GJOKË DABAJ: PSE SHBA-ja NUK IA DHUROI TANKET REP. SË SHQIPËRISË?!

(Durrës, 5 prill 2012) – Nuk do të duhej ta bëja unë i pari këtë pyetje. Unë, që nuk kam kurrfarë funksioni zyrtar në hierarkinë shoqërore apo shtetërore. Unë, që nuk jam gazetar profesionist dhe që deri më sot, për shkrimet e mi, nuk kam marrë as edhe një kokërr leku. Unë, që nuk kam gradë shkencore as edhe të shkallës më të ulët. Këtë pyetje sot, duhej ta kishin bërë të parët, në kryegazetat tona, kryegazetarët tanë. Nuk them që, për këtë gjë, duhej të ishin prononcuar publikisht organet tanë të qeverisë. Ata kanë rrugët e tyre zyrtare jopublike dhe dua të besoj që tashmë e kanë bërë këtë pyetje atje ku duhet. (Posi! Me kë e ke?!, i thonë këndej nga Mati.) Por gazetat tona, këtë çështje, duhej ta kishin sot në krye të të gjithë shkrimevet.
     (Ndërkaq, Topçenëlli, psh, që është një nga mediat më me nivel, jo vetëm ndër shqiptarët, por edhe në Evropë, e gjen më të nevojshme për të folur në emisionin e mëngjesit… për qentë, për kujdesin që duhet treguar ndaj qenvet, se sa për tanket që SHBA-ja ia dhuroi Rep.së Greqisë e jo ne.)
     Pse SHBA-ja nuk ia dhuroi tanket dhe pajisjet e tjera luftarake Rep.së Shqipërisë, por ia dhuroi Rep.së Greqisë?
     Rep.e Greqisë kufizohet me Rep.e Shqipërisë, me Ish-Rep.Jug.të Maqedosnisë, me Rep.e Bullgarisë, me Rep.e Turqisë dhe, këndej nga deti, me Rep.e Italisë. Nga cili prej këtyre shteteve kërkon të mbrohet Rep.e Greqisë, ose cilin prej këtyre shteteve synon të sulmojë Rep.e Graqisë? Me asnjë prej këtyre shteteve Rep.e Greqisë nuk është në luftë. Pra, armët që SHBA-ja ia dhuron Rep.së Greqisë do të mund t’i shërbejnë të ardhmes, jo të sotmes. 

______________________________________

SHBA i falë Greqisë – 400 tanke të tipit Abrams, shikoni për çfarë tankesh bëhet fjalë!

____________________________________________

     Rep.e Shqipërisë kufizohet me Rep.e Malit të Zi, me Rep.e Kosovës, me Ish-Rep.Jug.të Maqedonisë, me Rep.e Greqisë dhe, këndej nga deti, me Rep.e Italisë. Me asnjë prej këtyre shtetevet Rep.e Shqipërisë nuk është në luftë.
     Nuk është në luftë, por ka një dallim shumnë të madh me Rep.e Greqisë, sepse Rep.e Shjqipërisë nuk ka fare nga ai lloj armatimi, ndërsa Rep.e Greqisë, me gjithë ngushtësinë e madhe financiare që ka, para pak javësh u furnizua me armë edhe nga Gjermania. Rep.së Shqipërisë, që nuk ka asgjë, nuk iu fal asgjë. Rep.së Greqisë, që ka male me armë, iu falën edhe këto, në mënyrë që të ketë edhe më shumë. Të 2 këta shtete janë anëtarë të NATO-s. Do të konsiderohej e logjikshme që këta 2 shtete të trajtohen si të barabartë, sidomos prej një kryeanëtari të NATO-s, siç është SHBA-ja. Madje, nëse puna do të shikohej me drejtësi të plotë, Rep.e Greqisë, meqë është anëtare më e vjetër e NATO-s, ka marrë plot armë, si prej SHBA-së, ashtu edhe prej të tjerëvet. Ndërsa Rep.e Shqipërisë, 3 vjet anëtare e NATO-s, nuk ka marrë as përafërsisht aq sa Rep.e Greqisë. Parë pikërisht me këtë sy, dhurata i takonte Rep.së Shqipërisë dhe jo Rep.së Greqisë.
    Nëse mendohet që ata tanke të përdoren psh në drejtim të Sirisë, atje ku qeveria po vret popullin e vet, një gjë të tillë do të mund ta bënte edhe Rep.e Shqipërisë, njëlloj si Rep.e Greqisë. Madje edhe më mirë, pasi në Rep.e Shqipërisë pjesa më e madhe e banorëvet është myslimane, kështu që nuk do të konsiderohej si konfrontim fetar. Por, ç’po flasim kështu?! Askush s’ka ndërmend të çojë tanket e Greqisë në Siri.
     Mund të thuhet që një dhuratë e tillë nuk mund t’i jepej Rep.së Shqipërisë, sepse këtu nuk është konsoliduar ende demokracia. Është e vërtetë. Në Rep.e Shqipërisë nuk është konsoliduar demokracia. Përkundrazi, këtu mungon demokracia aq sa i mungojnë edhe hekurudhat këtij vendi. Ashtu siç i ka hekurudhat dhe trenat Rep.e Shqipërisë, ashtu e ka edhe demokracinë. Mirëpo, mos është Rep.e Greqisë një shtet i mirëfilltë demokratik? Rep.e Greqisë është shteti më jodemokratik në BE. Po sjellim vetëm 2 shembuj.
     I pari: Ka më shumë se 1 vit që në Rep.e Greqisë nuk pushojnë grevat dhe demonstratat. Ka pushime nga puna, ka ulje rrogash, ka shkurtime drastikë në financimet. Puna ka ardhur deri atje, sa një teatër “shet” biletat në këmbim të ushqimevet, me qëllim që ata ushqime t’i shpërndajë në popull në formë bamirësie. Ka arritur puna deri atje, sa një shumicë e madhe familjesh nuk kanë të ardhura më shumë se 200 euro në muaj, në një kohë kur 1 kafe në lokalet më të zakonshëm kushton 4-5 euro. Ka arritur puna deri atje, sa, një burrë i moshuar mbyt veten në mënyrë demonstrative, sepse nuk dëshiron t‘i bëhet barrë familjes për ta ushqyer. Të gjitha këto ndodhin në Rep.e Greqisë, në një kohë kur plutokracia e atij shteti ka, të depozituara nëpër bankat e Zvicrës e gjetkë, mbi 600 miliardë euro, pasuri vetjake. Në Rep.e Greqisë, pra, në pikëpamje sociale, nuk sundon demokracia (demosin po e rreh përditë policia nëpër rrugët e Athinës e të Selanikut), por sundon plutokracia, një kastë që, për t’i ruajtur për vete ato miliarda euro, që ua ka zhvatur taksapaguesvet të Evropës, është në gjendje t’u vërë flakën Greqisë, Ballkanit dhe… gjer ku të shkojë. Pikërisht kësaj plutokracie, qeveria e B.Obamës, demokrate, gjen rastin dhe i dhuron një kontigjent jo të vogël tankesh dhe armësh të tjera.
     Shembulli i dytë: Në Rep.e Greqisë nuk ka të drejta nacionale. Rrjedhimisht, në Rep.e Greqisë është shkelur, në mënyrën më shoviniste të mundshme, ky aspekt i të drejtavet të njeriut: e drejta e ruajtjes dhe e kultivimit të gjuhës dhe të veçorivet të tjera nacionale. Në Rep.e Greqisë jeton realisht një pjesë shumë e madhe e kombit shqiptar. Themi: realisht, sepse shkresërisht kjo pjesë e kombit tonë në atë shtet nuk ekziston, as si komb, as si nacionalitet dhe as si “pakicë” kombëtare. Nuk ekziston shkresërisht as si “pakicë” kombëtare, në një kohë kur në shumë njësi administrative të atij shteti, shqipja duhej të ishte gjuhë e barabartë me gjuhën shtetërore greke, në një kohë kur realisht në parlamentin e Rep.së Greqisë duhej të përdorej edhe shqipja, në një kohë kur, në një shumicë kishash ortodokse të atij shteti, liturgjia duhej të shërbehej edhe në gjuhën shqipe. Kombi shqiptar, në Rep.e Greqisë nuk ekziston shkresërisht as si “pakicë” kombëtare, në një kohë kur në çdo komunitet me banorë shqiptarë duhej të kish hskolla 9-vjeçare e të mesme në gjuhën shqipe dhe, në një kohë kur, të paktën në Athinë, në Selanik dhe në Janinë, duhej të kish nga 1 universitet, të mbushur me studentë shqiptarë, banorë të atij shteti. Pas të gjithë këtyre, a mund të thuhet që Rep.e Greqisë është një shtet demokratik, i cili meriton t’i falen armë, për të mbrojtur demokracinë?!
     Në krejt Evropën, shteti më i pavetëmbrojtur është Rep.e Kosovës. Asaj i duhen tanke, asaj i duhen topa, asaj i duhen raketa, asaj i duhen helikopterë dhe avionë lufte. Por ne nuk po themi: Pse qeveria e B.Obamës nuk ia fali ato armë Rep.së Kosovës? Nuk po themi, sepse dihet që një gjest i tillë do të keqkuptohej prej Rep.së Sërbisë. Mirëpo, Rep.së Shqipërisë, e cila zhvillon miqësi shumë të ngushta, si me Athinën, ashtu edhe me Beogradin, ato armë mund t’i jepeshin njësoj siç iu dhanë Rep.së Greqisë, pa i prishur aspak, as ekuilibrin diplomatiko-strategjik të Vashingtonit, as ekuilibrin politik të rajonit tonë.
     E përmenda pak parë statusin tim personal, si autor i këtij shkrimi. Nuk është aspak halli, as te statusi im personal dhe as te statusi i cilitdo individ të këtij rruzulli. Problemi është miliona herë më shqetësues dhe më i madh. Ku po e çojnë këto qeveri, disa të kasruara, disa të hamshoruara, disa krejt miope, në një kohë kur u takon të jenë largpamëse, ku po e çojnë në radhë të parë kombin shqiptar, pastaj kombin grek, krejt këtë pjesë të Evropës dhe krejt NATO-n?! (Shih shkrimin tim: Pse duheshin asgjësuar ushtritë shqiptare? (Lexoni shkrimin: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=208 ) Çfarë po bën kjo media e tredhur përballë të këtilla ngjarjeve efektivisht tepër alarmuese?!

_____________________________________

SHBA i falë Greqisë – 400 tanke të tipit Abrams dhe 700 makina gjurmuese…!

(Pashtriku.org, 04.04.2012) – SHBA-ja i ka dhënë Greqisë një ndihmë të madhe ushtarake prej 400 tankesh të tipit Abrams dhe 700 makina gjurmuese për transportin e ushtarëve, të tipit M113. Lajmi publikohet vetëm disa orë pas vizitës së ministrit grek të Mbrojtjes, Dhimitris Avramopulos, në Washington dhe takimit te tij me homologun amerikan, Leon Panneta dhe shefin e shtabit te përgjithshëm, gjeneralin Martin Dempsey. Sipas burimeve nga Ministria greke e Mbrojtjes, bëhet fjalë për mjete ushtarake me shumice në ushtrinë amerikane, si dhe për disa që do të hiqen nga qarkullimi në kuadrin e një ristrukturimi të ri të saj. Ajo që ende nuk është sqaruar është fakti se kush do të marrë përsipër ekonomikisht transportin aq të kushtueshëm të këtyre mjeteve luftarake drejt Greqisë, ne kushtet kur Athina përpiqet të reduktojë sa më shumë shpenzimet shtetërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura