NJË FRANCEZ NË ÇIFLIGUN E ESAT PASHË TOPTANIT (GUSHT – SHTATOR 1909)

Shpalime historike

NJË FRANCEZ NË ÇIFLIGUN E ESAT PASHË TOPTANIT (GUSHT – SHTATOR 1909)

Përgatiti: Sheradin Berisha – Pashtriku.org, 29. 09. 2022

Në vitin 1908, Gabriel Louis Jaray historian dhe gazetar francez, i njohur për përshkrimet e udhëtimeve, një nga njohësit më të mirë të çështjeve të Europës Qendrore, Italisë, Ballkanit, Rusisë, etj, ndërmori një udhëtim nëpër viset shqiptare duke u nisur fillimisht nga Shkupi. Që këtu ai kaloi nëpër Kosovë (Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren) pastaj në Kukës, Lumë, Mirditë etj. Jaray e vijoi udhëtimin e tij në gusht-shtator 1909 nëpër viset e tjera shqiptare: nga Vlora në Durrës, Tiranë, Elbasan, Strugë, Resnje. Gjatë muajit gusht, Jaray, ishte i pranishëm në Tiranë, ku takoi edhe Esat Pashë Toptanin. Janë mbresëlënëse përshkrimet e këtij takimi, ndërthurur me informacionet dhe analizat historike e politike, por edhe me portretizimin e këtij personazhi të veçantë. Ky rrëfim në formën e një ditari, është pjesë e librit “Në mbretërinë e re të shqiptarëve” (1914), të cilin e botoi një vit pas publikimit të një tjetër libri mbi vendin tonë “Shqipëria e panjohur” (1913). Para pak kohësh këto dy libra përkthyer nga Asti Papa edhe në gjuhën shqipe u botuan në një libër të vetëm nga “Dituria”. Rrëfimi mbi Esat Pashë Toptanin është marrë nga kapitulli mbi Tiranën.

NË ÇIFLIGUN E ESAT PASHË TOPTANIT

Shkruan: Gabriel Louis – Jaray

Esat pasha doli në rendin e ditës të Europës, kur ai bëri marrëveshjen me kral Nikollën e Malit të Zi dhe kur i dorëzoi atij Shkodrën, si dhe më pas kur e shpalli veten si sundimtar i mundshëm i Shqipërisë dhe bëri një udhëtim në Itali dhe Europë. Por kur unë vajta në çifligun e tij, ai ishte vetëm kryetari i familjes Toptani. Mirëpo ndërmjet skotës së bejlerëve të Shqipërisë, familja Toptani është një nga më të njohurat e më të lashtat. Ashtu si familja Vlora në Vlorë, si ajo e Begollëve në Pejë, e Markagjonëve në Mirditë, e Biçakve në Elbasan, edhe familja Toptani zotëron e sundon mbi Tiranën dhe rrethinat e saj me fuqinë, me pasurinë, me marrëdhëniet e lidhjet miqësore që ka, si dhe me lashtësinë e saj. Dhe ndërmjet këtyre feudalëve, pronarë të mëdhenj tokash në Shqipëri, prej të cilëve krerët më të njohur dhe më me ndikim janë Ismail Qemali, Zenel beu, Prenk pasha, Dervish beu, një vend të veçantë meriton Esat pashë Toptani.

Zbërthimi i portretit

Unë u paraqita dhe takova një nga më kryesorët e familjes, Refik bej Toptanin, me të cilin do të nisesha për të vajtur në Kongresin Kombëtar Shqiptar të Elbasanit. Para se të niseshim për Elbasan ne vajtëm të dy bashkë, te kushëriri i tij, Esat Pasha. Shtëpia e këtij të fundit është në të hyrë të Tiranës. Kur sheh atë fushë të gjerë, të mbuluar me bar të gjelbër, disa pemë, një shtëpi të ulët dhe të zgjatur, të krijohet menjëherë përshtypja se ke para syve një çiflig të madh e të begatshëm. Atje në fund, nën hijen e një gështenje, është ulur Esat pasha me disa njerëz të familjes së tij. Ai ishte rrëzuar, kishte thyer këmbën, të clën e mbante shtirë dhe me zor mund të ecte disa hapa.

I veshur mirë e bukur në mënyrë europiane, por me fes mbi krye dhe me një cibuk të gjatë me kokë ari në dorë, ai të bën përshtypje me tërë fuqinë e moshës që ka. Ai sapo i ka kaluar të dyzet vjetët, ka shtat mesatar dhe sy zhbirues. Sigurisht që atij nuk i mungon zgjuarsia dhe aq më tepër dinakëria, por mua më duket se atij i mungon kultura e vërtetë. Për më tepër ai nuk ka as atë “lustër” kulture, të cilën e ka fituar kushëriri i tij Refik bej Toptani nëpërmjet udhëtimeve që ka kryer në shumë qytete të Europës, si dhe nga lidhjet që ka pasur me qytetërimin perëndimor. Tek Esat pasha ndihet menjëherë njeriu i luftës, ushtaraku energjik, i vendosur dhe brutal, por ndoshta shumë më pak mendjemprehtë nga ç’mund të jenë beljerët e tjerë këtu ose në vise të tjera të Shqipërisë.

Kundër xhonturqve…

Kur unë vajta dhe takova Esat pashën ishte koha e luftës ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve. Këta të fundit menduan të tregohen mirëdashës ndaj shqiptarëve dhe t’u bëjnë atyre lajka, mandej deshën që t’i bindin që të kishin besim tek ata. Për këtë qëllim xhonturqit stisën në Dibër mbajtjen e një kongresi gjoja shqiptar, të cilin e detyruan të miratojë me anë të një votimi pagesën e tatimeve, si atë të së dhjetës, kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga shqiptarët, përdorimin e gjuhës turke si të vetmen gjuhë zyrtare dhe si gjuhë të shkollimit në Shqipëri, dhe përdorimin e gërmave turke për shkrimin e gjuhës shqipe. Bejlerët e Shqipërisë së Veriut as që pyetën fare për këtë kongres dhe nuk deshën të dinë për vendimet e tij. Ndërkaq bejlerët e Shqipërisë së Mesme dhe ata të Jugut mendonin se xhonturqve u duhej dhënë një përgjigje. Prandaj kundër dëshirës së Turqisë dhe me pikësynimin për të pohuar vullnetin dhe dëshirat kombëtare shqiptare, ata vendosën që të mbahej në Elbasan, mu në kërthizë të Shqipërisë, një kongres kombëtar, thjesht shqiptar, në të cilin do të shpalleshin botërisht kërkesat e shqiptarëve. Në krye të lëvizjes ishin Bicakcitë e Elbasanit dhe Toptanasit e Tiranës. Edhe Esat pasha ishte përkrahës i tyre. Nga ana e tyre xhonturqit, që i kundërshtonin këto përpjekje dhe kërkonin që ato të dështonin, menduan të përdornin një mënyrë të stërholluar, por kjo gjë solli si pasojë zemërimin e mëtejshëm të bejlerëve shqiptarë. Ata caktuan si kajmekam në Tiranë Hysen bej Vrionin, i ati i të cilit Aziz pasha ishte deputet i Beratit në parlamentin turk, dhe e porositën atë që të ndiqte një politikë sociale tepër të çuditshme. Për më tepër ata vunë njerëz të posaçëm që të mbikëqyrnin veprimet e kajmekamit të ri. Megjithëse ishte shqiptar, Hysen bej Vrioni, si nëpunës i bindur ndaj eprorëve, u mundua që të nxisë dhe t’i kundërvërë fshatarët ndaj pronarëve të tyre të tokave, ndërsa zejtarët kundër bejlerëve. Agjentët e xhonturqve bridhnin nëpër pazaret dhe tregjet, përgjatë viseve të ndryshme të Shqipërisë dhe shpallnin kudo se qeveria e Stambollit do t’ua marrë tokën bejlerëve dhe do t’ua ndajë atë fshatarëve, popullit, nëse ky popull do t’i qëndronte besnik urdhrave të Portës së Lartë.

Xhonturqit shfrytëzuan fanatizmin fetar dhe luajtën për qëllimet e veta kartën e dëshirës së madhe të fshatarëve për të pasur tokat e tyre dhe kështu ia arritën që të përhapnin një frymë të vërtetë kundër bejlerëve në disa fshatra. Kur bejlerët kërkuan të ngrenë shoqatat dhe klubet e tyre kombëtare, të cilat ishin qendra ku mblidheshin shqiptarët, që kundërshtonin politikën turke, qeveria e xhonturqve vendosi që t’i ndalojë dhe t’i shkrijë këto klube dhe shoqata. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi edhe lëvizjen e fshatarëve. Qeveria e Stambollit e tuboi popullsinë fshatare në disa katunde rreth qyteteve, e drejtoi atë për në vendet ku ishin hapur këto klube atdhetare shqiptare dhe nxiti e lejoi që të ndodhnin përleshje dhe skena dhune kundër tyre. Më pas, gjoja për të qetësuar gjakrat, xhonturqit vendosën që të shkrihen tërë klubet shqiptare.

Të rrezikuar…

Kjo politikë sociale e kërcënonte ndikimin e lashtë dhe të trashëguar të bejlerëve në Shqipëri. Deri më sot nuk është sqaruar çështja nëse xhonturqit me këto veprime arritën që të nxisin në Shqipëri një luftë klasash të vërtetë, me qëllim që të rrëzonin regjimin feudal dhe të zhduknin ndikimin e bejlerëve, që u kundërvihej atyre. Sidoqoftë kuptohet fare lehtë sesa të prekur ishin bejlerët shqiptarë, veçanërisht Toptanasit, nga kjo politikë dhe ç’mëri kishin ata ndaj xhonturqve, aq më tepër që kjo politikë u shfaq më hapur në Tiranë. Prandaj mund ta përfytyrojmë fare bukur se ç’gjendje shpirtërore kishte Esat pashë Toptani dhe ç’qëndrim mbante ai ndaj “Turqisë së Re” xhonturke, të cilën prerazi ai e dallonte me kujdes nga Turqia.

Nga mosbesimi dyshimtar i skajshëm që kishte në atë kohë, ai mund të kalonte pa dyshim në ndjenja dhe veprime më të gjalla, kur një rast i papritur i dha mundësi familjes Toptani që të ushqente ambicjet e saj më të larta. Tirana dhe Elbasani, dy qytete të lashta e të afërta, ndodhen mu në zemër të Shqipërisë. Ky është vendi gjeografik ku mundet dhe duhet të jetë edhe qendra e bashkimit të tërë shqiptarëve, qofshin këta nga veriu, nga lindje ose nga jugu i Shqipërisë. Ky vend gjeografik mund të quhet si II-dë Francë e Shqipërisë. Ai është për Shqipërinë njëlloj si janë Bovua, Kompienjë ose Parisi për Francën. Dhe për më tepër ky vend ka një dalje në detin Adriatik, ka Durrësin, pra ka atë port i cili është për të ashtu siç ishte dikur Rueni porti i Francës në La Mansh.

Pikërisht në këto vise vijnë e bashkohen prirje të ndryshme të shqiptarëve. Në brigjet e Shkumbinit, nga Durrësi në Elbasan takohen të gjithë: toskë të Jugut dhe gegë të Veriut, myslimanë, ortodoksë e katolikë, megjithëse myslimanët janë më të shumtët.. Vetë natyra e ka diktuar zgjedhjen e saj. Pikërisht në këtë trevë Shqipëria e pavarur duhet të vendosë kryeqytetin e saj. Vlora dhe Shkodra ndodhen në skajet e vendit, pa lidhje dhe as njohje me viset e tjera më të largëta. Në Shkodër nuk ka ortodoksë, ndërsa në Vlorë nuk ka katolikë. Aty-këtu mund të ngrihet dhe të organizohet ndonjë qeveri e një partie. Por që të ngrihet në këmbë dhe të jetë i aftë të qëndrojë një pushtet qëndror dhe kombëtar, kjo gjë mund të bëhet vetëm në trevën qëndrore, ku ndodhen Durrësi, Tirana, Elbasani dhe madje edhe Kruja, ku ai duhet të vendosë selinë.

“Shqiptarë, por osmanlli”

Toptanasit, më tepër nga të gjithë, i kanë parasysh këto fakte, sepse Ismail Qemali nuk ka qenë asnjëherë mik i tyre. Në Kongresin e Elbasanit, bejlerët e Vlorës, Beratit, Elbasanit dhe Korçës ishin ithtarë të zjarrtë të Ismail Qemalit. Ndërsa Toptanasit hiqeshin si mënjanë. Ata mendonin se ky njeri kishte një ndikim të tepruar në politikën e Shqipërisë para Luftërave Ballkanike. Prandaj ata e luftonin këtë ndikim dhe theksonin se Ismail Qemali e kishte tradhtuar Turqinë në kohën e regjimit të vjetër duke bërë komplote për pavarësinë e Shqipërisë, dhe shtonin që pavarësisht se Ismail Qemali ishte i varfër, ai kishte pasur në dorë gjithnjë mjete financiare, të cilat i merrte nga të huajt, falë lidhjeve që mundnin të shpjegonin prejardhjen. Kurse Toptanasit, nga ana e tyre, mbaheshin se ishin shqiptarë, por njëherazi besnikë ndaj Portës së Lartë dhe tepër të brengosur e të shqetësuar për lirinë e shqiptarëve. Unë edhe sot e kësaj dite e sjell ndër mend sesi e mbylli bisedën me mua Esat pasha. Brenda dy fjalëve të tij jepej në mënyrë tepër të përmbledhur një program i tërë: ”Shqiptarë, por osmanlli”. Kështu, kur doli nevoja që të caktohej një kryetar për Shqipërinë e pavarur, nuk kemi pse të çuditemi që për këtë vend mëtonte ai që ishte kryesori, i pari, i familjes Toptani. Ai nuk mund të harronte prejardhjen e tij, e cila siç ma tregoi Refik bej Toptani, ishte kjo që vijon.

Lidhjet me Topiasit…

Në kohën e të madhit Skënderbe, Topia ose Tobia ishte duka i Durrësit. Ai kishte tre vëllezër dhe njëri prej tyre u martua me një motër të Skënderbeut. Më 1467 Skënderbeu vdiq në Lezhë. Topia rimori fuqinë në qytetin e Krujës, të cilin ia kishte lëshuar kohë më parë Skënderbeut si peng miqësie. Mirëpo Topia u mund dhe u vra nga turqit, të cilët morën me vete një djalë që Topia kishte nga martesa me të motrën e Skënderbeut. Pas këtij djali të robëruar shkoi në Turqi një nga oficerët e shtëpisë Topia, i cili e rriti dhe e edukoi atë. Ai djalë ishte Ali beu, themelues i familjes se Toptanasve. Këto kujtime vazhdojnë të jetojnë ende në mendjen e pasardhësve të tij dhe mua më kujtohet mirë se me çfarë interesimi dhe krenarie bashkëbiseduesi im, Refik beu, më tregonte një pemë gjenealogjike, ku ishin shënuar, me një saktësi që binte në sy, të gjithë pasardhësit e Toptanit të parë. Në Shqipëri dhe sidomos në Durrës, qarkullon një legjendë e çuditshme. Thuhet se i pari i Topiajve ishte një stërnip bastard i Karlit d’Anzhu. Madje pohohet se në rrethinat e Durrësit është gjetur një stemë, e cila ka edhe një shufër, e cila është shenja e preardhjes bastarde.

Synimi i fronit…

Tani po të duam t’i përmbledhim të gjitha sa thamë më lart, mund të theksojmë se në këtë rast kemi: kryetarin e një familjeje feudale, mjaft i fuqishëm nga degëzimet që ka kjo familje, nga krushqitë dhe marrëdhëniet e saj, si dhe nga ndikimi i saj shoqëror dhe tradicional. Kjo familje ka një histori, e cila shtyhet tej në të kaluarën. Ka toka të shumta mu në zemër të Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, mbeturinat e një ushtrie, e cila përbën njëfarë garde vetiake të pashës Toptanas. Të gjitha këot duket se janë të mjaftueshme që Esat pasha të paraqitet si kandidat për drejtimin e Shqipërisë. Edhe Hyg Kapeti nuk kishte në dorë karta më të mira, kur duke qenë Dukë i II-dë Francë, ndërkohë që në krahina të tjera si në Burgonjë, në Langëdok dhe në Bretanjë, sundonin po dukë të një rangu me të, vendosi me guxim në kokën e tij kurorën e fronit të mbetur bosh, pa mbret.

Mirëpo Fuqitë e Mëdha nuk e lejuan Esat pashën. Megjithatë ata nuk mund ta pengojnë atë që të jetë kryetari i vërtetë i pallatit të mbretit të ri të Shqipërisë. Nuk ka rëndësi nëse ai do të qëndrojë gjatë në këtë vend dhe nëse tiparet që përbëjnë forcën e tij do t’i sigurojnë apo jo suksesin. Por duhet ta ndjekim me kureshtje dhe me ngulm historinë që po jeton ai, sepse ajo ringjall në sytë tanë përfytyrimin e përpjekjeve që bëheshin në mesjetën e hershme për krijimin e shteteve të mëdha moderne. Pasardhësit e Skënderbeut nëpërmjet krushqive, kërkojnë të bëhen trashëgimtarët e tij dhe të vendosin në pushtet të parin e familjen së tyre të Toptanasve.

______________

Këtu mund të lexoni të plotë libin: “Au jeune royaume d’Albanie, by Gabriel Louis-Jaray”

https://www.amazon.de/jeune-royaume-dAlbanie-Gabriel-Louis-Jaray/dp/B003YH9SGS?asin=3849128040&revisionId=&format=4&depth=1

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura