VALS (*) BREGDETAR …
Nga Elife Podvorica Jashari, Shëngjin 14. 07. 2022
“Janë dy ditë gjatë vitit që nuk mund të punohet: e djeshma dhe e nesërmja. Andaj shijoje dhe jeto vetëm në të tashmen”. Dalai Lama
…Dhe teksa unë po mundohesha të kapja çastin e “të tashmes”, përveç zhurmës së valëve të harlisura, ishte dhe kori i gjinkallave që depërtonin anë e përtej çdo mendimi apo filozofie. Meq dielli i mesditës sa vinte e bëhej më përcëllues, edhe kënga e tyre mirrte hov më shumë. Aq shumë sa më tërhoqi vëmendjen dhe përpiqesha të dalloja frymëmarrjen e tyre. Sepse, këndimi i tyre kishte vetëm një fillim, por mbarimi nuk vrehej fare. Kjo më bëri kurioze sa fillova të shiqoja dhe orën dhe të numëroja kohën sa këndonin pa marrë frymë asnjëherë. Kurrsesi nuk mund të dalloja momentin kur merrnin frymë, ndërsa këndimi i tyre zgjaste me minuta të tërë.
Zot çfarë krijesash – thoja me vete!
-Po ku e kanë gjithë atë kapacitet të mushkërive që të nxjerrin frymë pa fund kohor.
Natyra e ka rregulluar programimin për secilën qenie të gjallë-po mendoja me vete. Por, nuk u knaqa me këtë përfundim dhe posa u ktheva në shtëpi, i hyra internetit të rrëmoja. Gjeta disa variacione. Bile njëra shkoi aq larg sa gjinkallat kishin qenë të pagëzuara që nga koha pellazge, pastaj erdhi helenizmi me Afrodita,etj. Aq larg mori vrullin sqarimi, sa ato vetëm insekte nuk mbetën më. Megjithatë, gjeta diçka që mirrej me to vetem si insekte. Në një sec sqarohej aty, gjinkalla këndonte 500 here… ”xërr,xërrrr….’.dhe veshi i njeriut nuk arrinë ta dallojë se kur marrin frymë dhe sa e zgjasin frymënxjerrjen. Besoj se të gjithë e dijmë fabulën e Ezopit, ”Gjinkalla dhe milingona”… Në kohërat që shkuan, milingona dilte e menqura, ndërsa në kohën që po jetojmë, gjinkalla arsyetohet, sepse po jeton “vetëm në të tashmen”…
Ku ta dijmë pas 100 vjetësh, si do të funksionojë njerëzimi – në të shkuarën, të tashmen, udhëtim nëpër kohë, apo do të transformohet në një qenie gjysëm të digjitalizuar?!!
Shqiptarëve të Kosovës, u ka mbetur që ta zhvillojnë aftësinë e të udhëtuarit në kohë, meq nëpër tokë s’po munden sikur gjithë njerëzit e botës. Por, nëse bëjmë një analizë, atëherë nuk mund të themi që ka pasur vetëm gjëra të këqija nga ky fenomen diplomatik vendor e ndërkombëtar. Sepse, po të kishim mundësinë e lëvizjes, nuk besoj që Mërgata që vjenë çdoherë në Kosovë e Shqipëri për pushime, sa herë ata kanë mundësi, do të vinte kështu pa hezitim edhe pse kolona e veturave dhe pritja nëpër kufi e prek 30 orëshin. Brenda nëpër makina ka shumë edhe fëmijë të vegjël që e kanë shumë të vështirë të adaptohen në ato pritje të gjata, me gjithë prindërit, për të cilët është një maltretim i vërtetë.
E tejkalojnë edhe këtë detaj, vetëm e vetëm që të arrijnë atje ku janë nisur. Në ngrohtësine e gjyshërve dhe familjarëve të shumtë. Qëndrimi i tyre në Kosovë, përmbushet me ngjarje të shumta, duke filluar nga drekat e darkat shumë antarëshe nëpër restorane. Pastaj ngjarjet familjare si fejesat e martesat, të cilat organizohen në këtë periudhë për shkak të mundësisë së ardhjes së gjithë familjarëve në event. Pas disa ditëve në Kosovë, itinerari vazhdon në bregdetin shqiptar ashtu të gjithë së bashku. Na shpotisin nganjëherë që i marrim me vete patligjanat dhe bostanin në plazhë, por për ato familje që mezi janë bashkuar, kjo është një lux i vërtetë, sepse është momenti kur familjarët llafosen e çmallen mes vete. Kam përshtypjen se asnjë komb nuk është i ndarë në dysh si populli shqiptar. Si dhe asnjë komb nuk e ka një barrierë të tillë, që njëra pjesë e familjes mund të udhëtojë, ndërsa pjesa tjetër nuk e gëzon këtë “fat”.
Andaj, vera me ngrohtësinë bregdetare dhe freskinë e maleve, sjellë edhe ngrohtësinë ndërfamiljare. Mërgatës duhet falënderuar për gjithë kujdesin dhe mundin e saj, që investimet kyqe i bëjnë në vendlindje… Ndërsa investimi hyjnor i mërgatës është ruajtja e gjuhës dhe traditës sonë tek fëmijët e tyre, ani pse ata kanë lindur dhe janë duke jetuar e shkolluar në një vend me gjuhë të huaj.
Knaqësia e fëmijëve të kapur për dore me gjyshërit, është një investim i papërshkrueshëm për të gjithë ata fëmijë që kanë fatin të shijojnë stërkalat e valëve të detit, nën rrezet e ngrohëta të diellit. Ne shqiptarëve, na i ka dhuruar Zoti me bollëk këto bukuri natyrore, prandaj nuk duhet të rrijmë me vaj në buzë pse nuk po kemi mundësi që t’i vizitojmë vendet tjera, sepse asnjë vend nuk të afron knaqësinë e këtyre çasteve magjike sikur në vendlindjen tënde…
“E duam vendin tonë dhe e respektojmë vullnetin e zotit që na fali shqiptar dhe në këtë copëz të planetit na i dhurojë bukuritë e rralla që sot po I gëzojmë” – ishin fjalët e një çifti bashkëshortor, të cilët me entuziazëm më flisnin gjersa po bleja kapelën time sot derisa po kthehesha nga plazhi…
Xërrr, xërrrr…vazhdonte kori i gjinkallave kryeneqe….xërr…xërr…gumëzhinin edhe mendimet e mia…
__________
Kuptimi i fjalës VALS
(*) Vals,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -e(t) term në muzikë; vallëzim në çift, duke u rrotulluar e duke lëvizur këmbët nga tri herë në secilën anë; pjesë muzikore që kërcehet në këtë mënyrë; vepër muzikore me këtë ritëm.