ARCH.YLBER VOKSHI – YLLI: SI PO TRAJTOHEN NDËRTIMET NË KOSOVË?!

Prishtinë, 1. 6. 2016: Nuk është aspak fshehtësi se procesi i ndërtimeve në Kosovë,në vitet e pas luftës, kishte shërbye si mjet për pastrimin e parave,kjo ka ndodhur edhe në vendet e tjera ku ka pasur kriza të ndryshme,ku sistemi bankar i ka lejuar këto veprime. Kjo duhej të ishte kompetencë dhe obligim i aparatit shtetëror për të parandaluar këto veprime,që në rastin tonë nuk ka ndodhur,edhe pse rregullativa ligjore ekziston.
Po punohet kështu këto vite pa u penguar nga askush në ndërtimtari,si një nga sektorët më fitimprurë në Kosovë. Nuk më përket mua të zgjidhi problemet e kësaj natyre në shtetin tonë,që skajshmërisht dëmton ekonomikisht dhe politikisht reputacionin e vendit dhe e rendit në kategorinë e vendeve ku nuk sundon ligji,shtet jo serioz për të investuar,çka realiteti i hidhët po e tregon këtë gjë.
Nuk iu mjaftuan këto “benifite”,përfitime marramendëse që i patën në tokën e premtuar, në vendin e mundësive,në parajsën e jo ligjshmërisë,së paku është dashur të respektojnë rregullat elementare të ndërtimit, të rëndësishme ishin vetëm fitmet e mëdha materiale e asgjë tjetër. Sa për respektimin apo zbatimin e ligjeve apo normave dhe standardeve të ndërtimit apo të planifikimit hapësinor dhe urban,as që mund të bëhej fjalë. Ekzistonte një koncenzus në mes tyre dhe organeve shtetërore për të punuar ashtu,edhe se kishte ligje dhe dokumente hapësinore valide në fuqi.
Sa të mjerë jemi si shoqëri që lejuam këtë kategori keqbërësish dhe profiterësh të veprojnë kështu me territorin e Kosovës,i cili në aspektin hapësinor dhe urban kishte filluar të krijonte një identitet fillestar urban,që vërehej në çdo hap. Natyrisht për krijimin e parakushteve për veprim e kishin ndihmën e pa rezervë të faktorëve vendimmarrës në Kosovë,të cilët as që u brengosën për pasojat katastrofale që po i përjetojnë sot, dhe në të ardhmen gjeneratat që duhet të jetojnë dhe verojnë në këto hapësira. Si rezultat i tërë këtyre ndërtimeve,të pa kontrolluara nga shteti,do të ballafaqohemi me probleme të pa imagjinueshme me kosto të madhe, që nuk do ti kishim nëse do të ndërtohej ashtu si e kërkojnë ligjet,normat dhe standardet e ndërtimit.

Faktori kryesor duhej të ishte SIGURIA e ndërtimeve të bëra në këto vite, pa përcjelljen e tyre nga një organ i pavarur profesional (mbikëqyrja teknike),e cila do të kontrollonte dhe verifikonte anën teknike në tërësi të të gjitha ndërtimeve. Tërë pjesëmarrësit në ndërtim në mënyrë të pa shpjegueshme i kanë anashkaluar këto procedura të domosdoshme për ndërtime.
Si shembull tipik i kësaj mënyre të punës më duhet të përmendi rastin që ka ndodhur në Prishtinë, me ndërtimet me leje në lagjen “Arberia 3”. Rezultatet e elaboratit gjeologjik,pas një hulumtimi detal të punuara nga një Institut gjeologjik Kroat, rekomandon kushtet e duhura për ndërtime në atë teren jo-stabil. Punë e cila është dashur të bëhet para fazës së përpilimit të planit rregullues për atë lagje, në të cilën dikur ishin të ndaluara ndërtimet e ulëta, e le ma si është lejuar me ndërtime të larta pas luftës. As vet nuk e dinë me cilat kritere të ndërtimit janë dhënë lejet e ndërtimit,pasi nuk kishte elaborat adekuat gjeologjik,dhe nuk ishte respektuar as etazhiteti i planit rregullues urban të lagjes. Mundemi të supozojmë se cilave shpenzime materiale iu janë nënshtruar ndërtuesit në atë zonë.
Pas plasaritjeve në objektet e ndërtuara,rrëshqitjeve të dheut dhe shembjes së rrugës në brendi të kompleksit,përgjegjësit komunal u detyruan të ndërmarrin hapa konkrete për të sanuar situatën e krijuar,që do të ketë kosto të madhe materiale. Ndjenja e pa sigurisë do të jetë prezentë edhe disa vite tek banorët e kësaj lagjeje. Pyetja thelbësore duhet të jetë se kush duhet të jap përgjegjësi apo llogaridhënie për veprimet e bëra dhe shqetësimin me të drejtë të banorëve. Raste të ngjashme kemi në Prishtinë dhe vendbanimet tjera në Kosovë si rezultat i abuzimeve të shumta, posaçërisht me territorin urban të qyteteve tona.
Ajo çka më së shumti brengos është sjellja e komunitetit profesional të shumtë, pjesëmarrës në procesin e ndërtimit,në këto 17 vitet e fundit. Ata së pari është dashur të dinë aspektin e sigurisë dhe pasojat që i implikon kjo mënyrë e punës,në të cilën ishin pjesëmarrës aktiv edhe vet dhe duhej të reagonin unanimisht. E di se arkitektët e Kosovës kanë ditur të bëjnë “demonstrata” për të bllokuar procesin e licencimit të arktikëve dhe të tjerëve që janë pjesëmarrës në procesin e ndërtimit,e jo të ngrisin zërin e arsyes me atë që po ndodhte në Kosovë në këto vite. Ishte ky veprim dëshpërues i të gjithë atyre që nuk ishin të interesuar që profesionistët, t’iu nënshtrohen kontrollit shtetëror të punës profesionale në ndërtime, si në tërë botën e civilizuar që kam menduar se i takojmë,
I lejuam këto vite ndërtimet pa leje e me leje abuzive,nuk u respektuan as rregullat elementare të ndërtimit,nuk u respektuan ligjet e shumta që mbulojnë këtë veprimtari. Menduan se u pasuruan disa grupe të interesit me premisa abuzive, që në këtë fushë e gjetën parajsën e premtuar,të gjitha këto përfitime po i humbin dhe do të bankrotojnë financiarisht,të vetmit përfitues përkohësisht do të jenë ata që i lejuan ato ndërtime në princip abuzive. Nuk u brengosën në pasojat e mëdha të imponimit të lëvizjes së popullsisë,në ato financiare,psikologjike,sociologjike,e çka është ma tragjike me pasojat afatgjate të humbjes së identitetit urban të qyteteve tona, që në kohën e globalizmit është rrezik permanent,me të cilin po ballafaqohen edhe shoqëritë ma të avancuara se ne.
Është tërësisht jo serioze se si pas 17 viteve po tentohet që me një ligj të ri të trajtohen ndërtimet pa leje,me metoda joshëse, që aspak nuk munden me qenë të bazuara në logjikën e shëndoshë të një shoqërie. Më në fund Ministria (MMPH) dhe Komunat detyrimisht e kanë kuptuar se identifikimi i ndërtimeve pa leje është obligim parësorë i tyre,e jo dëshirë apo vullnet i paraqitjes së ndërtimit nga ata që kanë ndërtuar në këtë mënyrë. Askund në botë rregullimi i territorit nuk varet nga disponimi i individit,ai duhet të jetë obligim parësor i Shtetit,e jo të luhen këso lojëra me interesin e përgjithshëm.
Nuk zgjidhet kjo problematikë me ndryshimin,plotësimin e ligjit aktual nr 04/L-188, apo me një ligj të ri pasi i kaluari dështoi. Kjo problematikë është shumë ma komplekse, duhet analizuar dhe rishqyrtuar shkaqet përse u injorua ky ligj nga ata që kishin ndërtuar pa leje,përse numri i atyre që aplikuan për legalizim ishte simbolik,vetëm 2493 veta më pak se 1%,nga numri i përgjithshëm i të paraqiturve në 28 komuna që është zyrtarisht 352 836 raste. Në thelb është mos gatishmëria e vendimmarrësve tonë me zbatuar ligjet,blerja e kohës deri sa të “harrohet” kjo çështje dhe të jetësohet në praktikë ky realitet që vetë e kanë lejuar.
Gjeneratat e ardhshme do të jenë të detyruar të bëjnë rehabilitime urbane të domosdoshme, kostoja e të cilave do të jenë shumë ma të mëdha se përfitimet e parapara nga legalizimet e propozuara. Në një mënyrë po shpërblehen me benificione të pakuptimta atë që kanë ndërtuar pa leje,që nuk e kanë respektuar ligjin dhe shtetin. Si me u arsyetuar ndaj atyre që kanë respektuar ligjet e ndërtimit dhe kanë ndërtuar me leje. Aspak nuk mund të krahasohen faljet e borxheve të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë,në intervale të ndryshme kohore me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa lejë.
A janë të vetëdijshëm këta zotëri për pasojat afatgjatë që do të shkaktojnë këto veprime në fushën e ndërtimit. Koha e tyre po kalon,nuk do të ketë ma ndërtime pa planifikim të mirëfilltë hapësinor dhe urban,këtë edhe ata po e ndjejnë,pasi gjeneratat e reja të profesionistëve nuk do të lejojnë ma këso veprime në territorin e Kosovës edhe ashtu të vogël e të varfër. Apeloi të kokat e pakta progresive në Kosovë që me forcën e argumenteve të senzibilizojnë opinionin me pasojat dhe të kundërshtojnë,të stopojnë këto veprime të dëmshme për të ardhmen e gjeneratave të reja.
– Autori është arkitekt i pavarur, ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK). Kontakti: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura