Gjilan, 20 janar 20200: Më 19 kallnor 2020 nga familja e shokut e mikut tonë të çmuar u dha kumti mortor: se pas një sëmundje të rëndë vdiq Sabit Rexhepi! Sabiti ishte veprimtar i pandalshëm kombëtar… I përndjekur e i burgosur politik për të drejta kombëtare të shqiptarëve, të mohuara me të gjitha mjetet e dhunës politike, policore, ushtarake e gjithfarë mënyrash nga Serbia, Federata Jugosllave dhe serbët lokalë. Sabit Rexhepi që në rininë e tij, kishte shfaqur trajta të ndryshme pakënaqësie ndaj politikës kriminale serbe-ortodokse mbi shqiptarët… Për bindjet dhe mos nënshtrimin ndaj pushtimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ishte ndjekur e burgosur disa herë, ishte gjykuar me disa vite burg nga policia gjakatare serbe – jugosllave… Burgosjet dhe torturat e shtetit të Jugosllavisë nuk e kishin thyer veprimtarin Sabit Rexhepi.
Sabit Rexhepi 1947-2020
Brezi i tij i veprimtarëve “Për Republikën e Kosovës”, ishin regjur, forcuar e pjekur sipas urtisë: – E sheh rrushi-rrushin dhe piqet. Sabit Rexhepi në bashkëveprim me një varg veprimtarësh të ilegales, si: Nazmi Hoxha, Hydajet Hyseni, Bejtullah Tahiri dhe të tjerë, figura të denja, por këtu nuk mund të zgjatemi për të tjerët, zgjodhi rrugët e mundshme të veprimit, të demaskimit, të mosbindjes deri në kryengritje kundër krijesës shtetërore koloniale Serbe-Jugosllave… Shkaku i përndjekjes edhe pas gjykimit e mbajtjes së burgut politik, Sabitin e detyroi të arratisej fillimisht në Gjermani dhe të zhvendosej nga Gjilani, pastaj të vendosej përkohësisht në Shqipërinë Perëndimore – administrative. Rrethana e tillë për Sabit Rexhepin, Nazmi Hoxhën e të tjerë, ishte e detyrueshme, pos tjerash, që të mbaheshin materialisht dhe të ndihmonin familjen; njëkohësisht pa i pushuar përpjekjet atdhetare – politike për Lëvizjen Ilegale në Kosovë, përderisa të piqeshin kushtet për hapjen e të gjitha formave e mënyrave të veprimit legal kundruall okupatorit. Sabit Rexhepi në asnjë rrethanë nuk do ta ndalte përkushtimin, as kur “Erërat Demokratike” filluan t`i përmbysnin si “kartonë prej letre” regjimet diktatoriale moniste prosllave… Ishte njeri me etikë e besim të fortë në idealet atdhetare – çlirimtare.
Vuajtjet dhe mizorinë e inspektorëve të UDB-së ndaj të burgosurve paqësorë shqiptarë, Sabit Rexhepi i pasqyroi, edhe pse nuk ishte vokacion i tij shkrimi, në librin me kujtime e të dhëna të drejtpërdrejta, titulluar “Për Republikë”, publikuar në Gjilan, më 2012. Këtë vepër, me shkëputje përjetimesh personale, për trajtimet e policisë me frymë mizore jugosllave mbi rininë atdhetare të Kosovës, ky personazh dhe autor e quante roman, ndonëse është kronikë e dhimbjes dhe krenarisë sonë…
Miku e shoku jonë i çmuar Sabit Rexhepi, para se t`i vinte sëmundja, e cila kësaj radhe e mundi dhe e gatiti për botën e amshuar, la një familje të shëndosh, një kapital atdhetar e njerëzor të begatshëm, një karakter të njeriut, të prindit, të shqiptarit të sinqertë, urtarë e modest.
Sabit Rexhepi ishte veprues edhe si kryetar i Degës në Gjilan i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Gjithnjë i pa përtesë për ta ngushëlluar të pikëlluarin, për t`i dhënë kurajë zemër-thyerit…
Sabiti ishte dhe mbeti shok i shokëve të idealeve! Me ftesën e të Madhërishmit Ai shkoi në amshim, por jo zemërplasur, sikurse shumë pararendës idealistë e atdhetarë!… Zemërimet e qortimet e Tija për ndonjë keq-vajtje të shtet-ndërtimit, kishte besim se do t`i përmirësonin urtarët e frymës së qindra mijëra atdhetarëve e të dëshmorëve, gjithsesi edhe sipas modeleve të dy krye – prijësve, të dy Ademave!
Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, të Degës në Gjilan, kryetar i së cilës pikërisht në këtë mandat, ishte i ndjeri Sabit Rexhepi; familjes Tij të dashur, ish të burgosurve politikë, miqve, shokëve e të gjithë dashamirëve: ju shprehim mirënjohje e ngushëllimet më të thella me dhimbjen, krenarinë e sinqeritetin tonë për të ndjerin, prindin, gjyshin, vëllamin, shokun e mikun Sabit Rexhepi; për buzëqeshjet e Tija të çiltra që do të na mungojnë!
Lamtumirë Sabit, shoku, miku e bashkëveprimtari ynë i devotshëm!
Qoftë i pashuar ideali dhe emri Yt atdhetar!
I ëmbël qoftë dheu i këtij trualli që e deshe aq fort!
Lavdi!