HISTORI FRYMËZUESE
Histori frymëzuese
Tre shqiptarët e rinj trieshjanë nga Mali i Zi që shkëlqyen në vitin 2022
Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 12. 01. 2023
Sukseset e të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi nuk kanë të ndalur. Edhe të rinjtë malësorë (trieshjanë) në fusha të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit, po arrijnë suksese të mëdha individuale duke i bërë të gjithë krenarë me arritjet e tyre. Në kushte jo të favorshme, për shkak të pandemisë me Covid-19, në vitin e kaluar i cili ishte i gjatë dhe i vështirë për të gjithë njerëzimin, me aftësitë e tyre profesionale dhe me punë të vazhdueshme shkëlqyen tre të rinj ambicioz me prejardhje nga Trieshi (Malësi) – Komuna e Tuzit, vëllezërit Arton e Anton Gjokaj dhe Rajmond Gjonaj.
Historia e tyre është shembull për t’u ndjekur, sepse kanë ofruar përvojën e tyre si pikë frymëzimi dhe motivimi për të tjerët. Ata dëshmuan se me punë, përkushtim dhe dashuri në rrugën që ndjek mund të arrihen qëllimet, objektivat dhe ëndrrat rinore. E përbashkëta e këtyre të rinjve të suksesshëm të grupmoshës 24-32 vjeç është dija, puna konsistente, përkushtimi, këmbëngulja, ambicia, pasioni, shkenca, thjeshtësia, modestia dhe profesionalizmi për tejkalimin e sfidave me veten dhe shoqërinë.
Mr. Arton Gjokaj, fitues i çmimit prestigjioz ndërkombëtar “Business Elites 40 under 40”
Në ceremioninë e mbajtur në Stamboll – Turqi, në shtator 2022, Arton Gjokaj u shpërblye me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “ Business Elites 40 under 40”, si një ndër menaxherët më të suksesshëm nën moshën dyzet vjeçare në Evropën Juglindore. Gjokaj është drejtor i përgjithshëm i Kompanisë “my World” për Shqipëri dhe Kosovë dhe anëtar i kësaj kompanie ndërkombëtare e themeluar në Austri në vitin 2003. “Isha vërtet i emocionuar nga mirënjohja, nderimi dhe respekti në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të “Elitës së Biznesit 40 under 40” në Stamboll, që është një nga çmimet më të njohura në botë për liderët e rinj në fushën e biznesit. Unë u jam gjithmonë mirënjohës kolegëve të mi nga “myWorld” për mbështetjen e përgjithshme. Dhe sigurisht, jam vërtet i bekuar me dashurinë dhe mbështetjen e familjes sime, thotë Artoni.
Ky magjistër i ekonomisë dhe sipërmarrës i njohur ka një biografi të shkëlqyer. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Tuz me sukses shembullor, si fitues i çmimit “Pishtari”. Ka përfunduar Fakultetin Ekonomik , njëri nga studentët më të dalluar të gjeneratës. Po në të njëjtin institucion, me notë 10.00 përfundon edhe studimet e magjistraturës. Gjatë studimeve u shpërblye me disa bursa ku vlen të veçohet bursa prestigjioze e Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer Stiftung. Në vitin 2014 punon në Fakultetin Ekonomik të Podgoricës, si asistent për disa lëndë, kryesisht në fushën e menaxhimit dhe marketingut. Ka publikuar disa punime shkencorenë fushën e Marketingut dhe branding, si bashkautor. Në vitin 2016 punësohet në Fondin për zhvillim dhe investim të Malit të Zi (IRF CG), ku qëndron më pak se 3 vite, për tu angazhuar pastaj si Drejtor i shitjeve i Kompanisë Austriake myWorld në degën e tyre në Mal të Zi. Ai është laureat i çmimit “Burri i vitit” në Kosovë (2021),si një ndër menaxherët më të suksesshëm në tregun e Kosovës.
Mr. Anton Gjokaj, shkencëtari i ri më i suksesshëm në Mal të Zi
Ministrja e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Malit të Zi Bilana Shqepanoviq, në Vila Gorica, në Podgoricë, më 22 dhjetor 2022 i dorëzoi Mr. Anton Gjokajt çmimin për shkencëtarin e ri më të mirë dhe më të suksesshëm nën 30 vjeç në vitin që lamë pas. Ky çmim për të, shprehet Gjokaj, është i veçantë dhe do ta mbajë mend gjatë sepse është i pari për arritje shkencore, i cili do ta nxisë që edhe në të ardhmen të hulumtojë dhe t’i kontribuojë komunitetit shkencor dhe të lartësojë integritetin e tij , të familjes dhe të vendit nga vjen.
Matematika është fusha e kërkimit të shkencëtarit të ri më të mirë në vitin 2022, i cili arriti rezultate të dukshme në kërkimin shkencor duke botuar dy punime shkencore si autori i parë në revista nga lista SCI/SCIE, me faktor ndikimi më të madh se zero dhe në një punim shkencor ai është autori i vetëm. Ka përfunduar Fakultetin Matematiko – Natyror në Podgoricë – drejtimi Matematikë me notë mesatare 10.00. Po me këtë sukses ka kryer studimet master dhe provimet e doktoraturës në të njëjtin fakultet. Që nga viti 2017 është i punësuar si asistent pranë Universitetit të Malit të Zi. Është bashkëpunëtor në mësimdhënie i profesorit në disa lëndë në Fakultetin Elektroteknik. Gjatë studimeve bachelor, studimeve të specializimit dhe master ka fituar këto çmime: Studenti më i mirë i Fakultetit Matematiko-Natyror”( 2015), Pllakën e Universitetit për pesë studentët më të mirë të Universitetit(2017), Bursën e Akademisë së e Shkencave dhe Artit të Malit të Zi, për gjashtë të rinjtë më të talentuar në shkencë. Aktualisht është në fazën përfundimtare të studimeve të doktoraturës në Fakultetin e Shkencave të Matematikës të Universitetit të Malit të Zi , të cilat pritet t’ i kryejë me sukses këtë vit. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfunduar në Tuz me sukses shembullor, si fitues i diplomës “Pishtari” dhe “Nxënës i gjeneratës”. Ka arritur suksese të njëpasnjëshme në gara shtetërore nga Matematika (vendet e para dhe të dyta) dhe Biologjia (vendi i tretë). Ka përfaqësuar Malin e Zi në garat ballkanike të matematikës për juniorë (Sarajevë, 2009), në garat ballkanike të matematikës për seniorë (Qipro, 2013) dhe në Olimpiadën internacionale të matematikës (Kolumbi,2013).
Rajmond Gjonaj, studneti më i mirë i Fakultetit të Mjekësisë në Mal të Zi
Komisioni i Dhomës së Mjekëve të Malit të Zi, në një ceremoni të mbajtur më 28 dhjetor 2022 në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë në Podgoricë Rajmond Gjonajt i ndau çmimin tradicional, studenti më i mirë i mjekësisë në Mal të Zi. Çmimet tradicionale vjetore studentëve më të mirë ua ndau kryetarja e Dhomës së Mjekëve së Malit të Zi, Dr. Zhanka Ceroviq.
Rajmond Gjonaj është student i vitit të gjashtë në Fakultetin e Mjekësisë dhe kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Mal të Zi, si një nga studentët më të mirë të këtij fakulteti, me notë mesatare 10.00 në vitin e kaluar akademik, i shpërblyer pesë herë nga Fakulteti i Mjekësisë, si student i shkëlqyeshëm.
Në seancën e fundit të Parlamentit Studentor të Universitetit të Malit të Zi, studenti Rajmond Gjonaj, është zgjedhur anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Parlamentit Studentor të Universitetit të Malit të Zi, si dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Malit të Zi, organit më të lartë akademik që vendos për çështje të bashkëpunimit mësimor, shkencor dhe profesional të Universitetit të Malit të Zi. Ai përbëhet nga rektori, prorektorët, përfaqësuesit e personelit akademik dhe përfaqësuesit e studentëve, në përputhje me Statutin e Universitetit. Është studenti i vetëm shqiptar në këto forume (organe) të larta drejtuese studentore -universitare në Mal të Zi.
“Të jesh një ndër të dalluarit e një universiteti padyshim që është një nga ngjarjet më domethënëse që mund t’i ketë një student për gjatë gjithë ngritjes në aftësimin profesional dhe një nga përjetimet më të veçanta që do ta shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës. Në momentin kur e mora çmimin nga Dhoma e Mjekëve së Malit të Zi u ndjeva shumë i emocionuar dhe i gëzuar. Ky vlerësim më dha motiv që të jem edhe më këmbëngulës në vazhdimin e misionit tim si mjek dhe të kontribuoj në ngritjen e cilësisë së mjekësisë në Mal të Zi në të mirë të shëndetit të pacientëve ”, pohon Gjonaj, i cili shkollimin e fillor dhe të mesëm i ka përfunduar në Ulqin me sukses shembullor dhe është fitues i Diplomës “ Pishtari”.