BESNIK Z.IMERI: TIRANË-BEOGRAD, NJË RRUGË E RE QË DO TË NDËRTOJË EUROPA E SHEKULLIT TË XXI, MBI NJË SHTRAT TË PËRGJAKUR TË SHEKULLIT TË XX (30 PRIL 2014)

Vlorë 29 Maj 2020: (Federata e Ballkanit-Perëndimor, një utopi europiane e shekullit të XXI, e ngritur mbi utopinë europiane të shekullit të XX, Jugosllavinë, e cila me shpërberjen e saj u la me gjakun e popujve jo serb)
Me fillimin e mijëvjeçarit të III-të pas lindjes së krishtit, pikërisht në vitin 2000, në kancelaritë diplomatike të disa shteteve europiane u mendua për ngjizjen e një fëmije, të cilin pasi e krijuan e pagëzuan me një emër të bukur, “Viset e Ballkanit-Perëndimor”. Kumbari i kësaj fëmije ishte Franca, mikja e vjetër e sërbëve dhe grekëve. Kush ishte ky fëmije i mbarë, çfarë e lidhte dhe ku dallonte ai nga Jugosllavia plakë, e vdekur në vitin 1999. Për të kuptuar se ç’është ky fëmijë, kthehemi 100 vjet prapa dhe shikojmë se si lindi nje fëmijë tjetër, që u mbyt në gjak pa u rritur mirë (pasi për një shtet 100 vjet janë si një vit për njeriun) dhe vdiq në vitin 1999.
Në vitin 1919 Europa Plakë , nga mitra e saj e përgjakur, lindi femijën e fundit dhe e pagëzoi me emrin Mbretëria Jugosllave. Në këtë mbretëri futi edhe gjysmën e shqiptarëve. Me të drejtë një jo europian (themi jo europian per një që nuk ka ment e një europiani) do të pyeste: Po shqiptarët sllavë janë , dhe në se nuk janë sllavë, çfarë kërkojnë ata në një mbretëri sllave?!!!
Kësaj pyetje, me aq ment sa kam, po mundohem t’i jap pergjigje unë. Në gabohem, më ndreqni. Si çdo mbretëri, edhe kjo mbretëri kishte nevojë për skllevërit e saj; dhe europianët si të mençur që ishin, nuk mund të krijonin një mbretëri pa skllevër. Prandaj, ndanë nga kopeja e shqiptarëve gjysmën e tyre dhe ua dhanë sllavëve të jugut, qe t’i perdornin per ç’tu vinte për dore. Jugosllavët, prej shqiptarëve qe u ranë per hise, ca i vranë, ca i burgosën, ca i degdisën ne Kostamoni, në Turqi, dhe ata që mbetën brenda mbretërisë u përpoqën t’i konvertonin në sllavë.

Aty nga mesi i shekullit të XX në Jugosllavi pushtetin e mori një mbret i kuq, i cili e përzuri mbretin me gjak blu. Ky mbret meqënese ishte i kuq, i këmbeu emrin mbretërisë dhe e quajti Republika Federative Jugosllave. Ky mbret i kuq e kishte emrin Josif. Ai mori bekimin e carit të kuq të Rusisë, edhe ai me emrin Josif. Dy Josifët u morën vesh, që edhe gjysma tjetër e shqiptarëve, që kishte mbetur jashtë mbreterisë së vjetër, të futej brenda mbretërisë dhe të quhej “principata e shtatë jugosllave”. Madje, dy Josifët, donin që të fusnin në këtë thes me emrin federatë, gjithë sllavët e Ballkanit. Bullgarët fillimisht pranuan. Mirëpo, fati i shqiptarëve dhe numri ters, shtatë, që dy Josifët donin t’u vinin; bëri qe dy Josifët të ziheshin me njeri tjetrin për “mustaqet e Çelos”. Keshtu, Shqipëria, e “lindur me këmishë” dhe e mbrojtur nga Zoti, shpëtoi kësaj here.
Tani, që të mos zgjatemi në muhabet. Të gjithë e dimë, që dhjetë vjetët e fundit të shekullit të XX, të mijëvjeçarit te II, Jugosllavia plakë mbyti në gjak, veten dhe popujt që kishte nën vete. Shqiptarët nën Jugosllavi, në kapercyell të shekullit të fundit të mijevjeçarit te II, ngritën krye, rrëmbyen armët dhe kërkuan të çlirohen nga zgjedha njëshekullore. Në krah atyre, për çudi, u dolën anglo-saksonët. Shqiptarët e Jugosllavisë krijuan shtetin e tyre me emër sllav, Kosovo. Europianët “varën turinjtë” dhe ua mbajtën “vath në vesh” këtë shqiptarëve.
Pikërisht nga ky “vath në vesh” do tu vijnë ca të këqia shqiptarëve të Kosovës, por edhe atyre të Shqipërisë. E fundit nga këto ishte Gjykata Speciale, e cila nuk është gjë tjetër, por një gjykatë e ngritur nga europianët për të ndëshkuar shqiptarët që morën armët dhe ju kundërvune planeve që kishte Europa. Por ka dhe më, Franca ua vuri “kufirin tek thana”, pra tek lumi i Ibrit shqiptarëve, duke ja lënë veriun e Mitrovices sërbëve. Por ka edhe më, Europa, 60.000 sërbëve të Kosovës u la 20 vende ne parlamentin e shtetit të Kosoves, sikur këta të ishin 600.000. Por ka edhe më, Europa e Krishterë, qëndrat historike të shqiptarëve i ktheu me ligj si qëndra historike të sërbëve. Ka dhe shumë, e shumë nga ky “vath ne vesh”, si planet e plakut Ahtisari. Por këtu nuk është vendi t’i tregojmë të gjitha.
“Vathi në vesh” i Europës u tregon shqiptarëve se zot per ju, jam unë, dhe jo ata “përtej detit”. Unë ju copëtova më 1913, unë ju fus nën sërbët edhe më 2013. Mesazhi eshte i qartë: Ju shqiptarë, kudo që jeni, asnjëherë mos t’ju shkojë në mendje të rrëmbeni armët dhe të ndryshoni bëmat e Mia (Europës). Në të kundërt do të ndëshkoheni. Nuk donit ju, që një pjesë e juaja të qëndronte nën Sërbi (Kosova); Atëhere unë ju fus të gjithëve nën Sërbi (Kosovë Shqipëri, shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Malit të Zi). Doni më për Belulin!!
Meraku mbetet merak, thotë populli. Dhe Europa, o e krijon prapë Jugosllavinë, o plas!!!
Historitë, na tregon Drejtori i Akademisë Diplomatike të MPJ të Shqiperisë, Shaban Murati në librin e vet “Profile të Diplomacisë Europiane në Ballkan”; fillojnë qysh në vitin 2000:
“…Një fantazmë e rrezikshme sillet korridoreve të zyrave të BE-së në Bruksel. Kjo është fantazma e jugosllavizmit, e cila ëndërron të krijojë ish-Jugosllavinë. (Sërbi, Mal i Zi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri)…Jehonën e kësaj fantazme e bëri gjermani Hans Koshnik…në fakt propozimi i Koshnikut nuk është ndonjë gjë e re, sepse që nga viti 2000, zyrtarisht termi “Ballkan Perëndimor” u imponua nga diplomatët francezë…”(vepra në fjalë, artikulli “Integrim rajonal apo Jugosllavizim Rajonal”, dt.08.05.2005, faqe 54)
“…Nga pikëpamja strategjike, kjo nuk është e re për Brukselin, ku nostalgjikët projugosllavë janë, për fat të keq, ende të shumtë në numër…formuluan konceptin e imponuar dhe pa baza teorike, juridike dhe gjeografike të “Ballkanit Perëndimor” në vitin 2000, e deri tek krijimi i një zone të përbashkët “të tregtisë së lirë”, e cila do të shndërohet edhe në një bashkim doganor të vendeve të “Ballkanit Perëndimor”, shihet si nje ide fikse e atyre qarqeve shtetërore dhe diplomatike europiane, që insistojnë në modelimin në formën e ish Jugosllavisë. Fantazma jugosllave shetit në mendjet dhe zyrat diplomatike të BE-së…”(vepra në fjalë, artikulli “Fantazma Jugosllave shetit në BE”, dt.05.02.2006, faqe 88)
Më tej, vazhdon profesor Murati: “Në disa shtete anëtare të BE ka ende zyrtarë të lartë, që vuajnë nga sindroma e jugosllavizmit me qëndër Sërbinë dhe që ëndërrojnë ta fusin sëbashku në BE këtë ”grup jugosllav”, që ata i kanë vënë emrin e sajuar “Ballkan Perëndimor”. Kjo sindromë arkaike… mund të shkaktojë që, nesër, të paguajë për Serbinë, edhe Kosova, edhe Shqipëria …”(vepra në fjalë, dt.20.03.2005, faqe 49)
Po shqiptarët çfarë bëjnë, do të pyesni Ju. Po ua rrëfej. Një ish ministër i jashtëm i Shqipërisë shkon para do kohësh në Beograd, ku nuk kërkon asgjë dhe siç thotë populli, shkoi shul dhe erdhi lloz. Por ajo u quajt një vizitë historike.
Vazhdojmë më tej. Në qershor të vitit 2013, në kulmim e fushatës elektorale në ndihmë të koalicionit “Për një Shqipëri Europiane”, dy udhëheqësit e dy partive të majta, në mbyllje të fushatës elektorale në qytetin e Shkodrës, në podiumin e dy partive shqiptare, duket ish presidenti Sërb Boris Tadiç. Çfarë i lidh me ish presidentin sërb dy udheheqësit politikë shqiptarë?!!! Për këtë precedent të rrallë Asnjë nuk foli. Nuk folën partitë e djathta. Nuk foli asnjë politikan, i djathtë, apo i majtë qoftë; pavarësisht se në parlament ngrihen si gjela dhe bëjnë patriotin. Nuk foli asnjë media. Megjithëse nga mëngjesi në darkë, kakarisin dhe u shurdhojnë veshët shqiptarëve me lloj lloj lajmesh. Nuk foli asnjë analist, as nga të varurit dhe as nga ata të “pavarurit”. Nuk foli asnjë gazetar, ose siç e quajnë veten moderator, as nga ata “pa dinjitet”, dhe as nga ata “dinjitozët”, të cilët në emisionet e tyre “patriotike” na tregojnë fotografitë mbi ura. Një politikan sërb në mes të politikanëve shqiptarë, ngjante si ujku në mes të deleve. A ishte kjo një ogur i mirë, apo një ogur i keq, koha do ta tregojë.
Po kush është Boris Tadiç? Ja çfarë na thotë për të profesor Murati:
Më 23 dhjetor të vitit 2004, kryeministri V.Koshtunica, kryeparlamentari P.Markoviç dhe presidenti B.Tadiç, lëshuan një deklaratë të përbashkët ku kercënojnë komisionerin e BE-së, për Bosnjën lordin Pedi Eshdaun dhe komunitetin ndërkombëtar, se Serbia ka interesa partikolare për “Serpska Republikën”…me datë 22 dhjetor 2004 parlamenti sërb miratoi ligjin për reabilitimin e çetnikëve, kriminelëve sërbë të Luftës së Dytë Botërore…Me 1 shkurt 2006 Presidenti i Serbisë B.Tadiç deklaroi me një megalomani tipike se “Sërbia është qëndra gjeostrategjike e Rajonit“…Boris Tadiç, duke qënë në një vizitë zyrtare në Sarajevë më 29 qershor 2006, ju bashkangjit qëndrimeve separatiste të sërbëve të Bosnjes me deklaratën, se është e pamundur që komuniteti ndërkombëtar të kundërshtojë referendumin sërb për pavarësi në Bosnje… në Kroaci Boris Tadiçi përsëriti ofertën e vitit 1991 të Milosheviçit për ndarjen e Bosnje-Herxegovinës, në Maqedoni kërkoi përsëri të shiste kërkesën efmere për kufirin Maqedoni-Kosovë, në Sarajevë hodhi poshtë kërkesat e drejta të Bosnje-Herxegovinës per separacionet e luftës, që Sërbia duhet t’i paguajë popullit të Bosnjes për masakrat dhe shkatërimet që i shkaktoi me 1992-1995…
…Boris Tadiçi duket më shumë si një hibrid i një fytyre të re, me dizenjon e një fytyre të vjetër, të politikës sërbe…Qëndrimet dhe deklaratat kryesore të Boris Tadiçit në Zagreb, Podgoricë, Shkup dhe Sarajevë ishin mbi një platformë kompromisi me nacionalizmin sërb, e cila megjithë retorikën demokratike; duket sikur ka dalë nga MEMORANDUMI FAMËKEQ I AKADEMISË SËRBE, që u bë platformë ideologjike e agresioneve sërbe kundër gjithë popujve josërbe ne ish-Jugosllavi, memorandum që mban edhe firmën babait te tij, LUBOMIR TADIÇIT.
