Pashtriku, 26 shkurt 2021
*
Në orën dhjetë, makina e doktorit me dy të rënët, më në fund hyri në oborrin e madh të spitalit dhe u ndal para dyerve të Klinikës së Kirurgjisë. Ekipi kujdestar i mori të dy dhe shkuan urgjentisht në sallën operative. Atë ditë gjithë spitali ishte mobilizuar, duke mbajtur në gjendje gatishmërie sallat dhe personelin, për të plagosurit e shumtë që sa vinte e shtoheshin. Një infermiere tek i shihte të shtrirë dy të rinjtë, ia plasi vajit dhe doli në korridor, duke mbuluar fytyrën. Ekipi emergjent në sallë, duke përfshirë edhe personelin ndihmës, përbëhej nga doktorë specialistë.
Asllani kishte vdekur, kurse Naseri jepte ende shenja jete, por doktori kujdestar, duke fshirë djersën apo lotët, tha se gjendja e tij ishte ante fine. Doktorët bënë përpjekjet e fundit, por shumë shpejt edhe zemra e Naserit pushoi së rrahuri…
I dërguan të dy, ashtu të pandashëm, në morgun e spitalit.
*
Në orët e vona të pasdites, Kryengritja po merrte epilogun me bilanc tragjik, përmasat e të cilit nuk diheshin atë ditë, por as që do të diheshin kurrë saktësisht.
Beqiri i rraskapitur i kishte takuar në demonstratë Fatimen dhe bijën e tyre. Pushuan pak dhe pinë ujë në zyrën e tij, pastaj u nisën drejt shtëpisë.
I kam parë sot, pothuajse të gjithë familjarët tanë, por Naserin nuk e pashë gjëkundi, tha Beqiri me shqetësim. Ka pasur shumë të vrarë e të plagosur sot, vazhdoi ai dhe këtu i vuri pehriz gojës, sepse nuk donte ta shqetësonte më shumë Fatimen.
Sa filluan të ngjiteshin “Taslixhe”-s, panë një eremit, si po eglendisej me bel në kopshtin e tij të vogël. Gruaja e llackosur, po i rrinte përbri.
Prishtina digjet, këta merren me kopshtin, tha Fatimja me zë sa ta dëgjonin edhe ata në kopsht.
Ai as ndez, as shuan, tha Beqiri. Me kë rri, tepër mirë është.
Kush rri me qenë, mbushet me pleshta, tha vajza.
Dy aeroplanë ushtarakë të tipit “Mig”, fluturuan me zhurmë fare ulët mbi lagje, sa Fatimes iu duk sikur i prekën çatitë e shtëpive.
Qyteti i pushtuar ushtarakisht po braktisej nga shumë qytetarë të tmerruar.
*
Ndajnatë të asaj dite të gjatë, si të ishte polare, u shpall shtetrrethimi. Tanke dhe autoblinda ushtarake qarkullonin me uturimë rrugëve dhe rrugicave të qytetit, duke shtënë me armë të rënda. Mediat njoftuan për ndalimqarkullimin. Hyri në fuqi urdhri që asnjë derë të mos kyçej, qoftë e oborrit, apo e dhomave. Njësi speciale serbe, hynin nëpër shtëpi, bastisnin dhe i rrëmbenin njerëzit e dyshimtë. Gjatë natës i mblodhën shumë nga ish të burgosurit politikë, qytetarë patriotë, të rinj e të reja dhe pasi i torturuan mizorisht i përplasën nëpër qeli të burgjeve. Defilimi i makinerisë ushtarake dhe të shtënat nuk pushuan gjithë natën. Shumë korrespondentë të huaj ia kishin mësyrë Kosovës, por u ndalua për kohë të pacaktuar hyrja e tyre në krahinën nën tym, flakë e terror. Edhe ata që ishin ndodhur që më parë në Prishtinë, u dëbuan dhunshëm. Nuk u lejuan të ktheheshin as kosovarët e degdisur nëpër republika jugosllave, apo nëpër botë. Ndaloheshin në postblloqe, i kthenin mbrapsht ose i qëllonin me armë. Regjimi i orës policore vazhdonte deri në mëngjes, por as ditën nuk lejohej qarkullimi i më shumë se tre qytetarëve bashkë. Uniforma e bënte ligjin, duke i dhënë shtypjes formën dhe përmasat e një gjenocidi.
*
Atë natë erdhën në shtëpitë e tyre të gjithë anëtarët e familjes së madhe Hajrizi, por Naseri mungonte. Një brengë e shqetësim, valë-valë e rrëmbente Fatimen, si një ogur i zi. Për ta qetësuar sado pak, Beqiri i thoshte:
Pas çdo demonstrate ai shkon te shokët deri në orët e vona. Mundet që atje ta ketë zënë ora policore dhe nuk mund të lëvizë më.
Gjithë ato pushkë që janë zbrazur sot! ofshani Fatimja.
Fëmijët fjetën vonë, por dy prindërit nuk vunë gjumë në sy: pritnin Naserin, por edhe ndërhyrjen e kriminelëve brenda. Jo larg shtëpisë së tyre, një grumbull militarësh qëndruan pas një pilogu, të shtrirë në tokë tërë natën. Herë pas here ata ndiznin drita të forta, si projektorët e anijeve.
Fatimja shkoi disa herë natën me hapa të lehtë në dhomën e Naserit, mos kishte ardhur, por kthehej e dëshpëruar.
Mbase ai nuk di për orën policore dhe niset, mendoi Fatimja. Çdo krismë armësh të natës së zezë, Fatimes i therte në zemër.
Biri im! bëri në korridor dhe u shkreh në vaj.
Beqiri kishte ethe. U pravullua, por trupit i shkonin mornica nga të ftohtit.
Fatimja nxori nga musëndra jorganë e batanije, e mbuloi por nuk po nxehej.
Si të kërcente trupi! i tha Fatimja, pasi i kaluan ethet Beqirit.
Sikur edhe popujt, organizmi i njeriut mobilizohet i tëri të luftojë trupat e huaj që kanë hyrë brenda. Të ftohtit është mobilizimi, kurse temperatura, lufta.
Edhe Kosova po bën luftë, por ata me armë, tanët duarthatë, tha Fatimja.
Puna e vështirë është me njerëzit, për armët është më lehtë, bëhen, ia ktheu Beqiri. Dëgjova gjatë ditës se disa të rinj, në hyrje të Prishtinës paskëshin ndaluar një konvoj kamionësh ushtarakë me armatim dhe ua kanë rrëmbyer kallashnikovët dhe mitralozat e kanë ikur nëpër male. E sheh, pra? Armët tona i ka armiku. Serbët e kanë forcën, por jo trimërinë shqiptare. Duhet të presim një zë nga Shqipëria, se as ne nuk jemi jetimë, jo.
Do punë i paska ditur më mirë Naseri se unë…
*
Dita e 3 prillit agoi me gjëmë dhe erë gjaku, por edhe me shpresë e besim. Mëngjesi, sikur një ditë më parë, ishte me diell, por i ftohtë.
Beqiri veshi një pallto të trashë dhe u nis te vëllezërit e tij, t’i njoftonte për Naserin që nuk erdhi në shtëpi. Derisa po bisedonin me shqetësim, e bija e tij ia përspjeti me sytë e skuqur.
Dëgjova trokitje në derë dhe dola të shikoj kush është, filloi të fliste, duke iu dridhur zëri, vajzës. Një djalë që më tha se ishte shok i Naserit, m’u duk sikur kurthohej, pyeti ngurafët vetëm në ishte Naseri aty dhe ma ktheu shpinën e iku. Më larg pashë t’i fshinte lotët me mëngë të këmishës…
Pas tij erdhën tre të tjerë, një më i moshuar dhe dy të rinj. Këta të dy qëndronin më larg, kurse me tjetrin u përshëndetëm.
Jam Z. Gj, më tha, profesor i Naserit. Naseri dje është plagosur në demonstratë dhe ndodhet në spital. Mos u shqetësoni, se mirë bëhet. Mirupafshim, bija ime!
Nënës nuk do t’i tregoja, por na kishte dëgjuar kur po flisja me profesorin dhe e mori kujën. Unë menjëherë vrapova te ju dhe më duhet të kthehem shpejt te nëna.
Vajza iku, pa pritur ndonjë pyetje nga të pranishmit…
*
Beqiri me dy vëllezër u nis drejt spitalit. Qyteti dukej sikur i braktisur nga banorët e tij. Në çdo skutë reparte tankesh, autoblinda dhe grumbuj policësh e ushtarësh që qëndronin në gjendje gatishmërie. Beqiri vërejti edhe plot militarë të uniformuar, me pamje të zymtë e me mjekra të gjata, që s’dihej në ishin rezervistë, apo bashibozukë paramilitarë. Ata kishin ndaluar një veturë, i silleshin rrotull dhe e kontrollonin pa profesionalizëm, duke mbajtur pushkët e gjata, herë në krah herë në duar. Shikuan brenda dhe kontrolluan dokumentet e udhëtarëve.
Ata mbrapa? pyeti monstrumi.
Fëmijë janë, nuk kanë dokumente, u përgjigj shoferi.
Këta shtohen si fara e keqe, i tha kolegut të vet ai që kontrollonte.
Ndanë rrugëve shiheshin automjete të djegura dhe barrikada të mënjanuara. Disa fëmijë iu afruan policëve, u hodhën pluhur e dhe syve dhe ikën me shpejtësi.
Tre vëllezërit, ndoqën rrugë anësore, por edhe ato ishin mbushur me forca ushtarake. Beqirit iu kujtua administrimi ushtarak, i shpallur në vitin 1945. Shpejt u mor vesh, përse ishte shpallur gjendje e tillë në Kosovë, sepse pasuan represaliet dhe masakrimi i një popullsie të tërë, vetëm brenda disa muajsh.
Mbasi është tjetër kohë tashti, ndoshta nuk mund ta përsërisin atë dramë, mendoi Beqiri. Filli i mendimeve iu ndërpre nga pamja në derë të një shtëpie, ku policët e kishin lidhur një të ri dhe po e tërhiqnin osh. Një grua, mbase nëna e tij, u shkonte pas e lemerisur. Polici po i fliste që të kthehej, por ajo nuk bindej. Komandanti e shikoi me përbuzje policin, i shkoi pranë dhe bërtiti:
Spurdhjak! Derdimen! Firaun! nuk punohet ashtu, pastaj e kapi fort për flokësh gruan dhe e përplasi në trotuar. Asaj po i rridhte gjak nga goja…
*
Të çuditur si shpëtuan, vëllezërit hynë brenda në spital, te Klinika e Kirurgjisë. Nuk lejohej hyrja nëpër korridore dhe dhoma të pacientëve. Mbrapa spitalit, panë një nënë tek po hynte nëpër dritare për ta parë birin e plagosur. Provuan edhe këta, por dritarja u mbyll. U kthyen sërish te hyrja, ku takuan një infermiere.
Bija ime, iu drejtua Beqiri, se shqiptare ishte, a mund të na bësh një të mirë?
Fol axhë, tha vajza.
A mund të shikosh mos është diku një djalë i plagosur, Naser Hajrizi quhet.
Vajza i shikoi dhembshurisht vëllezërit me fytyra të shqetësuara dhe ngjiti shkallët. Në krye të tyre ktheu kokën dhe u tha:
Pritni!
Infermierja nuk shkoi te historitë e pacientëve, sepse nga dje nuk e kishin hapur asnjë, duke u arsyetuar me rrëmujën, por shkaku i vërtetë ishte mos evidentimi i demonstruesve, të cilët i kërkonte më vonë policia.
A ka në këtë dhomë Naser Hajrizi? thërriste me zë të lartë infermierja, dhomë më dhomë.
Shoku i Naserit, i plagosur një ditë më parë, nuk mund të ngrihej, por e thirri infermieren pranë.
Çfarë ka ndodhur me Naserin, motër… të lutëm… e kam shok… dhe sytë iu skuqën.
Është plagosur, si ti, tha vajza dhe vazhdoi në dhomat tjera: Naser…Naser Hajrizi…
Jo, jo…
Mbaroi të gjitha dhomat dhe u kthye te vëllezërit:
Nuk është këtu. Mund të jetë në klinika tjera, se janë shpërndarë gjithandej, bile edhe në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, te doktoresha Sadete Mekuli. Uroj të mos i ketë ndodhur gjë, por të vrarët i kanë dërguar në morg. Ka shumë edhe atje. Prisni vetëm pak, ta thërras teknikun, mos ua bën të mundur të shkoni fshehtë në bodrum, ku janë rrobat e pacientëve.
Pas pak erdhi tekniku dhe hynë në bodrum bashkë. Si në një dyqan, rrobat në kremastar ishin të renditura në mbajtëse të gjata prej metali. Ata i shpalosën shpejt e shpejt një nga një; pallto të shqyera, bluza të përgjakura, kapele gjithë pluhur, pantallona dhe këpucë me gjak dhe disa uniforma policësh të bëra fërtele. Rrobat kishin nisur të kundërmonin…
A i gjetët? tha tekniku, me mirësjellje.
Jo. Të faleminderit shumë.
U ngjitën lart dhe te dera panë dy të rinj që i mbanin përpjetë duart pa gishta, të lidhura me fashë.
Jo! U tha tekniku të plagosurve, nuk lejohet të dilni jashtë, ju lutëm.
Një plak e ndali teknikun ta pyeste për gjendjen e birit të tij që e kishte plagosur rëndë policia mbrëmë, tek po kthehej nga mërgimi…
Vëllezërit u përshëndetën me teknikun dhe sipas udhëzimit të tij, shkuan të verifikojnë prej më të keqes. Në morg i priti po ashtu një shqiptar civil, kurse pranë tij ishte një tjetër i uniformuar, polic.
Ua hapën derën dhe hynë në morg. U hap një derë tjetër e metaltë. Brenda në frigoriferin e madh të vrarët në barela, dukeshin si ushtarët në kazermë, duke pushuar.
Si duket? pyeti tekniku.
I bardhë, me flokët ngjyrë kafe e çelët.
Sa vjeç? 20.
Tekniku tërhoqi një barelë me lehtësi, por jo, nuk ishte. Tërhoqi edhe dy të tjera, por as aty nuk ishte.
Nxori të katërtën dhe shkëlqeu fytyra dyllë pa gjak e Naserit. Sytë e mbyllur, përreth kishin hematoma të zinj. Me buzët e përpjekura, nuri i tij ndrinte pa u dëmtuar dhe dukej si të ishte në gjumë. Sipër ballit, flokët ia kishin mbuluar plagën e plumbit të vetëm, që dukej ende e skuqur.
Njëri nga vëllezërit e Beqirit, u përkul dhe e puthi në ballë.
Ky është? pyeti tekniku.
Po, ky.
Beqiri kafshoi mustakun mbi buzë…
Tekniku e shtyu barelën brenda dhe e mbylli derën.
Vëllezërit u përqafuan, sikur ta kishin futur dhëndër Naserin.
Ngushëllime! tha tekniku.
Faleminderit.
A ka nënë? pyeti polici me uniformë.
Jo, këta nuk i ka bërë nëna, prandaj i vrasin, tha me ironi Beqiri dhe dolën jashtë.
Kufomën mund ta merrni kur të jeni gati, tha tekniku.
*
Vëllezërit i ndanë detyrat: njëri do të shkonte në familje për t’ia thënë me kujdes kumtin e zi, kurse Beqiri me tjetrin, do të shkonin në ndërmarrje ta merrnin një kamion të mbuluar me mushama, për ta bartur kufomën. Deri te ndërmarrja mund të shkonin bashkë. Ata zgjodhën një rrugicë pak të shkelur, nëpër fushën e hapur që shpinte në qytet. Edhe ndanë saj, në çdo pesëdhjetë metra, kishte patrulla prej disa vetave. Secila i ndalte dhe i legjitimonte e kontrollonte kalimtarët e pakët. Një zdap me mjekër, iu drejtua Beqirit serbisht:
Përse e ke veshur gjithë këtë pallto të gjatë, çfarë ke fshehur nën të? A ke armë?
Jo, tha Beqiri.
E kontrolloi imtësisht, por nuk gjeti asgjë të dyshimtë.
A ke pushkë në shtëpi?
Eja atje, të shohësh a kam, tha gjithë inat Beqiri dhe pështyu para këmbëve të zdapit.
Shporru! bërtiti i uniformuari.
Njëri nga vëllezërit i tha Beqirit: kujdes me ta se duken si të çartur.
Me të mbërritur te selia e ndërmarrjes, Beqiri u ngjit shkallëve duke u mbajtur për parmakësh dhe shkoi në zyrën e tij që ta merrte një flamur me shtizë të re, punuar enkas për demonstratë nga një marangoz fqinj, por nuk e gjeti.
*
Pas dy orësh hyri në oborr kamioni me Naserin brenda. Gjithë familja u mblodh rreth tij. Fatimes nuk i treguan për arritjen, se mos tronditej, por dëgjoi klithmat jashtë dhe doli.
E nxorën ngadalë trupin dhe rrezet e diellit ranë mbi fytyrën e tij, duke e bërë edhe më të ndritur.
Ju lutëm, qëndroni me dinjitet, tha Beqiri qëndrak, i cili ende nuk kishte nxjerrë lot.
Vajza, mbajeni veten, se nuk ju ka hije!
Fatimja dridhej nga ngashërimi i thellë. U afrua mbi kufomën dhe duke krepuar, lotët i rrodhën çurg mbi të. Pamja e qetë e fytyrës dhe buza si në gaz e Naserit ia kujtoi ditën e lindjes së tij, kur ai qante dhe ajo qeshte e gëzuar. Tashti ai po qeshte, kurse ajo qante…
Biri im!… I bukuri i nënës… Iu thaftë dora, kush të vrau, o bir…
Hajde tash ta vendosim brenda, mjaft, tha Beqiri dhe mjekra iu drodh tradhtisht…
Të gjithë familjarët hynë brenda, duke bërë homazh para trupit të Naserit, me grushtin lart.
Lavdi!
Lavdi e përjetshme!
*
Të nesërmen oborret e hajrizëve, u mbushën plot të ardhur: shokë të Naserit, profesorë, studentë, fqinjë, farefis etj. Meqenëse nuk lejohej qarkullimi në grup, ata u detyruan të shkojnë te varrezat nga dy-tre vetë. Kamioni i mbuluar me trupin e Naserit brenda, u mbush me të moshuar dhe më të ligë nga shëndeti. Naserit ia kishin krehur flokët, siç i mbante vetë dhe arkivolin ia mbuluan me flamurin kombëtar. Makina u nis me vështirësi, sikur ta tërhiqte një forcë mbrapa, pastaj motori uturiu dhe mori shpejtësi.
Një plakë ngjelkë iu afrua Fatimes, duke i thënë me zë të ulët: a të namatis pak?
Nuk kam nevojë, tha Fatimja ftohtë.
*
Varrezat ndodheshin në anën e kundërt të qytetit, prandaj duhej përshkuar mes për mes qendrën. Patrullat e shpeshta e ndalnin kortezhin për ta kontrolluar brenda. Kur arritën në qendër, disa policë kontrolluan më shumë, duke provokuar ata që ishin brenda.
Njëri nga pleqtë nuk duroi më.
Ne kemi mort, ju doni të na poshtëroni, të pafytyrë!
Polici u hakërrua:
Plakarec, ngrihu dhe zbrit poshtë! tha polici naks dhe nervi facial i lëvizi deri te syri. Zbrit edhe ti! Edhe ju atje! Shpejt, shpejt!
Tashti marsh dhe mos t’ju shoh tre vetë bashkë, mbushuni!
Polici u kthye te kamioni, shikoi nga shoferi, duke iu kërcënuar:
Shkilja se ju bëra të gjithëve për varr!
Kamioni hyri në varreza, i ndjekur nga tre pizgauerë policorë. Rreth varrit të Naserit ishin mbledhur ata që u nisën nga oborri, por edhe të tjerë që u bashkëngjitën rrugës.
Të nderuar të pranishëm, tani le të nderojmë dëshmorin tonë me një minutë heshtje! tha dikush. Ishte po ai që mbajti fjalim mbi arkivolin e Naserit në oborrin e shtëpisë.
Lavdi dëshmorit!
Lavdi!
Le të betohemi se do të luftojmë deri në vdekje për idealin e dëshmorit!
Betohemi!
Beqiri ndjeu krenari, për birin e tij dëshmor dhe për betimin që bënë…
Komandanti i togës policore në kodrinën e varrezave u ndje i pafuqishëm të ndërmerrte veprimet që ia kërkonte detyra.
Fatimja e lëbyri edhe atë ditë që nuk do ta harronte kurrë…
– VIJON –
______________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (IX)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10931