CEREMONIA E VETËDIJES MORALE PËR NDJENJËN E VETËRESPEKTIT KOMBËTAR

CEREMONIA E VETËDIJES MORALE PËR NDJENJËN E VETËRESPEKTIT KOMBËTAR

Nga Dr.Arben Hoxha, Pashtriku 01.06.2022

(Kumtesë e lexuar në Akademinë Mirënjohëse kushtuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe Veprimtarëve të saj në komunën e Gjakovës, organizuar nga Shoqëria Lëvizja në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, mbajtur më 26.05.2022 në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.)

Të nderuar veprimtarë, pjesëtarë, udhëheqës e organizatorë të formacioneve të ndryshme politike e ushtarake, në faza e etapa të ndryshme të luftës kundër kolonializmit serbo-jugosllav:

– të nderuar familjarë të dëshmorëve;

– të nderuar zonja e zotërinj;

– të nderuar të pranishëm!

Sot jemi bërë bashkë në një aktivitet ceremonial për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata të cilët, nën peshën e pushtimit kolonial jugosllav – kur instinkti i vetëruajtjes njeriun e zakonshëm e shtyn drejt tkurrjes deri në nënshtrim – kanë pasur forcën e guximit për të sakrifikuar pjesë apo tërë qenien e tyre individuale në dhe për interesin e përgjithshëm kombëtar.

Veprimtarinë tonë të sotme e shënjojnë dy përbërës reciprokisht të ndërlidhur: a) ceremonia, dhe b) mirënjohja.

Pse na është e nevojshme “ceremonia” dhe “mirënjohja”?

Ceremonia është akti; mirënjohja është përmbajtja e aktit. E para është skena e jetës morale të një kombi, e dyta është aktorja morale që e artikulon vetëdijen vlerësuese në atë skenë. Të dyja bashkë janë manifestim i karakterit të moralit përmes të cilit një komb e sheh veten në të kaluarën dhe të ardhmen e tij.

Ideja e lirisë, qëndrueshmëria në guxim dhe gatishmëria në sakrificë janë trinomi-shënjues i jetës morale të një kombi. Ideja e lirisë është forca centripetale e vullnetit për bërje. Sakrifica është masa e vullnetit në lëvizje që e synon aktualizimin e vetes në liri. Qëndrueshmëria në guxim është cilësi e sakrificë, por jo vetë vlera e sakrificës. Vlera nuk është e njësishme me cilësinë. Aftësia për ta vendosur njeriun në një rend të lartë dinjiteti e humaniteti përmes aktit të ofrimit total të qenies, përbën masën e vlerësimit të vlerës së sakrificës.

Ceremonitë mirënjohëse nuk duhet të jenë festime të jashtme fizike të vlefshme për ata që i marrin ato mirënjohje. Përkundrazi. Ceremonitë mirënjohëse duhet të jenë thirrje për zgjim të zërit të brendshëm të një kombi për të besuar në një ideal, në një ëndërr, e cila, në dhe përmes sakrificave, si ofrime totale të qenies, mund të kthehet në realitet. Ceremonitë mirënjohëse janë konkluzionet e proceseve aksiologjizuese më të thella mendimore, në të cilat shfaqen aftësitë e gjendjes shpirtërore të një kombi për t’i vlerësuar vlerat domethënëse që e përbëjnë kuptimin e ekzistencës së tij. Përmes ceremonive mirënjohëse për kontribuesit e lirisë, një komb i manifeston aftësitë që posedon për t’i strukturuar ndryshimet e vetëdijes së tij në një proces zhvillimi e emancipimi.

Akti i sakrificës shënon pikën e takimit midis të zakonshmes me të jashtëzakonshmen, të reales me idealen, të imanentes me transcendenten. Ceremonitë mirënjohëse për ata që kanë sakrifikuar për lirinë duhet të jenë manifestim i vetëdijes më të lartë për efektin që ushtron në ndërgjegjen kolektive prishja e kufijve të të kufizueshmes me të pakufizueshmen. Ceremonitë mirënjohëse janë pikat kufitare në të cilat ndodh kalimi nga një gjendje në një gjendje tjetër ndryshimi e rritjeje. I bashkuar në ceremoni, një komb arrin ta kuptojë më qartë forcën e njëshmërisë me veten e vet, në kohë dhe hapësirë.

Vetëm përmes një qartësie konceptuale vlerësuese ceremonitë mirënjohëse arrijnë të na ngritin në lartësinë hermeneutike të të kuptuarit për peshën e asaj, e cila dje, për mendjen e zakonshme, ishte e pakuptueshme, sepse e paarritshme për zakonshmërinë e saj. Heronjtë – thotë Niçe – në marrëdhënie me kohën janë sikur prindi me fëmijën e tij: fëmijës i duhet kohë e gjatë për të arritur në moshën e shtyrë të prindit të vet. Prandaj, heronjtë janë heronj, sepse gjithmonë i paraprijnë kohës. Prej modeleve të djeshme të njerëzve që ishin të gatshëm të sakrifikojnë, përmes refleksionit vlerësues, ne sot e ndërtojmë kuptimin për dëshirat tona të vërteta. Përmes tyre ne arrijmë të kuptojmë se çfarë është e rëndësishme për ne sot që e nesërmja jonë të jetë e sigurt.

Në mungesë të përcaktimit të kriterit për matjen e sakrificës, vetëdija jonë vlerësuese edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet në një gjendje të rënduar skepticizmi e rezignimi përballë antipodeve të vlerës së lirisë: karrierizmit politik, demagogjisë politike, relativizimit të të vërtetave për heronjtë dhe për tradhtarët, për mosdallimin e idealistëve të vërtetë prej matrapazëve të idealeve të mëdha. Qëndrimet dhe vlerësimet paradoksale, siç është rastin me vlerësimin e rolit të të burgosurve politikë për emancipimin e vetëdijes për liri e dinjitet, përbëjnë letërlakmuesin e gjendjes së rrënuar të ndërgjegjes sonë vlerësuese kolektive dhe identitetit tonë politik. Kështu, në Kosovë nga e ashtuquajtura “elitë kulturore” paradosksalisht do të etablohet një qëndrim, në njërën anë, zhvlerësues dhe përbaltues ndaj të burgosurve shqiptarë brenda hapësirës së ish-Jugosllavisë si marksistë-leninistë dhe, nga ana tjetër, një prirje solidarizimi deri në “identifikim” me vuajtjet e të burgosurve të regjimit të Enver Hoxhës. Paradoksi i tillë e nxjerr në pah moralin hipokrit të sjelljes të të ashtuquajturës “elitë kulturore” të Kosovës, e cila fyerjen, në njërën anë dhe identifikimin, nga ana tjetër, i përdor si instrumente etike për t’i dhënë arsyeshmëri morale aktit të nënshtrimit të saj të djeshëm karshi regjimit kolonialist të Jugosllavisë së Titos.

Kozmogonia e qytetërimit perëndimor është ndërtuar mbi parimin e vitalitetit të jetës për bërje, e cila kalon përmes sakrificës për lirinë. Në mitologjinë greke heronjtë ishin të barasvlershëm me perënditë. “Iliada” e Homerit, tragjedia “Medea” e Europidit, “Antigona” e Sofokliut apo “Apologjia e Sokratit” e Platonit, janë vepra të cilat i bëjnë jehonë narratives së heroikes, ku personazhet e tyre iu kundërvihen fuqive absolute, qoftë zotërave qoftë shtetit. Për shkak të rrënjosjes aq të thellë të narratives heroike në qytetërimin perëndimor, narrativa cinike e hedoniste e etabluar në strukturën e mendimit kritik tij, si instrument korrektues e konkurrues i narratives heroike, fillimisht, u gjend e shtangur, për të kaluar më pas në një admirim përulësie kundrejt sakrificës dhe rezistencës së popullit ukrainas ndaj agresionit rus. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe. Në situata të skajshme shfaqet substanca e karakterit të një qytetërimi.

Sot jemi tubuar në këtë ceremoni që, duke shprehur mirënjohjen ndaj atyre që kanë dhënë kontribute për liri e emancipim, të reflektojmë për ngjarjet rezistente kundër kolonializmit njëshekullor serbo-jugosllav dhe kundër jugosllavizmit, si ideologji, të lokalizuar në një hapësirë vendore: në Gjakovë.

Duke afirmuar parimin e vullnetit për fuqi dhe rolin e fuqive të vullnetit krijuese të njerëzve të mëdhenj, Niçe, në veprën “Perëndimi i idhujve”, thotë: “Njerëzit e mëdhenj janë të nevojshëm, epoka në të cilën ata shfaqen është e rastësishme”. Mund të jetë e rastësishme koha kur shfaqen heronjtë, por, gjithashtu, mund të thuhet se nuk është i rastësishëm vendi ku shfaqet vullneti i subjekteve krijuese të ngjarjeve të mëdha.

Janë disa ngjarje të mëdha në historinë e kombit shqiptar, të cilat Gjakovën e bëjnë topos dhe etos të luftës për krijimin e kombit modern shqiptar si dhe sinonim të antijugosllavizmit. E këto ngjarje janë:

Gjakova e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: e kjo është Gjakova e Sulejman Vokshi dhe e Ahmet Koronicës;

Gjakova e luftës për Pavarësi: e kjo është Gjakova e Bajram Daklanit dhe e Bajram Currit;

Gjakova e LNÇ-së: e kjo është Gjakova e Emin Durakut si dhe Gjakova e konceptit të filozofisë politike të materializuar në traktatin programatik “Manifesti i Irredentizmit Antifashist”  nga mendja vizionare e studentit të dalluar të filozofisë në vitet ’30 të shekullit XX në Universitetin e Tuluzës së Francës – të njërit prej intelektualëve, që për nga masa e kriticizmit dhe enciklopedizmit në botën akademike shqiptare edhe sot e kësaj dite mbetet i pa tejkaluar – Gjakova e profesor Selman Rizës;

Gjakova e Bujanit të Malësisë së Gjakovës: e kjo është Gjakova e Hajdar Dushit, e Xheladin Hanës, e Qamil Luzhës, e Bije e Xhafer Vokshit, e studentit të filozofisë të Universitetit të Tuluzës së Francës – Gjakova e Zekeria Rexhës etj.;

Gjakova e të etiketuarve nga regjimi kolonial jugosllav si Informbyroistë: e kjo është Gjakova e Qamil Brovinës, e Mejreme Vokshit, e vëllezërve Sefedin e Fahredin Hoxhës, e Ali Manxhukës etj.;

Gjakova e grupit ilegal të vitit 1956 në përbërje të së cilit ishin Hyda Dobruna, Muhamet Brovina, Besnik Koci, Gjon Shtufi etj;

Gjakova e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” në krye të së cilës ishte një nga përfaqësuesit më dinjitozë të rezistencës antikolonialiste serbo-jugosllav në nivel kombëtar, Kadri Kusari, me anëtarët e tjerë të organizatës Asim Vula, Hyda Dobruna, Nuredin Saphiu, Avni Lama, Murteza Nura, Teki Dervishi, Sefedin Fetiu etj.;

Gjakova e heroinës së rezistencës antijugosllave dhe simbolit të emancipimit kulturor, të njërës prej themelueseve të Teatrit Kombëtar të Prishtinës, tri herë e burgosura politike, motra e dëshmorit Xheladin Hana – Gjakova e Hyrije Hanës;

Gjakova e vëllezërve Hyda, Sokol e Muslim Dobruna, të cilët do të jenë në krye të luftës kundër kolonializmit serbo-jugosllav që nga vitet ‘50 të shekullit XX për ta përmbyllur etapën e madhe të luftës së tyre, bashkë me nipërit, me armë më dorë brenda radhëve të UÇK-së në fundin e shek. XX;

Gjakova e grupit ilegal të vitit 1983 e Naim Jakës, Islom Kocit, Afrim Dedës, Azgon Bordoniqit, Ramadan Spahiut, Avni Ferizit etj., grup ky i cili me aksione konkrete do ta sfidojë ideologjinë shkombëtarizuese të jugosllavizmit duke e djegur tribunën ku do të bëhej dorëzim-pranimi i stafetës së Titos, simbolit të rrejshëm të bashkim-vëllazërimit jugosllav;

Gjakova e aktit heroik të Muslim Dobrunës, i cili, në vitin 1984, ndjenjat e thella kundër kolonializmit jugosllav do t’i manifestojë përmes aktit heroik duke sulmuar me molotov Komitetin e Gjakovës, si institucion shtetëror-simbol i përhapjes së ideologjisë jugosllave;

Gjakova e organizmit ushtarako-politik të vitit 1990 në Frontin e Rezistencës dhe të Bashkimit Kombëtar të drejtuar nga Mentor Kaçi, me anëtarët: Sokol Dobruna, Fatlik Lila, Hamëz Jashari, Zenel Sadiku, Naim Krasniqi, Ismet Kryeziu, Afrim Morina, Çerkin Peci, Fatos Aliu, Deli Haxhosaj etj.;

Gjakova e organizmit ushtarak të grupit të Murteza Nurës të vitit 1993;

Gjakova e vijave të para të fronteve të luftës së UÇK-së në Dukagjin: e kjo është Gjakova e Përmet Vulës dhe e Elton Zherkës;

Gjakova ekzemplar i virtytit të nderit dhe besnikërisë: e kjo është Gjakova e djemve që i mbeten besnikë fronteve të luftës edhe atëherë kur të shumtë ishin ata që i braktisën ato fronte. Pas ofensivës së dytë, kur në Shtabin e Zonës së Dukagjinit, bashkë me komandat Ramush Haradinajn, do të mbesin me pak se 50 ushtarë të UÇK-së, mbi gjysma prej tyre do të jenë luftëtarë besnikë nga qyteti i Gjakovës. Besnikët gjakovarë në frontet e luftës me Ramush Haradinajn, do të jenë besnikët e vënë në mbrojtje të popullatës dhe të qytetit të Gjakovës nga veprimet gjenocidale të ushtrisë serbe. Çdo ushtri në situata të rrethimit të hekurt kërkon shpërthimin e rrethimit dhe daljen prej tij. Me djemtë e Gjakovës, pjesëtarë të UÇK-së, do të ndodhë një veprim që nuk mund ta shpjegohet me forcën e mendjes konceptuale ushtarake (sepse logjika konceptuale mendore është krejtësisht e paaftë për ta kuptuar logjikën e vullnetit dhe pasionit për liri): ata do ta çajnë rrethimin për të hyrë në mes të rrethimit; në atë rrethim ku ndodhej populli me qëllim që t’i dalë zot atij.

Gjakova në historinë e luftës së fundit për çlirim nga zgjedha serbo-sllave, do të mbetet i vetmi qytet në Kosovë që do t’ia kthejë pushkën ushtrisë serbe, duke zhvilluar luftime në afërsi deri në 2-3 metra!

Si qytet i arsimit, kulturës, bujarisë e mikpritjes, në historinë e vet Gjakova e Sulejman Vokshit çizmeshkelësve të huaj të paftuar ka ditur t’u ofrojë variantin e saj të “mikpritjes”: Gjakovën e varrit të Ali Pashë Maxharrit!

Ngjarja nuk është rezultat, por proces. Ngjarja nuk ndodh, por krijohet. Ngjarjet janë mundësi. Heronjtë gjakovarë, me veprimet e tyre mundësitë do t’i kthejnë në domosdoshmëri historike. Ata do të jenë trupëzimi i shpërthimit të së resë së paparashikueshme për mendjet e zakonshme, e cila e imponon hapin e madh të shkëputjes nga gjendja e njëtrajtshmërisë së të zakonshmes dhe indiferencës në gjendjen e lëvizjes së bëftë e të entuziazmit të vullnetit për liri.

Vullneti krijues i heronjve është grushtshteti ndaj njëtrajtshmërisë monopoliste të historisë.

Ndjenjën morale të mirënjohjes për të gjithë ata që kontribuuan dje kundër kolonializmit njëshekullor serbo-jugosllav, sot na mbetet ta përkthejmë në ndjenjë përgjegjësie ndaj detyrës për vetëzhvillim si komb i njësishëm!

Ju faleminderit!

Total
0
Shares
1 comment
  1. -CEREMONIA E VETËDIJES MORALE PËR NDJENJEN E VETËRESPEKTIT KOMBËTAR” NDJERONJERËZIA EMOCIONALE PËR QENJE E ETËRESPEKTIT SHQIPTAR! DASHURIA NDAJ ATDHEUT, AMSHURIA NDAJ ATKREUT, QË MË POROSI AUH,
    KRYELEGJENDA SHEKULLORE, TEJPRORE PRIR, MËSA HYEREGJENDA TEMPULLORE; A NGA FRIKA NDËR MË LIGA QË
    CA SERVILË, STERILË, DEBILË, PAS SULMIT TË FAMILJES ADEM KRYELEGJENDARIT NË PREKAZ A KRUJA, KRERFAZA O PRURJA, QË GJËJA, PRERJA, PREFERONIN:-JU TË NDERUARA FAMILJE JASHARI, VETËM MOS IA KRISNI LUFTËS, DO I KENI PASAPOARTAT DIPLOMATIKE NGA BEOGRADI; DHE, ZGJEDHNI VENDIN MË TË BUKUR NË EUROPË EDHE N’BOTË;
    SI DHE, SA TË DONI PARA DHE PASURI, VETËM DHE VETËM MOS IA KRISNI LUFTËS ÇLIRIMTARE MBARË SHQIPTARISË!”
    PËRGJEGJJA E KRYELEGJENDËES ADEM JASHARIT NGA PREKAZI MADHESHTOR MË ARBEROR: AHIII, O, KUKU PË NE
    ÇFARË KRYETARI DHE ÇFARË DR. PROF. UNIVERZITETI KEMI! HEEEJ, NE, DO IA KRISIM LUFTËS , SEPSE, QE PSE: AH, MË
    MIRË QË TË FLIJOHEMI NE, TERË FAMILJA DHE FARËFISI; SESA TË FLIJOHEN DHE TË NËNSHTROHEN GJITHA TROJET
    TONA MBARË KOMBËTARE, MBARË SHQIPTARE!!” MË T’ FALA REFUGJATË LUFTË NGA TROJET SHQIPTARE, MANI USA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura