BETEJA HISTORIKE E HASAN PRISHTINËS NË ZHUR, MË 13 SHKURT 1915

107 vjet më parë

BETEJA HISTORIKE E HASAN PRISHTINËS NË ZHUR, MË 13 SHKURT 1915

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 14 shkurt 2022

“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona” – Hasan Prishtina, 1873-1933.

Ndonëse Shqipëria në periudhën 7 mars 1914 – 3 shtator 1914 ishte nën administrimin e princit gjerman Wilhelm Wid, gjatë kësaj kohe Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare, (që me vendim të Konferencës së Londrës (1913), mbetën nën pushtimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë), përjetonin çastet më të vështira në historinë e saj.

Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare në Kosovë: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini dhe qindra refugjatë tjerë nga Kosova, që ishin larguar pas kryengritjes së vjeshtës 1913, u strehuan kryesisht në Durrës dhe në Shkodër.

Princ Widi dhe qeveria e tij në krye me Turhan Pashën, ndonëse nuk arritën të krijonin një stabilitet të qëndrueshëm politik brenda kufijëve të Shqipërisë londineze, atëherë kishin pak mundësi të bëheshin hapa konkret, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, ashtu siç kishin menduar disa krerë të kryengritjes nga Kosova, në fillim të ardhjes së Vidit (7 mars 1914) në Shqipëri.

Në këto rrethana u shtrua si detyrë imperative nga vet shqiptarët që të përgatiten për një kryengritje çlirimtare, kundër pushtuesve serb… Dhe këtë barrë të rëndë do ta marrë përsipër Hasan Prishtina.

PËRGATITJA E HASAN PRISHTINËS PËR KRYENGRITJE TË ARMATOSUR

Në gjysmën e dytë të vitit 1914, Hasan Prishtina pasi ka braktisur postin e ministrit (të postë-telegrafëve) që mbante në qeverinë e Durrësit (me kryeminmitër Turhan Pasha), kaloi në Shqipërinë veriore me qëllim të organizimit të një kryengritjeje antiserbe. Ishte koha kur Serbia ishte e zënë në luftë me Austro – Hungarinë, për shkak të vrasjes së princit Franc Ferdinand (më 28.VII.1914) në Sarajevë dhe këtë situatë Hasan Prishtina e vlerësoj si të favorshme për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare.

Më 6 gusht 1914 konsulli austriak Karl, nga Durrësi njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë “mbi fillimin e aksioneve kundër pushtuesve serb” nga Hasan Prishtina, Selim Batusha, Bajram Daklani, Qazim Begolli e Halim Deralla (djali i Mehmet Derallës – Sh.B), të cilët kishin me vete ”lëndë plasëse dhe municion për mauzerët”. (1)

Dy ditë më vonë (më 8 gusht) Karli përsëri njoftonte Vjenën për një protestë të konsullit Serb Gavrilloviq, drejtuar qeverisë shqiptare (të Durrësit) për fillimin e përgatitjeve të shqiptarëve kundër Serbisë, të udhëhequr nga Hasan Prishtina. Se kjo çështje në aspektin diplomatik, ishte bërë tepër shqetësuese për Serbinë, kuptohet edhe nga njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Serbisë dërguar legatës mbretërore serbe në Romë, më 12 gusht 1914. Aty vihet në dukje veprimtaria e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit etj, kundër politikës shoviniste serbe”. (2) Këto zhvillime gjithashtu konfirmohen edhe nga shtypi i kohës.

RRUGËTIMI I HASAN PRISHTINËS

Sipas kujtimeve të I.Strazimirit, nga mbarimi i korrikut të vitit 1914, Hasan Prishtina me nja 150 dibranë e luftëtarë tjerë nga Kosova, ishte nisur nga Durrësi dhe fillimisht ndalet në Peshkopi. Në takim me parinë e Dibrës, tregon se Austro – Hungaria ka sjellë në Shëngjin armë e municion, dhe kërkon që të përgatitet një kryengritje kundër pushtuesve serb, sa më parë.

Në tubimin me dibranët, Hasan Prishtina kërkoi të miratohej edhe kjo deklaratë:

1. T’i kërkohej Serbisë lirimi i tokave shqiptare, sepse nuk janë të saj dhe ajo nuk ka të drejtë dhe as është e aftë t’i qeverisë;

2. Në rast se Serbia nuk pranon t’i lirojë me hir, ndaj saj do të përdorim forcën… (3)

Prej Dibrës, Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e tij, kalon në krahinën e Lumës. Ato ditë para se të arrinte Hasan Prishtina në Lumë, krerët e kësaj krahine në një kuvend të mbajtur në Bicaj, kishin vendosur (kanë lidhur besën) që të mos përzihen (të mbeten asnjënës) në zhvillimet politike dhe ushtarake të kohës.

Në marrjen e këtij vendimi kishin ndikuar edhe ngjarjet dramatike të tetorit – nëntorit 1913, kur 27 fshatra të Lumës qenë djegur e shkrumbuar, ndërsa u vranë e u masakruan edhe qindra lumjanë nga ushtria barbare serbe. Përkundër këtij vendimi, Hasan Prishtina gjeti përkrahjen te një pjesë e krerëve lumjanë si te Hoxhë Mehmeti, Qazim Lika, Sali Spahija, Sulë Elezi, Xhafer Bislimi, Xhafer Shema, Laçët e Bardhocit…, por edhe te vet nënprefekti i Lumës me seli në Bicaj Sadik Gostivari. Në fshatrat e Lumës ndodheshin edhe dhjetra atdhetarë që kishin ikur nga Kosova dhe pritnin momentin për t´u kthyer atje.

Gjatë kësaj kohe Hasan Prishtina u strehua në shumë familje atdhetare të Lumës si: në Kolesjan, në Kukës, në Shtiqën, në Bicaj, në Gjinaj, në Kalimash, në Surroj, në Bardhoc, në Has etj.(4)

Hasan Prishtina pati lëvizur edhe në Has e në Malzi për t´i bashkuar malësorët e kësaj zone në luftë kundër pushtuesve serb. Një gjë të tillë do ta bënte edhe Bajram Curri në Malësi të Gjakovës. Lëvizje për ta ndihmuar kryengritjen ka pasur edhe në krahinën e Dibrës, por jo në përmasa të mëdha.

KUVENDI I BICAJT DHE I KULLË LUMËS

Në shkurt 1915 me nismën e Hasan Prishtinës (i ndihmuar edhe nga krerët lumjanë dhe nënprefekti Sadik Gostivari) në Lumë u organizuan dy kuvende në: Bicaj e në Kullë të Lumës. Në Kuvendin e parë që u mbajt në xhaminë e Halil Agës, në Bicaj morën pjesë shumë krerë lumjanë dhe krerë tjerë nga viset e Kosovës, të strehuar në Shqipëri, si:

– Hasan beg Kizolli,

– sheh Hasani i sektit rrufai (Prizren),

– Ajet e Selim Dervina,

– Mehmet Konjuhi (Llap),

– Keri i Sadik Bardhit,

– Sadik Gostivari,

– Mehmet Delia,

– Isuf Mehaniqi,

– Rexhep Delia i Pozheranit etj (5).

Nga krerët e lumës qenë Sulë Elezi dhe i nipi Xhaferi, Isuf Dina (Bicaj), Mustafë Zyberi (Surroj), Hoxhë Mehmeti e Xhafer Shema (Shtiqën) etj, por nuk erdhën aty Islam Spahija, Cen Daci e ndonjë tjetër, sepse i qëndruan besnik besës së lidhur (në mbledhjen e Dheut) për të mos u përfshirë në zhvillimet politike të kohës.

Në kuvend u bisedua për përgatitjet që duhet bërë për të sulmuar forcat serbe në kufi e për të çliruar më pas Prizrenin e vendet tjera nën pushtim. (6)

Pas këtij kuvendi, Hasan Prishtina për të hulumtuar situatën politike dhe ushtarake në Prizren e rrethinë, atje i dërgoi tre lumjanë:

– Xhafer Shemën (Shtiqën),

– Sinan Hysenin (Shahe) dhe

– Rasim Istrefin (Ramhas) (7) të cilët gjatë tërë kohës propaganduan kundër regjimit pushtues serb si dhe regrutuan njerëz në shërbim të çështjes kombëtare. Në Prizren dhe në fshatrat përreth u shpërndanë trakte e thirrje për kryengritje, ndërsa për të penguar agjenturat serbe u shtua vigjilenca në krahinën e Lumës e të Hasit. ( 8 )

BETEJA E ZHURIT, MË 13 SHKURT 1915

Pasi u bënë përgatitjet e duhura dhe u sigurua një forcë goditëse prej më shumë se 300 vetësh (disa burime flasin për 600 vetë) në kuvendin e dytë të mbajtur në Kullë Lumë, u përgatit plani për të sulmuar fillimisht Garnizonin serb të dislokuar në fshatin Zhur. Kryengritësit shqiptarë të prirë nga Hasan Prishtina dhe krerët tjerë:

– Hasan beg Kizolli,

– Ajet e Selim Dervina,

– Mehmet Konjuhi,

– Keri i Sadik Bardhit,

– Mehmet Delia,

– Isuf Mehaniqi,

– Sulë Elezi,

– Xhafer Bislim Elezi,

– Mustafë Zyberi,

– Isuf Dina,

– Cen Seda,

– Januz Kurti,

– Xhafer Shema etj., nga Kullë Luma u përqëndruan në fshatrat Bardhoc e Morinë dhe pastaj në orët e hershme të mëngjesit të datës 13 shkurt 1915, nëpër bjeshkët e këtij fshati, vazhduan rrugën për në Zhur.

Meqë luftëtarët i kishin zënë të gjitha shtigjet dhe rrugët që të shpienin në drejtim të grykës së Zhurit, fillimisht grupi i drejtuar nga Hasan Prishtina i këputën telat (lidhjet) telegrafike e telefonike (9) në malet e Koretnikut. Gjatë kësaj kohe në krahun e djathtë të shpatit të malit Koretnik do të arrijnë edhe malësorët nga fshatrat: Zapod, Belja, Lojme, Nimc të udhëhequr nga Rasim Selmani, për të mbështetur sulmet që do të kryhen kundër përqëndrimit të forcave kufitare serbe. (10)

Kryengritësit shqiptar në agun e mëngjesit, të ndihmuar nga mulla Nasuf Hoxha i Zhurit, u futën në fshat dhe pasi e rrethuan garnizonin serb, u vendosën nëpër llogore – istikame që i kishin hapur vet forcat serbe. Shenja e fillimit të sulmit qe shpërthimi i një bombe nga luftëtari Xhemë Voka prej Shtiqënit. Komanda serbe e alarmuar nga shpërthimi, dha urdhër për të dalur në pozicione, mirëpo forcat shqiptare sulmuan furishëm repartet serbe.

Luftimet qenë të përgjakshme dhe pati përleshje trup më trup. Me kryengritësit, u bashkuan edhe shumë burra të Zhurit, Dobrushtit, Shkozës e të Vërmicës, të cilët me pushkë e sopata, kosa e thika, sulmuan ushtarët serb. Kushtrimin për t´ju bashkuar radhëve të Hasan Prishtinës e dha atdhetari zhurjan Asllan Rexhë Ademaj, i cili në ato çaste bëri thirrje:

”Bini burra, bini trima, ja sot ja kurrë,

ka ardhur koha me e largue shkaun

nga vatani!” (11)

Në këtë betejë që zgjati disa orë rresht u vranë rreth 100 ushtarë serb, (përfshirë këtu edhe disa oficerë) dhe repartet e armikut u shpartalluan plotësisht. (12)

MARSHIMI I KRYENGRITËSVE NË DREJTIM TË PRIZRENIT

Kryengritësit shqiptar pasi morën nën kontroll Qafën e Zhurit marshuan në drejtim të Prizrenit. Ndonëse krismat e bombave dhe të pushkëve kishin alarmuar edhe komandën qëndrore serbe në Prizren, ajo në drejtim të Zhurit kishte nisur disa reparte ushtarake. Ndërkohë që forcat kryengritëse shqiptare kishin arritur tek Ura e Vlashnjës (në jug të Prizrenit) ata do të përballen me repartet serbe. Kryengritësit shqiptarë të pozicionuar në zonën: Bregu i Drinit – Vlashnje – Poslisht – Billushë, zhvilluan një përleshje të përgjakshme me repartet serbe, të cilat me këtë rast përdorën edhe artilerinë e rëndë.

Në këto përleshje nga predhat e topit u vranë: Nebi Latifi e Brahim Jashari nga Brruti dhe dy burra trima nga fshati Kabash i Prizrenit. Pas një qëndrese heroike, forcat shqiptare (në munges të municionit) dhe të ndodhur përballë një armiku shumfishë më të madh në numër e të armatosur me topa e mitralozë, u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zhurit, për të kaluar pastaj nëpër malet e Koretnikut dhe të Gjallicës në thellësi të krahinës së Lumës.

Hasan Prishtina pas largimit nga zona e luftimeve, duke e përjetuar rëndë këtë disfatë do të deklaronte: ”Na luftojmë e ndoshta gja nuk gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh kanë me i gjetë shejet tona…” (13) Ato ditë, Hasan Prishtina me disa luftëtarë nga fshati Dobrusht kalon Drinin e Bardhë dhe kalon në Has, dhe prej kësaj zone pas disa ditësh shkon në Shkodër.

RAPSODI POPULLOR PËR BETEJËN E ZHURIT

Rapsodi popullor për Betejën e Zhurit ka thurur edhe këngë popullore:

“…N´Kull´të Lumës jan´bashkue,

diqin gjem jan´besatue.

Sul´Elezi foli´i fjalë:

“Kush asht burr´e kush asht gjalë,

shpejt kufinin m´e kalue,

mar-e Zhurin m´e rrethue,

Hasan Prishtinën m´e ndihmue”…

Hasan Prishtina kobec (14) ish kanë,

Po m´i prin´mirë kta lumjanë,

Mar´llagamet i ka rrethue,

Shum-e shkijet i ka damtue.

PËRFUNDIM

Pas kësaj kryengritjeje të përgjakshme, banorët e fshatrave Zhur, Shkozë, Dobrusht e Vërmicë, për t´i shpëtuar masakrave serbe, u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fshatrat e Lumës: Shtiqën, Nangë, Bicaj, Gabrricë, Kolesjan etj. Atje qëndruan rreth tre muaj dhe pikërisht ditën e shëngjergjit, më 6 maj 1915 do të kthehen në shtëpitë e tyre, të cilat ishin plaçkitur, djegur e shkatërruar nga ushtria serbe dhe nga serbët lokal (sreckalitë), të ashtuquajtur si “raja serbe” e Prizrenit.(15) Pushtuesit serbë, përkundër vrasjeve e masakrimeve, djegjeve e shkatërrimeve të vendbanimeve shqiptare, çarmatosjes me dhunë, marrjes peng dhe burgosjeve të shumta…, shpërnguljeve të mijëra shqiptarëve për në Turqi e gjetiu, nuk mundën ta shuanin dot qëndresën shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar. Rezistencën shqiptare e vazhdoj çeta e Azem e Shote Galicës.

______________

Literatura:

1 Shefqet.Hoxha – Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.2658 (cit. Hasan Prishtina – dokumente, Tiranë 1983 – / dok.50,fq.927)

2 Po aty, /Hasan Prishtina – Dokumente, Tiranë 1983 – dok. 51, fq. 93; dok. 53, fq. 94 / 96.

3 Sh. Hoxha – Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, f.266-267 / I.Strazimiri (Kujtime 1910 – 1924) AIH Dosja A – VII-94.

4 Sh.Hoxha – Portrete e syzime atdhetarësh, Tiranë 2002, fq.168.

5 Mustafë Mamusha 78 vjeç, Kujtime…Kukës 18.12.1968.

6 Sh.Hoxha – Vepra e cituar, fq.46./ Sh.Hoxha – Luma në luftat për liri…,fq.270.

7 Kujtime nga plaku 86 vjeç Xhafer Shema nga Shtiqëni, 04.02.1972.

8 Po aty, / Xheladin Rustemi nga Nanga dhe Xhafer Shema nga Shtiqëni-kujtime nga ato ngjarje. -Në janar 1915 ishte kapur spiuni Isa Çaushi (Kuqoshi) që punonte për Serbinë dhe varet në Bicaj. Sipas një njoftimi në revistën ”Përparimi” nr.4/1916, Isa ishte prizrenas i cili ia kishte shitur shpirtin Serbisë.

9 Xh.Shala – Marrëdhëniet Shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990,fq.240/241.

10 Q.Mataj – Hoxhë Mehmeti 1867-1927, Kukës 2002,fq.132.

11 Ibish Avdi Rizanaj, Kujtime në dorëshkrim, Zhur gusht 1992.

12 Nga kjo betejë e përgjakshme në Zhur kanë shpëtuar 3 oficerë dhe disa ushtarë serb, të cilët u strehuan në shtëpinë Hysen Aga Hoxhës, njëri nga njerëzit lojal të pushtuesve serb..

13 Kujtime nga Mustafë Mamusha, 78 vjeç, Kukës 18.12.1968./ Sh.Hoxha-Luma në luftrat për liri…, fq.275.)

14 Skifter,

15 Sipas dëshmive të plakut Ibish Avdia nga fshati Zhur, për kthimin e banorëve të Zhurit dhe fshatrave tjerë përreth, ndërmjetësuan agallarët, që bashkëpunonin asokohe me pushtetin ushtarak serb, si: Hysen Aga nga Zhuri, Durmish Aga nga Vërmica, Bislim Kadria, Sherif Aga Bajrami nga Gjinovci, Haxhi Selimi dhe Jahja Aga nga Prizreni etj. Agallarët në qendër të Zhurit, banorëve të kthyer ju deklaruan se ”ju ka fal krali i Serbisë”!. Ndërsa të nesërmen e asaj dite (herët në mëngjesë) pasi e kishte falur namazin e sabahit, në të dalë nga Xhamia, xhandarmëria serbe e arreston atdhetarin Asllan Rexhë Ademajn (gjyshin e Remzi Ademajt – dëshmor i kombit), i cili nuk do të kthehet kurrë më në shtëpinë e tij (humbet pa shej pa dok).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura