KOSOVA DHE SJELLJA JODIPLOMATIKE E JOSEP BORELIT

KOSOVA DHE SJELLJA JODIPLOMATIKE E JOSEP BORELIT

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 30 dhjetor 2021

Më 8 dhjetor të vitit në vazhdim, kryeministri i i Kosovës Albin Kurti pati një takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe për Çështje të Sigurisë, njëherazi edhe nënkryetar i Komisionit Evropian Jozep Borel (Josep Borrell, 1947-). Me këtë rast, diplomati evropian me prejardhje spanjolle, përdori një diskurs politik që është në kundërshti me rregullat e diplomacisë të botës demokratike. I tha kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit që ta implementojë marrëveshjen e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Diplomati i lartë evropian, spanjolli Borel duhet ta dijë se roli i tij në dialogun e Brukselit nuk është të japë urdhra. Në dialogun e Brukselit midis palëve, Boreli nuk është asgjë më shumë se ndërmjetësues apo lehtësues. Maksimumi që pritet prej tij është të luajë rolin e tertium interveniens dhe jo të shndërrohet në urdhërdhënës apo në punëdhënës.  

*   *   *

Në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, njëfarë marrëveshjeje për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe u arrit më 19 prill të vitit 2013. Kjo farë marrëveshje që përmban 15 pika, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës i asaj kohe, Hashim Thaçi dhe nga kryeministri i Serbisë, njëkohësisht edhe ministër i Policisë, Ivica Daçiq (1966-). Ivica Daçiqi është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë.

Sipas marrëveshjes së sipërthënë, me themelimin e Bashkësisë (asociacionit) së komunave me shumicë serbe, shpërbëhen strukturat paralele serbe në veri të Kosovës. Në Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë do të përfshiheshin komunat: Mitrovica veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani, Shtërpca, Kllokot-Vërboci (Graçanica), Novobërda, Ranillugu dhe Parteshi. Sipas disa të dhënave, këto komuna përfshijnë një sipërfaqe prej 1.708 km2  dhe një popullsi prej 123.979 banorë.    

*   *   *

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 23 parime të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Me fjalë të tjera, janë në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike dhe me përmbajtje legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive.  

*   *   *

            Pretendimet e Beogradit janë që Bashkësia e komunave serbe në Kosovë të ketë ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive. Pasi të themelojë një asociacion të këtillë, me ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive, këtë farë asociacioni Beogradi shumë shpejt do ta shndërronte në një entitet serb në Kosovë.

            Pas krijimit të bashkësisë serbe në Kosovë, me ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive dhe pas shndërrimit të tij në entitet serb, do të kishim një shtet brenda shtetit. Do të kishim brenda Kosovës një dodik republikë. Kjo kreaturë fantomike fare nuk do t’i bindej Prishtinës, do të vepronte si njësi apo si shtet i pavarur dhe sakaq do të shfaqte tendenca qendërikëse, me synimin e shkëputjes dhe të bashkëngjitjes Serbisë.

Rast të ngjashëm kemi në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. Në krye të Republikës Serbe në BH është Millorad Dodiku. Ky njeri është në listën e zezë amerikane, në listën e personave të padëshiruar.  Entiteti serb në BH fare nuk i bindet pushtetit qendror në Sarajevë. Ai sillet si shtet më vete, si shtet i pavarur dhe vazhdimisht shfaq tendenca qendërikëse. Qëllimi i tij është të shkëputet nga BH-ja dhe t’i bashkëngjitet Serbisë.

            Nga sa më sipër del qartë se krijimi i entitetit serb në Kosovë, pashmangshëm shpie në bosnizimin e Kosovës.  

*   *   *

            Si është e mundur që Josep Boreli t’i kërkojë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, në një kohë kur Republika Serbe e BH-së synon të shkëputet prej saj dhe ta zhbëjë atë si shtet?! A nuk do të ndodhte e njëjta edhe me Kosovën?! Në emër të kujt flet Josep Boreli? Në emër të Brukselit apo në emër të Madridit?

*   *   *

            Është mirë qëBeogradi të krijojë tre entitete brenda Serbisë: entitetin shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); entitetin boshnjak apo mysliman në Sanxhak; si dhe entitetin hungarez në Vojvodinë, ku jetojnë 26 minoritete.

            Krijimi i bashkësisë serbe në Kosovë është në kundërshti, edhe me planin e Marti Ahtisarit edhe me Kushtetutën e Kosovës.

            Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pakicat apo minoritetet e Kosovës, përfshi edhe minoritetin serb, i gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian, i gëzojnë të gjitha të drejtat. Duke qenë se minoritetet e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejta si në asnjë vend tjetër të Unionit, atëherë s’ka sesi të mos shtrohet pyetja: Përse duhet krijuar një entitet serb në Kosovë?!

            Nga sa më sipër rezulton se Beogradit nuk i interesojnë të drejtat e serbëve në Kosovë, por shkëputja e një pjese të territorit të saj. Duket qartë se ndaj Kosovës, Beogradi ka synime territoriale. Kjo është në kundërshti të plotë me parimet e BE-së për mosndryshimin e kufijve. Kjo bie ndesh me parimet e Unionit për respektimin e lirive dhe e të drejtave të njeriut. Parime themelore të BE-së janë respektimi i vlerave demokratike për minoritetet dhe ndryshimi i kufijve për të krijuar shtete etnikisht të pastra.

            Nuk duhet harruar se BE-ja ka në gjirin e vet edhe shtete antidemokratike. E tillë është Greqia, si një prej shteteve më jodemokratike të Unionit. Greqia mohon ekzistimin e bashkësive etnike historike, siç janë shqiptarët dhe bashkësia sllavofone. Lëre që i mohon, por edhe i shtyp ata, ka ushtruar gjenocid mbi ta, i ka vrarë, i ka dëbuar. Ata që kanë mbetur, ka tentuar t’i asimilojë me metoda më barbare.

            A e ka parasysh Brukseli se Serbia e sotme është Serbi e madhe. E madhe, për arsye se brenda kufijve të saj e mban Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të banuar prej shqiptarëve; Sanxhakun, të banuar prej boshnjakëve (myslimanëve); dhe Vojvodinën, të banuar prej hungarezëve dhe 26 grupeve të tjera etnike? Duhet shtuar se në vitin 1945, me akuzën kolaboracionistë të nazistëve, Beogradi dëboi nga Vojvodina qindra mijë gjermanë.

            Serbia, jo vetëm që nuk e lejon krijimin e entitetit shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), por edhe ushtron gjenocid të heshtur mbi shqiptarët e kësaj zone. 

            Brukseli e ka gabim që merret me themelimin e Bashkësisë serbe në Kosovë. Në vend që të merret me një punë të këtillë, BE-ja duhet të merret me Serbinë, me këtë Serbi e cila i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, e cila ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).

            BE-ja duhet të merret me Serbinë e cila e ka getoizuar edhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), edhe Sanxhakun të banuar nga boshnjakë (myslimanë), ndërsa Vojvodinën e banuar nga qindra mijë hungarezë dhe ku jetojnë 26 grupe etnike, e shfrytëzon ekonomikisht në mënyrën më barbare.    

            Pakica serbe në Kosovë përbën 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të saj. Po qe se për një grusht serbësh do të krijohej në Kosovë një entitet i veçantë, atëherë ç’do të ndodhte me shqiptarët në Maqedoni të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së saj?! Askush në rajon nuk meriton të ketë entitet, siç e meritojnë shqiptarët në Maqedoni.

            Po të shkohet me logjikën e krijimit të entiteteve në rajon, atëherë do të duhej të kishin entitetin e vet edhe turqit në Bullgari, edhe hungarezët në Rumani dhe në Sllovaki etj. S’ka shtet në BE që nuk përmban në gjirin e vet grupe etnike, pakica apo minoritete. Atëherë, përse pakica serbe në Kosovë duhet të jetë e privilegjuar?!    

*   *   *

            A e ka parasysh faktin BE-ja se Serbia e sotme e Vuçiqit është shteti më destruktiv dhe më destabilizues i Evropës? Serbia e Vuçiqit:

– ka pretendime territoriale ndaj Kosovës;

– ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë,  

– nuk e njeh ekzistencën e Malit të Zi;

– synon ta aneksojë Republikën Serbe dhe ta zhbëjë  BH-në nga harta politike dhe gjeografike e rajonit;

– Kisha Ortokse (fashiste) Serbe nuk e njeh ekzistimin e Kishës Ortodokse Maqedonase.

 Serbia e sotme është konsoliduar në pikëpamje ekonomike, politike dhe ushtarake. Në ekonominë serbe kanë investuar Rusia, Kina, Turqia, Gjermani, Franca, ndonjë shtet arab. Serbia është furnizuar me armë nga Rusia. Lloje të caktuara armësh Serbia ka marrë edhe nga Kina dhe nga Franca. S’ka dyshim se sasi të caktuara armatimesh i prodhon edhe vetë.

            Është për t’u habitur sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi e mbështesin një Serbi që militarizohet dhe që nxit edhe militarizimin e tërë rajonit të varfër?!

            Është për të ardhur keq sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi, e mbështesin një Serbi që e sjell në rajon Rusinë e Vlladimir Putinit si dhe Kinën, shkelësin më të madh në botë të lirive dhe të të drejtave të njeriut?!

            Përse Berlini dhe Parisi e ledhatojnë dhe e përkëdhelin një Serbi e cila është satelite politike historike e Rusisë dhe përçuese e interesit rus në rajon?! Kjo vërtet mbetet e paqartë.

            Në vend që Serbisë t’i vihen sanksione dhe embargo, ajo favorizohet.

*   *   *

            Filozofia politike e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel bazohej në baraspeshimin e kundërthënieve dhe të interesave të palëve në konflikt. Kjo filozofi politike e Merkelit drejtpërsëdrejti shkonte në favor të Serbisë. Kjo politikë e Merkelit nënkuptonte arritjen e njëfarë marrëveshjeje midis Prishtinës dhe Beogradit. Filozofia politike e Merkelit e la të hapur “çështjen” e Kosovës. Gjermania ishte lokomotivë e BE-së. Merkel ishte në krye të kësaj lokomotive. Ish-kancelarja Merkel, brenda 16 vjetëve të qëndrimit të saj në krye të Gjermanisë nuk ia doli ta mbyllë “çështjen” e Kosovës.

            Nuk duhet harruar se ish-kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Makron e vizituan Beogradin, por jo edhe Prishtinën. Kjo është për të ardhur keq.  

S’mund të ketë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit. S’mund të ketë kompromis midis tyre. E vetmja marrëveshje midis tyre është që Serbia:

            – të njohë pavarësinë e Kosovës;

            – të njohë sovranitetin dhe tërësinë e tokave të saj; dhe

            – të respektojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).

*   *   *

            Është për të ardhur keq sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi nuk e çmojnë dhe nuk e vlerësojnë sa duhet politikën paqësore, stabilizuese dhe konstruktive të Kosovës në rajon. Është për të ardhur keq sesi BE-ja nuk e çmon dhe nuk e vlerëson sa duhet orientimin dhe përcaktimin properëndimor të shqiptarëve në rajon.      

*   *   *

Nuk mund të flitet për dialog midis Prishtinës dhe Beogradit në një kohë kur kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq flet me gjuhën e forcës, ndjek politikën e forcës dhe kanoset me forcë. Nuk mund të flitet për dialog midis palëve të sipërthëna në një kohë kur Serbia sjellë pranë kufirit të Kosovës forca ushtarake, të shoqëruara nga ambasadori i Rusisë.

Nuk mund të ketë dialog midis palëve të sipërthëna kur si ndërmjetësues apo si lehtësues figurojnë dy figura që vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Josep Boreli vjen nga Spanja, ndërsa Mirosllav Lajçaku vjen nga Sllovakia.

Në dialogun e Brukselit midis Prishtinë dhe Beogradit, në mënyrë të tërthortë merr pjesë edhe Moska. Deri më sot, Vuçiqi dhe Putini janë takuar 19 herë. Lidhur me “çështjen” e Kosovës, Serbia është shndërruar në peng të Rusisë. Vuçiqi nuk është veçse peng i Putinit. “Çështjen” e Kosovës, Beogradi synon ta paraqesë si problem gjeopolitik midis Rusisë, në një anë dhe ShBA-së, në anën tjetër. Është për të ardhur keq sesi një Rusi e madhe 200 vjet punon kundër interesave jetikë të një populli të vogël që s’i ka borxh askujt, siç janë shqiptarët.      

S’ka përse të vazhdojë dialogu midis palëve të sipërthëna në një kohë kur Vuçiqi deklaron se Serbia kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ai shton njëherazi se Rusia e sotme e Vlladimir Putinit nuk qenkësh ajo e vitit 1999, kur ShBA-ja ndërhyri ushtarakisht kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe kundër caqeve ushtarake në Serbi.

*   *   *

Nga sa më sipër rezulton se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje ta mbyllë çështjen e rrumbullakimit të pavarësisë së Kosovës. E vetmja forcë që i del zot Kosovës është Amerika.  

            Në vend të dialogut, Kosova duhet ta paditë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime kundër Njerëzimit, për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë historisë politike të kohës më të re,  d.m.th. në periudhën e viteve 1877/78 e deri në vitin 1999. Në vend që të marrë pjesë në dialogun e Brukselit, kryetari i Serbisë, Vuçiqi duhet të ulet në bankën e të fajësuarve në Hagë dhe të përgjigjet për krime lufte. Në kohën e Sllobodan Millosheviqit, ai ishte ministër. Sot ai, politikën e zjarrvënësit të Ballkanit e vazhdon me përpikëri.

*   *   *

            Shqiptarët sot nuk e kanë mbështetjen e perëndimorëve, siç kanë pasur në vitet ’90 të shekullit XX. Nuk u bë lufta dhe nuk u çlirua Kosova nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga ShBA-ja që një kastë politikanësh dhe pushtetarësh të pasurohen brenda natës. Inteligjencia shqiptare duhet të jetë në krye të përgjegjësisë historike dhe jo të mbrojë interesat meskinë. Është një inteligjencie thellësisht oportuniste dhe konformiste. Madje edhe poltroniste. Është një inteligjencie, e shndërruar në instrument të politikës dhe të pushtetit. Kjo tregon se në botën shqiptare s’ka hapësirë demokratike, s’ka mendim kritik, s’ka kritikë politike, as kritikë sociale. Atëherë, ku është dallimi midis inteligjencies së kohës së monizmit dhe kësaj të kohës së pluralizmit dhe demokracisë parlamentare?!

Ku ishin akademitë e shkencave të të dy shteteve shqiptare në kohën kur zhvillohej dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e të ashtuquajturës bashkësi serbe?!

            Shqiptarët duhet t’i kthejnë sytë kah Uashingtoni dhe jo të merren me punë bravash. Pavarësia e Kosovës dhe mbrojtja e saj është interes mbi interesa për çdo shqiptar në gadishull dhe në rruzullin tokësor. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura