BESNIK IMERI: HELENËT APO GREKËT, ORIGJINA E EMRIT (I)

Vlorë, 1 shtator 2020:
A. Helenët
Pasi kemi folur për pellazgët, helenët, gjuhën e tyre, pellazgjishten e shndëruar në helenishte (greqishte); Tani do të flasim për origjinën e emrit Helen dhe atij Grek. Etimologjia e emrit helen nuk është shumë e qartë. Por ne po përpiqemi të paraqesim ato që janë thënë për këtë emër, rrënjën e tij dhe kohën e daljes në skenën e historisë. “…Emri “Helenë” për të emërtuar tërësinë e etnisë greke është përmendur për herë të parë në Olimpiadën e 48-të (588-585 p.e.s)…”1

Fillimisht i drejtohemi mitologjisë. Hela (apo Hella) ishte e bija mbretit të Orkomenos në Beoti, i cili nga ana e vet ishte i biri i perëndisë së erës Eol. Mos të harojmë se Orkomeno mbahet si qyteti më i vjetër i pellazgëve, madje para Athinës. Atamanti nga bashkimi me hyjninë e reve, Nefelën, pati dy fëmijë Friksin dhe Helën. Këta për t’i shpëtuar ndëshkimit të njerkës i hipën dashit të artë që ua dha e ëma. Mbi dashin ata po fluturonin dhe kur u doli deti përpara Hela u tremb dhe ra në det. Deti për nder të saj u quajt Helespont. Friksi shkoi deri në Kolkidë Kaukaz dhe dashi ju bë fli Zeusit nga mbreti i Kolkidës, i biri i hyjnisë Helios, pra diellit. Mos harojmë se “Koka e Dashit” ishte simbol i Zeusit dhe i heronjve që rridhnin nga ai.
Në këtë legjendë kemi emrin Helë si dhe hyjninë Helios, dielli, ai që ndriçon. Pra i ndritëshmi. Pra si sinonim të emrit Helë, Helios kemi fjalën ndriçim ose i ndritshëm.

Si në çdo rast, të parit që do t’i drejtohemi është Homeri, i cili tek Iliada na thotë: “…Mbret i pellazgëve e i dodonve, o Zeus, ti që nga larg sundon edhe Dodonën me akujt dimrit, ku rojnë priftërinjtë Selas…”2 Nuk duhet të harojmë se priftërinjtë e tempujve dhe orakujve ishin njerëzit më të ditur të kohës. Në këtë rast Selasit ishin njerëz të ditur ose me mendje të ndriçuar, të ndritëshmit. Për “Sellët” dhe “Hellët” ka folur edhe Louis Beonleu:
“…Ky Heleni mbahej si biri i Deukalionit, i cili sipas një gojëdhëne antike kishte themeluar vendin e shenjtë të Zeusit në Dodonë, vend që mirëmbahej nga priftërinjtë, të cilët kishin emrin “Elli” ose “Selli”. Vetë Dodona gjendej në një vend të quajtur Hellopie apo Hellas… Qysh prej shumë kohësh emri “Selli” ose “Elli” u jepej priftërinjve të Zeusit të Dodonës shpjegohej me të ndritëshmit, nga “Eli” drita e diellit…”3
Aristoteli pohon se Sellët ishin stërgjyshër të Helenëve, ndërkohë që Homeri i trajton si pellazgë. 4
Por në Dodonë fjala “Selët”, “Sellët”, “Selloi” kishte si sinonim edhe fjalën “Helët”, “Hellët” ose “Helloi”. Pindari, i cili i quante “Selloit” me emrin “Helloi”.5 Në të dy rastet; Sellët dhe Hellët kishte kuptimin të ndritëshmit, të diturit; por edhe të bardhët, biondët me sy të shkëlqyer. Ata që kishin një origjinë më të thellë dhe më në veri, në malet me borë dhe bjeshkët, lëndinat dhe livadhet pranverore me shumë bar dhe begati. Atje ku ajri ishte i pastër dhe qielli i kthiellët, ku çdo gjë ishte e tejdukshme dhe e ndritëshme. Ajo ishte Dodona me fushën e saj Hellopia e përmendur pothuaj nga gjithë të lashtët.
Lidhur me emërtimet Selloi, Helloi dhe Hellopia, Nikolas Hamond shprehet:
“…përfundimisht toponimet e përbashkëta rreth luginës së Sperkit si dhe skajit perëndimor të rrugëkalimit pranë Ambrakisë kanë mbetur Inaku, Akeloni dhe Dryopi, duke mbetur si emërtime të përbashkëta për të dy krahinat. Ndërsa Argosi Pellazgjik, Helleni dhe Hellasi kanë lidhje me Argosin perëndimor (që merret si si një ngulim i lashtë), Zeusi Pellazgjik Dodonas, Selloi ose Helloi dhe Hellopia i pranëvihen Dodonës…”6
Ndërsa Louis Beonleu, tregon se si emërtimi Hellas kaloi nga Epiri në Thesali dhe më pas u muar nga Dorianët:
“…Të gjitha trojet rreth Dodonës në esët e mëdhenj emërtoheshin me emrin Hellopi d.m.th vend i ndritshëm, si të thuash vend me pamje të kthiellët. Aristoteli atë e quan thjesht Hellas…Më pas emri Hellas kaloi nga Epiri në Thesali, më pas në Fosidë dhe si rrjedhojë e mësymjes doriane përfundoi duke i përfshirë të gjitha fiset greke. Helenët ishin njerzit me vështrim të kthiellët, me fytyrën që u shkëlqente…Janë pushtuesit, njerzit e Veriut, Dorianët, njerzit e bardhë dhe biondë, të cilët të parët duhet të jenë befasuar nga tipi krejt ndryshe nga tipi i tyre, nga popullsia që ata duhej të luftonin dhe që arritën ta nënshtrojnë; ata i dallonin qysh prej shumë kohësh nga flokët e tyre gjithmonë të zinj, nga tiparet e tyre të nxira nga dielli i Jugut…Tashmë kjo ishte shenja e të gjithë racës superiore; tashmë emri i Helenëve, emër që asokohe emërtonte vetëm disa popullsi të rajoneve të veriut të Greqisë, u mbajt me shumë dashuri nga Dorianët…” 7
Një analizë e saktë dhe përfundime të ndritshme. Emri Hellas dhe ai helenë kanë për origjinë veriun e Greqisë, Epirin, dhe, janë dorianët epirotë, ata që e sollën në Thesali, më pas në Fosidë dhe më vonë në të gjithë Greqinë. Pra origjina është Epiri pellazg.
Mathieu Aref duke ju referuar Jean Hatsfeld, i cili në veprën e vet “Historia e Greqisë së Lashtë” lidhur me emrat ‘Hellas’ dhe ‘Helenë’ pohon:
“…Emrat e Hellas dhe të Helenëve, të cilët fillimisht ishin emrat e një krahine të vogël buzë gjirit Maliak (në Thesali) dhe e banorëve të saj… Ndoshta këto emra kanë qënë përdorur fillimisht në Delfi nga pjesëtarëte Amfiktionisë për të tërhequr vëmëndjen për lidhjen e tyre, pastaj me qëllimin që kjo lidhje të shtrihej në të gjithë Greqinë dhe në të gjithë grekët…”8
Ndoshta, kjo që thotë Hatsfeld, ka qënë zanafilla e këtyre emrave. Fakti që Gjiri Maliak ndodhet në Thesali dhe pranë vendit të shenjtë të Demetrës pellazge, si dhe pranë Fthijas, e bën ndoshta më të besueshëm origjinën pellazge të këtyre emrave.
J.G.Von Han, dijetari që ka studjuar më mirë shqiptarët, besonte se ka parë tek ata Dorasit e vërtetë, të atillë që do të kenë qënë Heraklidët, kur braktisën malësitë e Epirit për të shkuar të pushtonin Peloponezin.9
Pra zanafilla e Helenëve është Epiri me kryeqëndrën e tij Dodonën. Prandaj, pavarësisht faktit se Homeri dhe të lashtë të tjerë përmendin si origjinë të Helenëve, Ftijen e Akilit; por vetë Homeri, nga ana tjetër, i jep një origjinë aiakide Akilit duke e lidhur me Dodonën dhe Zeusin Dodonas. Gjithashtu, vetë Akili, duke e identifikuar veten si pellazg dhe duke pranuar se Zeusi ishte mbret i Dodonës, të cilit i lutet; pranon një origjinë më të lartë drejt veriut, drejt Dodonës, duke e quajtur veten si pasardhës i Aikaut dhe duke i dhënë vetes një origjinë aiakide…Se më ka lindur Pele Eakidi…dhe gjyshin tim Eakun Zeusi e polli…10 Gjithashtu. Aristoteli, mëndja më e ndritur e antikitetit, pohon se Sellët ishin stërgjyshër të Helenëve, duke e vulosur Dodonën dhe Epirin si origjinë të helenëve.
Lidhur me këtë Louis Beonleu tregon se si këta “Hellë” do të lënë Dodonën dhe do të zbresin më në jug, në Thesali dhe pastaj në Hemoni: “…vetë Dodona gjëndej në një vend të quajtur Hellopia apo Hellas. Ndërkohë që Thesalianët do ta linin Epirin për të pushtuar Hemonian, ku imponuan emrin e tyre, helenët në atdheun e tyre të ri do të mbivendosin emrat e Deukalionit dhe të Hellas. Emri Hellas do t’i bashkangjitej pjesës veriore të Ftiotidës të pushtuar nga Thesalianët…”11
Kuptohet që midis Orkomenos të Thesalisë pellazge dhe Dodonës të Thesprotisë pellazge ka pasur marrëdhënie të ngushta, si dy qëndrat më të vjetra pellazge. Vetë Fthija, siç do të tregojmë më poshtë, ka qënë një emër shumë i dashur dhe i përdorur nga epirotët pellazgë deri tek Pirrua i Epirit.
Por ne tashmë e dimë që Thesalia dhe Ftiotida janë vendi, ku helenët u përqëndruan dhe ato shërbyen si plasdarmë, para se ata të nisnin ekspeditat në drejtim të jugut:
Së pari, dijmë që Helenët Homeri i vendos në Thesali, në vendlindjen dhe zotërimet e Akilit, Fthije (Ftiotidë) dhe Eladën e grave të bukura.
Së dyti, dijmë që Herodoti, Dorianët i quan Helenë dhe si origjinë të tyre vendos Thesalinë, më saktësisht Ftiotidën dhe Histeotidën.
Së treti, dijmë që Tuqididi, si origjinë të helenëve vendos Ftiotidën e Akilit.
Pra epiqëndra është Ftiotida, me sakt Ftija e Akilit. Këtë na e tregon edhe miti i Deukalionit, ku i biri i tij Heleni u bë mbret i Ftijas.
Kush është Fthija dhe çfarë thonë legjendat për të? Këtë emër e ka trajtuar hollësisht Dhimitër Pilika:
“…Fthija, emri i nimfës që u dashurua nga Zeusi në trajtën e pëllumbit (shikojmë që në Dodonë simboli i pëllumbit përsëritet shpesh).
-Fthija, emëri i qytetit dhe i trevës në Thesalinë epirote, vendlindja e Akilit aiakas.
-Fthija, e ëma e Pirros së Epirit.
-Fthija, e shoqja e mbretit molos të shekullit të V p.e.s.- Admetit. Ajo, Fthija, e priti Themistokliun ne pallatin e vet, kur ai ndiqej nga helenët.
-Fthija, e mbesa e Pirro Burrit, nga i biri i tij, Aleksandri, bashkëshorte e Demetrit të II, mbreti i Maqedonisë, e ëma e Filipit të V, mbretit të Maqedonisë, lindur më 259 p.e.s.
Ka shumë mundësi që pikërisht prej nimfës së dashuruar nga Zeusi, të ketë marë emrin qyteti dhe krahina e Thesalisë epirote ku u lind aiakasi Akil…”12
Gjejmë rastin këtu të kujtojmë edhe mitin e Deukalionit i cili ka rrënjën tek Ftija, Ftiotida, ku vetë Deukalioni është i biri i oqeanidës Klimene. Pra, Fthija është një nimfë e ujrave, burimeve, përrenjve dhe lumenjve (kujtojmë këtu lumin Peneu dhe Stiksin); Ndërsa nëna e Deukalionit është një oqeanidë, po e ujrave, deteve. Kujtojmë këtu se edhe vetë Akili ishte i biri perëndeshës së Detit, Theti ose Thithi. Të rastësishme janë këto hyjni të ujrave që lidhen me keta heronj pellazg (tek Homeri gjejmë edhe të birin e lumit Skamandër dhe atë të Aksit), të bijtë e tyre.
Herodoti na tregon edhe një fakt tjetër, që në kepin e Sepiadës (në Ftiotidë) Peleu rrëmbeu Tetisin. Në këtë vend flota persiane u shkatërrua nga stuhia, ku humbi 400 anije, pasi kepi i Sepiadës ishte i shenjtë.13 Të jetë rastësi kjo?!!!
Në plotësim të kësaj tablloje të paraqitur më lart rezulton s se emri helen ka rrjedhur nga pellazgët e Epirit dhe për rrjedhojë është emër pellazg. Po rendisim disa fakte për përdorimin e këtij emri nga pellazgët:
-Heleni ishte vëllai i gjyshit të Herakliut.
-Një djalë i Trojanit Priam quhej Helen. Një legjendë thotë se ai është themelues Buthrotit.
-Nipi i Akilit, djali i Neoptolemit (Pirros) quhej Helen. Një legjendë tjetër nxjerr djalin e Akilit, Neoptolemin (Pirron) si themelues të Buthrotit. Këtë e mbështet edhe Virgjili tek “Eneida”.
-Djali i Pirro Burrit quhej Helen i martuar me Brikenën, vajzën e mbretit ilir Bardhylit.
-Helen quhej një mbret Frank (462-341 e.j.) me origjinë nga Panonia Ilire.
-Nëna e Kostandinit të Madh, dardanasit të shënjtëruar, perandorit zulmëmadh, quhej Helena. Por edhe vajza e Kostandinit, njëkohësisht dhe gruaja e perandorit tjetër Dardanas, Julianit (361-363) quhej Helena.
Nga këto që thamë më lart, del se emri njerëzor Helen, është përdorur në një hapësirë të madhe, që nga Azia e Vogël, Troja Dardane, vazhdon në Dardani dhe përfundon në Epir. Pra, ky emër, heleni, që paraqitet si simbol i helenizmit, është një emër simbolik pellazg. Por, çuditërisht, ky emër, por tani femëror, Helena, ka vazhduar të përdoret deri në mesjetë nga princërit arbëror për vajzat e tyre.
Në të mirë të kësaj teze, që emri “helen” është një emër simbolik pellazg, është edhe fakti, që autorët e lashtësisë me emrin “Elin” emërtonin priftërinjtë e Dodonës.
Eshtë mjaft domethënës fakti, që edhe sot e kësaj dite, arbanitasit përdorin fjalën “Elin” në vend të fjalës “helen”. Ndoshta edhe kjo fjalë “Elin” ka shërbyer për emërtimin e ri “helen”.

VIJON …

_______________
BESNIK IMERI: HELENËT APO GREKËT, ORIGJINA E EMRIT (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10579

Total
0
Shares
1 comments
  1. Good day! Do you know if they make any plugins
    to assist with SEO? I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords
    but I’m not seeing very good success. If you know of any please share.
    Kudos! You can read similar art here: Auto Approve List

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura