(Preshevë, 28. 11. 2012) – Përpjekjet e shumta të shqiptarëve për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm kombëtar dhe atë me Kosovë, Toplicë e Çamëri Shqipëria është një! Si një zgjidhje alternative nuk po pushon ndër shekuj. Kjo lëvizje mbarëkombëtare gjeti shprehje edhe u paraqit edhe gjatë lëvizjes komuniste dhe atë përmes Internacionales Komuniste, e cila lëvizje majtiste orvatej t’i joshte popujt që ndodheshin gjer atëherë nën kolonializmin dhe hegjemonizmin e shteteve sovrane të Ballkanit, për një afirmim të parimit të vetëvendosjes. Kjo alternativë, sikurse në gjithë botën, gjeti mbështetje dhe përkrahje edhe në mesin e etnosit shqiptar. Partia Komuniste e Jugosllavisë, si pjesë integrale e Internacionales Komuniste, u përpoq me sa mundi t’i përfitonte edhe shqiptarët e robëruar nën Mbretërinë SKS, për interesat e veta. Ajo në preambulën e programit të saj, për zgjidhjen e çështjes kombëtare deri në fund të kësaj periudhe mbetet e pa definuar.
Shqiptarët mu për këtë u ballafaquan çdo herë me pushtuesit, rezistenca dhe qëndresa e tyre si filozofi praktike. Kjo strategji e zgjedhur në të shumtën rasteve ishte e imponuar prej pamundësive të shumta, për shkak të natyrës defanzive, në mos gjithmonë paqësore, kurra-kurrës nuk ka qenë e rrezikshme dhe e dëmshme ndaj kombeve tjera. Rezultati i saj më i madh në histori ka qenë megjithatë modest-mbijetesa e kombit ton, kështu që më 28 nëntor 1912, një pjesë e kombit- Shqipëria pranohet ndërkombëtarisht shtet me të gjitha atributet e veta.
Nga 28 nëntori 1912, nga Dita e Flamurit dhe e pavarësisë, u bë një vazhdë e sendërtimit të një ideali të madh kombëtar , kur pati thënë Ismajl Qemali në Vlorë: “Ja pra ky është flamuri ynë! I kuq e me shqiponjën dykrenore në mes. Këtu e tutje jemi të lirë, të pavarur, prandaj qeshuni dhe gëzohuni”. Përpjekjet për pengimin e themelimit të shtetit shqiptar nga fqinjët arrinin nga shumë anë. Kështu, aleanca serbo-bullgare me anekset e tyre parashikonte ndarjen e serishme të trojeve shqiptare e maqedone. Kjo ishte vazhdimësi e politikës antishqiptare që ushtrohej në Ballkan qysh nga Naçertania e I. Garashaninit e vitit 1844, e tutje. E njëjta praktikë ekspansioniste dhe hegjemoniste ndodhi edhe në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në pranverën e vitit 1912 (1).
Territoret shqiptare kishin dalë në ankandin e monarkive të Ballkanit. Bëheshin llogaritë pa të zotin e shtëpisë. Statuasquoja për paprekshmërinë e Turqisë ishte prishur me luftën italo-turke për Tripolin më 1911, prandaj monarkitë ballkanike në pranverën e vitit 1912 filluan të lidhin aleanca dhe të bëjnë pazarllëqe për ndarjen e territoreve shqiptare. Në mars të vitit 1912, me insistimin e Rusisë u lidhë aleanca serbo-bullgare, e cila me anekset sekrete parashikonte ndarjen e tokave shqiptare në Maqedoni. Sipas këtij aneksi tokat ne Veri dhe Perëndim të Sharrit, pra Kosova dhe Pazari i Ri, i jepeshin Serbisë, kurse në lindje të maleve Rodope, të lumit Struma t’i jepeshin Bullgarisë. Ndërsa territoret e mbetura mes Sharrit-Rodopeve-Detit Egje-Ohrit, me qytetet Preshevë, Kumanovë, Shkup, Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Dibër, Strugë duhej të ndaheshin në mes Serbisë e Bullgarisë, sipas arbitrazhit të Rusisë. Në fillim të shtatorit u lidh aleanca greko-bullgare, në fund të shtatorit ajo serbo-malazeze dhe në fund ajo malazezo-greke. Me këtë kompletohej Aleanca Ballkanike për luftë kundër Turqisë dhe pastaj ndarja e territoreve shqiptaro-maqedonase.
Politika intrigante dhe komplotiste e monarkive ballkanike i fërkonte duart nga sukseset e kryengritjes shqiptare, rrinte në pusi për të parë përfundimin e saj, kurse në momente ajo ndërhynte që kryengritja mos marrë përmasa të rrezikshme për atë Kralë Nikolla i Cetinës, që më 1910, jo pa qëllim përfitues kishte strehuar 3.000 refugjatë shqiptarë nga Malësia e Shkodrës që më 1911 ky numër të shtohej për disa mijë të tjerë. Të gjithë këta ai i nxiste të kalonin kufirin, ta dobësonin Turqinë, por jo të bashkoheshin me kryengritësit. I lejonte të luftonin vetëm prej Shkumbinit e sipër tij. Ndërsa në shtator të vitit 1912, kur kryengritjet shqiptare kishin pushtuar përkohësisht, është muaji i veprimeve diplomatike rreth ardhmërisë së Ballkanit. Shqipëria autonome, ose e pavarur do të bëhej guri themeltar i politikës së re ballkanike të diplomacisë vjeneze. Më 27 e 28 tetor 1912, njëzet ditë pasi plasi Lufta Ballkanike, edhe Franca, Anglia e Rusia e pranin se në Ballkan “as mund të ruhet statusquoja, as mund të qëndronte Ballkani ashtu siç kishte qenë”.
Në këto çaste kritike për fatin e vendit, kur fuqitë e koalicionit ballkanik i mundën Osmanlinjtë në Luftën e Parë Ballkanike dhe filluan të depërtonin brenda kufijve të Shqipërisë nga Veriu, Lindja e Jugu, alarmimi për mobilizimin e fundit e dhanë gazetat dhe shoqëritë e kolonive shqiptare në Boston, që më 6 tetor do të parashohë: “ Duke marrë parasysh faktin se po thyhet Turqia, shtetet ballkanike do ta copëtojnë Shqipërinë, prandaj, detyra e patriotëve shqiptarë është të bashkohen”, ndërsa gazeta “Liria” në Sofje do të shkruante: “Të marrim armët dhe të mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë”. Në Shkup ekzistonte shoqëria patriotike “Shoqëria e zezë për shpëtim” dhe komiteti “Shpëtimi” që udhëhiqeshin nga Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, Mit-hat Frashëri. Më 14 tetor, 6 ditë pasi filloi Lufta e Parë Ballkanike, këta mbajtën një mbledhje në të cilën u konstatua se disfata e Osmanlinjve është e pashmangshme, prandaj më 16 tetor u dërguan Fuqive të Mëdha një memorandum në të cilin shprehnin mendimin se copëtimin e vendit do ta kundërshtojnë edhe me armë.
Stambolli është qyteti ku Ismail Qemali mori vendimin të marrë rrugën e shpëtimit të atdheut, nga Stambolli u nis karvani i patriotëve i prirë nga Ismail Qemali, për të ngritur flamurin dhe për të shpallur pavarësinë. “Gjithsesi ky vendim, kjo rrugë, kjo datë është historike, sepse është vendim, është rruga, është data e shpëtimit të atdheut”.
Ismail Qemali, bashkë me Luigj Gurakuqin, u nisën nga Stambolli në drejtim të Bukureshtit ku arritën më 19 tetor 1912. Bukureshti atëbotë kishte një koloni shqiptare shumë të organizuar dhe me autoritete të shquara patriotike. Ismajl Qemali, në Bukuresht e la Luigj Gurakuqin që të bëjë përgatitjet për kuvendin e Bukureshtit dhe vet shkoi në Vjenë, ku arriti që më 25 tetor të marrë pëlqimin nga qarqet vjeneze për vendimet e Kuvendit të Bukureshtit. Nga Vjena dërgoi një telegram në Bukuresht ku thotë: “Janë shpresat që të arrihet qëllimi që kërkon Shqipëria”. Një telegram të tillë e dërgoi edhe nëpër rrethet tjera kurse vet kthehet përsëri në Bukuresht, ku më 5 nëntor mbahet kuvendi historik i Bukureshtit sipas propozimeve të Ismajl Qemalit, Kuvendi solli tri vendime kryesore: “të themelohet një Komitet drejtues që do të marrë në duar qeverisjen e vendit, të formohet një Komision nga shqiptarë të ditur për të ndërmarrë misione diplomatike në Evropë dhe të formohet një Komitet që do të lidhej me komitetet e brendshme e me qendrat jashtë atdheut”. Kuvendi i Bukureshtit paralajmëronte një ngjarje të madhe, por ai nuk ishte i mjaftueshëm për diplomatin e regjur, Ismajl Qemalin. Duheshin bërë përpjekje të tjera. Vetë u nis për në Vjenë, ndërsa Luigj Gurakuqi me të tjerët për në Trieshtë. Në Vjenë arriti më 6 nëntor, në kohën kur situata politike në Ballkan kishte ndryshuar. Që më 5 nëntor Grei, Ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe, pranoi prishjen e status-quosë për Ballkanin. Ismajl Qemali mori pëlqimin nga Ministria e Jashtme e Austrisë se do të pranonte autonominë ose pavarësinë e Shqipërisë. Më 9 nëntor, Ismail Qemali dërgoi telegram në Vlorë me të cilin lajmëronte: “E ardhmja e atdheut”. Në Vjenë u takua edhe me ambasadorin anglez edhe atij ia bëri me dije se së shpejti do të shkonte në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe informoi ambasadorin se shqiptarët janë të vendosur ta ruajnë tërësinë e tokës së tyre. Më 12 nëntor Ismail Qemali bisedoi në Ministrin e Jashtëm të Austrisë. Ai iu lut atyre që ta bindin Portën që ajo ta pranojë Lëvizjen Kombëtare dhe ta merrte në mbrojtje territoret shqiptare. Në Vjenë më 9 nëntor mori përgjigje nga telegramet që kishte dërguar në Shqipëri, në të cilën kërkonin që ai të kthehej sa më parë sepse Durrësi rrezikohej nga serbët. Nga Vjena Ismail Qemali shkoi në Bukuresht ku u takua me Bertoldin, Ministrin e Jashtëm të Austrisë. Në këtë kohë ngjarjet në Ballkan zhvilloheshin në dobi të aleatëve të Ballkanit. Grekët e kishin pushtuar Lezhën, e kishin rrethuar Shkodrën e Durrësin. Bertoldi merr pëlqimin edhe të Romës, edhe vetë u pajtua për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Ismajl Qemali më 18 nëntor i dërgoi një telegram Komisionit për Shpalljen e Pavarësisë, në të cilin thotë se do të kthehet shpejt dhe se “çështja jonë politike është siguruar”. Kërkonte që delegatët të tuboheshin sa më shpejt në Durrës ose në Vlorë. Më 19 nëntor Ismajl Qemali arriti në Trieshtë ku u bashkua me patriotët e tjerë dhe u nis menjëherë për në Durrës. Para se të nisej, i dha një intervistë një gazete austriake, në të cilën thoshte se “shpresonte të arrinte në Durrës para se qytetin ta pushtonin serbët, se aty do ta shpallte pavarësinë e Shqipërinë dhe do ta zgjedhe qeverinë e përkohshme për ta vënë Evropën para aktit të kryer. Në Durrës arritën më 21 nëntor, ku iu bë një pritje e përzemërt, por Durrësi i rrethuar nga serbët, por edhe pushteti turk, nuk i lejoi që aty ta shpallte pavarësinë”.
Ismajl Qemali me delegatët e Durrësit u nis më 23 nëntor për të përballuar edhe etapën e fundit, për të arritur në Vlorë. Nëpër kohë të keqe, nëpër rrugë të vështira karvani kaloi pengesa të shumta. Kështu më 25 nëntor Ismajl Qemali, i shoqëruar nga delegatët e Tiranës, Elbasanit, Shajakut, Durrësit, Leshnjës, Krujës, Kosovës, Dibrës, Ohrit, Strugës, arritën në Vlorë. Këtu u informuan se serbët përparonin drejt Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, prandaj delegatët e këtyre vendeve shpejtuan të shpallnin pavarësinë më herët: në Elbasan më 25 nëntor, në Tiranë më 26 nëntor e në Peqin më 27 nëntor. Hasan Prishtina me shumë të tjerë ishin burgosur nga ushtria serbe, prandaj për në Vlorë u nis Isa Buletini me 400 luftëtarë. Ai kaloi nga Gjakova në Kukës, në Kala të Dodës, Peshkopi, Maqëllarë, Dibër, ku u takua me Zenel Begollin, Mehmet Derallën dhe nëpër Dobrovë, Rrapunë, Elbasan arriti në Vlorë me pak vonesë.
Ajo që u prit me shekuj e dekada, arriti të pritej me ditë, me orë e me minuta. Më në fund, më 28 nëntor, në orën 14, nisi punën Kuvendi i Vlorës, me 37 delegatë sa kishin arritur deri atëherë. Kuvendin e hapi Ismajl Qemali, i cili mbajti një fjalim historik. Foli për çastet e ndjeshme që po kalonte vendi dhe për nevojën e maturisë që duhet pasur për realizimin final të lëvizjes. Arsyetoi luftën ballkanike të fqinjëve, si luftë për çliruar vëllezërit e tyre, por dënoi marrëveshjen e tyre për “copëtimin e ndarjen e Perandorisë, pra edhe të tokave shqiptare”, prandaj thotë më tutje se “ne vrapuam të merrnim masat që koha kërkonte”. Foli edhe për vizitat e tij në Vjenë me Fuqitë e Mëdha, të cilave ua kishte shprehur “mendimin dhe qëllimin” se “rruga e vetme e shpëtimit ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. “Ky mendim ishte pranuar me kënaqësi nga të gjithë, me përjashtim të Rusisë”, e cila mbahej pak si ftohtë për shkak të sllavëve”. Me propozimin e Ismail Qemalit, Kuvendi solli tri vendime të rëndësishme: “Të bëhet Shqipëria në vehte nën një Qeveri të Përkohshme, të zgjidhet një Pleqësi për kontroll të qeverisë dhe të dërgohet një Komision në Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare para Mbretërive të Mëdha”. Në fund u dha vendimi: “Të gjithë delegatët me një zë vendosën që Shqipëria të bëhet e lirë e pavarur”. Me pëlqimin e të gjithë delegatëve, Kuvendi e zgjodhi Ismail Qemalin i cili nga ballkoni tha: ”Vëllezër shqiptarë! Oh sa të lumtur që e ndiej vehten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqiptarë të mbledhur tok duke pritur me kureshtje e padurim përfundimet e kësaj mbledhjeje historike për fatin e atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi, pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot, edhe në këtë minutë Kongresi shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën për këtë punë… Po si ëndërr më duket ky ndryshim i madh në vendin tonë, që hoqi e vuajti të zezat e ullirit pesëqind vjet me radhë nën sundimin otoman… Mirëpo, dhashtë zoti që me punë, me trimërinë dhe me guximin e pashoq të shqiptarëve sot e tutje të marrin fund mjerimet e vuajtjet e atdheut tone, sepse këtu e tutje jemi të lirë, të pavarur, prandaj qeshni dhe gëzohuni. Mbledhja, si më plak që jam, më ngarkoi mua për ngritjen e shenjtë të shenjës sonë kombëtare, të flamurit tonë të nderuar e të dashur. Ja, pra, ky është flamuri ynë. I kuq e me shqiponjën dykrenore ne mes”. “Duke përfunduar nuk më mbetet gjë vetëm t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh që bashkë me bekimet e tij, që këtej e tutje të jem i pari, ta puth e ta bëjë të valëvite i lirë Flamuri ynë, në atdheun tonë të lirë”. Më 29 nëntor Kuvendi mbajti mbledhjen në formacion të plotë, më 63 delegatë dhe zgjodhi përbërjen e qeverisë dhe të pleqësisë. Ismail Qemali u zgjodh, kryetar, Nikollë Kacorri, nënkryetar, ndërsa si kryetar të Pleqësisë e zgjodhën dijetarin, patriotin dhe kryefetarin dibran, myftiun e Dibrës, Haxhi Vehbi Dibrën.
