SERBIA DHE KOSOVA SI ADAMI DHE SI EVA

SERBIA DHE KOSOVA SI ADAMI DHE SI EVA

Nga Gjokë Dabaj, Durrës 1 tetor 2021

Ishim 4-5 shokë, ulur në karriket e një lokali, në një ambient të jashtëm, dhe po pinim: kafe, çaj dhe dhallë. Kur u njoftua, në lajmet e drekës, vendimi idiot i Brukslit, që Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë t’i maskojnë simbolet e vet shtetërorë me copa letrash, ne që të gjithë shtangëm. Heshtëm, u zymtuam. Asnjërit nuk po i jepej për të thënë diçka.

Dikur, njëri prej shokësh nxori diç në xhamin e celularit dhe tha: Ja marrëveshja! Shikojeni!

Dhe na e zgjati celularin. Ishin: Një grua dhe një burrë, krejt lakuriq, me nga një gjethe që po e mbanin me dorë te organi i vet seksual. Tabloja ish e njohur për të gjithë ne: Eva dhe Adami, sipas mitologjisë parabiblike.

Ne nuk e dinim, a të qajmë apo të qeshim. Fytyrat tona mbetën të shtangura në pozicionin e zgjërdhirjes.

Dy njerëzit lakuriq, që po i shikonim në atë miniekran (dhe që tashmë po i përfytyronim të zmadhuar në përmasat e tyre natyrale) i kishin mbuluar organet krejt formalisht. Krejt formalisht!

Mbuloji sa të duash me gjethe fiku! – tha njëri. – Këta do të vazhdojnë ta bëjnë atë punë.

– Cilën punë?! pyeta unë me qëllim.

– Atë punë, pra! – gati sa s’më bërtiti shoku mu përpara fytyrës dhe vazhdoi:

– Dihet që Adami është Sërbia! Eva është Kosova! Ata që ia mbajnë bishtukun, kandilin, llambën elektrike, këtij akti makabër, janë shtetet e Evropës! Të asaj Evrope që ia ka gjetur emrin e vërtetë Fishta, prej kohësh!

– Pse makabër?! – s’iu ndejt njërit prej shokëvet pa pyetur.

– Makabër, sepse Eva po për-dhu-no-het! A nuk po sheh si e ka shtrembëruar fytyrën Eva?!

Me kaq e ndërpremë bisedën. Erdhi kamarieri. Njëri prej nesh i pagoi: dhallin, kafet dhe çajin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura