Durrës, 18 mars 2020: Sërbia vrau para disa vjetësh disa dhjetëra mijë evropianë! Por Evropa nuk u alarmua as përafërsisht kaq sa po alarmohet tani nga Korona.
Le t’i marrin gazetat dhe le të matin e llogaritin thjeshtë sipërfaqet e letrës! Sa sipërfaqe letre shpenzonte Evropa për të lajmëruar numrin e evropianëvet që po i vriste Sërbia brenda një dite a brenda një muaji?! Sa sipërfaqe letre po shpenzon sot Evropa për të lajmëruar numrin e evropianëve që po vret ose po rrezikon të vrasë Korona?!
Le t’i krahasonë dy sipërfaqet e letrës!
Por le ta krahasojnë edhe numrin e vikimavet!
Sërbia, “virus” krejt i dukshëm, “virus” të cilin mund ta shihte kushdo që i kish dy sy nën ballë, vrau ME MIJËRA boshnjakë e shqiptarë (evropianë!) dhe gazetavet të Evropës u dhimbeshin dy gisht letër për ta përshkruar këtë lloj vrasësi! As sot, Evropës sonë, nuk po i shkon mendja, as t’i izolojë e le më t’i dënojë me vdekje ata që vranë atëherë me mijëra evropianë!
Pse ndodhi e pse po ndodh kështu?!
A sepse “virusi”- Sërbi nuk vrau atëherë italianë, francezë, gjermanë?!
Apo sepse epidemia sërbe, hë për hë, dukej dhe ende duket sikur nuk paraqet kërcënim për t’u përhapur?!
Nuk po dua aspak të zgjatem në analizën e kësaj dukurie zhgënjyese. Më vjen neveri kur i kujtoj e i kuptoj pamençurinë dhe imoralitetin e kësaj Evrope, pjesë e së cilës jam edhe unë.
Le të merren me këtë temë gazetarët që paguhen!
Le të merren historianët, sociologët, filozofët, me këtë aspekt të kohës, në të cilën po jetojmë dhe në të cilën po vdesim!
Mua dhe, pa dyshim, edhe mjaft evropianëvet të tjerë, s’na mbetet tjetër veçse të indinjohemi.
Gjokë Dabaj, Durrës – 18 mars 2020