REXHEP KASUMAJ: RINGJALLJA E HELMUT KOHLIT

Berlin, 5 Prill 2020: (Fuqia magjike e një këshilltari)
Marrëzia njerëzore ka imagjinatë të pafundme. Në gazetën Express lexova një shkrim autorial tepër interesant. Dhe mbeta i habitur.
Si është e mundur, thashë?
Shkrimi fillon me një informacion çuditërisht të pasaktë dhe përfundon me një pretendim tmerrsisht të pavërtetë.
Në fakt, ideja ishte e mirë, por huqja do t’rezultonte kolosale.
1.
“Arkitekti i Evropës së bashkuar, thotë shkrimi, njeriu që ribashkoi Gjermaninë dhe e hapi rrugën për zgjerimin euroatlantik drejt lindjes, dje i mbushi 90 vjet.” (Botimi online, datë 04.04.2020).
Kancelari i bashkimit – 90 vjet? Aherë dje paska festuar ditëlindjen në Oggersheimin e qetë e të bukur?!
Autori, së paku për mua, ishte anonim. S’kisha dëgjuar për të. Por nuk e dija se ai, Artan Behrami, madje qenkësh këshilltar i Presidentit Thaçi.
Ndaj dhe për një çast humba frymën: si ndodh që njeriut të lartë politik që mrizon në Presidencë t’i jetë ndalur koha?
I madhi Helmut Kohl nuk arriti t’i mbushte 90 vjet. Vdiq para tre vjetësh dhe prehet në varrezat e
Alter Friedhof Speyer, në Rheinland-Pfalz.

Mirëpo eprori tij, me gjasë, ka nisur të komunikojë me personazhet e mëdhenj të Hadesit. Dërgon e pret mesazhe q’andej. Për Kosovën e shqiptarët e ngujuar. E kur nuk ia del dot, aherë aty është këshilltari, ky protagonist prrallash, që bën ringjalljen e tyre…Dhe, meqë është rikthyer këndej, mbase, do t’a ketë urdhëruar vartësin që t’i çojë Helmutit një urim plot ngrohtësi, politesë e zotim miqësie…
2.
Teza realiste, ndërkaq, mbaron në ridefinim tragjik të një kapitulli historie të vonë, që akoma ermon vdekje.
“SHBA-ja dhe Gjermania, vijon shkronjësi, sot kanë një borxh historik për ta mbyllur dhe t’i japin fund mosmarrëveshjes së fundit ish-jugosllave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”
Përsëri një shkitje në knetë, tashmë, edhe morale.
Si mund të ricilësohen konfliktet, luftërat e armatoura me karakter pushtues për të krijuar Rajhun e madh serb në Ballkan – thjeshtë mosmarrëveshje?
E pra tani do themi: Mosmarrëveshja kroato -serbe, serbo-boshnjake e shqiptaro (Kosovë)- serbe?
Athua ç’shkollë do t’ketë ndjekur ky farkues fatkeq i nocionit të ri që fshin të rënët, dyndjen dhe kauzën çlirimtare? Dhe shndërron, ashtu, luftën e përgjakur në Mosmarrëveshje: në grindje civile, paqësore, kalimtare…
Apo sigurisht i mjafton praktikumi pranë Shefit të ditur e njëj horizonti të gjerë intelektual. Dhe, duke mësuar lektyrë të Epërme, riemërton fatalisht epokën e madhe. Më shumë akoma, arrin ose t’i hapë atij udhë misterioze kontakti në seanca shpirtërash me të ikurit, ose i risjellë në jetë përsa kohë është e nëvojshme. Një orë, disa ditë a vjet.
Kryesore: Republika mbi gjithçka!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura