Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
83 Delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë
Nga MSc. Albert HABAZAJ,
përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
Pashtriku, 25.01.2023
Sot është një ditë e shënuar për tërë bashkëkombasit sepse sot ne nderojmë dhe respektojmë një nga figurat më madhore pas Kryeheroit Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ismail Qemal bej Vlora (Vlorë, 24.01.1844 – Peruxhia, Itali, 26.01.1919) është një figurë emblematike, ai që shpalli Pavarësinë kombëtare dhe themeloi shtetin demokratik shqiptar. Universiteti ynë, mban emrin e ndritur të Ismail Qemalit, prandaj edhe Qendra Albanologjike e Biblioteka shkencore e Universitetit “Ismail Qemali”, në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Labëria”- “Nderi i Kombit”, si dhe deputetët Vullnet Sina e dr. Pranvera Resulaj, në këtë ditë të shënuar menduan të organizojnë këtë ceremoni nën titullin “Nderim Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar!”
Edhe pse kanë kaluar një shekull e ca, figura poliedrike e Ismail Qemalit frymëzon shqiptarët në dritësimin e kombit dhe udhët e vështira për integrimin europian. Është e veçantë këtu të citoj fjalët e tij në intervistën e dhënë më 1 Maj 1900 me shqiptarët e Egjiptit, ku thotë: “Shqiptarët e kanë vendin e tyre në gjirin e popujve të Europës”. Me këtë vizon të qartë politik dhe diplomatik, ai punoi në tërë fillimshekullin e XX, duke mëkuar tek shqiptarët frymën e Rilindjes Kombëtare. Lufta çlirimtare me kryengritjet e mëdha 1911-1912 në tërë trojet shqiptare, kulmuan me aksionin e shpalljes së Pavarësisë shqiptare, që u kurorëzua nga shteti i tij, 1912-1914, i cili vendosi gurë themeli në jetën shqiptare.
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe shoqata “Labëria” përherë kanë bërë kujdes, që jo vetëm ta përkujtojnë këtë figurë të madhe të kombit, por edhe ta ringjallin atë, pasi mesazhet e tij edhe sot i shërbejnë çështjes së madhe të integrimit europian.
Me këtë rast falënderoj deputetët e Parlamentit shqiptar Vullnet Sina e Pranvera Resulaj, rektorin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, prof.dr. Roland Zisi, kryetarin e shoqatës “Labëria”, dega Vlorë Ahmet Demaj dhe të gjithë juve të nderuar pjesëmarrës në këtë veprimtari domethënëse e simbolike për Paharrimin e Shenjtorit të Flamurit Kombëtar.
E ku më mirë se në Bibliotekën shkencore të Universitetit që mban emrin e Tij shkon përurimi i librit kushtuar Plakut të Bardhë dhe firmëtarëve të Deklaratës epokale të Pavarësisë?! Duke lexuar librin e prof.dr. Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”, një vepër e rrallë historiografike, universiteti ynë i bën një shërbim të veçantë kësaj ngjarjeje historike.
Më lejoni të kujtoj vetëm një cast se Shpallja e Pavarësisë kishte 83 delegatë, nga të cilët 74 me universitet dhe vetëm 9 delegatë me shkollë të mesme. Ata ishin juristë, ekonomistë, ushtarakë, mësues, klerikë, astronomë me përvojë në drejtimin e shtetit.
Ndër delegatët, Senatin dhe Qeverinë e Ismail Qemalit përfshiheshin përfaqësues të të katër komuniteteve fetare: katolikë, muhamedanë, ortodoksë e bektashinj.
Edhe ky është një mesazh i veçantë, pasi Nënkryetar i Qeverisë ishte Dom Nikollë Kaçorri dhe Kryetar Senati Myfti Vehbi Dibra. Kjo ishte Shqipëria e të gjithëve, Shqipëria e Ismail Qemalit.
Monografia “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” me 391 faqe, me dokumente origjinale, të panjohura deri më sot e që shohin dritën e botimit për herë të parë, me faksimile, fotografi, portrete, shkrime, gjykime etj., shikon dritën e botimit falë deputetit bujar të Vlorës në Parlamentin shqiptar, z. Vullnet Sina. Ky libër është botimi i tretë i plotësuar i albanologut të njohur prof.dr. Bardhosh Gaçe, ndërkohë, nuk mendoj se mund të jetë botim shterues për Pavarësinë Kombëtare nga ky studiues me vullnet balzakian. Nëse tre skulptorët e mëdhenj Kristaq Rama, Muntaz Dhrami e Shaban Hadëri, realizuan në bronz Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit, Vlorë, 17 m të lartë, në vitin 1972; nëse meraku i madh i themeluesit të skulpturës shqiptare Odhise Paskali, shprehur autorit, ishte që monumenti të kishte formën e një obelisku, ku të gdhendeshin tërë fytyrat e atyre që Shpallën Pavarësinë dhe themeluan shtetin shqiptar e përbri tyre të ishin firmat e tyre si në aktin historik, prof. Gaçe na ka dhënë një monument shkronjor, një ansambël monumental me gërma të arta, që shquan për vlera të veçanta historike, kulturore e shkencore.
Autori, tekstin që na dhuron sot në nderim të Dy Ditëve të Shenjtorit të Flamurit të Kombit shqiptar, e quan me modesti libër publicistiko-historik. Ky libër e tejkalon këtë klasifikim dhe është Enciklopedia e Pavarësisë Kombëtare, kësaj faqeje të ndritur të historisë shqiptare, që u shkrua dhe u shpall nga 83 apostujt e shqiptarizmës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që u mblodh në qytetin e Vlorës më 28 Nëntor 1912 dhe zhvilloi punimet me 7 mbledhje historike deri më 7 Dhjetor 1912, nën drejtimin e Ismail Qemal Bej Vlorës, këtij personaliteti të shquar të politikës dhe diplomacisë shqiptare.
Në këtë enciklopedi, autori na njeh me profilin e 83 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë:
“Sipas saktësimeve të mëtejshme që bëmë në procesverbalin e Kuvendit Kombëtar të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipniës” të Qeverisë së Vlorës, botimit “Dokumente historike” të Lef Nosit, gjurmimeve të Teki Selenicës dhe materialeve të Arkivit Qendror të Shtetit, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë këta delegatë:
Berati [përfaqësuar me 4 delegatë, shën. im: A. H]:
Sami Vrioni
Iljaz Vrioni
Raq Tutulani
Babë Dudë Karbunara
Skrapari [përfaqësuar me 1 delegat, shën. im: A. H]:
Xhelal Koprencka
Mallakastra [me 1 delegat]:
Hajredin Cakrani
Lushnja [me 3 delegatë]:
Qemal Bej Mullai
Ferid Vokopola
Nebi Sefa
Dibra [me 2 delegatë]:
Myfti Vehbi Dibra
Sherif Lëngu
Ohri dhe Struga [me 6 delegatë]:
Zyhdi bej Ohri
Dr. H. Myrteza [Myrteza Ali Struga]
Nuri Sojlliu
Hamdi bej Ohri
Mustafa Baruti
Dervish Hima
Mati [me 3 delegatë]:
Ahmet Miftar Beu [Ahmet Zogu]
Riza Bej [Çela]
Kurt Bej [Aga Kadiu]
Durrësi [me 4 delegatë]:
Abaz Efendi Çelkupa
Mustafa Agë Hanxhiu
Jahja Ballhysa
Dom Nikollë Kaçorri
Tirana [me 2 delegatë]:
Abdi bej Toptani
Murat bej Toptani
Shijaku [me 3 delegatë]:
Xhelal Deliallisi
Ymer bej Deliallisi
Ibrahim Efendiu
Kruja [me 1 delegat]:
Mustafa Kruja
Elbasani [me 4 delegatë]:
Shefqet Daiu
Lef Nosi
Qemal Karaosmani
Dervish bej Biçaku
Peqini [me 1 delegat]:
Mahmut Kaziu
Gramsh-Tomorricë [me 1 delegat]:
Ismail Qemali
Gjirokastra [me 7 delegatë]:
Azis Efendi Gjirokastra
Elmas Boçe
Veli Harxhi
Myfyd Libohova
Petro Goga
Jani Papadhopulli
Hysen Hoxha
Përmeti [me 2 delegatë]:
Veli bej Këlcyra
Syrja bej Vlora
Tepelena [me 3 delegatë]:
Fehim bej Mezhgorani
Kristo Meksi
Aristidh Ruçi
Çamëria [me 4 delegatë]:
Veli Gerra
Jakup Veiseli
Rexhep Demi
Azis Tahir Ajdonati
Delvina [me 1 delegat]:
Avni bej Delvina
Korça [me 3 delegatë]:
Pandeli Cale
Thanas Floqi
Spiro Ilo
Pogradeci [me 1 delegat]:
Hajdar Blloshmi
Kosova [me 11 delegatë]:
Rexhep bej Mitrovica
Bedri Pejani
Sali Gjuka
Mitat Frashëri
Mehmet Pashë Deralla
Isa Boletini
Riza Bej Gjakova
Hajdin Draga
Dervish bej Ipeku
Zeejnel Begolli
Qerim Begolli
Shkodra [me 1 delegat]:
Luigj Gurakuqi
Vlora [me 6 delegatë]:
Ismail Qemali
Zihni Abaz Kanina
Aristidh Ruci
Qazim Kokoshi
Jani Minga
Eqerem bej Vlora
Kolonia Shqiptare e Bukureshtit [me 4 delegatë, 4 Dhimitër]:
Dhimitër Zografi
Dhimitër Mborja
Dhimitër Berati
Dhimitër Ilo
Ndrisin sot dhe gjithë jetën do të ndrisin ndër shqiptarë Fjalët e Arta që u shkruan e u gdhendën në faqet e gazetës “Përlindja e Shqipniës”, sipas procesverbalit hyjnor për ne të atyre burrave të rëndë të kombit atë mbasdite lavdimadhe të 28 Nëntorit 1912: “Të gjithë delegatët me një zë i pëlqyen fjalët e z. Ismail Qemal Beut dhe vendosën që: Shqipëria të bëhet që sot më vete, e lirë, e mosvarme nën një Qeveri të Përkohshme. Të përplasura duarsh të panumërta e papushim, e pritën këtë vendim. Mbledhja u dërgua për të nesërmen dhe delegatët dolën jashtë të përshëndeti Flamurin që u ngrit në orën 25:30 pas dreke”.
Ky vendim i asaj dite ka hyrë në Historinë e Popullit shqiptar si Akti i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
Ata që shpallën Pavarësinë për kombin shqiptar janë apostuj të shqiptarizmës, Shenjtorët e Pavarësisë së Shqipërisë.
Vlorë, e martë, 24 janar 2023, ora 17:00
::::::::::::::::::::::::::::::::::
Ismail Qemali dhe Shenjtorët e Flamurit Kombëtar
Albert HABAZAJ
Çfarë bëri me trimat Ismail Qemali
e di dhe gjyshi, dhe babai, dhe djali:
që ndezi zjarrin e shtëpisë shqiptare,
kur dinakët donin ta shuanin fare.
Por Shkodra, dhe Lezha, dhe Kruja, Kanina,
Prizreni, dhe Shkupi, dhe Ohri, Janina,
Plaku i Bardhë dhe Luigji Mendjeqiell,
Baca Is’ e Rasih Dino na mbushën me diell.
Marigo Posio stafetën e Elena Gjikës,
e ngriti si kurorë të bukur të Dritës.
Dhe Qirinjve të Atdheut u falem unë,
larë me diell, qëlluar me furtunë.
Dhe Dibra, dhe Delvina, dhe Hasi, dhe Hoti,
Dhe labi, dhe malësori kanë frymë Kastrioti,
Dhe çami, dhe myzeqari, dhe ulqinaku qëkur
Janë firmë lirie e këngë për Flamur!
Se me centaurët Europa rrufjane,
Kasandra me Pandorën europiane,
e plakur, e egër, marrëzisht e bukur
na ka dashur, na ka flakur e na ka ndukur.
U tkurr, u mpak, u mplak e nuk u gremis Nëna,
u trondit në flakë e nuk iu thye zemra.
Dhe deti, dhe fusha dhe maja e malit
si balli i bardhë i Ismail Qemalit.
Se s’është Vlora si Meka e Muhametit,
është anije e bardhë në mes të rrebeshit;
s’është Vlora as Bethlehem i Krishtit,
është vatër e mendimit dhe rrufe e gishtit.
Vlora është Vlorë, me dritë mes ciklonit,
është djepi ku u përkund palca e kombit;
është bërthama diellore e Flamurit,
me shqiponjën që fluturon mbi gjakun e burrit.
Vlora është magje e bukës kombëtare,
Është tharmi i mbrujtur në zemrat shqiptare.
Është rrënjë e besim dhe vizion në shikim,
është eshtër e dinjitetit të kombit tim.
Urata e Plakut, si mirësi e ullirit,
u mbjelltë e shpërtheftë si lulet e prillit!
O ju zogj të Shqiponjës, po ju flas sinqerisht:
sot Pavarësia Flamurëron Vlorërisht!
Vlorë, 24.01.2023