MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (II)

Pashtriku, 14 shkurt 2021: Prolog
“Ç’është vallë me ju kështu, Vitet tutje, ju tëhu.” – Popullore
Një ditë të bukur të gushtovjeshtës së vitit 1983, Nuhi Berisha, vetëm disa muaj para se të binin bashkë me Rexhep Malajn në altarin e lirisë, mori veprimtarin Taip Zeka dhe me makinë shkuan në Prishtinë, në familjen e dëshmorit, Naser Hajrizi. Morën prindërit e tij, Beqirin e Fatimen dhe u nisën drejt varrezave të qytetit për homazhe.

Në kodrën perëndimore të qytetit shtriheshin varret pa një renditje të rregullt që e bënte të vështirë ecjen nëpër to. Nga larg shquhej varri i rrethuar me themele betonarmeje, me pllakën e mermerit në formën e numrit rreshtor të prillit, një portret i pastër i pronarit të tij dhe mbishkrimi:

Naser B. Hajrizi 7 korrik 1962 – 2 prill 1981

Nënë Fatimja iu afrua ngadalë varrit, preku pllakën e nxehtë të mermerit dhe nxori shaminë për t’ia fshirë pluhurin portretit të të birit. E puthi në faqe, pastaj e pushtoi në krahët e saj gjithë pllakën. Kështu i kishte lidhur duart rreth kraharorit të Naserit, mëngjesin e 2 prillit të vitit 1981, kur i dha bekimin për të hyrë në Kryengritjen e madhe. E mblodhi veten. Përpiu lotët dhe shikoi nga i shoqi, për ta bindur se nuk po qante. Edhe ai iu duk si monument mermeri.
Beqiri po i kafshonte mustakët…
Vendosën të gjithë me radhë buqeta lulesh mbi varr. Nuhi Berisha, si në ceremoni, u tërhoq paksa prapa, drejtoi trupin e gjatë, ngriti grushtin lart dhe pa me bisht të syrit edhe të tjerët të rreshtuar në krahët e tij me qëndrim gatitu dhe grushtet si ai.
Një minutë heshtje nderimi.
Lavdi e përjetshme dëshmorit të lirisë, Naser Hajrizi!
Lavdi!
Dëshmorët po e farkëtojnë të ardhmen e lirë të Kosovës, tha Nuhiu. Gjaku i Naserit është në themelet e saj. Ai nuk është vetëm juaji, por bir i gjithë kombit, bir i Atdheut. Ai është shëmbëlltyra e Pranverës së Madhe të luleve të kuqe, gjaku i lirisë. Ju jeni nëna dhe babai i mijëra të rinjve dhe të rejave që po gatiten për luftën finale dhe ngadhënjimtare.
Taipit të zhytur në kujtime iu duk për një çast sikur ishte pranë varrit të të vëllait, Kadri Zeka, të vrarë mizorisht nga UDB jugosllave para gati dy vitesh në Gjermani.
Kur do të ketë edhe ai një varr në tokën mëmë, tha me vete. I përqafoi me lot në sy, nënë Fatimen dhe Beqirin, duke ndjerë gjithë temperaturën e diellit dhe të shpirtit të prindërve të dëshmorit.
Biri juaj nuk do të vdesë kurrë, sepse lavdia e veprës së tij nuk vdes, u tha atyre dhe ktheu shikimin nga mermeri i heshtur.
Një puhizë e ngrohët i lëvizte gjethet e blirit pranë varrit.
Nëna Fatime, na e thuaj ndonjë fjalë.
Ajo ishte tretur në kujtime dhe sikur u përmend nga një ëndërr e trishtë.
Shumë e kemi dashur e shumë na ka dashur, por më shumë e donte lirinë. Shkoi pas saj dhe u flijua për të. Nënat e kanë më zor…

Nëna e një të vrari fle, por nuk mund të flejë nëna e një vrasësi, ia ktheu Nuhiu.
Baca Beqë?
Beqiri fjalëpakë, shikoi nga Taipi dhe duke bërë me dorë nga varri i dëshmorit, tha:
Shumë herët ia lau borxhin vendit të vet.
Beqiri ndjeu për të satën herë vdekjen e një pjese të shpirtit…
Varrezat mbetën në qetësinë e tyre të amshueshme, derisa vizitorët bënin hapa të ngadaltë drejt makinës.
Nuhiu gjatë gjithë kohës ishte vigjilent, për t’u siguruar se nuk vëzhgoheshin nga syri i ndonjë agjenti armik. Ai u kthye sigurt në bazën ilegale, ku qëndronin bashkë me Rexhep Malajn.
– VIJON –
___________
MEHMET HAJRIZI BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (III)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10897

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura