhe Republikë.
I ndodhur në një gjendje pamundësie, paqartësie, hutimi dhe konfuzioni, regjimi pushtues serb e jugosllav, u ndje i rrezikuar para këtij uragani rezistues popullor, por edhe nga solidarizimi i gjerë ndërkombëtar me kërkesat legjitime shqiptare, prandaj hapi frontin e gjerë antishqiptar në përgjithësi dhe kundër Lëvizjes Kombëtare, në veçanti. Atij nuk i mjaftuan vrasjet dhe represaliet gjatë kryengritjes, burgosjet masive etj., por u detyrua të organizojë edhe atentate tinëzare kundër përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Kombëtare. Për ta parandaluar procesin e bashkimit të organizatave atdhetare, policia e fshehtë jugosllave vrau në pritë kriminale, në krye të detyrës së bashkimit, Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën në Untergrupenbach të Gjermanisë, në 17 janarin e acartë të vitit 1982. Kjo vrasje, jo vetëm nuk e dërmoi Lëvizjen, siç pretendohej, por ngriti në këmbë mijëra të tjerë për ta shpëtuar dhe fuqizuar atë për shtigje të reja të lirisë. Po atë vit bashkimi u arrit për të qenë aktiv deri në Luftën çlirimtare dhe ngadhënjimin e saj mbi armikun pushtues.
5
Parulla e bashkimit, e thirrur aq shumë në Kryengritjen e vitit 1981, vazhdonte të jehonte edhe pas tri viteve, kur ndjehej nevoja e shkrirjes së shumë organizmave çlirimtarë të formuar para dhe sidomos pas demonstratave. Rexhep Malaj, tashmë i kthyer nga burgu, bashkë me veprimtarin e hershëm Nuhi Berisha u vunë në ballë të përpjekjeve në procesin përbashkues të potencialit të rezistencës brenda dhe jashtë. Të ndjekur nga regjimi, ata vepronin në konspiracion të thellë dhe në kushte tepër të rënda të represionit e terrorit udbesk.
Dy vite pas krimit në Gjermani, forca të mëdha policore të njësive speciale vranë edhe Rexhep Malajn e Nuhi Berishën, më 11 janar 1984. Edhe ky krim po bëhej në funksion të parandalimit të bashkimit dhe të mposhtjes së Lëvizjes, por efekti i tij qe krejt i kundërt. Sikundër Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mori hov dhe masivizim pas rënies së Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij në mars të vitit 1998 në Prekaz, kështu edhe pas çdo vrasjeje tjetër të veprimtarëve, para dhe pas saj, kishte ngritur mijëra të rinj për t’i zëvendësuar të rënët.
6
Humbja e këtyre personaliteteve të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të përgatitur gjatë si veprimtarë profesionistë dhe me rolin prijës në kohë kthesash me rreziqe të paparashikueshme, nuk mund të kompensohej shpejt as lehtë.
Ata dinin të kapnin fillin zhvillimor të Lëvizjes, duke trajtuar çështje jetike të saj, si bashkimi dhe zgjerimi i radhëve të organizuara, ndërtimi strukturor i qëndrueshëm i tyre, disiplina dhe konspiracioni i veprimit, afirmimi ndërkombëtar i çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe edukimi patriotik e formimi i militantëve të organizuar.
Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka më 1982 dhe dy vite më vonë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha ishin dhe mbetën shembull i shkëlqyer dhe monumental në historinë e përpjekjeve të figurave të shquara të kombit tonë për bashkimin e mendjes e të forcës, të potencialit shqiptar të lirisë.
Heronjtë tanë përfaqësonin virtytet sublime si, dija dhe guximi, vullneti i hekurt dhe vendosmëria, dashuria ndaj atdheut dhe vetëmohimi, lidershipi dhe shkathtësia, kujdesi për bashkëveprimtarët dhe solidariteti, shpirti njerëzor e modest i tyre. Ata edukuan breza të Lëvizjes Kombëtare dhe mbetën përgjithmonë shkollë e edukimit të atdhedashurisë, burim i pashtershëm i frymëzimit të të gjithë brezave.
Në jetë njeriu mund të zgjedhë rrugën e lehtë, të interesave meskine, të ambicieve protagoniste e të famës personale, por dëshmorët zgjodhën rrugën e drejtë e të vështirë, të interesit të përgjithshëm e të sakrificës, prandaj fama u shkon pas si hija. Duke u flijuar „në ballë të popullit dhe te këmbët e tij“, ndryshe nga ne të gjallët e përkohshëm, ata u bënë përjetshëm të gjallë.
Kombi ynë i vogël ka shumë dëshmorë, të cilët si dikur edhe sot e gjithmonë do të përbëjnë atë bankën kombëtare të vlerave njerëzore e virtyteve të larta fisnike, nga e cila marrim kredi të gjithë. Ata janë faktet e historisë sonë, janë mburrja dhe krenaria shqiptare. Të mbash gjallë kujtimin për dëshmorët, do të thotë të mbash gjallë kombin, sepse kur shuhet kujtimi për dëshmorët, vdes edhe kombi i tyre.
Në këto çaste emocionante, të pushtuar nga ndjenja dhembjeje e krenarie, dashurie e malli, nderimi e obligimi atdhetar, i falemi kujtimit të emrit, jetës dhe veprës së dëshmorëve të pavdekshëm.
I ndodhur në këto treva shqiptare, dua të vlerësoj lart dhe të shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin e madh dhe dëshmorët e shumtë që i kanë dhënë ato çështjes së shenjtë të kombit dhe lirisë e përparimit të tij.
I përjetshëm do të jetë kujtimi për dëshmorët e kombit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura