(Shkup, 14. 01. 2013) – Një zhurmë e zgjatur dhe e mbytur që shoqëronte vetëtimën, edhe kësaj here nuk bubulloi ndonjë lajm të mirë, mbase as të zi në qiellin e kaltër, por një lajm të mjegulluar, edhe pse atë ditë rrezet e diellit lirshëm shponin ujin pa e spërkatur askënd, depërtonin nëpër xhama pa i thyer ato dhe shkilnin tokën pa e rënduar dheun e saj, madje ato rreze piketuan edhe në malin e dendur me pyje nga më të ndryshmet. Populli nuk di kah t’ia mbajë në këtë mal me përplot shtigje, duke mos ditur se cili shteg të shpie në oazën e mirëqenies së përgjithshme. Këtë ecejake e pengojnë ata që hiqen se po thonë diçka dhe në të vërtetë rravgojnë vetëm ca pështjellime. Para disa muajve, edhe atë, kur partia maqedonase në pushtet i zgjoi prej gjumit ata që duket se kishin harruar se kishin premtuar zgjidhje në fund të vitit 2009 për ish luftëtarët shqiptar dhe për familjet e të rënëve. Kjo nyje e ndërlikuar as në fund të vitit 2012 nuk u zgjodh, duke u trajtësuar kështu zgjidhësit në pengues të prurjes së ligjit të një anshëm, që parasheh zgjidhje vetëm për ish mbrojtësit maqedonas të sigurisë.
Sikur fjollat e borës që për të mbërritur në tokë barten andej e këndej prej erës, ngjashëm u përhapë dhe u bartë edhe dyzimi i asaj, do të bie apo nuk do të bie qeveria, mbase tashmë bryma në stinën e vjeshtës e kishte bërë të vetën, sa për t’i plandosur gjethet në tokën që ngrihej në mëngjesin e hershëm. Qytetarët e Maqedonisë qartë e kuptonin se stina e vjeshtës tashmë kishte trokitur në dyert e qeverisë, mbase edhe ishin kredhur thellë në atë dyzim, duke u përthekuar kështu ngusht me batanijen e shqetësimit, jo nga shkaku se pas një përgjigje përfundimtare prisnin ndonjë zgjidhje të perit shumënyjëshe, por atyre u interesonte vetëm të bëhet diçka jo e natyrshme, ngase me gjësende të jashtëzakonshme që lundronin zakonshëm në shtratin e lumit pa ujë ishin lodhur. Teksa populli priste që kësaj qeverie dhe të parit të saj t’i jepet grushti i merituar përmes votëbesimit (mocionit), krejt beftë njoftohemi se Ibrahim Sulemjani ish luftëtar i lirisë kishte vdekur në burgun e Shtipit. Ky vdiq dhe vdekja, shkaku dhe pasojat e kësaj dukurie u përmendën vetëm disa ditë në Maqedoninë telashexhike dhe pastaj kjo dukuri dhe shumë të ngjashme si kjo u harruan tërësisht në festat e nëntorit, që anembanë Shqipërisë dhe trojeve ku flitej shqip, gëlonte përmendja dhe theksimi i atyre që kishin vërë tulla në murin e shqiptarisë, për të cilin festohej 100 vjetori i ngritjes së tij.
Dyzimi tashmë përjetoi një zhvendosje, por assesi një zbërthim të shumë të panjohurave që ishin bërë mysafirë të mërzitshëm të shtëpisë gjysmë të rrënuar të qytetarit shqiptar. Rënia e qeverisë tashmë nuk i interesonte gjithaq qytetarëve, ngase kishte rënë mistershëm ish luftëtari i lirisë, mbase kjo njëherësh mund të ishte edhe një argument shtesë se kjo qeveri që prodhon të vdekur me emërtime “vdekje të natyrshme”, patjetër duhet të vdes, varrmihës të së cilës do të ishin vetë ata që e sollën në këtë zgrip qeverinë dhe qytetarinë e këtij vendi.
Meqë nuk u plandosën përtoke gjethët në vagëllimin e acarit, atëherë si shenjë falënderimi, pas rrëzimit të votëbesimit dhe mosrrëzimit të qeverisë, disa të rinj maqedonas të ushqyer prej ideologjisë së të parit të qeverisë, edhe njëherë dëshmuan se bashkëqytetarët e tyre shqiptar nuk i duan, ata prej tyre duan vetëm gjak dhe dhoma gazi, ngase kështu i mësuan gjyshërit dhe udhëheqësit e tyre politik. Nga kjo llavë ujqish, sa ora pritej që të pësojë ndonjë i pafajshëm shqiptar dhe pastaj sërish puna të fillonte nga e para. Ajo do të ishte: “Ejani së bashku ta mbjellim farën e përbashkët, sepse dielli lind njësojë për të gjithë”! Kjo do të bëhet pasi të bëhen me vaj familjet shqiptare dhe në fund të del dhe të rrjedhë se fara ishte hedhur në asfalt dhe se kjo farë vetëm kishte ndotur asfaltin dhe për ndonjë mbirje as që mund të bëhet fjalë.
Gumëzhima dhe angullima e shqiponjave u shua. Nëntori ia mbathi për në dhjetor, me këtë edhe premtimet e mërzitshme dhe disa herë të përsëritshme. Erdhën ata që vetëm pesë ditë në vit shqiptarët i gëzuan me mospengim të valëvitjes së flamurit shqiptar. Dhjetori paralelisht me prurjen e acarit, solli edhe mërdhirjen e shqiptarëve, atyre pra që ishin nxehur goxha shumë prej fjalëve patriotike (lexo: patetike) të nxjerra prej barkmëdhënjëve. Vargani i trishtueshëm vijonte: “Rrihet një shqiptar në Shkup deri në alivansoje prej disa huliganëve maqedonas; rrihet një turk, vetëm pse kishte folur në gjuhën e tij amtare nga e njëjta dorë; rrihet i riu nga Hasanbegu prej njësisë policore, Alfa; gjykimi për rastin Monstra vërshon edhe me të akuzuar të tjerë; ekstradohet (depërtohet) Shukri Aliju në Maqedoni, njeri që edhe organet përgjegjëse janë në pështjellim dhe në dyzim, vallë ta akuzojnë si kryearkitet i vrajes së pesëfishtë, apo ta burgosin nën akuzën se ky është islamist rrënjësor (radikal) dhe disa protestojnë për ta bllokuar buxhetin dhe disa të tjerë kundër bllokuesve të buxhetit, edhe pse miratimi i një anshëm i buxhetit për këtë vit, i la gojëhapur të gjithë ata të cilët kishin nënvizuar vërejtje të drejta për përmabajtjen dhe metodat e sjelljes së këtij buxheti social” dhe një sërë lajmesh të ngjashme e vërshuan shtypin ditor në Maqedoni dhe në rajon, edhe atë, vetëm sa iku dalldia e festave të nëntorit.
Kësisoj, edhe për të satën herë qytetarët shqiptar në Maqedoni përjetuan lodhje dhe shkërmoqje, dërmim ky që vinte prej bubullimës trishtuese, që vetëm bëzante duke lajmëruar ndonjë pikë shiu, teksa thatësia ishte bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare. Nëse edhe më tej të zgjedhurit tanë bubullojnë dhe fare nuk pikojnë shi (lexo: mëshirë) në tokën që shihet dhe preket, atëherë mos të hidhërohen nëse ndokush i hedh në analogji me qentë, duke i njësuar ata me atë thënien popullore, se qentë që lehin nuk hajnë, por vetëm lëpijnë ashte ngordhësirash!
=================================
ILJASA SALIHU: MAKINA E BUKUR PA RROTA
Vetëm kalimi i pragut duket të jetë i vështirë, ngase hapat tjerë do të jenë të lehtë. Vetëm vështirë t’i rreket djali mësimit, sepse çështja e vlerësimit dhe e të kuptuarit do të ishte e lehtë. Kohët e fundit më ka pushtuar një plogështi dhe lodhje për të vrapuar maleve e fushave, përndryshe do të dilja i pari në garën maratonike. Në këtë strumbullar sillet mendësia e politikës shqiptare. Ajo që na pikëton të mirat që duhej t’i kishim dhe me brof, sikur i prekuri prej djallit, ia nis rrëfimit të pamundësisë së gjuajtjes në atë pikë. Ajo ndezi euforinë e qytetarëve, por stuhitë prej flakës i la në mëshirën e erës, erë e cila vetëm sa e përshkallëzoi zjarrin.
Në prag të festimit të njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të gjithë shqiptarët gjithandej ku gjendeshin u mbërthyen me një gëzof shqiptarie të paparë ndonjëherë, madje një galdim i tillë mungonte edhe në luftërat që rrodhën në këto hapësira të murrme. Sikur në çdo drejtim që kemi humbje dhe fitore, njashtu edhe kjo garë nuk shpëtoi pa të atillë që me ngazëllim të lartë ngritën medaljet përpjetë dhe pa të atillë që në pamundësi të prekjes së atyre dhuratave, pësuan shtrëngata nëpër gjokse, pasojë kjo që do t’i vërshonte edhe luginat më të gjëra. Ai që fitoi ishte kryeministri i Shqipërisë, deri diku ai i Kosovës dhe disa udhëheqës shqiptar të gjymtyrëve të Shqipërisë së Ismail Qemal Bej Vlorës. Ndërsa humbës të asaj zallahie ishin qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë së Sali Berishës.
Më datën 29 Nëntor të këtij viti, ndërmarrjet që udhëhiqen prej shqiptarëve të Kumanovës, nuk mbajnë mend të ketë pasur ndonjëherë një harlisje kontrolli prej inspektorëve financiar, thuajse pikërisht atë ditë kishin vendosur t’i qaseshin sinqerisht luftimit të krimit ekonomik. Fjalët e atyre që shushatën këta qytetar, diku nëpër skaje të errëta u fashitën, ashtu siç fashitet zjarri në orët e vona të natës. Rrëshira e tërbimeve nuk mbaroi vetëm me dënimin e ndërmarrësve shqiptar për parregullsi financiare, por ajo vijoi të lëshojë shtat edhe në Luginën e Preshevës. Lapidari që mbante të shënuara me skërmitje të gjithë emrat e të rënëve shqiptar në luftën e vitit 2000/01, filloi t’ia thumbonte sytë vrasësve serb apo atyre që përkrahën vrasësit dhe shkeljet çnjerëzore.
Kryeministri i Serbisë i dërgoi të fala të akullta përfaqësuesve politikë shqiptar për një veprim të ngutshëm, madje edhe provokues. Pa humbur kohë, zëdhënësi i dikurshëm i kasapit të Ballkanit, tha që ai lapidar ku përurohen kriminelët menjëherë të hiqet, ose përndryshe ai me shpurën e tij do ta hiqte, duke e bërë kështu atë epitaf neveritës për sytë e tyre copë e gri. Kundërpërgjigja e politikanëve shqiptar të asaj ane qe e shpejtë. Ata i thanë këtij satrapi të vogël, hiqe po ta mbajti! Hmm, deklaratë e guximshme, apo jo? Sigurisht që po! Po ku e morën atë guxim kaq të trimëruar se? Ende nuk dihet, por mos marrja e ndonjë rruge të dhunshme nga ana e mendësisë sllave, tregoi se kjo çështje nuk ishte pika e nxehtë e atij vargmali të kapur prej flakës gjithandej. Në rend dite ishte çështja e bisedimeve dhe ajo e Mitrovicës, ndaj dikush e shfrytëzoi rastin që të thotë edhe fjalë për të cilat dikur të shkonte koka, ndërsa sot, lëre që koka mbeti ajo që ishte, por edhe kolltuku fare nuk e ndërrojë butësinë dhe ngrohtësinë e tij.
Në këtë mejdan burrash e grash, kryeministri i “gjithë” shqiptarëve nuk bëzajti fare, apo tani së fundmi tregoi shenja jete përmes një paraqitje të shkurtër. Ndërsa ai i Kosovës i dërgoi selame të ashpra këtij matufi, me të cilin njëkohësisht shtrëngonte duart në Bruksel. Përmes mediave sikur mburravecë ziheshin dhe posa takoheshin sy më sy, ledhatoheshin e zgërdhiheshin. Për ta arsyetuar pamundësinë e shtrirjes së mbretërisë së tij në pjesën veriore të Kosovës, ai gjente vullnet dhe forcë të bëhej edhe gardian i atyre shqiptarëve që ende gjenden jashtë kangjellave të Shqipërisë dhe të Kosovës, edhe pse fjala gardian t’i kujton rojet me trupa muskulor të burgjeve.
Lapidari vazhdon t’ia vret sytë e atyre që panevojshëm defilojnë me motorë e kamionë mes përmes Luginë së Preshevës, edhe përkundër rrebeshit të kritikave prej kryetarit dhe prej kryeministrit serb për këtë ngrehin të vockël. Përfaqësuesit politikë vazhdojnë të shihen të pa kompromis rreth kësaj çështjeje. Por ajo që mua më brengos është mendësia e ngushtimit të çështjes së vërtetë shqiptare. Ata në vend se të merren me jetësimin e Marrëveshjes së Konçulit, për të cilën edhe u lëshuan armët në tokë, ose të merren me ceremoninë mortore të saj, ata merren me gjëra që edhe praktikisht e zhvendosin vëmendjen prej kësaj marrëveshje, rëndësisë dhe pasojat e mosrealizimit të saj. Marrëveshja e Konçulit, mos zbardhja e vrasjes së Komandant Lleshit dhe vijimi i vuajtjes nëpër burgjet e Serbisë i të ashtuquajturve Grupi i Gjilanit, vërtetë venit çdo përpjekje të sinqertë për ta mbrojtur këtë lapidar, qoftë edhe me derdhje gjaku.
Nuk mjafton të jetë vetëm e bukur makina që nuk ecën si pasojë e mungesës së rrotave. Ta pajisim me rrota dhe me goma të mira makinën e bukur, pastaj le të defilojmë lirshëm përqark krenarisë sonë, përndryshe do të dilnim qesharak edhe përpara pasqyrës sonë!
Shkruar në dhjetor 2012