Pashtriku, 9 mars 2021: Kujtime të bashkëveprimtarëve
1. Hydajet HYSENI (bashkëveprimtar)
Pranverë me plagë
Një pranverë me plagë,
Gjëmë e gjak e vragë;
Në lule, në kurorë,
Flakë, flakë e borë…
Një zile, zëzezë,
Nuk bie, por dënesë;
Jo nuk tingëllon,
Qan, qan dhe rënkon.
Një klasë e shtangur,
Një bankë e zbrazur;
Dhe banka rënkon,
Aty dikush mungon.
Aty askush nuk ulet,
Aty-vetëm lulet.
Lule e freski,
Mbi to dhjetëra sy.
Sytë aty takohen,
Njomën, turbullohen.
Një vajzë si e hutuar,
Një grusht i shtrënguar.
E shtrëngon shaminë,
Në të lotët i bien.
Shami e qëndisur,
Ëndërr e grisur.
Lotët vajzërorë;
Flakë, flakë e borë.
Një njome e përdëllyer,
Lule prilli e thyer.
Një këngë e ujitur,
Lot zemre të zhuritur:
Qan lulja, o bo-bo,
Për lulen, o bo-bo!
Mësuesi kujdestar,
Në ballë akull e zjarr;
Bankën e lëmon,
Lotin e kafshon.
Fjalët në grykë i ngelin;
Si ta bëjë apelin!?
Jo zë, po çirrmë nxjerr,
Kur thërret Naser…!
Ku janë Naseri, Asllani, ku!?
Tërë klasa gjegj: Këtu!
Këtu!, kthehet jehona,
Këtu në zemrat tona!
Jashtë kuis një erë,
Gufon një pranverë;
Një pranverë me plagë,
Borë e flakë, e flakë, e flakë!
Nga: Hydajet Hyseni, Paraverë në katër pamje (Poezi)
2. Jashar ALIA (bashkëveprimtar)
Fjalë në premierën Filmit dokumentar „Për ty Atdhe“, kushtuar dëshmorit Naser Hajrizi
Prishtinë, më 2 prill 2017
E dashur familje Hajrizi
Të nderuar pjesëmarrës
Motra dhe vëllezër
Na kanë bashkuar sot këtu dëshmorët e lirisë. Tridhjetë e gjashtë vjet më parë, më 2 prill 1981, rrugët dhe sheshet e Prishtinës ishin vërshuar nga demonstrues të mbledhur nga të gjitha viset shqiptare nën ish–Jugosllavi, për të protestuar kundër regjimit pushtues serb e jugosllav dhe për të kërkuar të drejtën legjitime të popullit të robëruar shqiptar, për liri dhe vetëvendosje. Atë ditë pranvere, nga plumbat e soldateskës mizore serbe, ranë dy dëshmorët e parë të Kryengritjes së madhe të Kosovës, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.
Naser Hajrizi që në rininë e hershme, hyri në Lëvizjen Kombëtare të kohës. Kur të rinjtë përkushtohen për një ideal të madh, siç është ai i çlirimit kombëtar, burrërohen më shpejt, formojnë personalitetin e tyre më shpejt dhe bëhen më të pjekur. Naseri, me virtytet e larta, si guximi, besnikëria, vullneti për dije dhe vendosmëria, po bëhej një veprimtar premtues i së ardhmes së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, për të cilët kishte aq shumë nevojë lufta në vijim.
Ditën e lavdisë së tij të përjetshme, Naseri e kurorëzoi veprimtarinë, si prijës me flamur në dorë, dukë rënë dëshmor në ballë të demonstratës, në qendër të Prishtinës së tij të dashur.
Filmi dokumentar “Për ty Atdhe”, që po ju paraqesim i kushtohet jetës, veprës dhe rënies së dëshmorit, Naser Hajrizi. Këtë film e kanë bërë me përkushtim, autori Agim Sylejmani dhe regjisori Fitim Shala, në shënim të përvjetorit të 36-të të rënies së dëshmorit.
Lavdi dëshmorëve!
Telegrame me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorit, Naser Hajrizi.
E nderuar Familje Hajrizi
Të dashur Beqir dhe Fatime, prindër të Naserit
Me rastin e 20-vjetorit të rënies heroike të birit tuaj, dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi, ju përshëndes, ashtu si duhet përshëndetur familja e dëshmorit.
Më erdhi shumë keq që nuk pata mundësi më 2 prill të jem pranë jush për të pritur e përcjellë vizitorët e shumtë që ju vijnë.
Ka njerëz që harrohen dy vite pas vdekjes, por Naseri dhe gjithë dëshmorët, nuk harrohen as pas 20, apo 2000 vjetësh. Ata do të kujtohen me respekt sa të jenë shqiptarët.
Të jeni krenar për Naserin tuaj e tonin! Edhe unë me krenari u them njerëzve: Isha i organizuar në grupin e Naserit.
Më 8 prill do të mbajmë tubim përkujtimor, me rastin e 29-vjetorit të rënies së Naserit me shokë.
Lavdi Naserit e Asllanit!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Zvicër, më 3 prill 2001
Të nderuar Beqir e Fatime
Motra e vëllezër të dëshmorit, Naser Hajrizi
E nderuara familje e gjerë Hajrizi
Në përvjetorin e 26-të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi, si në çdo përvjetor të shkuar, Ju pritni dhe përcillni vizitorë të shumtë, të cilët vijnë për ta kujtuar heroizmin e madh të birit Tuaj e të gjithë kombit shqiptar, i cili u flijua për çështjen e Atdheut. Në këtë ditë përkujtimi, do dëshiroja të jem në mesin e prindërve të dëshmorit, Naser Hajrizi, Beqës e Fatimes, në mesin e familjes së madhe Hajrizi, familje e cila për dekada dha kontribute të çmuara në luftë për çlirim.
Duke pasur frymëzimin atdhetar të familjes Hajrizi, brumosjen me ide patriotike, liridashëse e gjak kryengritës për liri, të të dy prindërve të tij, Beqës e Fatimes, shihet se jo rastësisht u bë i madh Naseri, dëshmori i lirisë, me të cilin krenohemi të gjithë, familja, ne shokët e tij, krenohet i gjithë populli.
Në pamundësi që edhe fizikisht të jem me Ju, në këtë ditë dhembje, por më shumë ditë krenarie, nëpërmjet kësaj letre ju përshendes, bashkë me familjen time, me respektin më të madh që ndiejmë për Ju.
Lavdi dëshmorëve, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva!
Më 2 prill 2007, Zvicër Jashar Alia
3. Ismail SYLA (bashkëveprimtar)
Kujtesë për dëshmorin Naser Hajrizi,
Shqipja e Furtunës
Sot është 26 vjetori i rënies në ballë të demonstratave të Naser Beqir Hajrizit (7 korrik 1962-2 prill 1981), maturant i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Prishtinë. Atë ditë së bashku me Asllan Pirevën, Naseri vritet në qendër të Prishtinës, si prijës dhe organizator në demonstratën, që kishte filluar nga lokalet e ish-Shkollës Normale.
Naser Hajrizin e kam njohur mirë, në saje të lidhjes miqësore familjare dhe si bashkëveprimtar. Ishte pjesëtar i një familjeje me traditë atdhetare. Axha i tij, Zeqiri kishte kaluar vite në burgun e Goli Otok-ut në kohën më të errët të Rankoviqit. Është dukuri e vërtetuar se brezi pasardhës ushqen një lloj idhujtarie ndaj brezit pararendës, duke i konsideruar më të moshuarit si më të thellë, më të ditur dhe më të pazëvendësueshëm. Kjo i bën që ata të jenë të përkushtuar, dhe duke e konsideruar vetveten më pak të zotë, ata veçsa kërkojnë më shumë nga vetvetja. Dhe në fakt, kur ata mbërrijnë një fazë të caktuar, dalin më të zhvilluar dhe më të plotë se sa pararendësit.
Të tilla kanë qenë pak a shumë rrethanat në të cilat u formua dhe u rrit Naser Hajrizi. Djalosh i kthjelltë, i zhdërvjelltë dhe me shprehi pune, që në moshë të re punonte fizikisht për ta ndihmuar familjen e tij. Kjo nuk e lodhte as nuk e bënte të ankohej. Përkundrazi, i jepte impulse më të thella për ta dashur jetën dhe për ta ndërtuar identitetin e tij patriotik. Me një trup elegant, të kalitur nga puna, ai në mendjen e atyre që e kanë njohur është fiksuar tamam si një nëntëmbëdhjetëvjeçar. Tiparet e tij rinore mbesin prore të reja dhe vazhdoj ta kujtoj atë pedanterinë e tij, krehjen e bukur, rrobat që i kishin hije, sytë e zgjuar dhe fytyrën e ëmbël me rrezatim njerëzor.
Më 2 prill 1981 Naser Hajrizi bie në krye të demonstratave në sheshin midis Postës, Shtëpisë së Mallrave dhe ish Bankës Popullore. Për të mos shpjeguar më shumë rreth natyrës së karakterit të tij, mjafton të thuhet kjo në një fjali të veçantë. Naser Hajrizi plagën vdekjeprurëse e merr në ballë.
Në verë të vitit 1981 e kam shkruar një poezi për Naserin, të cilën e kam dorëzuar për botim në redaksinë e organit ilegal “Liria”. Për fatin e kësaj poezie nuk kisha ditur asgjë, për shkak të arrestimeve të dhjetorit 1981 dhe janarit 1982. Në fakt, vetëm para pak ditësh, arrita ta gjej një numër të fotokopjuar të “Lirisë” nr. 6, dhjetor 1981, ku është botuar poezia.
Ajo është botuar pa emër, si ishte praktikë e shtypit klandestin. Për hir të vlerës faktografike, dhe në shenjë respekti për Naser Hajrizin, poezia do të botohet pa asnjë ndërhyrje. Vlerat estetike dhe ngarkesat stilistike të poezisë, për një çast le të mbesin mënjanë dhe poezia le të jepet ashtu siç u shkrua.
***
Shqipja e furtunës
(Naser Hajrizit)
Ti e deshe jetën, njerëzit dhe pranverën
Ëndrrat t’i skuqi dielli i zjarrtë jugor,
Tufë rrezesh të arta, miliona margaritarë
Shndriste në syrin tënd ylli mëngjesor.
Udha e dritës vinte thellësive shekullore
Shtrihej kalldrëmeve të eshtrave dhe gjakut,
Mëngjeset e ndritura i nxinte nata mjegullore,
Terri i zi, kuçedra, sfidë i bënin agut.
Atë ditë hidhej vallja fluturim shqiponjash,
Nën qiellin e egërsuar, të të ftohtit veri,
Mes tyre vallen hodhe sup më sup si malet,
Krenar, i patundur si lisi në stuhi.
Veriu mes prillit derdhte suferinë,
Akull e breshër mbi lulet e njoma,
Që toka e shqipeve t’mos ketë tjetër stinë,
Që të thahet blerimi, të zhduket aroma.
Vallja e shqiponjave e rëndë atë ditë hidhej,
Zemra strall shkreptinte vetëtimë,
Përflakej horizonti, qielli i turbullt ndizej,
Marshimi i shqipeve gjëmonte bubullimë.
Në çdo rrebesh ka fluturim shqiponjash,
Dhe fluturimet hapin shtigjet e lirisë.
Varganit i shkëputet një vrapim i shqiponjës.
Edhe një gur kështjellës, një emër pavdekësisë.
Në çdo stinë ty shqipe ëndrra të mbeti një
Sa vjeshta, sa dimra ta argasën rininë?
Ta thyen buzëqeshjen, ëndrrën ta trazuan,
Dhe për pranverën, ta rritën dashurinë.
Buzëqeshja jote si një lule karafili
Zbukurim i kësaj toke me plot zjarre,
Në ballin flamur lirie –plagë trëndafili,
Ti pishtar i ndezur në netët kosovare.
Tokës sate strallore që aq shumë e deshe
Me plisa të bardhë, shqipe e zë bilbili,
Me male, legjenda, krisma e rrebeshe
Një gurrë gjaku ia fale atë ditë prilli.
Shumë herët rinia t’u thye, or vëlla,
Dhe ike mbi krah shqiponjash fluturim,
Qiellit të përskuqur, stuhi vetëtimash,
Vezullim ylli. Lule shkëmbi. Dritë. Agim.
Prishtinë, gusht 1981.
Marrë nga “Zëri”, 2 prill 2007.
Epi për të rinjtë të rënë për liri
(Naser Hajrizit, Asllan Pirevës
e gjithë të rinjve të rënë për Atdhe)
Ata nuk deshën që të plakeshin nën robëri,
Ndaj morën plagë të thella në ballë, në brinj
Shpirtrat e të rënëve më parë që nga altari
Pëshpëritën: Të rinj, të rinj, ama tepër të rinj.
Prishtinë, 2 prill 2017.
– VIJOIN –
_____________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XVI)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10985