AGIM VINCA: KISHA DJALLËZORE DHE DEBATI RRETH SAJ

Prishtinë, 21. 09. 2016: Sa më shumë lëshime që u bëhen serbëve, aq më shumë zgjohen apetitet e tyre. Kur do ta mësojnë, më në fund, politikanët tanë të mjerë këtë leksion?!
***
1. Thënë figurativisht kisha ortodokse serbe në kompleksin e Universitetit të Prishtinës është një dregëz në fytyrën e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, që e shëmton fytyrën e tij, prandaj duhet gjetur mënyrën për t’u hequr sa më parë. Thënë troç, ajo është dashur të hiqej në mënyrë “kirurgjike” menjëherë pas luftës, pra 17 vjet më parë, por, për arsye të njohura e të panjohura, ky “operacion” nuk u bë me kohë dhe kisha-dregëz mbeti si problem i pazgjidhur deri më sot.
2. Kisha serbe në kompleksin e Universitetit të Prishtinës nuk është faltore, pra nuk është objekt fetar i besimtarëve ortodoksë, por objekt politik par excellence, i kurdisur aty për qëllime politike.
3. Ndërtimi i saj (vënia e themeleve) në zemër të Qytetit dhe të Universitetit ishte pjesë e programit të regjimit kriminal të Beogradit për serbizimin dhe pravosllavizimin e Kosovës.

4. Në kohën kur u vunë themelet e kësaj kishe problematike, që dikush me të drejtë e quajti “djallëzore”, në vitin 1992, ne nuk bëmë asgjë, qoftë edhe një protestë paqësore, për ta penguar ndërtimin e saj dhe për t’i treguar botës se nuk pajtoheshim me këtë veprim të pushtetit okupues serb. Nuk duhet harruar për asnjë çast se studentët dhe pedagogët e Universitetit të Prishtinës qenë dëbuar nga objektet e tyre mu nga ata që i hynë ndërtimit të kishës e jo nga dikush tjetër! Përse heshtet ky fakt?
5. Komuniteti serb në Kosovë, ajo pjesë e tij që jeton në Prishtinë, ka kishën e vet në njërën nga lagjet kryesore të qytetit, e cila i përmbush plotësisht nevojat e besimtarëve ortodoksë për kryerjen e shërbimeve fetare, gjë që, natyrisht, është e drejtë e tyre e patjetërsueshme.
6. Të kujtojmë gjithashtu se në kohën kur u vunë themelet e kësaj kishe dhe më vonë, deri në vitin 1999, të gjitha rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës, qenë pagëzuar me emra mesjetarë serbë: me emra knjazësh, mbretërish e vojvodësh. Po të ishte “gjallë” ende regjimi i Millosheviqit, unë dhe fqinjët e mi, fjala vjen, do të banonim në rrugën “Carica Milica”, e cila sot mban emrin e një personaliteti të devotshëm e humanist të proviniencës fetare, Imzot Nikë Prela.
7. Jo vetëm rrugët e sheshet, por edhe shkollat e fakultetet, në vitet e rënda të okupimit serb, qenë serbizuar e pravosllavizuar me emrat, me bustet dhe ikonografinë e tyre. Mjafton të përmendim faktin se shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Ulpianë iu ndërrua emri me dhunë nga “Hasan Prishtina” në “Dositej Obradoviq”, kurse busti i Hasan Prishtinës u zhduk pa gjurmë. Në oborrin e Fakultetit Filologjik qe vënë përmendorja e Vuk Karaxhiqit, thik përpjetë; në hapësirën ndërmjet Fakulteti Filozofik dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare – shtatorja e Njegoshit gjerë e gjatë, kurse përpara Rektoratit ajo e Dositej Obradoviqit. Asnjëra syresh sot nuk janë më, sepse nuk e kishin vendin aty.
