DR.SABRI KIҪMARI: NË SHENJË PËRKUJTIMI TË HERONJËVE FEHMI E XHEVË LLADROVCI

Pashtriku.org, 22. 09. 2016: (Fjala ime në Tubimin Përkujtimor, mbajtur në Mynih në tetor të vitit 1998, pak kohë pas rënies së tyre)
Te dashur vellezer dhe motra,
Bashkatdhetare te nderuar,

Para disa javësh në përleshje me hordhitë çetnike të Beogradit ra heroikisht Fehmi Lladrovci, komandant i njësive të UÇK në Drenicë dhe kryetar i LPK në RFGJ. Fehmiu u vra në fushëbetejë së bashku me shoqen e tij të jetës dhe idealit Xhevë Krasniqi-Lladrovci, anëtare e LPK dhe UÇK, si dhe me disa luftëtarë tjerë të UÇK.
Anëtarët e familjes Lladrovci dhe Krasniqi mbeten pa birin dhe bijën e tyre, vëllaun dhe motrën e tyre, LPK në Gjermani mbeti pa kryetarin e saj, UÇK mbeti pa komandantin e saj, populli shqiptar mbeti pa birin dhe bijën më të devotshëm të tij.
Në emër të ekipit perfaqësues për marrëdhenie me jashtë të UÇK ju shpreh ngushëllimet me te thella familjes Lladrovci e Krasniqi si dhe të gjithë pjesëtarëve të familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre në këta shtatë muaj e gjysëm lufte heroike në Kosovë,
Lajmi për rënien heroike të udhëheqësit tonë të dashur u besua dhe pranua vështirë nga të gjithë. Sidomos ishte vështirë për ta besuar dhe pranuar këtë lajm ne shokët e tij, sepse ishim mësuar që takimet tona t´i drejtonte udheheqësi ynë i dashur: shtatlartë e zemërgjerë, ishim mësuar të dëgjonim zërin e tij të prerë dhe fjalën e tij të vendosur. Sa e sa takime tona në organizim të aksioneve, në ndihmim të luftës i inicoi, udhëhoqi dhe kreu kryetari ynë, këtu në mërgim; sa e sa aksione i inicoi, udhëhoqi kryetari ynë i shndërruar komandant në UÇK nga marsi i këtij viti në Kosovë në beteja çlirimtare kundër pushtuesve.

Fehmi Lladrovci i përket asaj gjenerate të veprimtarëve të shquar për çështjen e madhe që ju bashkangjit veprimtarisë që në bankat e shkollës. Që nga ajo kohë nuk ju nda për asnjë çast veprimtarisë patriotike, deri në mbylljen e syve. Ai vazhdoi aktivitetin e tij çlirimtar për 20 vjet me radhë duke ju bashkangjitur fillimisht grupeve patriotike që vazhdonin veprimtarinë fshehurazi në Kosovë, kurse nga viti 1982 Lëvizjes Popullore të Kosovës, në radhët e së cilës kreu detyra të rëndësishme, si në organe qendrore në Kosovë, ashtu edhe në organe drejtuese të Degës së LPK jv. Ai ishte për dy mandate (1993 – 1998) anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK, Dega jv, si dhe për tri vite me radhë Kryetar i LPK në RFGJ (1995 – 1998).
Si pasojë e veprimtarisë ai përjetoi arrestimin, gjykimin dhe dënimin prej 10 vitesh (1985), përjetoi vrasjen e mësuesit të tij të parë (Fazli Grajçefci), vrasjen e shokut të tij më të afërt Nuhi Berisha, arrestimin e të vëllait Ramizit, vrasjen e shokëve të tij Luan Haradinajt, Ilir Konushefcit e Bekim Berishës dhe shumë momente të tjera të rënda, të cilat i përballoi me një qëndrueshmëri të pazakontë. Ishte pjesëmarrës i një numri të madh aksionesh çlirimtare si demonstrata, greva, protesta të ndryshme. Dha kontribut të çmuar në informimin e opinionit gjerman: qe organizator i një numri të madh demonstratash jashtë atdheut, në të cilat u shqua fjala e tij guximtare dhe e vendosur, dhe qe organizatori kryesor i Grevës së Urisë të vitit 1996.
Fehmi Lladrovci gëzonte një autoritet të padiskutueshëm në radhët e LPK dhe në radhët e luftëtarëve të UÇK. Ai ishte personalitet i shquar për opinionion mbarëshqiptar. Vrasja e shokut të tij të respektuar Adem Jashari do ta lëndonte në zemër, dhe për këtë arsye, posa mori lajmin për vrasjen e tij, pa hamendje, u nis drejt Kosovës. Kaloi kufirin ilegalisht dhe ju bashkangjit radhëve të UÇK për të ndihmuar gjithanshëm në organizimin e luftës sonë për liri.
U vra heroikisht në istikame, bashkë me shoqen e tij të jetës e të veprimit!
Lavdi ju qoftë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura