Ulqin, 18 shkurt 2021: Kah fundi i shekullit V para e.s. u paraqitën edhe vendbanimet e qyteteve të para Ilire. Ato ishin qendra ekonomike, zejtare dhe tregtare, të rrethuara me vendbanime të fshatrave. Vendbanimet qytetare gjendeshin në rrugë të rëndësishme tregtare dhe ishin mirë të mbrojtura me mure të forta. Vendbanime të hershme ilire të kohës antike ka pasur edhe në krahinën ( malin) e Grudës , sikurse edhe në krahina tjera të Malësisë së Madhe. Përmbi fshatin Dinoshë, pesë kilometra nga Tuzi dhe shtatë kilometra larg Podgoricës, ngrihet një kodër ( majë shkëmbore), e lartë 110 metra mbi nivelin e detit. Këtë lokalitet arekeologjik në lagjen Tojeq vendasit e quajnë Gjyteza (qytezë) e Dinoshës. Sipas burimeve që posedojmë ky vendbanim deri në fundin e shekullit XX, nuk ka qenë në fokusin e arkeologëve brenda dhe jashtë Malit të Zi. Interesim për gërmime të mbetjeve të kësaj fortifikatë, e cila dëshmon për trashëgiminë antike në këtë cep të Malësisë së Madhe, rrëzë malit të Sukës nuk kanë shprehur as arkeologët shqiptarë.
Nga arkeologët e huaj që janë marrë në mënyrë shkencore me studimin e Gjytezës së Dinoshës është arkeologia Olivera Velimiroviq- Zhizhiq. Kjo studiuese ka merita më të mëdha për zbulime shkencore në këtë fortifikim. Ajo para katër dekadash ( në vitin ’80), e para tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e këtij lokaliteti. Sipas shënimeve të saj kjo gjytezë daton nga periudha helenistike-ilire – antike. Kjo gërmadhë për çudi deri atëherë nuk është përmendur në literaturë, edhe pse fjala është për njërën prej qytezave me shumë rëndësi në trevën e Malësisë.
Për këtë vendbanim të hershëm iliro-shqiptar nuk kanë shkruar asnjë fjalë të vetme Pavle Mijoviq dhe Mirko Kovaçeviq në librin “ Qytetet dhe kështjellat në Mal të Zi”, botuar në vitin 1975. Pavle Mijoviqi , çuditërisht, nuk e përmend atë as në librin “ Kulturat e Malit të Zi “, botuar në vitin 1987, edhe pse atëherë ka qenë i botuar studimi i Olivera Velimiroviq-Zhizhiq.
Foto: Musa Gjoka
Gërmime sipërfaqësore në këtë lokalitet kanë bërë edhe një ekip polakë në vitin 2013 , të cilët zbuluan një tumul, ndërsa dy vite më vonë edhe ekipi i arkeologëve të Muzeut Nacional. Këta të fundit gjurmuan në kishën brenda hapësirës së gjytezës, të cilën më parë e kishte zbuluar arkeologia Olivera Velimiroviq-Zhizhiq. Kjo kishë është faktor i rëndësishëm për të kuptuar përditshmërinë dhe psikologjinë e banorëve të lashtë të kësaj trevë. Nuk ka dyshim se mbrojtësit e kanë pasur të forcuar identitetin e krishterë dhe nevojën e fuqishme për kryerjen e shërbimeve fetare edhe në momente më kritike.
Në literaturën shqipe të dhëna shkencore gjejmë në temën e doktoratës së arkeologut me origjinë nga Malësia, i cili jeton në Ulqin, Anton Lulgjuraj. Ai në studimin “ Trashëgimia arkeologjike e zonës juglindore në territorin e Malit të Zi” shënon se dallohen dy faza të ndërtimit të mureve mbrojtës. Sipas tij faza e parë i takon periudhës helenistike shek. III-I para Krishtit., kurse faza e dytë i përket antikitetit të vonë. “Vendbanimi i fortifikuar në fazën e parë ka planimetri në formë trapezi dhe është i ndarë në dy pjesë. Zonën për banim që zë tarracën më të ulët në anën jugore dhe zonën e sipërme apo akropoli që zë tarracën e ngushtë, në majën e kodrës. Të dyja këto pjesë janë të rrethuara me mure dhe po ashtu ndahen me njëra- tjetrën me mur, në anë jugore të akropolit. Faza e parë karakterizohet nga ndërtimi me tekniken në të thatë, me blloqe kuadratike , poligonale edhe me teknikë primitive, të papunuar. Në murin e sotëm ruhen vetëm dy radhë prej blloqesh. Ata janë të puthitura mirë me njëra- tjetrën dhe ruhen rreshtat gjithkund në një lartësi. Faza e parë karakterizohet nga ndërtimi me tekniken në të thatë, me blloqe kuadratike, poligonale edhe me teknikë primitive, të papunuar. Në akropol muri i fazës së parë mund të përcillet pothuajse në të gjithë anët e saja. Ai rrethon një sipërfaqe prej 0.5 h. Muri përcjell gjithkund konfiguracionin e terrenit edhe aty ku ka shkëmbinj me një rënie të thiktë, muri është i vendosur në buzë të shkëmbit, duke krijuar kështu mbrojtje më të mirë. Nga faza e parë, në akropol, dallojmë një hyrje në anën jugore me përmasa: 2 m e gjerë dhe 5 m e gjatë, e gdhendur në shkëmb duke krijuar një korridor të vogël; po ashtu shkallët janë të punuara me të njëjtën teknikë. Ka mungesë të kullave dhe të qosheve në këndin e drejtë. Muri që rrethon akropolin ndahet në tri trakte të ndryshme, të cilat, në teknikën dhe kualitetin e punimit tyre, kanë ndryshim më njëra- tjetrën.
Trakti i murit verilindor është më i datueshmi dhe me përfaqësues i fortifikimit. Është i ndërtuar me blloqe dhe ruhet në një largësi prej 65 m. Përcjell konfiguracionin e terrenit pothuajse në vijë të drejtë. Nga mesi i tij merr një kthesë të lehtë .
Muri është i ndërtuar me blloqe kuadratike të lidhur në të thatë me njëri- tjetrin. Faqja e jashtme është më mirë e punuar se ajo e brendshmja, në cilën hapësirat boshe mbushen me gurë më të vegjël. Në murin e sotëm ruhen vetëm dy radhë prej blloqesh. Ata janë të puthitura mirë me njëra- tjetrën dhe ruhen rreshtat gjithkund në një lartësi. Linjat horizontale përcillen në të gjithë gjatësinë e këtij traktit. Hapësirat boshe në fasadë janë mbushur me pyka guri. Ngjasojnë me fortifikimet në basenin e Shkodrës, nga periudha e shtetit ilir të shek. III-II. Vendbanimi i fortifikuar në fazën e parë ka planimetri në formë trapezi dhe është i ndarë në dy pjesë. Zonën për banim që zë tarracën më të ulët në anën jugore dhe zonën e sipërme apo akropoli që zë tarracën e ngushtë, në majën e kodrës. Të dyja këto pjesë janë të rrethuara me mure dhe po ashtu ndahen me njëra- tjetrën me mur, në anë jugore të akropolit. Faza e parë karakterizohet nga ndërtimi me teknikën në të thatë, me blloqe kuadratike, poligonale edhe me teknikë primitive, të papunuar. Në murin e sotëm ruhen vetëm dy radhë prej blloqesh. Ata janë të puthitura mirë me njëra- tjetrën dhe ruhen rreshtat gjithkund në një lartësi.
Në teknikën e ndërtimit të mureve, sidomos pjesa me blloqe kuadratike në akropol, ngjason shumë me fortifikimet në rrethinën e basenit të liqenit të Shkodrës të Oblunit, Samoborin, në territorin e Malit të Zi, ndërsa me fortifikimet në territorin e Shqipërisë Ganjolla, Beltoja , Mokseti etj. Këto ngjashmëri të mëdha në të gjitha këto lokalitete na bëjnë të mendojmë se mjeshtërit duhet të ishin vendës, të cilët janë marrë me ndërtimin e fortifikimeve në mbarë rrethinën e liqenit të Shkodrës në periudhën III-II”, shkruan Lulgjuraj ( f.61-63).
Pozita strategjike e kësaj fortifikatë ka pasur rëndësi të shumëfishtë, si në të shkuarën e largët ( prehistori) ashtu edhe në periudha të mëvonshme. Sepse, vazhdimisht ka qenë i pranishëm rreziku i përgjithshëm nga shpërngulja, lufta, trazirat e ndryshme, shtresimet shoqërore etj. Ky vendbanim i periudhës parahistorke, si shumica e qytezave tjera të ngritura në rrethinën e Shkodrës, kanë qenë në funksion të sistemit të përgjithshëm të mbrojtje , për ç ‘arsye lagjet dhe pronat kanë qenë në fusha pjellore të këtij regjioni. Muret e forta të gjytezës së Dinoshës , përveç funksionit të qendrës fisnore, kanë shërbyer edhe për strehimin e bashkësive të gjera në momente të vështira tronditëse dhe për t’u mbrojtur.
Për Gjytezën e Dinoshës , e cila tani është në pronësi të familjes së njohur në Malësi, Selman Jukut Dukaj, mbetet dilemë furnizimi me ujë. Në të ardhmen do të ishte me interes të zbulohet se në ç ‘mënyrë ka qenë e zgjidhur çështja e furnizimit me këtë lëngë të domosdoshëm për jetën tonë. Përgjigjen për këtë, ndoshta, mund ta kërkojmë në legjendën vendase.
Sipas legjendës rrëzë kodrës, nga ana veriore, ndodhet një shpellë, për të cilën mendohet se është e lidhur me një kalim të fshehur me fortesë. Gjoja, diku në rrëzë të kodrës, ekziston një rrasë guri (pllakë) nën të cilën mëshehet korridori sekret ( mister) përmes të cilit e çon malin në drejtim të shpellës. Ka gjasa se me të vërtet atje ekziston njëfarë vrime ( birë) , e cila, megjithatë, më parë do të jetë pus. Por kjo, gjithsesi , mbetet për t’u hulumtuar e dokumentuar në mënyrë shkencore nga studiuesit e kësaj fushë.