NJË LIBËR ENCIKLOPEDIK PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË, 1912/1913
Nga Sheradin Berisha
Më 23 Janar 2014, në Prizren u promovua libri enciklopedik, me titull: “DIPLOMACIA E ISMAIL KEMAL BEJ VLORËS – RIVALITETET E MBRENDSHME NË SHQIPËRI DHE RRUGA E PAVARËSISË, MË 1912/1913” i autorit Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj.
Libri ka 700 faqe me 240 dokumente të zbuluara në arkivat e Vjenës, Romës, Pragës, Budapestit dhe Stambollit, dhe ato publikohen për herë të parë.
Në këtë libër autori për herë të parë ka publikuar një Deklaratë të Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur, më 26/27 nëntor 1912 në Durrës, ndërsa vendimi ishte marrë më 22 nëntor, sapo kishte arritur Ismail Qemali nga Bari në Durrës.
Këtë deklaratë (e shkruar në gjuhën osmane) e kanë firmosur paria shqiptare, përfaqësuesit e 3 konfeksioneve fetare si dhe vetë Ismail Kemal bej Vlora dhe djali i tij, Musa Qazim Vlora.
Me porosi të Ismail Kemal Bej Vlorës, Deklarata e Pavarësisë i është dorëzuar në mesnatën e 26/27 nëntorit Konsullatës Austrohungareze në Durrës (nënkonsullit Rudnay).
Për shpalljen e Pavarësisë z.Rudnay përmes një telegrami e njofton kontin A-H. Berchtold.
Për aktin e shpalljes së Pavarësisë në Durrës, shkruan edhe gazeta vjeneze “Wiener Bilder”, me 1 dhjetor 1912.
Pas 100 vjetësh autori i librit Eqrem M.Zenelaj këto dokumente i zbulon në Arkivin e Monarkisë në Vjenë.
Me 28 nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës, Ismail Kemal Bej Vlora, para delegatëve me vendim të tyre (me procesverbal) proklamon Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, (të shpallur në Durrës), zgjidhet Kryetar i Qeverisë Provizore, zgjidhet kabineti qeveritar, I.K.Vlora bashkë me kabinetin e tij e ngre Flamurin Kombëtar (në orën 16:00) në Shtëpinë e Xhemil bej Vlorës (ku u mbajt kuvendi) e bënë publike para popullsisë së tubuar në oborrë – Shpalljen e Pavarësisë, dhe deri në seancën e fundit, datë 7 dhjetor 1912, konstituohen të gjitha organet e qeverisë provizore…