8. Një kishë e ngjashme, si kjo në Prishtinë, qe ndërtuar edhe në Gjakovë, në qendër të qytetit, ngjit me Shtëpinë e Kulturës ”Asim Vokshi”. As kjo sot nuk është më, sepse nuk e kishte vendin aty.
9. Ideja e vjetër e politikës serbe për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët dhe serbizimin e saj, provoi të bëhet realitet në fund të shekullit XX. Kisha në fjalë është pjellë e kësaj ideje dhe serbët, si këta “tanët” këtu, ashtu edhe mentorët e tyrë në Beograd, e dinë mirë këtë. Tjetër punë që ata bëjnë zhurmë (lehin edhe kur kafshojnë!), sepse e tillë është filozofia e tyre jetësore dhe politike, një filozofi tipike hegjemoniste e shoviniste.
10. Po ne shqiptarët, a kemi edhe ne ndonjë kusur lidhur me këtë kishë djallëzore, pjellë e politikës antishqiptare me traditë shekullore, frymëzuese kryesore të së cilës kanë qenë Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, pa përmendur edhe disa institucione të tjera më pak të rëndësishme. Po qe se duam ta themi të vërtetën e plotë, pa i bishtnuar, pavarësisht në u pëlqen qarqeve të caktuara politike e të tjera në Kosovë e më gjerë, si dhe individëve mendjepaktë e të molepsur paragjykimesh, ndërtimi i Katedrales katolike në lokacionin ku dikur ishte Gjimnazi “Xhevdet Doda”, pra në vend të një shkolle, pa u zgjidhur problemi i “dregzës” së madhe, ishte një hap i ngutshëm dhe i pamenduar sa duhet. Mund të duket si njëlloj herezie, por nuk mund të mos e themi se ndërtimi i Katedrales tërthorazi ia forcoi themelet “Kishës politike serbe” jo larg saj.
11. Një faktor tjetër që ndikoi në “forcimin e themeleve” të kësaj kishe qenë edhe trazirat e vitit 2004. Sado që shkas i këtyre trazirave ishte mbytja e tre fëmijëve shqiptarë të fshatit Çabër në lumin Ibër, të ndjekur me qen nga një serb lokal, nuk mund të arsyetohet djegia e disa kishave serbe (edhe pse as sot e kësaj dite nuk dihet se kush e bëri këtë, dora e kujt qe ajo që vuri zjarr mbi ato objekte që shqiptarët nuk i kishin prekur kurrë, kurse UÇK-ja ishte kujdesur t’i ruante gjatë luftës). Propaganda e Beogradit, e ndihmuar edhe nga segmente proserbe të UNMIK-ut, e shfrytëzoi mjeshtërisht këtë revoltë, për t’i paraqitur shqiptarët si “vandalë”, kurse serbët lokalë si viktimë të “nacionalizmit shqiptar”!
12. Një gabim tjetër, i panevojshëm, u bë tash së voni, në muajt e verës, kur, në saje të deklaratës së një a dy grave të frustruara gjatë luftës, filluan gërmimet për gjetjen e varrezës masive pranë Kishës (kriminelët serbë, sado të verbër nga urrejtja, nuk ishin aq naivë sa t’i groposnin shqiptarët e vrarë në qendër të qytetit!), të cilat rezultuan me asgjë. Menjëherë pas kësaj zëvendëskryeministri serb në qeverinë e Kosovës (dhe të Metohisë-sipas tij) doli e tha: “Ja, gërmuat, s’gjetët asgjë. Tani legalizoni Kishën!”. Kurse pa kaluar shumë kohë pasoi aksioni për “pastrimin” e “hramit”, brenda dhe jashtë, në të cilin morën pjesë, me fshisa në dorë, përveç “qytetarëve të thjeshtë”, edhe zv.kryeministri Stojanoviq dhe Peshkopi Teodosije. Ky aksion “spektakular” dhe përgjigjja e zbehtë e të rinjve shqiptarë, grupe fare të vogla studentësh të UP-së që protestuan kundër “ringjalljes” së kishës, u bënë shkas që të hapet një debat i gjerë lidhur me këtë objekt. Kështu, pas një heshtjeje të gjatë dhe gati të plotë më se dhjetëvjeçare (personalisht jam prononcuar dy herë për këtë çështje: para se të fillonte ndërtimi i saj, në vitin 1991 dhe pa filluar ndërtimi i Katedrales në vitin 2006), të gjithëve iu hap goja dhe filluan të flisnin mbarë e prapë për “kishën”. Bie në sy qëndrimi tepër servil dhe joparimor i politikanëve të Kosovës, të cilët për hir të karrierës së tyre janë gati ta legalizojnë këtë objekt djallëzor.
13. Ç’të bëhet me të? Të rrënohet ashtu siç e meriton një objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe pa pikë nevoje nga pikëpamja religjioze, thjesht për qëllime politike dhe aty ku s’e ka vendin, apo të zhvendoset në një vend tjetër, jashtë kompleksit universitar, në një vend të përshtatshëm, që do t’u përgjigjej pjesëtarëve të minoritetit serb. (Rrënimi do të ishte punë e pastër, që e zgjidh problemin një herë e mirë, kurse spostimi është më i lehtë dhe besoj edhe më i pranueshëm jo vetëm për serbët, por edhe për ndërkombëtarët).
14. Është jo vetëm i çuditshëm, por edhe tmerrësisht jodinjitoz qëndrimi i politikanëve kosovarë lidhur me këtë problem: kishën politike të Arkan-Millosheviqit në truallin e Universitetit. “Të mos preket”, thotë njëri nga maja e piramidës. “T’u lihet besimtarëve ortodoksë, nëse ka”- ia pret tjetri, një ish-komandant, duke harruar se serbët janë ortodoksë. “Të mos bëjmë zhurmë. Nuk na duhet ky luks!” – shton një i tretë. Kurse i katërti, kryetari i një partie proislamike, propozon që Kishës serbe dhe Katedrales katolike, t’i shtohet edhe Xhamia myslimane, te Rektorati (sic!), kurse “kampusi universitar” të spostohet në periferi të qytetit, diku jashtë, por pa e përcaktuar se ku, sepse, sipas tij, në asnjë qytet të botës, nuk paska fakultete në qendër të qytetit si në Prishtinë. Po Sorbona ku është, o zotëri? Në zemër të Parisit! Dhe askujt deri më sot s’i ka vajtur mendja që ta largojë prej aty, ta çojë diku në periferi!
15. Serbia si shtet nuk e ka ndryshuar aspak qëndrimin ndaj Kosovës. Për Vuçiqin e Daçiqin, sikurse për Millosheviqin e Sheshelin, Kosova është pjesë e Serbisë, kurse mësuesit e tyre shpirtërorë janë heronj! Diplomacia serbe nuk lë derë pa trokitur për ta penguar njohjen e Kosovës si shtet, kurse pas bisedimeve të Brukselit dhe marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, të nënshkruara me lehtësi të padurueshme nga “paria” jonë, prania e Serbisë në Kosovë është gjithnjë e më e madhe dhe më e fuqishme. Qeveria aktuale e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë pa “Listën serbe”, prandaj tregohet kaq e pambuktë edhe ndaj kishës-dregëz në zemër të Prishtinës. Rivitalizmi i kishës millosheviqiane do të ishte për palën serbe një fitore e re në raport me Kosovën dhe një dështim i radhës nga ana e udhëheqjes së Kosovës.
Dhe në fund, po e mbyllim me një konkluzion, që mund të quhet edhe aksiomë. Sa më shumë lëshime që u bëhen serbëve, aq më shumë zgjohen apetitet e tyre. Kur do ta mësojnë, më në fund, politikanët tanë të mjerë këtë leksion?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura