ERMAL MULOSMANI, LËRE TË QETË ADEM DEMAÇIN NË AMSHIM, MERRU ME MUSHKAT E ÇORROVODËS!

ERMAL MULOSMANI, LËRE TË QETË ADEM DEMAÇIN NË AMSHIM, MERRU ME MUSHKAT E ÇORROVODËS!

Një paralele, pa asnjë përputhshmëri

Në gazetën elektronike “Nacional“ të datës 11 nëntor 2022 , Ermal Mulosmani, në një shkrim të gjatë me titull “Albin Kurti, ky pasues i Demaçit të Rambujesë“, duke bërë përpjekje ta sulmojë Albin Kurtin për shkak të refuzimit të kërkesës së SHBA-ve dhe BE-së lidhur me targat, në fakt po merret me Bacë Adem Demaçin , tash në amshim sepse këtë refuzim të Kurtit e ndërlidhë me refuzimin e Adem Demaçit për nënshkrim të Marrëveshjes së Rambujesë e që janë dy gjëra diametralisht të kundërta për çka Mulosmani as që merr vesh! Në shkrimin e këtij fakiri ka shumë pasaktësi dhe të pavërteta, mos të them se i tërë shkrimi është i tillë, ose në mungesë të informatave ose shkaku që ato informata i keqpërdorë paturpësisht për ta mbushur armën e urrejtjes ndaj Adem Demaçit, duke e përdorur si mjet gjuajtës kryeministrin Albin Kurti! Nuk është se ky farë Ermali, në çaste të caktuara nuk e thotë ndonjë fjalë të zgjedhur për Bacë Adem Demaçin duke e “vlerësuar“ si trim dhe luftëtar për liri, për ta shtrirë pastaj për tokë duke thënë se: “në çastet kur historia ishte duke kaluar pranë Adem Demaçit, ai ishte kundërshtar i kësaj historie dhe aleatëve që e përkrahnin Kosovën… “.

Në të vërtetë, historia nuk kalonte pranë Adem Demaçit sepse Baca ishte krijues dhe noterizues i historisë së re të luftës së shqiptarëve për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Ishte kuptimi dhe përmbajtja e kësaj historie! Si pikënisje dhe pikësynim për ta devalvuar Adem Demaçin, Ermal Mulosmani e merr Ismail Kadarenë, dishepull i Enver Hoxhës, deri në vdekjen e tij dhe i cili i gëzoi të gjitha beneficionet e Hoxhës,  deri në çastin kur si “disident“, në kohën kur nuk rrezikohej nga askush përveç të kaluarës së tij komuniste dhe represive, kërkoi azil politik në Francë ku, brenda 30 minutave u pajisë me të gjitha dokumentet e shtetit francez që nënkupton se “disidentizmi“ i tij ishte i programuar dhe i menaxhuar mirë. Me këtë, si një gjarpër i zënë në therra u përpoq ta ndërrojë lëkurën enveriane për ta zëvendësuar me një lëkurë, egalita, fraternite, liberte! Shumë hipokrite, skajshmërisht hipokrite! Për ta sulmuar paturpësisht Adem Demaçin , Ermal Mulosmani e nxjerr një citat të dishepullit të Enver Hoxhës, Ismail Kadaresë nga “Kapërdisja shqiptare“: “Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille dhe gjeste kinse të bujshme se ai ( Demaçi ) e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, po të mos doje ai ( Demaçi ) e të mos shkoje ai (Demaçi) gjithçka duhet të prishet … “ . Pastaj, ky farë Mulosmani thotë se Demaçi, nga vila e Hetem Ramadanit jepte urdhëra për mosfirmosje të Marrëveshjes së Rambujesë… Për të vazhduar pastaj duke përdorur një municion të kalibrit – gënjeshtrës më të madhe si: “Adem Demaçi e humbi drejtëpeshimin kur, me broçkulla i tha sekretares së shtetit , Medllin Ollbrajt që të vije e ta takoje në Slloveni … “! Përfundimi i pjesës së artikullit “ kushtuar“ Adem Demaçit nga Ermal Mulosmani është pjesa më e turpshme, e dinjiteteshme apo e padinjitetshme edhe për një person që nga konsiliumi i mjekëve specialistë e ka dëshminë se ka çrregullime të theksuara të natyrës mendore ! Ose , nëse nuk e ka këtë dëshmi atëherë nënkuptohet se kemi të bëjmë me një person skajshmërisht dashakeq dhe të poshtër ! Nuk e di gjendjen shëndetësore të këtij gazetari dhe , ndonëse i përcjellë me kujdes zhvillimet në Shqipëri , nuk më kanë rënë të dëgjojë se është trajtuar nga mjekët përkatës prandaj , mund të mendoj se është në pyetje çështja e dytë ! Lexojeni dhe besojeni !!!! “  Adem Demaçi  sillej në mënyrë paradoksale gjatë bombardimeve , ishte mirëfilli heroike me shpresë se do të vritej dhe kështu do të shënonte emrin e tij në altarin e të famshmit të lirisë së Kosovës . ETJA E TIJ PËR LAVDI E TEJKALONTE EDHE ATE PËR JETË …” . Çfarë paturpësie , çfarë poshtërsie , çfarë idiotësie  të thuash këtë për një personalitet që , në mos asgjë tjetër , gjatë afërsisht 30 vjetëve të qëndrimit në llogoret e ish – Jugosllavisë , në kushte që ishin nën çdo dinjitet , në çdo sekondë , çdo minutë , çdo orë , çdo ditë , çdo javë , çdo muaj , çdo vit  e sfidonte vdekjen ku kufiri midis jetës dhe vdekjes ishtë më i hollë se peri !

Disa të vërteta   të cilat nuk i di apo nuk do t’i dijë Mulla Osmani : Është e vërtetë se Baca Adem Demaçi ishte kundër shkuarjes në Rambuje dhe këtë , në prani të Albin Kurtit që ishte përkthyes ia tha Robin Kuk në Shkup , i cili prente bileta për Rambuje për ata që e pranonin listën në tavolinë prej 12 pikave , e para prej të cilave thoshte se : “ garantohet integriteti territorial i ish – Jugosllavisë  dhe sovraniteti mbi Kosovën …” Prej 12 pikave , 8 ishin të panegociueshme dhe të gjitha garantonin një autonomi të Kosovës brenda Serbisë dhe Jugosllavisë e që do të bëheshin pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare.. Nuk është fat dhe mençuri pse delegacioni nga Kosova e nënshkroi këtë marrëveshje por ishte fat që Serbia nuk e nënshkroi sikur që Millosheviqit ia piu sorra mendët dhe e  refuzoi këtë marrëveshje. Po ta nënshkruante Serbia këtë marrëveshje , ku garantues ishin shtetet më të fuqishme evropiane dhe SHBA – , sot Kosova do të ishte pjesë e Serbisë me një autonomi “ substanciale “ dhe e tërë sakrifica do të ikte për lesh. Merreni me mend se një marrëveshje minore sikur kjo për targa dhe Zajebnica , me ndrikulla ndërkombëtare , sa probleme po i shkakton Kosovës e lëre më Marrëveshja e Rambujesë , po të ishte nënshkruar nga Serbia. Atëherë , të lodhur nga lufta dhe vuajtjet dhe me një delegacion ku , përjashtuar pjesën e UÇK-së , të tjerët kishin të kaluar dhe nostalgji jugosllave , presioni për ta nënshkruar këtë marrëveshje ishte i madh sikur që ishte i madh edhe pushkatimi publik i Bacës Adem Demaçit , kundërshtues , pa asnjë dyshim i kësaj marrëveshjeje përmes dy dishepujve komunistë , Ismail Kadaresë në Shqipëri dhe Veton Surroit në Kosovë. Adem Demaçi nuk ishte tërë kohën në vilen e Hetem Ramadanit por komunikimin më të dendur e bënte nga banesa në Prishtinë me Jakup Krasniqin , Hashim Thaçin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga UÇK-ë . Komunikimin e bënte  me një telefon satelitor . Në shumë raste  kam qenë bashkë me Bacën Adem në banesën e Dritës. Ka ndodhur që ka biseduar edhe nga banesa ime ku isha me qira në Lagjen Dardania në Prishtinë. Pavarësisht se kishte dhënë dorëheqje nga Përfaqësuesi Politik i UÇK-së , pikërisht shkaku i Rambujesë , Baca Adem ka pasur komunikim të rregulltë dhe pa asnjë tension me pjesën e delegacionit në Rambuje që udhëhiqej nga Hashim Thaçi.  Mund dhe do të shkruaj gjerësisht për këto biseda në një kohë tjetër . Aspak nuk është e vërtetë se ia ka ka mbyllur telefonin apo se kishte sjellje të papërshtatshme me sekretaren e shtetit , Medllin Ollbrajt. Vetëm e ka argumentuar refuzimin e shkuarjes dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë . Edhe me Gelbartin kishte një përplasje , jo për lavdi apo poentim politik por se e kundërshtonte cilësimin e Gelbartit se UÇK-ë është organizatë terroriste . Përveç se u kërcënua nga Gelbart , as në mesin e politikanëve kosovarë nuk kishte përkrahje , mbeti pakicë !  Ai  e mbrojti pastërtinë e luftës çlirimtare në përballje me Gelbartin sepse , si Adem Demaç nuk mund të bënte ndryshe !  Për ate ishte Adem Demaç dhe nuk ka më të tillë . As që do të ketë ! Në vitin 1990 , në takim me sekretarin e Shtetit , Bejker në Beograd ku ishin Adem Demaçi , Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi pas fjalëve të sekretarit Bejker se Kosova mund të kërkojë të drejta vetëm në kuadër të një autonomie brenda Jugosllavisë dhe Serbisë ( sikur që ishin pikat e famshme të kushteve për të shkuar në Rambuje ) , Baca Adem Demaçi , pasi Rugova nuk e çeli gojën dhe pasi Surroi e lëshoi një pordhë të pazhurshme të “ kundërshtimit “ , i tha sekretarit të shtetit se , nëse kjo është oferta e pandryshueshme dhe  e vetme , lufta në Kosovë është e pashmangshme . Këtë qëndrim e pati edhe kur iu drejtua deputetëve të Parlamentit Evropian kur iu nda Çmimi Saharov.  Qëndrimi parimor i Bacës Adem Demaçi në mbrojtje të luftës për liri dhe çlirim kishte vijimësi dhe asnjëherë nuk kushtëzohej me ndonjë post politik sepse Baca , në këtë drejtim ishte i pamëshirshëm , nuk bënte kompromis ! Po të mos ishte Baca i tillë proceset do të merrnin drejtim tjetër . Ai ishte drejtues dhe përmirësues i veprimeve të tjerëve duke marrë të gjithë përgjegjësinë mbi vete , pa pyetur se çfarë çmim duhet ta paguajë !  Jetës së Bacës i jepte kuptim vetëm liria dhe , pikërisht për këtë arsye zgjodhi të jetojë 30 vite në robëri të jetushme , se 30 vite në liri të pajetueshme . Për këtë dhe shumë arsye tjera Baca Adem Demaçi mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohëve dhe nuk ka pasur asnjë arsye të vdesë gjatë bombardimeve për të fituar lavdinë . Asgjë nuk ka bërë në jetën e tij për lavdi , ndryshe pse do të shkonte në burg 30 vjet . ishte i përgjegjshëm , i ndërgjegjshëm dhe vetëmohues në rrugën e lirisë , çlirimit dhe bashkimit kombëtar . Të tillë ishin edhe komandanti legjendar , Adem Jashari , Rexhep Mala  , Fehmi dhe Xhevë Lladrovci , Fazli Grajçevci dhe Shaban Shala , Shaban Polluzha , Mehmet Gradica , Azem dhe Shotë Galica , Isa Boletini dhe Hasan Prishtina , Ymer Prizreni dhe Hoxhë Gjilani dhe të gjithë ata që asnjëherë  nuk e ndalën luftën për liri dhe çlirim kombëtar , duke e dhënë edhe jetën . Tjetër nuk kishin çka t’i japin këtij populli dhe këtij vendi . Mbi të gjithë ishte ylli i pashuar që gjatë tërë jetës së tij i bëri dritë rrugës për ata që e donin lirinë , që ishin shqiptarë por që nuk urrenin askend tjetër për shkak të përkatësisë kombëtare . Këta që ishin dhe janë kundër Adem Demaçit ecën dhe po ecin në një rrugë dyshollëshe me një drejtim , të stalinizmit të Enver Hoxhës dhe të antishqitarizmit të Josip Broz Titos . Pikërisht këta që e kanë sulmuar dhe e sulmojnë Adem Demaçin , çdo gjë e bënë për shkak të lavdisë dhe të parave , njëri në Shqipëri – Francë , tjetri në Kosovë , njëri në Paris – Tiranë , tjetri në Prishtinë – Beograd !

Nuk krahasohen me asgjë Adem Demaçi me Albin Kurtin :  Albin Kurti ishte pjesë e Zyres së UÇK-së në Prishtinë që udhëhiqej nga Adem Demaçi . Në atë kohë Albini ishte trim , i vendosur dhe kombëtar dhe këtë , përkundër tendencave të dikujt për ta paraqitur të kundërtën , si pjesë edhe vet i Zyres së UÇK-së fort e mbroj këtë qëndrim për Albinin sepse i tillë ishte në atë kohë . Për këtë arsye Baca e mbajti afër dhe punoi me të gjitha mjetet e mundshme t’i hapër rrugë Albinit duke e katapultuar në majat e proceseve politike . Më vonë rrugët e Bacës me Albinin u ndanë mirëpo , edhe pas kësaj Baca Adem asnjëherë nuk ka dalë publikisht kundër Albinit . Albini nuk ka vepruar në këtë mënyrë . Edhe për këtë do të shkruaj më vonë .  Kur Baca Adem Demaçi , por edhe Albin Kurti e refuzuan Rambujenë , Kosova , jo që nuk ishte shtet por as në emrion nuk ishte shtet . Idenë e shtetit të Kosovës  e mbrojtën këta që po mbahen pengje në “ mrizin e Inkuizicionit të Gjykatës Speciale në Hagë..” . Pa asnjë dyshim . Me Bacën Adem Demaçi , ndonëse kundërshtues i rreptë dhe qortues  . Atëherë , qoftë edhe përmes kundërshtimit këtë e ndihmuan , Albin Kurti , Nuhi Ahmeti , Avdullah Dërguti , Behxhet dhe Fexhrie Shala , Zaim Kurti , Shashivar Makolli – Qali , Skender Kastrati , Muhamet Mavraj , Bajrush Behrami – Bali dhe të tjerë. Na kritikuan , na kritikojnë edhe sot por mirë bëmë . Për ne  do të ishte shumë më lehtë po ta zgjidhnim rrugën më të lehtë . Sot , Albin Kurti është kryeminister i Kosovës . E ka trashiguar shtetin e pavarur dhe sovran nga Hashim Thaçi dhe ata që kontribuan përë këtë shtet . i mbetet ta mbushë shtetin me përmbajtje të plotë , integritetin territorial të kontestuar dhe sovranitetin të pazbatuar. A e ka lehtë , nuk e ka mirëpo pakrahasimisht e ka më lehtë se që e kishin Hashim Thaçi , Jakup Krasniqi , Kadri Veseli , Rexhep Selimi  , Nasim Haradinaj , Hysni Gucati , Salih Mustafa dhe Pjetër Shala. E vetmja ngjashmëri me Rambujenë është se ata që e kundërshtuan Rambujenë ishin pakicë absolute dhe u linçuan pamëshirshëm sikur që edhe këta që  do ta kundërshtojnë propozimin franko – gjerman do të jenë pakicë absolute dhe se do të linçohen pamëshirshëm ! Sikur dikur kundërshtarët e Rambujesë . E tillë ishte atmosfera e krijuar para dhe gjatë Rambujesë , e ngjashme është atmosfera sot në kohën kur doli propozimi franko – gjerman . Ky propozim është një dokument i përgjithësuar politikë e që nuk ofron në mënyrë të prerë asnjë zgjidhje juridike . Vetëm e prolongon problemini cili do të shpërthejë , herët a vonë . Adem Demaçi asnjëherë nuk do ta pranonte këtë propozim ku nuk futet njohja e pavarësisë së Kosovës , 23 vite pas përfundimit të Kosovës. Albin Kurti  e kundërshtoi Rambujenë , me të drejtë , jo për lavdi apo pushtet kurse sot për propozimin franko – gjerman po thurrë elozhe dhe fjalë të mira . A thua pse ?!

14 nëntor 2022 Prishtinë                        Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura