PËRKRAHENI UKRAINËN POR MENDONI PAK EDHE PËR KOSOVËN!

PËRKRAHENI UKRAINËN POR MENDONI PAK EDHE PËR KOSOVËN!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 17 mars 2022  

Analfabetë vendorë, “ekspertë“ ndërkombëtarë

Është thuaja si rregull që popujt e vegjël e që nuk janë në gjendje t’i zgjidhin as problemet më të vogla brenda vendit apo shtetit ku sundojnë, për udhëheqës kanë personalitete apo individë që kryesisht  merren me tema të mëdha të politikës globale përkatësisht sillen sikur të jenë kunxhi rreth të cilit sillet krejt bota , universi dhe toka . Në paraqitjet e tyre për t’u dukur sa më të mençur, as që përmendin  problemet e popullit nga i cili janë shkëputur sa kanë ardhur në pushtet, jo vetëm kjo qeveri por thuaja të gjitha. Disa prej tyre ,  mangësitë e njohurive politike dhe intelektuale  përkatësisht përmbajtjen boshe e mëshehin me një perde të jashtme në formë të veshjes moderne, sa për përshtypje vizuale ndërsa të tjerët, nuk i kushtojnë edhe aq shumë rëndësi veshjes sa i kushtojnë rëndësi përpjekjeve për të lënë përshtypje se janë shumë të mençur. Kemi  raste që dikush e lidhë kollaren si të ishte nyje e kapistrës me të cilën lidhet gomari kurse , dikush tjetër , si Dastin Hofmani e përdorë krevatën flutur , ndonëse e luan një rol të padenjë edhe për një komedi në nivel të një mëhalle. Më kanë treguar një rast kur njëri që e konsideron veten Ajnshtajn të politikës kosovare me synime që të jetë edhe i politikës shqiptare , gjatë një vizite në një shtet të fuqishëm e që historikisht asnjëherë nuk ka qenë përkrahës i shqiptarëve , në sygjerimet e kryetarit të atij shteti se çfarë veprimesh duhet të merren në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të fillojë t’i merr pak më seriozisht , ky fyelli ynë ka filluar t’i flasë për Revolucionin Borgjez Francez , rënien e Bastijës , Dekartin , Viktor Hygon, Robespierin, Dantonin etj. Dhe, si përfundim e ka marrë përgjigjen se e falenderon shumë për viziten dhe sidomos se paska ardhur t’ia mësojë historinë e Francës dhe të popullit francez. Ky ekzibicionizëm për t’u paraqitur ; “ më katolik se Papa “ , ky perversion gjysëmintelektual  dhe puritanizëm imoral është shenjë identifikuese e një numri jo të vogël të politikanëve të Ballkanit me të cilin luajnë k..e politikanët që marrin vendime në nivel global duke i përdorur si kondomë buzë afatit të skadencës apo letër toaleti me një reciklim të një materiali shumë të dyshimtë. Po , kështu duan , dhe kështu e meritojnë sepse jetojnë dhe veprojnë për t’iu pëlqyer të tjerëve , për të marrë opinionin  e ndërkombëtarëve duke injoruar bazën e tyre elektorale apo rrënjët njerëzore , kombëtare , politike dhe morale , nëse ende ndjejnë se janë pjesë të atij mjedisi.

“ Ekspertët “ për çështjen ruse , kineze , serbe dhe , tash edhe ukrainase

Prej kabinetit të kryeministrit Kurti më së shumti më bënë përshtypje Donika Shvarc Gërrvalla që me këmbëngulje ia ka futur vetes në kokë se qenka ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe , ndonëse me asnjë veprim nuk e ka dëshmuar se është e vërteta  , madje me të gjitha veprimet ka dëshmuar se është huqje antologjike dhe historike , përsëri e luan të njëjtin rol  ! Ku të shkonë flet si sinologe , rusologe  , ukrainologe dhe serbologe , deri sa të shkaktohet ndonjë krizë e re botërore e që duhet domosdoshmërisht të merret edhe me atë krizë , si eksperte universale dhe e pazëvendësueshme. Në vend se të merret me diskualifikimin ndërkombëtar të Kosovës nga të gjitha shtetet vendimmarrëse , zonja Shvarc – Gërrvalla përpiqet ta bind botën se , sidomos kohëve të fundit paska një përafrim të marëdhënieve midis Rusisë dhe Serbisë ( të cilën askush nuk e ka ditur deri më tani ) dhe se Rusia përmes Serbisë po e rrezikon veriun e Kosovës ku zonja Gërrvalla nuk guxon të shkojë as me 8 Mars  dhe se , nëse nuk mbrohet Kosova ,e pati demokracia , stabiliteti dhe siguria ndërkombëtare! Çfarë gjenialiteti apo profecie e Gjyshe Vangës gjermano – shqiptaro – kosovare ! Jam i bindur se edhe këshilltari politik i çerdhes politiko – ideologjike të Albin Kurtit , do të ishte më i zoti dhe më mirë do ta përfaqësonte Kosovën në politikën e Jashtme , nëse edhe mund të flasim se kemi politikë të jashtme , se Sizifja që aktualisht është në krye të kësaj ministrie  e që , në vend se ta rrokullisë gurin ( çështjen e Kosovës ) lart , vetëm sa po e kthen poshtë e më poshtë ! Kam shpresuar se kjo ministre , njëkohësisht edhe zkryeministre , më në fund do ta kuptojë se është kurdisur në kohë të gabuar dhe në vend të gabuar dhe se do të largohet , pa pasur nevojë të shkarkohet , mirëpo , siç thoshte dikur Gjilasi ( një politikan i shquar jugosllav ) , ; “ pushteti është pasioni më i madh …” , largimi nga pushteti , në rrethana aktuale dhe jo vetëm aktuale shkakton efekte zinxhirore të frustracionit dhe shfrytyrim të personalitetit. Dhe , largimi eventual nga posti të cilin me asgjë nuk e meritoni , për mentalitetin e baushtellës politike është e paimagjinueshme , deri sa të lodhet Sizifi ! Nuk është kjo e vetmja ministre e kryeministrit Kurti që duhet të shkojë në recycle bin mirëpo gjeografikisht është më afër shportës recikluese  , se të tjerët. Dhe , jam shumë i sigurt se kjo vetëm sa do t’i bëjë mirë . Do të ketë më shumë kohë të merret me komandantët dhe politikanët e UÇK-së  që janë robë paqeje në Hagë për shkak të luftës që e kanë bërë , të merret me UÇK-në që e ka trajtuar si një ushtri okupuese , të merret me të burgosurit politikë shqiptarë që i ka pasur halë në , jo vetëm njërin sy por në të gjitha shqisat dhe , edhe post mortem të merret me Bacën Adem . Dhe , pasi  Ukraina ka nevojë për vullnetarë nga e gjithë bota dhe pasi për shkaqe objektive ( të mosdurimit ndaj UÇK –së ) , ka mundësi të shkojë vullnetare në këtë shtet , në emër të mbrojtjes së vlerave demokratike universale , integritetit territorial të Ukrainës me Krimenë , Donbasin dhe Luhanskin brenda sepse Veriun e Kosovës e ka integruar me shumë sukses , mbrojtjes së njerëzimit nga një agresion i një shteti siç është Rusia për të cilën Donika Shvarc – Gërrvalla ka tërhequr vërejtjen para të gjithëve se po e trazon Ballkanin dhe të tjerave. Kontributi dhe ndihma më e madhe për politikën e jashtme të Kosovës është që këtë post ta ketë dikush që merr vesh në këtë punë e që qartazi nuk e kemi një person të tillë aktualisht !

Mecenarizmi politikë dhe moral në rastin e Ukrainës

Rusia dhe Ukraina kanë qenë për një kohë të gjatë një shtet kurse pas shpërbërjes së perandorisë sovjetike Ukraina e fitoi një pavarësi të mbikëqyrur nga Rusia. Më vonë , në vitin 2014 Rusia e pushtoi Krimenë për të njohur së voni Donbasin dhe Luhanskin , si republika – shtete të pavarura nga Ukraina por të varura 100 % nga Rusia. Kjo njohje e banana shteteve të Donbasit dhe Luhanskit provoki intervenimin në cilësinë e “ paqeruajtësit “ të Rusisë e që po përhapet në tërë Ukrainën. Shqiptarët historikisht kanë pësuar nga të gjithë e më së shumti nga Serbia e cila është fëmijë , jo i birësuar por real politik , fetar , moral dhe kulturor i Rusisë andaj nuk ka asgjë më e natyrshme të përkrahet e drejta e Ukrainës për shtet , liri dhe pavarësi . Mirëpo , duhet të thuhet qartazi se lufta në Ukrainë nuk është as e Kosovës e as e kosovarëve apo shqiptarëve , për të shkuar në luftë atje. Kosova e ka Donbasin , Luhanskin dhe Krimenë brenda territorit të saj e që nuk po ka mundsëi t’i zgjidhë , për të luajtur rol të madh në këtë luftë të padrejtë siç po pretendon presidentja Osmani , disa ministra dhe vet kryeministri Albin Kurti . Janë shtëllunga mashtrimesh se tani do të bëhemi anëtarë të NATO-së , BE –së dhe Këshillit të Evropës , siç po deklarojnë disa politikanë kur , në po këtë kohë as vizat nuk po i heqin , madje e kanë futur Kosovën në një izolim ndërkombëtar duke bojkotuar takimet në nivelin më të lartë sidomos me kryeministrin Kurti. Realisht , të gjitha këto i kushtëzojnë me “ përparimin përmbajtësore të procesit të bisedimeve me Serbinë “ , “ marrjen e vendimeve të guximshme “ , “ pranimin e kompromisit të dhimbshëm për Kosovën ,,” etj., etj. Është e mërzitshme përsëritja e përditshme e presidentes Osmani se Serbia donë ta merr veriun e Kosovës me ndihmën e Rusisë , se veriu është nën kontrollë të paramilitarëve politikë të Serbisë dhe Kosovës dhe , së fundi se presidenca e Kosovës e gjykon ashpër pjesëmarrjen e serbëve në krah të Rusisë në luftë kundër Ukrainës …Nuk ka takim e që nuk përmendet frika nga ndikimi i Rusisë , përmesë Serbisë në Kosovë , dhe nga pozita e një lypësari kërkohet që të intervenohet dhe mbrohet Kosova në kohën kur , po edhe vetëm një uniformë e NATO-së të vjerret në një pemë të veriut , Serbia nuk do t’i mësyjë Kosovës . Kjo është e qartë  edhe për analfabetët e politikës rurale! Tjetër çështje është nëse në kombinimet për zgjidhje të çështjes së Kosovës , vendimmarrësit botërorë do t’i lejojnë Serbisë një intervenim të sforcuar ushtarak për të marrë atë territor që mendojnë se i takon Serbisë e që pastaj do të konkretizohej përmes bisedimeve politike apo në ndonjë konferencë ndërkombëtare. Prandaj , udhëheqësit politikë të Kosovës duhet ta përkrahin Ukrainën por se duhet të punojnë më shumë për “ ukrainasit “ e Kosovës , në veri të Kosovës , në radhë të parë por edhe në pjesët tjera të Kosovës që , përveç problemeve të sigurisë përballen edhe me probleme të natyrës ekzistenciale për shkak të gjendjes ekonomike të rënduar . E rilexova intervisten e ambasadorit të Ukrainës në Beograd ku shprehimisht dhe qartazi thotë se Ukraina nuk e ka ndërruar dhe as nuk do ta ndryshojë qëndrimin për njohjen e  pavarësisë së për faktin e se njeh integritetin territorial të Serbisë , me Kosovën brenda këtij integriteti territorial. Tash , “ukrainasit” e politikës kosovare gjejnë dhe do të gjejnë arsyetim se ambasadori ukrainas në Beograd , për shkak të ndjeshmërisë së situatës nuk guxon të flasë ndryshe por , mendoj se formulimi i tij do të duhej të ishte më diplomatik e jo të flasë njëjtë si Aleksandar Vuçiqi , Vulini dhe Daçiqi . Në fund të fundit , mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nuk do t’ia kthejë Ukrainës as Krimenë , as Donbasin e as Luhanskin. Për këtë nuk kam asnjë dyshim ! E drejta që nuk mbështetet me forcë është kategori morale dhe asgjë tjetër. Prandaj , udhëheqësit e Kosovës , pozitë dhe opozitë duhet ta kenë të qartë se lypësi nuk e merr ate që e kërkon por ate që ia falin të fuqishmit . Prandaj , të gjithë duhet dhe do ta përkrahim Ukrainën por duhet dhe do të punojmë për Kosovën për të mos lejuar që Kosova të bëhet Ukrainë !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura