BARDHYL MAHMUTI: MAQEDONIA KA APLIKUAR VAZHDIMISHT DISKRIMINIM RACIAL NDAJ SHQIPTARËVE

Pashtriku.org, 11. 05. 2015 – “Maqedonia, së paku gjatë dy dekadave të fundit, asnjëherë nuk ka qenë e stabilizuar. Ky shtet ka aplikuar vazhdimisht diskriminim racial ndaj shqiptarëve, diskriminim që me konventat ndërkombëtare nënkupton dallimet, përjashtimet, kufizimet, ose preferencat që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë dhe që ka për qëllim apo për efekt të shkatërrojë ose të kompromentojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushte barazie, të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në fushat politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe në çdo fushë tjetër të jetës publike.Përballë një diskriminimi racial të pashembullt në Evropë shqiptarët e Maqedonisë kanë 1 milion arsye të bëjnë luftë për realizimin e të drejtave të tyre legjitime. Por, pa shterur të gjitha format e luftës politike, lufta e armatosur nuk mund të gjejë mbështetjen e domosdoshme për t’u kurorëzuar me fitore. Sidomos nuk mund të ketë sukses kur gjeneratori i diskriminimit racial është i interesuar të shpërthejë lufta.” – kështu ka thënë në një intervistë për “Epokën e Re”, intelektuali i njohur, Bardhyl Mahmuti.

– Bardhyl Mahmuti  –

Në vijim lexoni të plotë këtë intervistë:
***
“Epoka e re”: Z. Mahmuti situata në Maqedoni ka marrë përmasa dramatike, sidomos në Kumanovë, aty ku kemi përballjen e forcave policore maqedonase me një grup të armatosur. Si ndodhi kjo?
Bardhyl Mahmuti:

Opinioni publik i kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor dhe institucionet ndërkombëtare kanë qenë të informuar hollësisht me faktin se një numër i sekreteve të regjimit të Nikolla Gruevskit e Sasha Miallkovit u zbuluan në atë që quhet “Bombat e aferës së përgjimeve”. Publikimi i këtyre sekreteve vazhdon…
Zbulimet e deritanishme e destabilizuan skajshmërisht pushtetin aktual të Shkupit. Në këtë kontekst duhet të kuptohet logjika e pushtetarëve të Shkupit që për të zhvendosur vëmendje nga implikimi i kreut te shtetit në vrasje, fshehje e gjurmëve të vrasjeve, procese të montuara gjyqësore, diktat mbi të gjitha institucionet shtetërore, vjedhje e pasurisë publike dhe korrupsioni i instaluar si formë e vetme e funksionimit të kësaj diktature.
Burimet informative që zbuluan sekretet e këtij pushteti të korruptuar deri në palcë zbuluan dhe bënë publike disa javë para se të ndodhte tragjedia e Lagjes së Trimave të Kumanovës se Nikolla Gruevski dhe Sasha Miallkovi kishin paguar disa milion euro me qëllim të nxitjes së një konflikti të armatosur ndëretnik.
Vetëm përmes një konflikti ndëretnik të kontrolluar ata shpresonin të tërhiqnin vëmendjen e popullit të revoltuar të Maqedonisë dhe nga statusi i kriminelëve që kanë sot të shndërrohen në heronj dhe shpëtimtarë të Maqedonisë.
“Epoka e re”: Domethënë, pushteti aktual i Maqedonisë ka qenë i interesuar ta destabilizojë vendin.
Bardhyl Mahmuti:

Fillimisht dëshiroj të sqaroj lexuesin se mungesa e luftës nuk do të thotë paqe. Maqedonia, së paku gjatë dy dekadave të fundit, asnjëherë nuk ka qenë e stabilizuar. Ky shtet ka aplikuar vazhdimisht diskriminim racial ndaj shqiptarëve, diskriminim që me konventat ndërkombëtare nënkupton dallimet, përjashtimet, kufizimet, ose preferencat që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë dhe që ka për qëllim apo për efekt të shkatërrojë ose të kompromentojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushte barazie, të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në fushat politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe në çdo fushë tjetër të jetës publike.
Përballë një diskriminimi racial të pashembullt në Evropë shqiptarët e Maqedonisë kanë 1 milion arsye të bëjnë luftë për realizimin e të drejtave të tyre legjitime. Por, pa shterur të gjitha format e luftës politike, lufta e armatosur nuk mund të gjejë mbështetjen e domosdoshme për t’u kurorëzuar me fitore. Sidomos nuk mund të ketë sukses kur gjeneratori i diskriminimit racial është i interesuar të shpërthejë lufta.
“Epoka e re”: Nga kjo që thatë më lart del se pushteti i Nikolla Gruevskit e dëshironte shpërthimin e luftës?!
Bardhyl Mahmuti:

Nuk kam as dyshimin më të vogël se ata kanë dëshiruar të kenë një konflikt të armatosur të karakterit ndëretnik, në një territor të banuar ekskluzivisht me shqiptarë ku do t’u jepet mundësia të shfryjnë urrejtjen e tyre antishqiptare. Vetëm kjo formë e konflikteve do të tërhiqte vëmendjen e popullit sepse dihet fare mirë se «Bombat e vërteta dëgjohen më shumë se Bombat e përgjimeve».
“Epoka e re”: Ju përmendët se disa javë para konfrontimeve të armatosura u publikua se Nikolla Gruevski dhe Sasha Miallkovi kishin paguar disa milion euro me qëllim të nxitjes së një konflikti të armatosur ndëretnik. A do të thotë se pjesëtarët e grupit të armatosur shqiptar kanë marrë para nga pushtetit i lartpërmendur?
Bardhyl Mahmuti:

Gjërat janë më të koklavitura. Ata djem që kanë dëshmuar edhe në të kaluarën se janë në gjendje të sakrifikojnë çdo gjë për lirinë e shqiptarëve në asnjë rast nuk marrin para nga pushtetarët që shtypin shqiptarët. Milionat e eurove u janë dhënë politikanëve shqiptarë në Maqedoni për të manipuluar me ndjenjat patriotike dhe gatishmërinë e shqiptarëve për t’u flijuar për liri e bashkim kombëtar. Por, nuk e përjashtoj mundësinë se përmes politikanëve të partive politike shqiptare në Maqedoni, sidomos të atyre që përgjimet e publikuara nxorën në shesh se ishin betuar se “do t’i qëndrojnë besnik Sasha Miallkovit deri në vdekje”, të kenë marrë mjetet e nevojshme materialo teknike për operacione luftarake duke besuar se këta politikanë kanë qëllime kombëtare. Pra, në asnjë rast nuk e vë në dyshim ndjenjën e tyre patriotike, ndërsa, a janë manipuluar dhe nga kush janë manipuluar ata e dinë më së miri vetë.
“Epoka e re”: Përballë kësaj situate cili do duhej të ishte reagimi i partive shqiptare në Maqedoni, i intelektualëve, i medieve atje?
Bardhyl Mahmuti:

Përveç drejtuesve të partive numerikisht më të mëdha politike shqiptare (BDI dhe PDSH), të cilët janë të implikuar në politikat antishqiptare, me rrotacion herë njëra palë e herë pala tjetër, të gjitha reagimet tjera kanë qenë në nivel të lartë. Lëvizja e Ziadin Selës, Lëvizja «Besa», intelektualët si Kim Mehmeti, Fejzi Hajdari etj, TV ALSAT M, TV ERA, TV FESTA, LAJM, Agjencia INA, ALMAKOS, TETOVASOT dhe shumë medie në Maqedoni, të cilat kam mundur t’i përcjellë, kanë pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm për sensibilizimin e opinionit me rrezikun që i kanosej popullsisë civile shqiptare të Kumanovës dhe shqiptarëve në përgjithësi nga një konflikt i dëshiruar prej pushtetit të Nikolla Gruevskit.
“Epoka e re”: A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për qëndrimet e strukturave politike dhe mediatike në Kosovë dhe Shqipëri?
Bardhyl Mahmuti:

Shqetësimi ka qenë i njëjtë te shqiptarët kudo qofshin ata. Kosovë, Shqipëri apo në shtetet tjera të botës. Një mobilizim të madh kanë pasur edhe mediet në Kosovë dhe Shqipëri, madje në Tiranë shqetësimi u shpreh edhe në rrugë përmes manifestimit kundër shtetrrethimit të Lagjes së Trimave në Kumanovë.
Për qëndrimet politike nuk mund të themi të njëjtën gjë. Shumica e qëndrimeve ishte në frymë të shqetësimeve që ky konflikt të mos rëndojë mbi kurrizin e popullit shqiptar. Por, fatkeqësisht kishim qëndrime të tilla që bënin apel të “ruhet stabilitetit i shtetit të Maqedonisë”.
Maqedonia nuk është stabile dhe nuk mund të jetë shtet stabil pa ndërprerë politikën e diskriminimit racial ndaj shqiptarëve. Të gjithë ata që janë të interesuar për stabilizim të mirëfilltë dhe afatgjatë në këtë pjesë të Ballkanit duhet të angazhohen maksimalisht për realizimin e të gjitha të drejtave politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në këtë shtet.
“Epoka e re”:Cila do të kishte qenë porosia juaj në këtë situatë?
Bardhyl Mahmuti:

U drejtohem para se gjithash atyre burrave dhe grave të shumtë që janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për lirinë e shqiptarëve që ta analizojnë me gjakftohtësi maksimale situatën nëpër të cilën jemi duke kaluar. Lufta nuk bëhet as për hatër të dikujt e as për inat të dikujt. Ajo hiq ma hiq nuk bëhet kur i konvenon armikut. Mjetet politike ende nuk janë shterur. Duhet të mendojmë shumë sidomos në momentet kur duhet të zgjedhim ata që duhet të përfaqësojnë interesat tona kombëtare. Duhet të mobilizohen të gjitha forcat politike dhe resurset intelektuale që të hiqen padrejtësitë e shumta që rëndojnë mbi kurrizin e popullit shqiptar në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës. Sepse vetëm heqja e padrejtësive do të heqë gjeneratorin e konflikteve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura