Tiranë, 31 mars 2021: (Në tremujorin e ikjes në amshim të Besnik Hallaçit)
Dita ishte kristal për fat. Por e ftohtë. E kishim lënë për të shkuar në Shkallë të Keqe, dhe mandej përgjatë saj deri në Tërshenë, Shtratin e Shqipes.
Besnik Hallaçi e njihte këtë zonë pëllëmbë për pëllëmbë në imtësi (siç njihte edhe zonat e tjera). Edhe unë jo shumë larg atij, pasi disa vite me rininë kishim pastruar kullotat prej Llumes së Dhenëve e deri në Vajvodë e Lerën e Sorrave.
– Pasnesër bëhu gati, o trim, – më tha Besniku. Dhe shtoi: – Në krye të Shkallës së Keqe kam takim me “lulen e kepit”. E kam lënë që vjet këtë takim të bekuar me të pas një viti për ta parë se sa është rritur e zbukuruar, – shtoi me të qeshur siç dinte ai.
Lule kepi! – thashë me vete dhe iu ktheva: – Po ç’është kjo lule kepi, o krrul?
– Shiko, çallat e shkëmbinjëve zakonisht gjatë kohës mbushen me dhe e humus. Aty mbijnë bimësi të ndryshme. Ndër të cilat edhe lule, madje larmishmëri lulesh. Por në varësi të klimës e lartësisë edhe bimësia ndryshon. Unë sot kam lënë “takimin” me një “lule kepi” në bjeshkën që ndodhet në pjesën jugore të malit të Gjalicës. Është bimë disavjeçare dhe dua të studioj ndryshimet. Me këtë rast eksplorojmë edhe bimësi të tjera, – më sqaroi Beniku, ky “dashnor” i pashoq i natyrës.
Ishte data 1 qershor 2006. Një natë përpara bëmë gati çantat e shpinës… aparatet fotografike, blloqet e shënimeve, bukën e rrugës. Meqë mëngjesi ishte ftohtë, u kujdesëm edhe për veshjen.
Deri në Bicaj shkuam me autobuz, pastaj udhën nga Shkalla e Keqe në drejtim të fshatit Tërshenë në këmbë. Si i thonë fjalës një rrugë e dy punë kështu: edhe shijojmë natyrën magjepsëse që krijon ky kanion unikal në Shqipëri, por edhe Besoja bënte punën e vet si botanist, por edhe si “detajist” që ishte nuk linte bimë apo insekt pa futë në objektiv. Unë fotografoja kanionin, pejsazhe që Gjalica dhe mjedisi ekzotik përreth na ofronte.
Duke u ngritë dielli, u ngroh edhe moti. Ndërkaq rreth orës nëntë të paradites ia dolën në krye të Shkallës së Keqe.
Mrekulli!
Vetëm ai që e bën këtë rrugëtim e përjeton këtë situatë si një çast mahnitjeje.
Rrugës, Besniku më “humbi” pas një shkëmbi të madh, ndërsa unë u ula rrëzë një zgavrre në formë shpelle për ta pritur. Shkelja e vendit aty dëshmonte se kalimtarët e shfrytëzonin si vend pushimi edhe kundrimi. Sepse ishte edhe kënd interesant shikimi edhe nga kanioni i Shkallës së Keqe, por edhe në pejsazhet e pjesës jugore të Gjalicës sipër Tërshenës.
Një erë e lehtë fryente teposhtë shkallës. Të fohtit që sillte kjo erë të jepte ndjesinë sikur buronte nga gjiri i shkëmbinjëve sipër fshatit që kishin mbajtur shumë borë gjatë dimrit.
Ndërkaq dëgjoj zërin e Besnikut që më thërriste, i cili kishte ikur bukur larg. Zëri vinte si jehonë: – Ec e shko në fshat te Hamdi Sokoli. Vazhdo punën tënde dhe pritëm aty. – Epo mirë, – i thashë dhe vijova rrugën, duke e lënë në “vetminë” e vet. Në shumë raste kur ai ishte në misionin e përcaktuar e donte vetminë. Ndoshta kërkonte përqëndrim më të madh.
Vijova rrugën.
Deri të Hamdi Sokoli duhej edhe ndonja 20 minuta. E përpjetja kishte mbaruar. Tani nuk ishte shumë vështirë të ecje.
Hamdiu, burrë i shkathët, artist i talentuar popullor dhe shumë mikpritës si të gjithë banorët e atij fshati. Ai ishte mjeshtri-artist, ndoshta i vetëm që dinte të ndreqte instrumentin e violinës, por edhe të luante mjaft mirë në të. Violina ishte një risi muzikore në të gjithë krahinën e Lumës e më tej, pasi ajo nuk është një instrument që luante në materialet muzikore të trevës. Por ky e kishte bërë realitet nëpër veprimtaritë e organizimet artistike.
Më parë violinën në formacionet orkestrale në krahinën e Lumës e kishin futur vëllezërit Kurtish e Bajram Ismaili nga Kolesjani. Ngaqë në kohën e tyre vëllezërit artistë egjiptianë ishin bërë të njohur, edhe Hamdiu mund të jetë frymëzuar e ndikuar prej tyre.
Për pak kohë sosa në shtëpinë e Hamdi Sokolit. U futa nën hijen e ahut që ndodhej mu në mesin e oborrit të shtëpisë dhe e thirra. Pas pak u hap dera. Ishte Hamdiu, i cili kur më pa sikur u shtang në prag të derës. Vuri dorën sipër vetullave për të parë më mirë dhe tha:
– Besim Cengu vallahi në kurtin tem! Kah pike pash zotin? Të paska pru hezri më duket, – tha.
U kënaq. Kënaqësi që shihej në gjithë atë qenie të butë njerëzore. Shpirti, sytë, lëvizjet, zëri e tregonin këtë ndjenjë.
– Mirë se erdhe një herë, – përshëndeti ai.
– Mirë se të gjeta, Hamdi, por nuk po futemi brenda. Koha është e bukur dhe më mirë po shtrojmë ndonjë postoçi poshtë këtij ahi, si thua ti?, – i thashë.
– O he të lumshin këmbët, sa mirë e ke, – tha dhe fluturoi brenda.
Menjëherë u rehatuam.
Sa ishte tundë ftini dhe si fillim një polik me dhalltë. Coca-cola shqiptare që ku e ku më e mirë.
Pimë raki, e, hëngrëm kos. Gjiza e djathi i njomë plus tumllen e tlynit të freskët… rakia e Hamdiut…
Biseduam gjërë e gjatë për violinën, për mjeshtrinë e ndërtimit të këtij instrumenti, por edhe të ekzekutimit. Hamdiu kishte vite që përfshihej në ansamblin folklorik të Rrethit të Kukësit në pjesëmarrje lokale dhe kombëtare. Mora çfarë mu desh, por edhe bëmë muhabet.
Besniku nuk po vinte. Kështu “harrohej” sa herë në eksporimet e veta. Iu ktheva të zotit të shtëpisë:
– Është edhe një me ne, Besnik Hallaçi.
– Ku është more!? – tha i habitur Hamdiu.
– Ka lënë takim me një “lule kepi”, – i thashë duke qeshur.
– Lule kepi, vallahi, po Besnik Hallaçi për këto punë është…harrohet krejt, ja sikur është harru sot, ha ha ha. – Merre more në telefon të vijë e të hajë bukë se pale kur është përpjekë me të. Është këputë uje.
E mora dhe pas pak më tha se:
– Ja ja se erdha…për një gjysmë ore jam aty, – u përgjigj i qetë me zërin e tij kumbues.
Më në fund erdhi. U përshëndet me përzemërsi me Hamdiun dhe u ul dhe hëngri me ne. Ishte lodhë se pas kishte relizuar takimin me “lulen e kepit” kishte marrë livadhet e bjeshkës së pafund deri te Lera e Sorrave. Ashtu si edhe unë, hapi çantën e bukës dhe nxorri domatet, trangujt e disa copa mish viçi të zier.
– Paske boll, por i përzieva bashkë, – tha duke qeshur.
Kaluam shumë mirë atë ditë. Besniku si një bletë punëtore ishte ngarkuar me plot fotografi dhe shënime. Kishte bërë një përshkrim të “lules së kepit” pas një viti, ndryshesat që kishte pësuar pas një periudhe një vjeçare.
Hamdiu na përcolli me shumë respekt. Madje edhe u ligshtua për disa çaste. Sulejmani, djali i tij që punonte mjek, e që ishte mik i yni, kur i treguam na tha se prej kur ka pasur një problem me zemrën është ligshtuar.
Zbritëm nga erdhëm.
Muzgu na zuri sipër fshatit Mustafe.
Qe një ditë për tu mbajtur mend.
Postime të Lidhura
PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: REPUBLIKA E MAQEDONISË, NJË BETEJË E PAPËRFUNDUAR MES FQINJËVE DHE SHQIPTARËVE AUTOKTONË
Tetovë, 10. 02. 2017: Të gjitha kombet dhe shtetet fqinje të Maqedonisë së sotme, bullgarët, serbët dhe grekët,…
E VËRTETA DHE GËNJESHTRA SI ILUZION I SË VËRTETËS!
E VËRTETA DHE GËNJESHTRA SI ILUZION I SË VËRTETËS! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 12 Korrik 2021 1. Gënjeshtarët…
SHERADIN BERISHA: DINAMIKA HEGELIANE NË PROCESIN E NEGOCIATAVE KOSOVË – SERBI!
Pashtriku, 6 maj 2019: Në filozofinë politike ekzistojnë dy ‘parime’ bazë: 1. ‘rregull nga shkaktimi i krizave’, dhe…
PËRPARIM DEMI: GROPA E ESHTRAVE TË MIJA
Bukuresht, 12. 03. 2014 – E shkula një rrënjë të ngjisja të përpjetën e madhe kur dola nga…