Zvicër, 13 Maj 2020: (Covid 19 sot, si dikur Viti 1913, për shqiptarët.
Fol Evropë, sepse edhe fëmijët tanë, janë fëmijë të kësaj Evrope)
Prolog
Fol Evropë,
pashë sytë e fëmijëve tuaj, sepse sot duhet të na kuptosh. Sot, ke përjetuar një dhembje të madhe, e cila të obligon të kuptosh edhe popujt e shtypur, edhe popujt e vrarë padrejtësisht. Që një muaj, nën izolim trishtuam me të drejtë botën. Unë ju kuptoj, edhe shqiptarët e mi ju kuptojnë. Por, ne që një shekull jetojmë të izoluar, të ndëshkuar me ligjet mesjetare, që shpeshherë këto ligje ua tejkaluan edhe pandemive më të rënda në historinë e njerëzimit. Sot, po shohim me sytë tanë, se si po varrosën njerëzit nga ky virus i rëndë, shumë i rëndë, shumë dhembje. Por, ne shqiptarët shpeshherë pamë me sytë tanë, se si varrosën njerëzit për së gjalli. Me sytë tanë pamë se si bandat kriminale serbe, vrasin shqiptarë para pragut të derës, vrasin fëmijë para duarve të nënës, vrasin fëmijë në oborrin e shkollës, në arë e në livadhe, vetëm e vetëm pse janë shqiptarë. Më se një shekull jetojmë të ndarë e të vrarë. Prandaj, kërkojmë Evropë, të përmirësosh gabimin e 1913-tës, i cili me qindra mijëra shqiptarë dërgoji drejt vdekjes dhe qindra mijëra familje dëboi nga toka mëmë.
Fol, Evropë,
Unë Visar Karadaku
Jetoj që një shekull
Në mes kufijve!
Në mes kufijve të mallkuar
Që i vutë ju,
Mbi shpinën tonë të kërrusur nga shekujt e larë me gjak,
Pa na pyetur fare!
Jetojmë qençe në mes kufijve të papranueshëm
të dënuar, me ligj,
Me gjyq e pa gjyq,
Por, si shqiptarë.
Unë jam shqiptar dhe Shqipëria është larg
Më duhet të jetoj sipas ligjeve antishqiptare.
Dëgjo Evropë,
Që një shekull japim gjak dhe marrim plagë.
Unë Visar Karadaku
Me pasaportë maqedonase,
Vëllai im – Shkodran Karadaku me pasaportë Kosove,
Motra ime – Vlorë Karadaku – Presheva,
Me pasaportë serbe,
Ne, e përbëjmë hartën e Gadishullit Ilirik,
Sepse të gjithë jemi shqiptarë,
Por, Shqipëria është larg.
Që një muaj jetojmë në izolim
Dhe me të drejtë çmendëm botën.
Por, ne shqiptarët, që një shekull jetojmë në izolim,
Nën thundrën e hekurt,
As të vdekur dhe as të gjallë.
Unë jam shqiptar dhe Shqipëria është larg
Më duhet të jetoj sipas ligjeve antishqiptare.
Fol Evropë,
Se shqiptarët u sakatuan
Nëpër gardhat e huaj, në tokë të vet.
asnjëherë nuk arritëm me kohë në dasmë të vëllait,
asnjëherë nuk arritëm me kohë,
te motra,
nga kontrollet kufitare,
nga kontrollet kufitare, që mbjellin frikë,
Në mes kufijve, që mbjellin vdekje,
Që ndalin frymëmarrjen.
Fol Evropë,
Jepu shpresë fëmijëve shqiptarë,
Në Ballkanin e infektuar,
Nga covid 13 (1)
Pandemi politike,
Që çdo ditë në heshtje,
Vret njerëz të pafajshëm.
Dëgjo Evropë,
Viti 1913-të,
Ka vrarë shqiptarë,
si sot, pandemia, njerëz në gjithë botën.
Fol Evropë,
Se e ke obligim ta thuash,
të Vërtetën!
Unë jam shqiptar dhe Shqipëria është larg,
Më duhet të jetoj sipas ligjeve antishqiptare,
Fol Evropë,
Sepse edhe fëmijët tanë, janë fëmijë të kësaj Evrope.
___________
1. Në Konferencën e Londrës më 1913, Shqipërisë, iu mor padrejtësisht më se gjysma e territorit etnik. Në të gjitha trojet shqiptare, ushtritë serbe, malazeze e greke, kryen masakra të mëdha në popullsinë civile, dhe u krye spastrim etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.