Ky ishte i ftuari i dy partive të mëdha të majta në mitingun elektoral në Shkodër në qershor të vitit 2013. Si një rast i rrallë, por për herë të parë pas 22 vjetësh, në Shkodrën që ishte bastion i së djathtës, pas zgjedhjeve të qershorit 2013, fitoi e majta. Me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: Mos vallë ajo fitoi në Shkodër me mbështetjen e Sërbisë?!!!
Ja çfarë na thotë profesor Murati lidhur me të majtët shqiptarë, që kanë qënë në pushtet pas vitit 2000:
“Është për të ardhur keq që ish-udheheqës të Shqipërisë, me mendjelehtësinë më të madhe, kur ishin në postet e tyre, nga më të lartat e shtetit shqiptar, profeconin se në fillim duhet të bëhet integrimi rajonal e pastaj integrimi europian i rajonit, një formule derivate e modelit jugosllav të Ballkanit ”(vepra ne fjale, artikulli “Fantazma Jugosllave shetit në BE”, dt.05.02.2006, faqe 89).
Me të drejtë shtrojmë pyetjen: Mos vallë prania e Tadiçit në Shkodër, ka qënë uvertura e krijimit të Jugosllavisë së Re, më të keqe se e para. Kjo pasi në të parën ishin edhe sllovenët dhe kroatët dhe mungonte Shqipëria. Në këtë të dytën kemi vetëm sërbë të Sërbisë, sërbë të Malit të Zi, sërbë të Bosnje-Herxegovinës, sërbë të Maqedonisë edhe së fundmi, si qershia mbi tortë edhe sërbët e Kosovës. Sërbë dhe sërbë dhe sërbë prapë, sërbë të pasosur dhe shumë natë. Çfarë pune kanë shqiptarët në një shtet sllav me dominim absolut të sërbëve?!!! Ç’duan shqiptarët në mes të zogorisë?!!!
Jemi nga muaji nëntor 2013, muaji i festave kombëtare. Bash në prag të këtyre festave, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë flet për një vizitë “historike” të kryeministrit shqiptar në Sërbi. Nuk shkoi disa muaj dhe këtë e konfirmoi zv.kryeministri i Sërbisë. Ja ku mbritëm në muajin prill 2014 dhe vetë kryeministri, nëpërmjet një gazete sërbe, u jep “sihariqin” shqiptarëve se do të shkojë në Sërbi. Si do të shkojë, si ai…në dasëm, për muaj mjalti do të shkojë? Çfarë plane të errëta fsheh ky udhetim?!!! A ka marrë mandat nga shqiptarët, për atë që ka ndër mend të bëjë? A mendon se shqiptarët do t’ia falin, nëse ai ka në mendje ndonjë tradhëti kombëtare?!!!
Mbase europianët i kanë premtuar statusin në këmbim të martesës së Shqiperisë me Sërbinë. Pasi kjo punë nuk ka filluar sot. Krushka Europë ka 15 vjet që merret me ketë shkuesi. Europianët kanë thënë: Në fillim realizoni “tregtinë e lirë”. Kjo pikë është realizuar, pasi qeveria paraardhëse (para 2013) aq shumë e ka zhvilluar tregtinë e lirë me Sërbinë, aq sa mallrat e skaduara sërbe kanë mbytur Shqipërinë. Kësaj “tregtie të lirë” i shërben edhe e ashtuquajtura “Rruga e Kombit”, e cila në të vërtetë është “Rruga e sërbëve” për të dalë ne Adriatikun shqiptar, një ëndërr e vjetër e Pashiqit. Investimet strategjike për energjinë dhe tregtinë energjitike, qeveria e mëparshme (para 2013) i ka lidhur me Sërbinë. Shumë konçesione dhe investime në Shqipëri u janë dhënë firmave me origjinë sërbe. Në vazhdim të kësaj, qeveria e sotme, kur ishte në opozitë, çirrej se Fazlliçit i ishtë dhënë tenederi i linjës së interkonjuksionit Shqipëri-Kosovë. Ndërsa sot, kjo qeveri e majtë përfundoi punën e nisur nga qeveria e mëparshme e djathtë, dhe po Fazlliçit ja dha tenderin.
Mbase edhe fakti, që qeveria shqiptare nuk e çan shumë kokën për Radikën, këtë arësye ka. Pasi mendon se së shpejti do të jemi një shtet me sllavët. Kështu që derdhet Radika në Drin, apo derdhet në Vardar, njësoj është. “Vaji mbetet në lakra”. Mirë me Radikën. Po për Vjosën pse nuk çan kokën? Apo ka plane që në të ardhmen i gjithë lumi Vjosë t’i kalojë Greqisë, nga burimi deri në grykë-derdhje. Matotheos! Zoti na ruajtë!
Europianët kanë thënë: Në vazhdim, pasi të keni zhvilluar “tregtinë e lirë” me njëri tjatrin, hiqni doganat dhe bëni bashkimin doganor. Për të mos rënë në sy, fillimisht qeveria e jonë do të heqë doganat me Kosovën. Pastaj me Sërbinë. Ja ku u realizua edhe bashkimi doganor Shqipëri-Sërbi, pa çak pa bam.
Kjo nuk ka asnjë ndryshim nga parapërgatitjet e bashkangjitjes së Shqipërisë si republikë e shtatë Jugosllavisë në vitet 1946-1948. Në atë kohë qeveria shqiptare hoqi doganat me Jugosllavinë dhe realizoi paritetin midis lekut dhe dinarit jugosllav. Pasojat e këtij veprimi qenë rrënuese për ekonominë shqiptare. Leku shqiptar, që ishte i fortë u shkatërrua. Heqja e doganave dhe pariteti i monedhave bëri qe mallrat shqiptare jugosllavët t’i blenin me ca letra pa vlerë si ishte, dinari. Tregu shqiptar u boshatis nga mallrat e nevojës së parë, te cilat i rrëmbyen sërbët e urritur. Këtë politike kapitulluese e njeh mirë z.Kristo Frashëri, i cili në atë kohë ka punuar në Bankën e Shqipërisë. Këtë politikë kapitulluese dhe shkatërrimtare për ekonominë shqiptare në atë kohë e ka kundërshtuar ashpër dhe drejtë i madhi Dhimitër Pasko, shkrimtari më i dashur i fëmijve shqiptarë, autori i “Xinxifillos”, njeriu i mirë Mitrush Kuteli.
Kështu, pasi të jetë realizuar bashkimi ekonomik; bashkimi politik do të jetë një formalitet. Ja ku u realizua edhe “bashkim-vellazërimi” i ri pas 70 vjetësh midis sërbëve dhe shqiptarëve. Është po ai “bashkim-vellazërim” që realizuan dy Josifët në mes të shekullit të kaluar. Por me një ndryshim, ai qe një “bashkim-vellazërim” midis proletarëve dhe komunistëve sërbë dhe atyre shqiptarë; Ky i sotmi është një “bashkim-vellazërim” midis borgjezisë shoviniste sërbe dhe politikanëve gjakprishur shqiptarë.
Mbase në mbështetje të këtij bashkimi rajonal BE, pikërisht në vitet 2000 ka nxitur krijimin e Nismës Adriatiko Joniane (NAJ), e cila u zyrtarizua në Ankona, Itali, më 20 Maj 2000. Në aktivitetin themelues morën pjesë shtatë vende, midis të cilëve ishte edhe Shqipëria. Sot vendet anëtare të NAJ-it janë tetë dhe përkatësisht Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Greqia, Italia, Sërbia dhe Sllovenia. Qartazi duket qe i teti eshte Sërbia.
Një profan me të drejtë mund të thotë se Sërbia merr pjesë në këtë Nismë, pasi ajo ka dalje në detin Adriatik, apo detin Jon. Jo miq të dashur. Sërbia nuk ka dalje jo vetëm në keto dy dete. Por nuk ka dalje në asnjë det të botës. Sërbia ka vetëm kufi tokësor. Por këtë të vërtetë, në Shqipëri e di edhe një nxënës i shkollës fillore që mëson gjeografinë e Ballkanit, por BE nuk e njeh gjeografinë, ajo nuk e di që Sërbia nuk ka dalje në detin Adriatik. BE pranon edhe që është injorante, mjaft që të realizohen interesat e saj. Për BE 2+2=5. Disa shtete të fuqishme në BE dhe qarqet e tyre kanë interesa të veçanta në Sërbi. Vërtet Sërbia nuk ka dalje në det. Por, për disa shtete të Europës Qëndrore rruga për të dalë në disa dete, kalon nëpërmjet Sërbisë. Pra, Sërbia të dashur miq “ka dalje në det”, ose medomosdo dhe me çdo mënyrë duhet të dalë në det, nëpërmjet bashkangjitjes me shtetet që kanë dalje në det. Pra, nuk është çudi që “Nisma Adriatiko-Joniane” të jetë një suport për shtetin e ri jugosllav në Ballkan, që për të mashtruar popujt i vendosin emra të bukur “Ballkani Perëndimor”, “Nisma Adriatiko-Joniane” etj. Qofsha i gabuar! Për ta bërë më të plotë konvertimin nga “Shtete Joniane-Adriatik” në “Shtete Jugosllav ballkanik”, cyten shqiptarët që të dalin vetë e të propozojnë qe tek shtetet detare të futen edhe Kosova me Maqedoninë.
Kjo nismë,- vijoi më tej kryeministri Rama,- synon ta kthejë Adriatikun dhe Jonin, në një liqen të madh dhe të pasur të Europës së bashkuar, si një instrument për zgjidhje të përbashkëta për makro-rajonin”.
Këto janë çudira të papara. Tre shtete që nuk kanë parë ndonjëherë det me sy, Sërbi, Maqedoni dhe Kosovë i bashkangjiten nje aleance të shteteve bregdetare!!!! Mirë Kosova që Adriatikun e Jonin i ka dete të shtetit amë dhe prej tyre, po këta sllavë e ndanë; po Sërbia dhe Maqedonia ku në të…. shkojnë.
Vazhdojmë me “Nismën” dhe daljen në det. Sërbia megjithëse nuk ka dalje në det, por nëpërmjet Danubit është pjesë e rrugës lumore me të madhe të Europës, sidomos asaj qëndrore. Kësaj po ti shtojmë edhe lumenjtë Morava dhe Vardar, te cilët Sërbia, Maqedonia dhe Greqia duan t’i bejne të lundrueshëm; atëhere Sërbia del në detin Egje. Por nëpërmjet këtyre lumenjve, nëqoftëse kthehen të lundrueshëm, del në detin Egje edhe Gjermania me Austrinë, këtë të mos e harojmë. Pra ndërhyrjet për Radikën mund të vijnë që nga larg. Me rrugë tokësore nëpërmjet Kosovës dhe Shqipërisë (të ashtuquajturës “Rruga e Kombit”) Sërbia del në detin Adriatik. Sërbia është një shtet në udhëkryq. Prandaj Europa (shtetet qëndrore të saj) kërkon të ndërtojë një shtet të madh me qëndër Sërbinë, ku nëpërmjet saj, të ketë dalje në disa dete. Parë në këtë këndvështrim, pritja që ju bë kryeministrit shqiptar në Gjermani dhe Austri dhe mbeshtetja, që ju dha prej tyre, nuk është çudi që lidhet me këtë projekt. Ne do ju fusim në BE, Ju do të futeni në zgjedhen sërbe. Ndryshe BE-në shikojeni me dylbi. Franca po është një mike disa shekullore e sërbeve. Hollanda shkon pas Francës dhe Gjermanisë. Italia e do rrugën të hapur Durrës-Beograd. Atëhere kjo është BE. Po Inglitera. Po SHBA. Do të jenë dakort me këtë shtet amalgamë të sërbëve me shqiptarët. Nuk e dimë.
Çfarë fiton Shqipëria në këtë rast? Shqipërisë, si lemoshë, i japin statusin e futjes në Europë. Por a e meritojnë politikanët shqiptarë futjen e Shqiperisë në BE? Nëqoftëse do të më pyesnin mua si qytetar, unë do të thosha se Shqipëria nuk e meriton të hyje në Europe. Pasi në Shqipëri nuk ekzistojnë ato standarte që gëzojnë qytetarët e europianë. Shqipëria është plot me plehra. Shqipëria i ka rrugët me gropa dhe baltë. Qytetarët shqiptarë i hedhin plehrat akoma nga ballkoni në rrugë. Ne Shqipëri shteti nuk kontrollon ushqimet që u jep të hanë shtetasit e vet. Në Shqipëri shteti nuk u siguron barnat shtetasve të shtruar në spitale. Në Shqipëri ka një Universitet për 100 student. Në Shqipëri ka një varfëri të tejskajshme migjeniane. Qytetarët europianë nuk vuajnë për bukën e gojës, ashtu siç vuajnë 40 për qind e qytetarëve shqiptarë. Qytetarët europianë nuk janë të sunduar nga politikanë banditë, vrastarë, reptile dhe hajdutë të babëzitur, ashtu siç sundohen qytetarët shqiptarë.
Po a e meritojnë shqiptarët si komb dhe si racë, që Europa, pas 500 vjetësh ndarje, t’i bëje pjesë të saj? Po e meritojnë. Shqipëria vetë është Europë. Europa zanafillën e saj e ka në gadishullin e Hemit (gadishulli i Ballkanit sot). Shqiptarët, për nga cilësitë dhe virtytet e tyre (jo politikanët shqiptarë, të cilët janë racë zvaranikësh), janë më shumë se europianë. Shqiptarët janë një komb i qytetëruar mijëravjeçar. Qytetërimi i tyre filloi me Pellazgët dhe vazhdoi me Ilirët, Dardanët,Paionët, Epirotët. Por ky qytetërim i shkëlqyer u ndërpre me dhunë nga pushtimi romak 1500-1700 vjeçar dhe pushtimi osman 500 vjeçar. 2200 vjet ndërprerje nuk janë pak. Megjithatë, shqiptarët në genin e tyre, ruajtën qytetërimin e të parëve të tyre, intelektin dhe zotësinë si racë.
Me sa duket, me këtë miratim qorthi të platformave europiane për rikrijimin e Jugosllavisë me një emër te ri mashtrues për shqiptarët “Viset e Ballkanit Perëndimor”; qeveritë shqiptare që nga viti 2000 e këndej, dashje pa dashje, i janë futur rrugës së tradhëtisë kombëtare. Kjo nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që deshironte të realizonte Esat Pashë Toptani me 1914, plot para 100 vjetësh. Edhe ai donte ta fuste Shqipërinë nën sundimin e Sërbisë. Veshjet, kostumet dhe aktorët ndryshojnë, çfaqja dhe drama shqiptare mbetet e njëjtë edhe pas 100 vjetësh. Shqiptarë tregohuni vigjilentë! Ata që e kanë drejtuar Shqipërinë këto 100 vitet e fundit, nuk e kanë pasë për gjë që ta shesin Shqipërinë për interesat e tyre personale.
Po i mbyll këto shënime me fjalët profetike të Shaban Muratit:
“Është ANTIHISTORIKE çdo përpjekje për rikrijimin e një Jugosllavie me emrin “Ballkani perëndimor”, të drejtuar nga Sërbia. Me të nuk do të fitonte as integrimi, as STABILIZIMI dhe as europianizimi i Ballkanit” (vepra ne fjale, artikulli “Integrim rajonal apo Jugosllavizim Rajonal”, dt.08.05.2005, faqe 57).
Thotë populli: Janë bërë hesapet pa hanxhinë. Dhe hanxhiu është populli shqiptar, të cilin qarqet europiane dhe politikanët servile shqiptarë (kudo që janë) nuk e kanë llogaritur.
-Asnjëherë shqiptarët nuk do të pranojnë një sundim të sërbëve.
-Asnjëherë ata nuk do të pranojnë të jenë në një shtet me sllavët, e për më tepër me sërbët. Ashtu siç nuk mund të rinë nën një çati, djajtë me engjëjtë. Ashtu nuk mund te rinë nën një shtet, sërbët me shqiptarët.
-Europianët të mendohen mirë: Nga martesa që ata mendojnë të bëjnë do të lindë një monstër, një përbindësh, si minotauri i lashtësisë, prej të cilit do të marrë flakë gjithë Ballkani dhe flakët e tij do të përvëlojnë edhe Europën. Shqiptarët nuk janë dele që shkojnë vetë në therrtore tek kasapi i Ballkanit – SËRBIA.
-Europa e krishterë, është mire që t’i rrijë sa më larg MËKATIT, sa nuk është vonë.
ZOTI E RUAJTË SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT!!!
30 prill 2014.

___________
P.s. Samiti i Triestes nuk bëri gjë tjetër veçse e konsakroi këtë Jugosllavi të Re dhe shtroi udhën ligjërisht drejt krijimit të saj.
Ato që kam thënë para tri vjetësh për Austrinë dhe Gjermaninë, u vërtetuan sot kur dy presidentët e këtyre dy vendeve u takuan dhe përshëndetën dhe inkurajuan krijimin e monstrës me emrin “Ballkani Perëndimor”
Në këtë kuadër futet edhe dhënia e “Kryqit të Legjionit të Nderit” kryeministrit shqiptar nga kryeministri francez në emër të ish Presidentit Francez, i cili as që denjoi të merrte pjesë në ceremoni. Kuptimi është ky: Ne po të japim kryqin për punën që ke bërë dhe atë që do të bësh për futjen e shqiptarëve nën Sërbinë. Ai kryq me kujton kryqin e marrë nga kryetradhëtari shqiptar Esat Pashë Toptani. Tre shqiptarë e kanë marrë këtë kryq:
-Esat Pashë Toptani që i shiti Shqipërinë Sërbisë;
-Ismail Kadare që u bë vegël e Francës për përmbysjen e sitemit monist në Shqipëri;
-Edi Rama që është bërë vegël e Europës (perfshirë dhe Francën) për krijimin e Jugosllavisë së Re, por me të gjithë shqiptarët brenda. Madje edhe motivacioni ishte i tillë: I vetmi kryeministër i Shqipërisë që ka zbutur marrëdhëniet midis Sërbisë dhe Shqiperisë. Pra këtu fle lepuri. Lepuri është Sërbia. Kryqi ju dha se futi të gjithë shqiptarët nën thundrën e sërbëve.
Sot në ditën e marrjes së Bastijes me topa, me ngjethet mishi kur mendoj, se ne shqiptarët do të duhet të derdhim përsëri gjak për të shpëtuar nga robëria sërbe me bekimin e Europës plakë, që sot e kësaj dite nuk na ka kërkuar ndjesë për gjakosjen dhe copëtimin e trojeve tona më 1913.
Ndoshta shqiptarët mund të kishin vendosur edhe një kusht deri diku mbrojtës: Ne futemi në këtë farë shteti që ju europianët e quani “Ballkani Perëndimor”, vetëm në rast se ju pranoni që ne të futemi si një komb i vetëm në një njësi administrative shtetformuese, ku të jemi bashkë; Shqiptarët e Shqipërisë Trung, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë dhe shqiptaret e Luginës së Preshevës. Pra një shtet shqiptar me të “Kater Vilajetet”, i cili në çdo kohë do të kishte të drejtën të dilte si shtet i vetëm dhe sovran nga kjo soj federate.
14 korrik 2017
(Marrë nga libri “Cerberi Antishqiptar” botuar ne 2018)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura