Berlin, 26 Maj 2020: (Nga Notesi)
1.Shmagjepsje trishte…
Tek latonte pejsazhin e humbjes së Hagia Sophisë në Kostandinopojë, Edmond de Amiçis flet diku për “popullin e zhburrnuar” të Justinianit.
Pagëzimorja e spërkatur me gjakun sulltanor dhe shandanët e përlotur me qëndisma përreth, do të jepnin në qindvjetët e ardhmë mallëngjimin e lavdisë së shuar.
Kjo, natyrisht, ishte një disfatë armëtarësh, por sërish, kje “populli i zhburrnuar” që do vdiste Bazilikën dhe, madje, kujtesën e saj, më shumë se vetë gjaku pushtues a dora mjeshtërore e arkitekt Sinanit.
Mirëpo, në vende të tjerë e kohë të vona, për paradoks, tretja e virtytit – ky “zhburrnim popullor” ndodh nga një arsye e kundërt: jo nga armët e pushtimit, por në orën e çlirimit dhe, përshfaq, ashtu, anën më trishte të tij. Një popull që magjepset njëmijë vjet me idenë, me ëndrrën e bukur të lirisë, beftas, kur dielli beh në oborret plot terr, pëson në heshtje zhgënjimin e thellë. Është Rendi i horrave që shkakton thyerjen dhe krijon klasën e të mundurëve të saj. Dhe pastaj, në sferën e epërme ngjizet ngadalë alkimia negative: shmagjepsja me të m’një cikël të lodhshëm historie…
Të historisë që nuk i rezervon fatësi askujt, aq më pak atyre që kurrë s’patën epokë të artë në jetëshkrimin e vet kolektiv!
2. Populli pëshpëritës
Shekspiri thoshte se në teatër ndodh të fillosh si aktor i parë, të vijosh si dytësor dhe të përfundosh pëshpëritës…
Fajmëdhenjtë, rëndom, priren t’mos ngrejnë dorë kundër fronit që gëzojnë. Duan fuqi supreme me çdo kusht e çmim (dhunë, mashtrim, vjedhje, vrasje, mitosje të rolcaktuesit…). Kurse të tjerët poshtë tyre, për pasojë, përligjin n’heshtje këtë statu-quo të përhershmërisë. Pa zë e dukje, ata kanë mbaruar, tashmë, në pëshpëritës mbi fatkeqësinë së vet.
Sa rëndë vetëm t’a përftyrosh për një çast këtë dramë: një popull i tërë i shndërruar në pëshpëritës! Ankesë fshehatare pa akuzë dhe besim i shformuar pa etikë – kjo është vuajtja, nëma e panjohur, në pritje mjegullnajash që vijnë nga larg!..
3. “Ndërgjegje e dhjamosur”
“Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”.
Kjo ishte përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit sovranit të Lidisë në lutjen për profeci: si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej shpejt më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej!
Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…
Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm…
Një “mbretëri”, tani do rrëzohet: ose myshku vjetran i kohës së hargjuar, ose, ndoshta, ajo që paralajmëron një fill të ri?!..
Ç’shënja dërgon Qielli?
Dhe si do t’a kap sensi kolektiv kumtin e epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe…Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sesa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë!
Njëmend, a nuk thërret koha për jetë të madhe?..
Postime të Lidhura
REXHEP KASUMAJ: ZGJEDHË…
Berlin, 28 maj 2017: Hierarku politik i Kosovës është një lumturak i pasfidueshëm në botë: sundon një popull…
SHERADIN BERISHA: QEVERIA E ALBIN KURTIT DHE REFORMAT E NEVOJSHME PËR NDRYSHIM!
Pashtriku, 24 shkurt 2020: Më 20 shkurt, Ministri i Jashtëm në qeverinë Kurti, Glauk Konjufca ka shfuqizuar vendimet…
ADIL FETAHU: KËNGA ‘DOGODINE O PRIZRENU’ (VITIN TJETËR NË PRIZREN) – THIRRJE SERBE PËR LUFTË!
Prishtinë, 16 nëntor 2018: Muajin e kaluar (tetor 2018), në “Yutube” u përhap një këngë e gjatë propaganduese…
Afrim Morina: Propaganda e verdhë
Lezhë, 13 shtator 2020: Për lexuesit duhet sqaruar se çka është “propaganda e verdhë”. Propaganda e verdhë, është…