PROF.XHEMALEDIN SALIHU: LOKALITETE DHE VENDBANIME ARKEOLOGJIKE NË PRESHEVË (III)

Preshevë, 12 gusht 2020:  5.Bunishta në Zhunicë
Në Zhunicë të Preshevës përskaj lumit Moravica, në largësi 40 m, në perëndim gjendet lokaliteti Bunishtë, në të cilin janë gjetur kasolla nëndhese të epokës së neolitit të mesëm, me shtresën e epokës së hekurit I.
Lokaliteti Bunishtë është parahistorik, në te janë gjetur kasolla nëndhese, stane me madhësi të ndryshme. Sipas kasollës edhe lokaliteti ka marrë emrin Bunishtë, vend ku kanë buajtur udhëtarët dhe karavanet e tyre.
“Ky lokalitet është emërtuar, në bazë të kësaj kasolle, ku qysh herët në të kanë ndodhur bujtje, për t’u mbrojtur nga acaret dhe sulmet të tjera.”, shkruan Dr.sc. Naser Kamberi në revistën “Gjimnazisti”, nr.II.
Bunishtë është fjalë shqipe, në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë, 1981, shkruan: bunishtë-stan në bjeshkë, ku janë ngritur bunet e barinjve gjatë shtegtimit të bagëtisë.
Në fjalorin shqip-serbokroatisht, Prishtinë, 1976, të Mikel Ndreca shkruan: Bunishtë-bacija, cobanska bacila u planini.
Në fjalorin serbokroatisht-shqip, Prishtinë, 1986 shkruan: Bacija-stan,cobanska bacila u planini/stan i çobanëve në bjeshkë/
Instituti arkeologjik nga Beogradi dhe Muzeu Popullor i Vranjës më 2002 filluan rekogniscimin sistematik në trasën e autoudhës E-75, Vlladiçn Han- kufiri me Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast u gërmuan lokalitetet Cërkvishta dhe Bunishta në Zhunicë, Kisha në Samolicë, Pompa e benzinës në Bukuroc, e tjerë.
Gërmimet arkeologjike filluan më 2001, nën udhëheqjen e Petar Popoviqit nga Instituti Arkeologjik i Beogradit, në fillim si gërmime provuese, ndërsa më vonë ato u shndërruan në gërmime sistematike nën udhëheqjen e Dr. Miodrag Tomoviqit nga Instituti Arkeologjik i Beogradit. Ekipin e arkeologeve e bënin shumë arkeologë serbë, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe Rexhep Kadriu, bashkëpunëtor nga Lluçani.
Në gërmimet arkeologjike të lokalitetit Bunishta në Zhunicë të Preshevës u gjet keramikë e stilizuar Impresso, edhe ate nga faza e re e kultures së starçevës, dukuri e rrallë e kësaj kulture në rajonin e Vranjës.
Kështu në lokalittetin e Bunishtës, në një kasollë nën dhe, me bazë në formë të tetëshit, u gjetën shumë copa të keramikës tipike me forma të ndryshme të enëve, të zbukuruara me dhe jo organizim të barbotinës, pastaj në masë të vogël me teknikën impresso si dhe në masën edhe më të vogël, me pikturim të motiveve drejtvizore, me ngjyrë të përhimtë në të kuqe në bazën e kuqe të çelët.

Bunishta në Zhunicë
Pra, sipas materialit keramik dhe një figurine antropomorfe, kjo shtresë në lokalitetin Bunishtë daton nga faza e vonshme të kulturës së starçevës.Analogji të këtilla keramike u gjetën në disa lokalitete te Kosovës.
Lirisht mund të themi së materiali arkeologjik i gjetur në Bunishtë i takon kulturës së starçevës, periudhës së neolitit, epoka e hekurit I.
Gjatë vitit 2003, me gërmime arkeologjike në një arë afër Bunishtës është gjetur mbetje të furrës, ndërsa rreth saj disa vegla guri, sakicë dhe një sasi e madhe e keramikës neolite, e cila sipas cilësive stilistike dhe tipologjike i takonin kulturës së starçevës. Fjala ishte për një kasollë nën dhe me formën tetëshe, e cila përbëhej prej dy gropave më dimenzione të ndryshme.
Objektet ndërtimore patën të forma të ndryshme, por tipi më i ndërtuar për at kohë ishte kasolla nën dhe, të evidentuara në Bunishtë të Zhunicës.
Bunishta në Zhunicë
“Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzhar/dokumentojnë antropogjenezën dardane”, shkruan Dr. Sc. Naser Kamberi.
Lokaliteti gjendet në gjërësinë gjeografike 0559249, në gjatësinë gjeografike 4685749 dhe në lartësinë mbidetare 445 m.
6.Vala në Karadakun e Preshevës
Vendbanimi i vjetër Vala /Valeva/ gjendej në Moravicë, më herët ekzistonin emërtimet Moravë, Moravicë, Preshevë, Pçinjë, Inogoshte që bënin pjesë në Kadillëkun e Vranjës.
Vala gjendet në Karadakun e Preshevës, në mes të Kalasë së Preshevës, në lindje dhe vendbanimeve të sotme të Karadakut: Stanec, në jug-perëndim dhe Buhiç, në veri-perëndim. Në jug të Livadhit të Shehut dhe Kodrës që quhet Çadrat e Sulltan Muratit.
Në lindje të vendbanimit Valë janë gjetur vorreza të vjetra. Vendbanimi Vala është rrezikuar nga ndërtime të egra që kanë ndodhur kohëve të fundit.
Gjatë sundimit të Perandorisë osmane ndodhën tre regjistrime të popullatës në Kadillëkun e Vranjës, ku bënte pjesë edhe Vala e Preshevës.
Vendbanimi i vjetër Vala më 1519 kishte 4 familje të krishterë dhe asnjë familje myslimane, më 1528 kishte 4 familje të krishtera, ndërsa asnjë familje myslimane dhe më 1570 kishte 3 familje të krishtera myslimane.
Kjo strukturë e popullatës në vendbanimin Valë dhe disa vendbanime të tjera në këtë anë, si vendbanimi tjetër, i vjetër Vaça, i cili nuk ekziston më, por vetëm si toponomi , dëshmojnë se shumica e popullatës së Karadakut të Preshevës kishin qenë e krishterë.
Këtë e vërteton edhe albanologu Hahn, i cili kaloi nëpër Preshevë, më 1888 dhe pë Karadakun u shpreh se është bastion i katolicizmit.
Familjet Valevojtë kanë jetuar në vendbanimin Vala, ndërsa tashti 60-70 familje jetojnë në Kumanovë.
Vala në Karadak
Varrezat karshi Livadhit të Shehut, në të djathtë të udhës rajonale Preshevë-Gjilan janë të familjes së Valevojve, thotë Demush Berisha.2
Vendbanimi i vjetër Vala nuk ekziston me, është vendbanim i zhdukur dhe përmendet vetëm si emërtim toponimie.
Vala është përmendur në shek. XVI, në regjistrimet e Perandorisë osmane në Kadillëkun e Vranjës të A. Stojanovskit.
Vendbanimi i vjetër Vala i takon atarit të Buhiçit të Karadakut të Preshevës dhe nuk është i mbrojtur me ligjet shtetërore të Serbisë dhe në nuk kanë ndodhur as hulumtime, as gërmime arkeologjike.
Vendbanimi Vala nuk ekziston më na hartat gjeografike, por përmendet vetëm si toponimi e Karadakut të Preshevës.
Gjendet në gjërësinë gjeografike 0550862, në gjatësinë gjeografike 4685821, me lartësi mbidetare 833 m.
Përfundim
Në këtë punim kam trajtuar 5 lokalitete arkeologjike: Kalaja e Preshevës, Kacipupi në Rahovicë, Kalaja e Bushtranit, Cërkvishta dhe Bunishta në Zhunicë dhe një vendbanim: Vala në Karadakun e Preshevës, ndërsa nuk i kam trajtuar edhe shumë lokalitete e vendbanime në komunën e Preshevës.Pra, nuk kam trajtuar: Gradinën në Bushtran, Kalanë e Bërçecit, Gropat e Gerajve, Bostanishten në Zhunicë, Përzharin në Preshevë, Gurudanin në Bukuroc, Kalanë e Stanecit, vendbanimin në Mëhallën Gjinaj të Depcës, Vendbanimin e vjetër në Ilincë, Qytetin e Vjetër dhe Gradinën në Preshevë,Dobrecin, Koplenicën, Selishten në Bukuroc, Biganocin dhe Krroin e Ujit të Ftohtë në Raincë, Disa lokalitetet në Miratoc : Bajka e tjerë, Mirasheci në Rahovicë, Vaç në Preshevë, por të cilët i kam trajtuar në librin tim:Presheva/Monografi/ dhe në shumë punimetë veçanta. Lokalitetet dhe vendbanimet të sumta kanë mbetur të pa trajtuar që i mbetet studiuesve të ardhshëm për studim të mëtutjeshëm.
Gjendja e tanishme e trashëgimisë kulturore edhe e lokaliteteve dhe vendbanimeve arkeologjike në komunën e Preshevës është e vështirë, duke patur parasysh shkatërrimin e tyre nga natyra, por edhe nga dora e njeriut, sidomos po shkatërrojnë disa arkeologë të egër nga komuna e Preshevë, por edhe nga komunat të rajonit.
Kështu u shkatërrua Hamami i Preshevës, përmbi Qytetin e Vjetër të Preshevës dhe Vorrezat e Vjetra të Qytetit u ndërtua e tërë një Mëhallë e Kurbalive, u dëmtua Nekropola e vjetër ilire në Bukuroc, u hapën disa varre dhe u shkatërruan, u dëmtuan Vorrezat e Krushqëve në Bukuroc, ndërsa Varri i Nuses, pjesë e Vorrezave të Krushqëve u mbulua me dhe dhe i humbi tragu, po shkatërrohet Teqeja në Tërnavë e tjerë.
Shoqata për trashëgimi dhe krijimtari kulturore në Preshevë disa herë ka intervenuar tek Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kultuore në Nish, në organet komunale të Preshevës, por deri më tashti nuk ka pasur sukses. Ajo, në të ardhmenë planifikon edukimin e të rinjve nëpërmjet vlerave të trashëgimisë kulturore, vetëdijësimin e tyre dhe të qytetarëve në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe planifikon që te një numër i madh i objekteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore të vendos tabela informuese, ndërsa disa prej tyre edhe t’i rrethojë për mbrojtje dhe ruajtje.
Enti për Mbrojtjen e Monumenteve kulturore në Nish ka bë evidentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës, por pak kujdeset për t’i mbrojtur ato.
Propozojmë që më një angazhim të përbashkët Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish, organet komunale dhe Shoqata për trashëgimi kulturore mund t’ia dalin në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore që ka mbetur e pa prekur në komunën e Preshevës.
Hulumtimet e para arkeologjike në komunën e Preshevës i filluan Dr. Jahi Murati dhe Sabedin Hetemi, të cilët mund të quhen pionerë të kësaj pune.
Poashtu edhe Shoqata për Trashëgimi kulturore, nëpërmjet të realizimit të një projekti hulumtoi, evidentoi, regjistroi, fotografoi, xhiroi, krijoi një bazë faktesh dhe argumentesh për 346 vlera të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës.
Hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike në Preshevë nga institucionet relevante filluan gjatë viteve 1966 e tutje, së pari nga Muzeu Popullor i Vranjës, më pastaj nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish, të cilët pos kuadrit të tyre angazhuan edhe kuadër arkeologësh nga Maqedonia.
Hulumtimet, gërmimet arkeologjike patjetër duhet t’i udhëheqin kuadrotë arkeologjësh shqiptarë, sepse arkeologët serbë dhe maqedonasë bënë gërmime jo të mirëfillta dhe vetëm disa rekogniscime të lokaliteteve dhe vendbanimeve arkeologjike.
– FUND –
______________________
REFERENCAT
1.Dr. Jahi M. Staneci, Arkeologjia e territorit të komunës së Preshevës, në librin : Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999
2. Xhevabi Hoxha, Generalni plan Preseva, mreza naselja i izgradjenost prostora, Pristina, 1998.godine.
3.Skender Anamali, në Kosova dhe trevat etnike në hapësirat e ish-Jugosllavisë në Mesjetën e hershme, Kosova, nr. 4/1994
4. Dr Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë, 2010
5. 5.Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik/monografi/ Preshevë, 2009
6. Dr Jahi Murati-Staneci, Kështjella e Preshevës, Preshevë, Autori, 2013
7. Aleksandar Bulatović,Vranje, kултурна стратиграфија праисторијских локалитета у Bрањској регији, Beograd, 2007
8. Jovan Hadzi-Vasilevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj.II, Beograd, 1913
9.Aleksandar Kapuran,архитектура из позног бронзаног и старијег гвозденог доба у басену Jужне Mораве, Bеоград, 2009
10.Zef Mirdita, Studime dardane, Prishtinë, 1979
11. M.Kostic, Vranjsko-bujanovacka kotlina, Vranjski glasnik IV,
12. Vukmanović, M./Popović, П. 1982, Sondažna iskopavanja gradinskih naselja
na području Vranjsko – Пreševske kotline, Godišnjak Centra za balkanološka
ispitivanja, XX/18, 189 – 210.
13.Milan Jovanovic, Arheoloska istrazivanja u 1866. i 1967.godini, Vranjski glasnik III, Vranje, 1967
14.I njësti,Vranjski glasnik, IV, Vranje, 1968
15.Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë, 1981
16.Mikel Ndreca, Fjalori shqip-serbokroatisht, Prishtinë, 1976
17.Fjalori serbokroatisht-shqip, Prishtinë, 1986
18.Prof. Sami Agushi, professor I gjeografise, në faqen e Facebookut të tij
19.Dr.sci Naser Kamberi, Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzhar/dokumentojnë antropogjenezën dardane, Gjimnazisti, Preshevë, 2010, nr.2.
20.Dr. Aleksandar Stojanovski, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1968
21.Bisedë me Demush Berishën i Buiçit në Preshevë, më 30.08.2010

______________
PROF.XHEMALEDIN SALIHU: LOKALITETE DHE VENDBANIME ARKEOLOGJIKE NË PRESHEVË (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10370

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura