MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (VI)

Pashtriku, 22 shkurtt 2021: Pasione rinore
Leximi e bën njeriun të qartë, biseda e bën të shkathët nga goja dhe të shkruarit e bën të përpiktë.“ Francis Bekon
***
Leximi ishte bërë pasion i Naserit. Literatura që ai lexonte, e kalonte shumëfish volumin e mësimeve që merrte në shkollë. Por, ai nuk e kishte leximin të vetmin pasion. Diku kishte lexuar se pasioni e bën botën të rrotullohet, prandaj u thoshte shpesh kolegëve, se duhet të jemi të aftë, jo vetëm t’i përjetojmë pasionet, por edhe t’i realizojmë.

Televizioni i Prishtinës kishte filluar t’i shfaqte disa filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”, importuar nga Shqipëria. Më herët ishte organizuar në Kinemanë “Rinia” Java e filmit shqiptar. Nuk mund të gjeje bileta, por bliheshin nga stërshitësit me çmime shumë të larta. Salla e filmit mbushej përplot. Kur transmetoheshin në ekranet televizive këta filma, të rinj dhe pleq që nuk kishin televizor në shtëpi, shkonin mysafirë dhe mbushnin odat me shikues.
Naseri i ndiqte me ndjenja këta filma dhe interpretimi brilant i artistëve të mëdhenj, Ndrek Luca, Sandër Prosi, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Naim Frashëri, Edi Luarasi, Kadri Roshi, Roza Anagnosti, Bujar Lako, Besa Imami, Sulejman Pitarka, Rikard Larja, Robert Ndrenika, Demir Hyskja, Eduart Makri e shumë të tjerë, i ngjallte atij në shpirt një pasion të ri, për aktrim. Ndrek Luca i pëlqente në të gjitha rolet, pozitive apo negative. Në një rol negativ, si epror ai u drejtohet ushtarëve të vet:
Fashista trima!
Naseri kishte qeshur me lot dhe e përsëriste shpesh këtë episod të artistit të madh. Me shokët e tij ai diskutonte për këta filma, kryesisht me motive lufte dhe me përmbajtje edukative e frymëzuese. Filmat ishin sikur të bërë enkas për rininë e Kosovës së robëruar!
A e patë shembullin e qëndresës në burg te filmi “Njësiti Gueril”?
Si t’u duk “I teti në bronz”? Fëmijët e doktorit dolën partizanë.
“Debatiku”? Edhe fëmijët mund t’i kontribuojnë luftës.
Po “Komisari i dritës”? Më duket Ndrec Ndue Gjokës i kushtohet.
Po, ka edhe një këngë për Ndrecën që e përhapte arsimin në Mirditë. Me patos e interpreton rolin Rikardi, por edhe Roza…
Kam lexuar edhe romane që flasin për luftën.
A po, “Para agimit”, “Me valët e jetës”, “Komisari Memo”, “Tri ngjyra të kohës”, “Ëndra dhe dritë”, “Për mëmëdhenë” etj.
Unë me babin kemi qenë në Dibër ta shohim në televizor paradën ushtarake në Tiranë. Te ne nuk e zë RTSH-në.
A e morët romanin “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës? Shumë i mirë ishte. Një kosovar e ka personazh. Po, romanin e Rexhep Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”? Pasqyrim i guximshëm i gjendjes sonë të robëruar.
Unë e sigurova një roman të Kadaresë, “Dimri i Vetmisë së madhe” titullohej. Jua sjell.
Naser, a more përgjigje nga “Jugoslovenska Knjiga” e Beogradit për revistën “Shqipëria e Re”?
Po, një përgjigje refuzuese diplomatike dhe cinike. “Nuk kemi mundësi t’jua sigurojmë botimin e kërkuar. Drejtohuni në adresën: ‘Rilindja’ – Prishtinë”, më shkruanin!
Ha-ha-ha-ha!
Sidoqoftë i kam siguruar, “Shqipëria e Re”, “Zëri i Popullit” dhe dy libra, një monografi për Qemal Stafën dhe një tjetër, “Imperializmi dhe revolucioni.”
E lexova gazetën “Zëri i Popullit”, por u çudita me përmasat që kishte, kurrë nuk kam parë gazetë aq të madhe, tha dikush.
Hej, shpërndahemi tani! Nesër mbrëma takohemi, aty ku ishim herën e kaluar.
Mirupafshim!

Naseri në këmbë, i treti nga ana e majtë

*
Një pasdite, nga Tirana mbërriti në Prishtinë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve. Pothuajse pa pushuar, artistët u ngjitën në skenë për publikun e zjarrtë kosovar. Asnjë sallë nuk i zinte adhuruesit e këngës dhe valles së bukur shqiptare, prandaj në stadiumin e madh të qytetit improvizuan një podium prej dërrasave.
Naseri i ri, kishte arritur të hynte atje bashkë me dy xhaxhallarë. Mezi priste t’i shihte artistët shqiptarë në skenë. Erdhi çasti i lumtur kur ata u dukën dhe publiku i priti me ovacione të stuhishme:
Shqipëria, Shqipëria!
Orkestra nisi tingujt e parë që sa vinin e rriteshin. Dukej se po oshtinte tërë qyteti. Kur doli në skenë Ibrahim Tukiqi, Naserit sa nuk i shpërtheheshin timpanet e veshëve! Besim Zekthi, në një valle rrëshqiti në gjunjë përgjatë gjithë podiumit, sikur do të binte poshtë tij.
Duartrokitje dhe thirrje pa mbarim. Policia përpiqej ta mbante gjendjen nën kontroll. Spiunët pikasnin figurat që duhej survejuar. Njëri prej tyre që lavdërohej se ishte gruar i zoti, po e dhunonte me sy një vajzë të bukur, disa metra larg tij.
Doli Fatime Sokoli. Të gjithë u ngritën në këmbë me brohoritje. Ajo qeshte plot emocion. Në dorë mbante çiftelinë që ishte bërë si pjesë e trupit të saj. E vuri ngadalë në gjoks dhe filloi t’ia dridhte telat, pastaj me vokal të notave të larta, nxori vargun e parë të këngës: “Në maje të bjeshkës më lindi nana”! Stadiumin e përshkuan tymi dhe flakët. Po digjeshin ombrella, këmisha dhe rroba të tjera që vërviteshin gjithandej! Një baba muskuloz e kishte ngritur në duar sipër kokës djalin e vet, duke thirrur plot hare. Djem të rinj dukeshin pa këmisha e fanella në trup. Policia ndërhyri ta mbante rendin. Njëri nga ta, me barkun deri te goja, vringëllonte kërbaçin dhe bërtiste: uluni, uluni! Rapsodia vazhdonte këngën në ritmin e saj… Naseri e shikonte me habi si i rrinte ashtu çiftelia këngëtares, pa një rrip rreth qafës. A do të mund ndonjëherë ta kem edhe unë një çifteli si kjo dhe të këndoj me zë të lartë, mendonte me vete.
Atë mbrëmje nuk do ta harronte kurrë Naseri. Më vonë ai shkoi edhe në koncerte tjerë, në salla e palestra, ku u impresionua shumë nga këngëtarë, si Sali Mani, Zeliha Sina, Shyqyri Alushi, Gaqo Çako, Ema Qazimi etj. Një herë shkoi te Hotel Grand dhe priste të dilnin artistët shqiptarë, sa t’i shihte nga afër. Dolën. Iu afrua Shyqyri Alushit dhe biseduan bashkë, pastaj edhe me një pedagog nga Tirana, u nisën drejt Teatrit Krahinor. Kjo sjellje mund ta rrezikonte Naserin, por ç’t’i i bënte tundimit të papërmbajtshëm!
Arkitektura moderne e Prishtinës, nuk i përshtatet traditës arkitekturorë shqiptare, tha profesori.
Kur të lulëzojë Kosova e lirë, gjithçka do të vijë në vend të vet, e vazhdoi Naseri.
Ndikimi sllav është më i pakët në muzikën shqiptare këtu, më duket, tha këngëtari shkodran. Ju këndoni këngë të Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme, por më pak polifoninë e Jugut.
Po, por pëlqehen dhe dëgjohen shumë edhe këngët polifonike në Kosovë. Ne të rinjtë i këndojmë dhe na kënaqin. Unë di dhe i këndoj disa prej tyre.
Keni shoqëri kulturore-artistike ju këtu? pyeti profesori.
Jeta kulturore dhe artistike është tepër e varfër në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Ne të rinjtë fare pak kemi mundësi të argëtohemi a të merremi me sport. Na thonë, krizë ekonomike është, mjafton të mbijetojmë. Sot kërkova faks, askund nuk gjeta. Mungojnë edhe ushqimet e përditshme, deri edhe kripa, sheqeri e vaji.
Ç’ është faks? pyeti profesori.
Detergjent.
Ahë, pluhur për larjen e rrobave.
*

Naseri mësoi shumë këngë. Ai këndonte në rrethin shoqëror, por ndonjëherë edhe kur ishte vetëm. Vokali i tij i ëmbël dhe melodioz ngjitej dhe ulej nëpër nota, si një zog lozonjar nëpër tela. Më vonë, nga njëri xhaxha i tij mori dhuratë një çifteli fringo që shkuan bashkë me disa shokë të tij dhe e blenë në Hotel Grand, ku shiteshin instrumente të importuar nga Shqipëria. E ëma ia punoi gjithë art dy xhufka kuqezi që ia lidhi në majë instrumentit. Kënga dhe çiftelia, u bënë pasion i Naserit. Ai mësoi shpejt t’i binte çiftelisë, duke u bërë virtuoz i saj. Kur kishte kohë, shkonte në ndonjë dasmë, për të parë nga afër ekzekutimin me çifteli. Në njërën prej tyre u njoh me një këngëtar të ri, entuziast dhe mjeshtër i çiftelisë. U miqësuan shpejt, sepse gjetën tipare të përbashkëta të karakterit. Naseri i dhuroi një distinktiv me flamurin shqiptar, duke ia vënë vetë në gjoks. Atij i duhej vetëm edhe pak kohë të njihej me këngëtarin për të formuar një celulë bashkë, por pas dy muajsh ndodhi Kryengritja e madhe, në ballë të së cilës ishin që të dy, por nuk u panë kurrë më…
Naseri kishte provuar të vizatonte, pasi edhe kaligrafinë e kishte të bukur. Germat teknike të bëra me precizitet milimetrik dhe të stilizuara me hije e ngjyra, i stolisnin fletoret e shënimeve të tij. Një ditë e kishte vizatuar aq bukur stemën e Shqipërisë. Mori një pllakë druri dhe e preu nëpër vijat e kopjuara të grafikës. Doli stemë e bukur sa një pëllëmbë dore. E latoi mirë drurin dhe i dha ngjyrat e duhura. Stema shkëlqente. Kur e panë kolegët, e pyetën me habi:
Nga të erdhi kjo stemë?
E punova vetë.
Po si e punove kaq bukur?
Ashtu, me dorë.
Ta varim në klasë, tha një vajzë.
Jo, nuk na lejojnë.
Naserit iu kujtua ngjarja që e kishte treguar një mik i familjes së tij:
Në shkollën e fshatit tonë dikush e theu kornizën e fotografisë së Titos, e cila ishte varur në mur, sipër dërrasës së zezë. Korniza kishte rënë poshtë, xhami ishte thërrmuar, kurse fotografia e zhubrosur dukej sa një grusht. U alarmua tërë shkolla. Drejtori kishte hyrë vetë në klasë, ashtu gjithë inat dhe me vetulla të ngrysura. Në ballë i dukeshin bulëza djerse. Fytyra i kishte marrë shprehje të shëmtuar, prandaj ngjallte frikë te nxënësit. Nisi t’u hakërrohej fëmijëve:
Mistrecë, kush e theu fotografinë?
Mësuesi me zë të mekur, tha se fotografia ishte thyer në ndërresën e parë, ku mësojnë klasa e tetë. Këta nxënës janë klasa e parë e ndërresës së dytë. E kanë parë të thyer dhe i paskan treguar pastruesit të klasës.
Drejtori bëri ëhë, dhe përplasi derën e doli jashtë. E thirri në zyrë pastruesin.
Kusht të tregojë ty për fotografinë?
Heshtje.
Pastruesi me fytyrë të hequr, rrudhi buzët, shikoi këmbët e drejtorit dhe foli:
Nxënësit e pasdites.
Po ti a nuk e kontrollove klasën kur dolën të paradites a?
Drutë e zjarrit na i sollën sot e merresha me to.
Shko, tha drejtori. Vijnë policia më vonë e të thërras përsëri.
Mëngjesin e nesërm nxënësit po hynin nëpër klasë.
Pastruesi shkoi te klasa e fotografisë së thyer, u kërrus te stufa, sikur ta ndizte zjarrin dhe shikonte nga dera ku hynin një nga një nxënësit. Të gjithë hynin me shpejtësi dhe drejtoheshin me vrap te banka, kurse një djalë me flokë të dendur i nguli sytë në mur mbi dërrasën e zezë. Pa fotografinë e re që sapo ishte vendosur, shtrëngoi nofullat dhe shkoi te banka.
E gjeta! tha me vete pastruesi dhe shkoi drejt në zyrën e drejtorit…
*
Naseri i kishte huazuar disa disqe gramafoni, në të cilat artistët nga Shqipëria, Pjetër Gjoka, Besa Imami, Prokop Mima, Margarita Xhepa etj., recitonin vargje të poetëve shqiptarë. Edhe vetë recitonte bukur, por artistët e mëdhenj e bënë t’i kushtohej më shumë interpretimit artistik.
…Asgjë nuk duam, nuk
Veç armë dhe ca bukë…
I pëlqente shumë Prokop Mima.
Sapo kishin dalë nga shtypi në Zvicër “Këngët e lirisë”, të OMLK-së, Naserit i ranë në dorë dhe shumë prej tyre i mësoi përmendësh, të cilat i recitonte si Prokop Mima. Një ditë te gjyshi dhe gjyshja e tij ishin mbledhur të gjithë xhaxhallarët dhe anëtarë të tjerë të familjes së gjerë. Naseri nxori nga xhepi përmbledhjen “Këngët e Lirisë” dhe filloi të recitonte. Të pranishmit nuk e kishin parë ndonjëherë duke recituar, prandaj u befasuan me mjeshtërinë artistike, por edhe me përmbajtjen e vargjeve. Beqiri atë ditë u bind përfundimisht se biri i tij po vepronte në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kjo parandjenjë i ngjallte atij krenarinë për djalin, por edhe njëfarë shqetësimi…
*
Klasa e Naserit një ditë doli për disa orë në Parkun e Gërmisë, që ishte shumë afër shkollës. Grupe-grupe nxënësit bisedonin dhe argëtoheshin. Ata panë një ketër tek ngjitej në majoke të lisit. Më larg, dy qukapikë skërmitnin lëvoren e një lisi për të nxjerrë kandrrat e fshehura brenda. Kur i kapnin me sqep, pushonte goditja, derisa i gëlltisnin viktimat. Cicërimat e zogjve sikur bënin orkestrën e koncertit për të ardhurit.
E patë mbrëmë baletin “Halili dhe Hajria?” pyeti dikush. Kështu si zogjtë dhe ketri kërcenin lehtë balerinat
E kam gjetur emrin e atij artistit me portretin si në bronz, tha Naseri, Demir Hyskja quhet.
Kur ishte një ekspozitë artesh nga Shqipëria në foajeun e teatrit, piktori e pyeti një djalë që po e shikonte portretin e Bajram Currit, kush ishte ai. Ky u përgjigj si me mëdyshje:
Ismail Qemal Stafa?
Ha-ha-ha-ha, u gajasën nxënësit.
Më shkurt nuk mund të tregosh se nuk e njeh Ismail Qemalin, Qemal Stafën, por as Bajram Currin!
Bajram Curri ishte kapulan karrapuc dhe kosovar, prandaj të paktën atë duhej ta njihte, tha Naseri.
Naser, sa koleksione me fotografi të pikturave të artistëve nga Shqipëria ke marrë ti?
Tri komplete.
Do ma japësh një, si atij shokut tënd të bankës?
I kam shpërndarë, nuk kam asnjë, tha me keqardhje Naseri.
Shikoni, shikoni, ky ka mbledhur karthje! Zjarr do të ndezësh ti?
Po, tha djali me karthje në krah.
Një vrundull ere i vërtiste gjethet me fërgëllimë të lisave të gjatë të Gërmisë.
Jo, se ka erë dhe mund të përhapet zjarri!
Sa shumë aromë ka Gërmia! tha një nxënës, i ulur pranë një harmoqi.
Ky park i mrekullueshëm ka bimësi prej më shumë se gjashtëqind lloje, tha Naseri.
A keni menduar për maturën, ku do shkojmë a çfarë do bëjmë? tha një tjetër.
Dikush nga profesorët e përmendi një ditë Dubrovnikun, si destinacion. Matura e vitit të kaluar atje ishin.
Më mirë ta organizojmë një mbrëmje të bukur këtu në Kosovë, si thoni? Kursejmë para për rroba të reja, të kapistallemi pak edhe ne.
Sikur t’i kandisim të na dërgojnë në Shqipëri?
Punë që s’bëhet dot.
Aty pranë kaloi një burrë si kukudh me kaleidoskop në dorë.
A doni të shikoni figura? i pyeti nxënësit.
Jo, faleminderit.
Një fëmijë me topin e shfryrë erdhi të kërkonte ndihmë nga nxënësit.
Jo nuk fryhet, i thanë, është shpërthyer kamerdarja.
Naserit i kërkuan të këndonte këngën “Elbasan i bukur, Elbasan.”
Duke kënduar pa instrument, ai u bënte shenjë të tjerëve që ta shoqëronin dhe ashtu vepruan. Lugjeve të Gërmisë jehonte zëri i fuqishëm rinor.
E kënduam si Hafsa Zyberi, për besë.
Naser, këndoje atë të Shyqyri Alushit, për Tefik
Çangën, sa e bukur është!
…S`kishin ma çka t`i bajshin
Në Gjakovë i ngritën trekambëshin
… Mos më prekni dorë e ndytë
Në litar vetë due me hypë…
Një vajze po i rrokulliseshin lotët faqeve deri te fyti.
Ej, kjo po qanë!
Ajo qante edhe qeshte, duke rregulluar një ngatërr pas koke. Kur qeshte i formoheshin puçikët në faqet gjithë nur.
Derisa vajza po i fshinte lotët me majat e gishtërinjve të hollë, dikush i tha:
Ti e do Naserin.
Ajo uli kokën.
Disa vajza u kukurisën.
Naser, çfarë mendon për dashurinë?
Për dashurinë jep jetën, për atdheun jep dashurinë.
Aaa, po na reciton tashti…
Ha-ha-ha-ha…!
Naseri hoqi pulovrin se kishte vapë.
Ideali duhet të na orientojë në jetë, tha. Veç idealit e trimërisë, ne duhet të kemi edhe bindjet tona, besimin e patundur.
Një re e zezë ua mbuloi qiellin.
Të ikim se do na lag shiu!
Çdo ditë ky mot lagaterë.
Të rinjtë u argalisën gjatë me gallatë, pastaj u kthyen të lumtur dhe plot gjallëri pas shëtitjes së atëditshme në ajër të pastër dhe gjithë aromë lulesh të parkut. Ishin lodhur dhe trupi u kolovitej rrugës tatëpjetë tek i afroheshin qytetit.
– VIJON –
____________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (V)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10911

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura