Prishtinë, 11 Prill 2020: Më 12 shkurt 2020, në moshën 82 vjeçare ka ndërruar jetë arkitekti nga Gjakova, Skender Këpuska. Ishte doajeni i fundit i arkitektëve shqiptar të Kosovës i cili tërë veprimtarinë artistike dhe inzhinjerike ia përkushtoi popullit të vet. Qenka shumë vështirë me shkruar një shkrim ‘’post-mortum’’, për arkitektin e madhë gjakovar Skender Këpuska, i cili iku në heshtje përgjithmonë, aq ma parë pasi isha bashkëpunëtorë i tij, pjesë e pa ndarë e ekipës profesionale të cilin e themeloi dhe e udhëheqi mu në vitët ma kreative të veprimtarisë së tij të begatshme arkitektonike dhe urbanistike në Gjakovë dhe në tërë Kosovën.
I lindur në një familje të vjetër gjakovare, i frymëzuar me ideale të larta për të bukurën, e vijoj rrugën e paraardhësve të vendlindjes së tij, që vetëm i arsimuar dhe me dituri dhe punë të pa lodhshme, mundet ma së shumti të kontribuoi për kombin e vet. Me sukses ndoqi rrugën e shkollimit dhe morri titullin arkitekt, që për rrethanat tona atë kohë ishte profesion i huaj, por i një rëndësie të veçantë për vendin. Ai e ndjeu peshën e obligimit moral që e kishte ndaj popullit të tij, i cili kishte nevojë të madhe për profilet e profesionit të tij dhe u kthye të veproi në Kosovë, për të kontribuar sado pak në arkitekturën dhe në urbanistikën e qyteteve kosovare.
Kur filluan disa investime kapitale në Kosovën e rehabilituar, pas shumë katrahurave nëpër të cilat kaloi populli ynë, ai dha kontribut të çmueshëm me angazhimin e tij profesional. Ishte i detyruar të ballafaqohej me problemet elementare të funksionimit të një komuniteti të cilat në aspektin arkitektonik dhe urban ishin të huaja për ata.
Me punë dhe angazhim të pa parë profesional e fitoi respektin e të gjithëve e posaqërisht të strukturave vendimmarrëse në komunë dhe ma gjërë. Të gjitha sfidat urbanistike dhe arkitektonike që ishin të shumta u realizuan falë sugjerimeve të tija, duke zbatuar principet bashkohore të urbanistikës si ishte metoda e aplikimit të konkurseve ndërkombëtare urbanistike dhe arkitektonike.
Atëherë kur u plotësuan kushtet e realizoi njenin nga synime e tija që të gjitha zhvillimet urbane dhe arkitektonike në qytetin e Gjakovës ti projektojnë dhe ti realizojnë ekspertët vendor të angazhuar në atë byronë projektuse, sipas kushteve specifike që i lejonte koha. Para luftës isha pjesë e ekipit që ka zgjidhur shumë probleme të mëdha urbane për një qytet kosovar, për atë në atë kohë jemi mburrur në takimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha veprimet tona janë përcjell me përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane të kohës, të cilët kanë definuar konturat e zhvillimit hapësinor dhe urban të Komunës së Gjakovës. Kishte zili patologjike nga të tjerët se si e kemi arritur ketë, me mburrje mund të them se mbas tërë kësaj ka qëndruar puna e pa lodhshme e të gjithë neve profesionistëve në krye me Skender Këpuskën, e para të gjithash dashuria e madhe ndaj qytetit dhe banorëve të saj.
Vlenë për të theksuar aftësitë e tija origjinale të bazura në forcën e argumenteve bindëse ndaj bashkëbisedusëve të profilëve të ndryshme, që hapte rrugën e realizimit të shumë projekteve dhe ndërmarrjeve urbanistike në teren. Diskutimet dhe debatet publike me qytetarët e lagjeve të ndryshme të qytetit të Gjakovës në vitët e shtatëdhjeta, edhe sot duhet të shërbejnë si shembull i mirë për ne dhe vendet e regjionit, se si duhet shpenzuar parat e vetkontributit popullor, që qytetarët e Gjakovës kishin dhanur në tre mandate, për ndërtimin e infrastrukturës teknike komunale dhe Pallatit të Kulturës që me sukses u realizuan në ato kohëra, që ishte vepër madhore arkitektonike e tij, që ende rrezaton në qendër të qytetit si një ‘’zonjë e rëndë’’ e kulturës gjakovare.
Në një konkurs ndërkombëtar në vitet e shtatëdhjeta, ishte përvetësuar zgjidhja urbanistike e qendrës së qytetit e përthekuar me objektet kryesore të një qendre bashkëkohore të asaj kohe. Realizimi i saj u përcoll me shumë peripeci të dhimbshme të ndërlidhura me ç-vendosjen e banorëve të vjetër të qendrës së qytetit. Qëllimi i pushtetit të asaj kohe ishte që qyteti i tyre të fitonte një qendër me atribute që do të mbështeteshin në të arriturat e urbanizmit bashkëkohor, ishte kjo një ndërmarrje shumë e vështirë në atë kohë e cila me sukses u arrit falë angazhimit të tij dhe ekspertëve të tjerë komunal.
U punua me përkushtim me vite të tëra për të jetësuar këtë projekt me ndërtimin e Postës, Shtëpisë të mallrave, objekteve administrative, objekteve të banimi, hotelit të qytetit, për një jetë ma të mirë të banorëve të saj. U arrit unifikimi i vështirë urban i të vjetrës dhe të resë dhe pritej vetëm vazhdimësia e rritjes urbane të qyteti.
Pas luftës së vitit 1999 në fillim u vazhdua me sanimin e gjendjes së krijuar dhunshëm nga regjimi serb (kisha dhe një objekt banimi në rrugën e këmbësorëve), si dhe me objekte të reja gjithnjë duke e respektuar zgjidhjen urbanistike të aprovuar para shumë viteve. Së shpejti u vërejtën synimet e pushtetit të ri i cili duke injoruar tërësisht Skenderin dhe ekipin multifunksional, filloi lojërat e ndyta duke ndërtuar vetëm atje ku ishin interesat individuale apo klanore, duke mos respektuar dokumentet hapësinore të kohës. Kjo e dëshpëroi atë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij pasi qyteti vetëm kishte filluar të krijoj identitetin urban dhe nuk kishte nevojë për devijime të tilla urbane.
Degradimi urban i qendrës së qytetit filloi me mos respektimin e rregullave elementare urbane me ndërtim të një objekti afarist-banesor mu në “Sheshin e Fontanës”,në anën veriore të qendrës, në mes të objektit të ish “Bankkosit” dhe shtëpisë së mallrave “Agimi”, pa u respektuar asnjë rregull urbane, morale apo kanunore. Ishte uzurpuar edhe prona e huaj, një çmenduri të tillë urbane as që e kishte imagjinuar ndonjëherë.
Kjo i hapi rrugë mos respektimit të rregullave elementare urbane të definuar për qendrën e qytetit. Filluan ndërtime çoroditëse të disa objekteve “surrogate”, që qendrën e ngushtë të qytetit e kthyen në një “burg urban”, të pa shembull për një qytet i cili i kishte definuar më parë kriteret urbane për qendrën e qytetit, duke i mbrojtur vizurat ndaj Çabratit, jetike për gjakovarët.
Pak kush në Gjakovë e din se me cilat akuza janë ballafaquar vendimmarrësit gjakovarë në vitet tetëdhjetë, lidhur me konceptin e ri të zhvillimit urban të qytetit të tyre, të aprovuar pas një konkursi urbanistik ndërkombëtar. Ishte fjala për bulevardin këmbësor që kishte filluar të realizohet nga qendra e qytetit (sheshi i “Fontanës”), pallati i kulturës, rruga e “Dibranëve” e do të përfundonte në Orize. Ishte ky një koncept i ri urban i fundshekullit XX, që kishte filluar të aplikohej në tërë botën e civilizuar. Në ndërkohë pësuan ndryshime të mëdha politike, struktura politike të Gjakovës kishin presione të pa imagjinuara politike nga Serbia me qëllim që të “bllokohet” ai plan, pasi “rruga këmbësore” kalonte nëpër rrugën e “shkijeve”. Pas shumë takimeve të mundimshme me politikëbërësit e kohës, me forcën e argumenteve profesionale të bëra nga ekspertët gjakovar në krye me Skender Këpuskën. Strukturat e atëhershme serbe të nivelit të lartë shtetëror u “binden” në atë si kishin vepruar profesionistët gjakovar dhe u tërhoqën.
Është e pa shpjegueshme, është mëkat i madh si mos të shfrytëzohen kapacitetet e pashtershme intelektuale, profesionale dhe eksperienca mbi 40 vjeçare që aq shumë iu nevojiteshin këshillat e tij, aq të domosdoshme për të ardhmen Hapësinore Urbane dhe Arkitektonike të vendit. U anashkalua, u izolua, u anatemua u lejua që për së gjalli në paturpësi të përjeton degradimin urban të qytetit të Gjakovës dhe qendrave tjera urbane dhe rurale në tërë Kosovën, që ndodhi në vitet vijuese pas luftës. Si duket ky ishte qëllimi i tyre parësor i pushtetarëve të rinj, që në fushën e urbanistikës të mos ketë ligjshmëri, për të pasur lirinë e abuzimit me territorin e vendit, çka edhe e realizuan këto vite, duke i shkaktuar dëme të pa riparueshme territorit të Kosovës.
I tillë ishte dhe shkoi në rrugën e pa kthim në heshtje, me një breng të thellë në veprimet e pa kontrolluara të shoqërisë gjakovare dhe kosovare në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik e posaçërisht të kolegëve të profesionit që paturpësisht vepruan kështu, pasi që pasojat ne të gjithë po i përjetojmë sot dhe do t’i ndiejnë edhe gjeneratat e ardhshme.
Prishtinë 10 prill 2020
arch. Ylber Vokshi-Ylli
arkitekt i pavarur
[email protected]
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)