Qeveria e Vlorës e filloi ekzistencën në rrethana të jashtëzakonshme: ushtria osmane e mundur tërhiqej, tokat shqiptare u bënë sheshe lufte dhe qenë të parat që pësuan nga disfata osmane. Serbët kishin marrë Durrësin, Elbasanin, ndërsa Shkodra ishte e rrethuar: në Jug grekët kishin rrethuar Janinën, kishin marrë Sazanin e Himarën, e kishin izoluar Vlorën. Prandaj, pushteti i Qeverisë së Vlorës shtrihej në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnje. Vetëm pas marsit 1913, u vendos pushteti në Elbasan, Shqipëri të Mesme, Malësi të Madhe.
Ka shumë dëshmi lidhur me ngjarjet e lavdishme të historisë sonë kombëtare, përkatësisht për rrethanat e kushtet e ngritjes së flamurit kombëtar të Ismajl Qemalit.
Revista shqiptare “Rilindja” e Korçës, që botohej në vitin 1936, jep të dhëna lidhur me kushtet dhe rrethanat e ngritjes së Flamurit në Vlorë. Në këtë revistë kulturore, e cila aso kohe ishte e përdyjavshme, flitet për shkaqet se pse flamuri u ngrit në Vlorë e jo në Durrës. Dëshmi e kësaj ishte pikërisht “Numri Festiv, siç shkruhej në kopertinë, me rastin e 28 Nëntorit 1935. kështu, Dita e Flamurit ndriçohej nga disa pika. Ishin të pranishme krenaria dhe dhembja , gjendja konkrete dhe thirrja, kushtrimi për çlirimin e vatanit të copëtuar… Si “Flamur! Ndize flakë rininë shqiptare”, “Lere të të puthë përmallshëm”, Afroj të gjithë nën Hijen bujare”, poezia e “Flamurit” nga Hasan Spahia, Kastriotit – 28 Nëntor 1935 e të tjerë artikuj nga analistë e shkencëtarë të ndryshëm.
Por ajo që më së shumti bënte përshtypje, kishte të bënte pikërisht me çastin dhe vendin e ngritjes së Flamurit Kombëtar prej Ismail Qemalit.
Në këtë kohë pak njerëz arritën të shfletonin shtypin e paraluftës, kështu që, shumë ngjarje, episode e figura ishin të mbështjella me një lloj misteri. Ose bëheshin përpjekje zyrtare të mbuloheshin nga harresa dhe kështu forca e tyre në kohët më të vona të ishte e zbehtë, e mjegullt. E mjegullt nëpër dekada kishte mbetur edhe mos ngritja e flamurit në Durrës, pra mos shpallja e mëvetësisë pikërisht në këtë qytet ku edhe ishte i planifikuar nga Ismail Qemali dhe njerëzit e tij kur u nis nga Stambolli për në Bukuresht e prej andej në Shqipëri.
Ç’kishte ndodhur, në të vërtetë, në Durrës që prishi planet e Ismail Qemalit për shënimin e Çastit të Madh-Shpalljes së Pavarësisë? Përgjigja në këtë pyetje jepet në shkrimin me titull “Pse u ngrit Flamuri në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe jo në Durrës”.
Pasi zbriti në Durrës, Ismail Qemali me shokë, i kuptoi mundimet që do t’i dilnin në Durrës, por shpresonte, pas shpjegimeve që do t’ia tregonte popullit, do të bindeshe dhe do të kërkonte shpëtimin e tij me ngritjen e Flamurit të Kastriotëve. Kësisoji populli vendosi të mbajë një mbledhje të madhe, ku ishte thirrur tërë paria e Durrësit, me kryetarët e qeveritarët në krye. Mbledhja u mbajt, e në të cilën mori pjesë paria e Durrësit dhe komisioni i Bukureshtit i kryesuar nga Ismail Qemali. Të gjithë ata që ishin të fuqishëm,dhe të dëgjuar,u mblodhën të bisedonin se çdo të bënin, megjithëse nuk dihej gjendja e situatës politike. Të gjithë të pranishmit me padurim pritnin se çdo të thoshte Ismail Qemali, i cili kur u ngre në këmbë, dhe tepër i emocionuar, i shpjegoi mbledhjes gjendjen, duke thënë se Osmanlinjtë i lanë duart nga Ballkani, dhe që të mos ishte Shqipëria në ndonjë robëri tjetër, ishte që të ngrihej flamuri dykrenor dhe kuq-zi-kuq, dhe të shpallin vetëqeverimin e Shqipërisë me të cilën qeverisje do të pajtoheshin Fuqitë e Mëdha! Fjala madhështore e Ismajl Qemalit bëri përshtypje të thellë, dhe pjesëmarrësit e mbledhjes u habitën kur dëgjuan situatën e vërtetë të Turqisë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Edhe Myftiu i Durrësit zuri të flasë diçka, por nuk foli dot pastaj u ngrit Despoti i Durrësit, Jakovi, i cili aso kohe kishte një rendësi në Durrës, një influencë pranë qeverisë turke dhe popullit, dhe tha me zë të lartë: “Zotërinj! Unë që kur jam lindur, që kur kam ardhur ndërmend e gjer më sot, vetëm një flamur kam njohur, kam dashur e kam nderuar, dhe ky është flamur i Osmanlisë! Nën këtë flamur kam rrojtur dhe vetëm nën këtë dua të vdes! Mjerisht kjo fjalë e dhespot Jakovit e tërhoqi tërë mbledhjen me vetën e tij, shumica zuri të dyshojë mbi propozimin e Ismail Qemalit dhe Komisionit, dhe vendosën që të njohin vetëm Flamurin e Osmanlisë! Atëherë Ismail Qemali e humbi pozitën e tij në Durrës, por jo edhe shpresën.
Dëshira e tij e zjarrtë dhe e shokëve të tij për proklamimin e Idipendencës Shqiptare ishte më e fortë, më e zjarrtë se fjala e dhespot Jakovit dhe Myftiut të Durrësit. Flamuri Dykrenor i Skënderbeut nuk u ngrit në Durrës. Atëherë u nis Komisioni për Vlorë-duke përshkuar Myzeqenë me kuaj-dhe arriti më 27 Nëntor në mbrëmje në Vlorë. Kësisoji në Skele të Vlorës arritën burra, gra, pleq, plaka, vajza e djem, u gjunjëzuan dhe vetëm plaku leshbardhë, Ismail Qemali, ishte në këmbë, ngriti flamurin e Kastriotëve-simbolin e Shqipërisë me shkabën dykrenore kuq-zi, dy ngjyra që evokojnë pa dashur kujtimet e ditëve të zeza dhe të gjakut që u derdh për atë Shqipëri!… Flamuri madhështor do të valojë sa të rrojë bota, duke përmbledhur nën hijen e tij bijtë e Arbërisë.
Autori i himnit kombëtarë, patrioti që la gjurmë të pashlyeshme në lëvizjen për shpalljen e pavarësisë, e kishte sjellë vetë flamurin nga Rumania, ky ishte Spiridon Ilo, i cili la pas vetes trashëgimtarët dhe miqtë e tij të luftës.
U lind në qytetin e Korçës, më 30 shtator 1876. Në vitin 1906, i pjekur me ndjenjat kombëtare, mori rrugën drejt Amerikës. Ilo, nuk vonoi të bashkohej me patriotët shqiptarë. Atje ai krijoi lidhje të ngushta me Sotir Pecin, Fan Nolin e të tjerë. Të njëjtin aktivitet e zhvilloi edhe kur u kthye në Korçë, në shërbim të atdheut, së bashku me korçarët si me: Themistokli Gërmenjin, Pandeli Calen, Thoma Avramin e Mihal Gramenon.
Ishte Iloja që e solli flamurin nga Bukureshti, të cilin pastaj e ngriti Ismail Qemali në Vlorë. Në kujtimet e tij Spiridon Ilo thotë se “flamurin e ngriti Ismail Qemali, unë e mbërtheva në parmakët e ballkonit”. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fotografia e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, në të cilën duket qartë prania e Spiridon Ilos në ballkonin e godinës ku u ngrit flamuri, së bashku me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin etj. Pas shpalljes së pavarësisë Ilo punoi për të publikuar flamurin që u ngrit në Vlorë.
Gjatë viteve 1916-1920, kur ndodhej në Shtetet e Bashkuara, ai përgatiti dhe shpërndau shumë flamuj të këtij modeli, me përmasa të ndryshme, një pjesë të të cilëve i solli në Shqipëri.
Ishte Spiridon Ilo ai që nxorri nga fyti i tij himnin tonë kombëtarë, të cilin e këndoi për herë të parë më 1 maj 1905 në një mbledhje në Bukuresht së bashku me tenorin arbëresh Guisepe di Mauro nga San Posto Albanese.
Patriotizmi dhe mëmëdheu, janë trajtuar në shumë vepra që mbajnë firmën e tij. “Të gjithë ne o djema”., “Mall për mëmëdheun dhe për nëntor, “Sa bukur rronim, “E bukur rronim”, “Mall për mëmëdhenë dhe për nënon”, “Sa bukur rronim”, “E bukur era”, “Lutje të dashurisë”, dhe “Kujtimi i paharruar”, janë poezi që përveç temës patriotike, nuk kanë lënë pas dore dashurinë, me gjithë magjinë e saj.
Në vitin 1916 ai botoi në Boston librin “Dëshira e zemrës” me 64 faqe, të cilin e ribotoi të plotë më 94 faqe në vitin 1918. Si vëzhgues konsekuent i iluminizmit të Rilindjes, Ilo në vitin 1916 botoi në Boston komedinë me një akt “Vërtetë ëndërr”.
Spiridon Ilo është i pari shqiptar që ka incizuar pllaka gramafoni me këngë patriotike dhe këngë popullore, më 1916. Janë 16 pllaka ku tingëllon zëri i ëmbël i Ilos, i cili mbushi hapësirën shqiptare me melodi të bukura dhe prekëse të këtyre këngëve.
Dhuna, masakrat dhe dëbimet biblike që u bënë ndaj shqiptarëve autokton nga trojet e tyre të paqetërsueshme stërgjyshore do të fillonin qysh nga viti 1830, kur shqiptarët me shumicë e banonin Pashallëkun e Beogradit, dhe gjashtë nahijet e tij.
Politika gjenocidiale e shovinistëve serbo-malazezo-greke është shumë e vjetër, pavarësisht nga dështimet e herëpashershme që ka pasur, ndërsa në vitet e fundit u ngrit tërë opinioni botëror kundër gjenocidit çnjerëzor që u bë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Ndonëse është e vërtetë se diplomacia perëndimore tash sa vjet u “albanizua” nga shpërthimi i problemeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët vazhdojnë edhe më tutje, pra edhe pas një shekulli, të marrin secila pjesë, veç e veç, me problemet e veta, e jo si tërësi me problemet e përbashkëta kombëtare. Pra, edhe në fillim të këtij shekulli nuk u arrit ajo që u proklamua në fund të shekullit të kaluar në Prizren më 1878-Unifikimi i të gjitha trojeve shqiptare, kurse u realizua pjesërisht ajo që u proklamua ndërkombëtarisht (për gjithë kombet),ky parim ndërkombëtar i fillimit të këtij shekulli,pamundësohet në hyrje në shekullin e ri. Pjesët e ndara të kombit shqiptar në Ballkan jo se nuk vepruan kundër interesave kombëtare të të tjerëve e as të atyre të përgjithshme ndërkombëtare, por synuan vetëm realizimin e interesave të veta kombëtare brenda hapësirës dominuese kompakte etnike në Ballkan.
Pra, të gjitha faktet e lart cituara flasin dhe na e përforcojnë bindjen se çështja e pazgjidhur shqiptare gjatë gjithë historisë ka rrënjë të thella. Në favor të kësaj flasin edhe shembuj e fakte të tjera të shikuara nga kënde të ndryshme të historianëve, analistëve dhe diplomatëve shqiptarë e ndërkombëtarë 2.
* ) Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” me seli në Preshevë.
______________________
1. Kuvendi i Bukureshtit, 5 nëntor 1912.
2. Të gjitha materialet e lart cituara janë nxjerrë nga dokumentet arkivale nga Kuvendi i Bukureshtit 5 nëntori1912.