PEDAGOGJIA E ZEZË E EUROPËS…
Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 28 mars 2022
Tash 23 vjet ushtritë serbe, në ndjekje të amzës dhe doktrinës së vjetër, do të vrisnin në Krushë 243 civilë shqiptarë.
Dhe Europa vijon t’na mbajë pedagogji të zezë: mësimnxënie ose ndëshkim!
Lektyra e eurokratëve, një krahu të saj, flet për mrekullinë e miqësisë frëngo-gjermane. Dhe këtë leksion të faljes e harrimit nuk ngurrojnë, përsëritshëm deri në lodhje, t’i japin detyrë sh’pie Kosovës.
Por është një keqkuptim i thellë i kuadrit historik dhe palëve të tij.
Gjermanët, vërtetë, pushtuan dhe poshtëruan “kombin e madh” francez. Mirëpo pastaj, kur lufta mbaroi e nacistët u kthyen humbës në shtëpi, në votrat gjermane e gjitha do të niste nga e para: dënimi i ariozofisë, komisioni i denacistifikimit dhe reflektimi pendestar. Madje, një kulturë e paqes që vënte deri në mohimin e qenies, në idenë e vetëzhbërjes, si do thoshte kult-shkrimtari frëng Michel Houellebcq.
Europën q’ë vetë rrënoi do t’a mëkëmbte prapë vetë: me ekonomi e civilizim të ri libertar.
M’anë tjetër, ndërkaq, në shpirtin politik serbian kjo qytetni nuk ngjizet dot. Gjermanët nuk kërcënonin sërish Francën a Britaninë pas luftës së dytë. E Serbia trazon e kanos me armë gjithë Ballkanin.
Dhe, poashtu, Republika kryulur e modeste e Bonit nuk manipulonte etnitë gjermane të mbetura akoma në viset perëndimore të Çekisë a Polonisë. E Belgradi e bën këtë ditë e natë dhe brutalisht: në Kosovë, Bosnjë e në Mal të zi.
Dhe, tutje, ndërsa gjermanët pranuan klauzolën e fajit dhe katarsisin, serbët nuk e njohën këtë ndjesi sublime. I bien mohit krimeve, dëbimit biblik të shqiptarëve, dhe spsatrimit etnik e gjenocidit në Bosnjë dhe Kosovë!
Aherë për ç’falje e pajtim flet Brukseli i Petër Stanos?
Është adresë krejtësisht e gabuar e saj. Pedagogjia e zezë duhet ligjëruar në Belgrad.
Në Belgradin q’e sfidon me arrogancë dhe në gjithçka: në parimet komunitare, në demokracinë, në orientimin strategjik, në refuzimin e krimeve dhe dëlirjen e ndërgjegjes.
E pra, në gjithçka që quhet Europë!
Porse, për çudi, nga dinjitarët cinikë të Brukselit vjen vetëm përkorje e ledhatim. E kuptoj shkronjën e ftohtë gjeopolitike: e duan larg Rusisë. Por a nuk doli kapitëse dhe mashtruese loja e dyfishtë serbe? Dhe a nuk bëri Serbia zgjedhjen definitive, ndërsa do të rreshtohej pa asnjë taktikë formale, n’krah të Rusisë së Putinit?
Apo, mbase, Europa, gjithnjë fragmentë të saj, arsyeton mizorisht: ti shtypim e shtyjmë shqiptarët për të lëvizur drejt lëshimeve fatale.
Fundja, thonë më vete, ata s’kanë ku venë. S’kanë një Rusi me të cilën, si një gogol mnerues, shantazhojnë e trëmbin Europën.