PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) JUSUFI NUK ISHTE MBRET! DINASTIA PRAPASHTICA (4)

PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) JUSUFI NUK ISHTE MBRET! DINASTIA PRAPASHTICA (4)

Autori: Xhafer Durmishi, Suedi 13 mars 2023

6. Jusufi nuk ishte mbret!

Plani i AP dhe OO: “Me Skënder Skënderin (Xhafer Durmishin-shën.) im isha takuar vetëm njëherë në familjen Gërvalla, në shtator të vitit 1981, në prezencën e Islam Rafunës. Pastaj, as nuk e kam parë, por as nuk kam dëgjuar më për të. Nuk e mora vesh se nga erdhi, nga Kosova apo nga ndonjë vend tjetër, ndodhej ilegal në Gjermani, apo kishte ndonjë leje qëndrimi. Në fillim mendova se qëllimi i vizitës së tij ishte ngushëllimi, por pak kohë më vonë, për befasinë time, Suzana ma prezantoi si „zëvendës“ të Jusufit! Tani e kuptova qëllimin e vërtetë të ardhjes së tij. I çuditur, ia ktheva Suzanës, se Jusufi nuk ka qenë në dijeni se do të vritej dhe të parapërcaktonte një zëvendës… as nuk ishte mbret që të linte në fron trashëgimtarin. Suzana më sqaroi se Skënderi (Xhafer Durmishi-shën. i Xh. D.) ishte i dërguar i Mërgimit, i cili ishte udhëheqësi i ynë, dhe se pa urdhrin dhe lejen e tij ne nuk guxonim të merrnim asnjë vendim. Pas këmbënguljes sime për të marrë vesh se kush fshihej pas pseudonimit Mërgimi, ajo më tregoi se ishte Sabri Novosella.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 88)

D  O  K  U  M  E  N  T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

(…)

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi (Osman Osmani) doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ). (…)

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella) deklaroi:,

-Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.

   Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.

   Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur (Stilograf-shën i Xh. D.) të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”.

VENDIM

(…)

6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës” pasi ky emër shpreh zërin e Kosovës,…” (Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë, 1997, faqe 217-218 dhe www.pashtriku.org, 2008)

***

Abdullah Prapashtica me shoqen e tij

Analizimin e kësaj pjese kurrë nuk e kisha shtjellua në këtë formë sikur të mos isha i detyruar. Jusufi nuk ka qenë mbret. Kjo insinuatë është shpikje e Abdullah Prapashticës. Mbretit ia zënë vendin vetëm biri apo bija e farefisi i gjakut. Unë nuk kam pasur kurrfarë lidhje familjare me Jusufin. Mua me te më ka lidhur vetëm fryma dhe idetë e tij. Në këtë pikë është pikërisht e kundërta. Abdullah Prapashtica ka pasur ëndrra Kim-il-Sungiste, në bazë të të cilave, si Kryetar i Partisë ‘Komuniste’ (P’K’MLSHJ) gruan e vet e ka bërë kryetare të grave ‘komuniste’, e në Stafin e tij gjithashtu e ka pasur nipin e vet Faton Topallin me pseudonimin Qemali (Stafa) i cili ka qenë kryetar i organizatës së rinisë ‘komuniste’. Se çfarë analogjie është bërë apo kush është përpjekur të imitohet nuk është vështir me e marrë me mend. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se vetëm ata që i kanë takuar hises së familjes së Prapashticës, kanë pasur shans në Partinë e tij ‘Komuniste’ sado e madhe dhe e papërmbajtur të ketë qenë dëshira, qejfi e Vullneti i të tjerëve për ta përqafuar programin e saj. Bazimi në lidhjet familjare për Dinastinë e Partisë ‘Komuniste’ të Prapashticës është konsideruar si masa kryesore për t’i mbajtur në distancë të sigurt njerëzit me potencial të madh për komplote e përçarje.

Të kthehemi edhe njëherë tek Stilografi i Jusuf Gërvallës.

Plani i AP dhe OO: “Menjëherë pas kësaj demonstrate (sipas N.S. të 4 korrikut 1981 në Frankfurt-shën i Xhafer Durmishit), ne nëntë anëtarët e celulës „Vullneti“ u mblodhëm për të diskutuar rreth mundësisë së grumbullimit të parave për blerjen e makinës së shkrimit, për të cilën ditë më parë kishim diskutuar me Jusufin. (…) Në ditët pasuese Bardhoshi e kishte blerë një makinë shkrimi të tipit „Olivetti“, në vlerë prej 13.000 markash.”(Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 56)

Plani i AP dhe OO: “Pas blerjes së makinës së shkrimit (pas 20 gushtit 1981-shën im), Jusufi bëri një punë të jashtëzakonshme. I nxori nga shtypi revistat „Lajmëtari i lirisë“ dhe „Bashkimi“. Në anën tjetër, Kadri Zeka e kishte përgatitur revistën „Liria“ dhe në bashkëpunim me Jusufin e nxorën nga shtypi edhe këtë në fund të muajit gusht.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, f.58)

Megjithatë përmendja e mbretit ndoshta për Dinastinë Prapashtica e ka njëfarë kuptimi. Siç shihet nga Dokumenti i Bashkimit të 17 shkurtit 1982, dhe dy citatet e mësipërme, ndoshta askush nuk është ngulë më mirë në Stilografin e Jusuf Gërvallës se sa Dinastia e Abdullah Prapashticës. Po që se gjërat shqyrtohen në këtë kuptim, duket se është plotësisht e arsyeshme për Abdullah Prapashticën dhe Dinastinë e tij dordolece dhe ata janë të vetmit që me të vërtetë kanë të drejt ta shtrojnë çështjen se a ka qenë Jusufi mbret apo jo.

7. Propozimi për t’ia nisur nga zeroja

PROPOZIM PËR T’U FORMUAR NJË ORGANIZATË E NGJASHME

Plani i AP dhe OO:Edhe pas propozimit tim që të formohej një organizatë e ngjashme politike e mos të bëheshin përpjekje për ta zëvendësuar atë që ishte e pamundur, nuk më ngeli gjë tjetër veçse t’i përfillja urdhrat e zonjës së shtëpisë, e cila e kishte pranuar zëvendësimin e autoritetit të burrit të saj me njëfarë Skënder Skënderin, dhe e heshtur i ishte nënshtruar diktatit fantazmë të Sabri Novosellës.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 88)

Vullneti i Planit të AP dhe OO për t’ia nisur prej zeros, për t’ia nisur nga aty ku e kishin lënë vrasësit e saj, nuk ka nevojë për koment.

8. Nuk ishte pajtuar – Ishte pajtuar

Nuk ishte pajtuar Mërgimi

Pas shumë konsultimeve që u bënë për bashkimin e organizatave që vepronin në mërgatë, u vendos që Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla të udhëtonin për Turqi. Qëllimi ishte që të takoheshin me Mërgimin dhe t’i afronin qëndrimet për bashkimin e OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së13, pasi që më parë ky bashkim ishte arritur me Frontin e Kuq Popullor. Këto biseda, sipas Bardhosh Gërvallës, ishin tejet të shkurtra, pasi Kadriu që në fillim kishte deklaruar se nuk kishte çfarë t’iu shtonte atyre që ishin të shkruara në „Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës“, me çka nuk ishte pajtuar Mërgimi.” (Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 60)

Ishte pajtuar edhe Mërgimi

“Në takimin e radhës që pata me vëllezërit Gërvalla, u bisedua për mundësinë e nxjerrjes së një organi të ri në kuadër të LNÇKVSHJ-së. Mosarritja e bashkimit në mes të OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së, i la duar të lira Jusufit që të kujdesej për nxjerrjen e një organi që do t’i shërbente interesave të organizatës sonë. Për këtë qëllim, paraprakisht ishte pajtuar edhe Mërgimi.” (Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 60)

Plani i AP dhe OO: “Me Skënder Skënderin (Xhafer Durmishin-shën im) isha takuar vetëm njëherë në familjen Gërvalla, në shtator të vitit 1981, në prezencën e Islam Rafunës. Pastaj, as nuk e kam parë, por as nuk kam dëgjuar më për të. Nuk e mora vesh se nga erdhi, nga Kosova apo nga ndonjë vend tjetër, ndodhej ilegal në Gjermani, apo kishte ndonjë leje qëndrimi. Në fillim mendova se qëllimi i vizitës së tij ishte ngushëllimi, por pak kohë më vonë, për befasinë time, Suzana ma prezantoi si „zëvendës“ të Jusufit! Tani e kuptova qëllimin e vërtetë të ardhjes së tij. I çuditur, ia ktheva Suzanës, se Jusufi nuk ka qenë në dijeni se do të vritej dhe të parapërcaktonte një zëvendës… as nuk ishte mbret që të linte në fron trashëgimtarin. Suzana më sqaroi se Skënderi ishte i dërguar i Mërgimit, i cili ishte udhëheqësi i ynë, dhe se pa urdhrin dhe lejen e tij ne nuk guxonim të merrnim asnjë vendim. Pas këmbënguljes sime për të marrë vesh se kush fshihej pas pseudonimit Mërgimi, ajo më tregoi se ishte Sabri Novosella.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 88)

Nuk kishim dijeni se kush ishte pajtuar dhe kush nuk ishte pajtuar

   Plani i AP dhe OO: “Kisha fituar përshtypjen se këto veprime nuk ishin fare të tijat. Ai zbatonte urdhra dhe thurte komplote, por nën diktatin e tjetërkujt… Assesi nuk ishte vetëm! E kishte ndihmën dhe këshillat politike të Hafiz Gagicës, i cili nuk dallonte aspak nga Skënderi. Prandaj, nuk besoja se pranonte dhe zbatonte direktiva nga Sabri Novosella (Mërgimi), të cilin Suzana na e prezantonte si udhëheqës të Lëvizjes, edhe pse asnjëri nga ne anëtarët e Lëvizjes nuk kishim dijeni për ekzistimin e një udhëheqësi të tillë!” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 89)

Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka kanë ditur për Sabri Novosellën por “Luani i Komitetit Qendror të Partisë komuniste të AP” paska mbetur i painformuar në këtë pikë.Pyetja e pashmangshme që shtrohet këtu është: Kush e mban përgjegjësinë për mosinformimin e Luanit superior?

Është interesant të shohim memorien fenomenale të Planit të AP dhe OO, kur gjëra që i pohojnë në librin e tyre në faqe 89 harrojnë tërësisht se çka kanë thënë në faqe 60. Si është e mundur me i pajtua kundërthëniet e rrenat e tilla skandaloze të këtyre farë pajtonxhinjve?

 9. Mohimi i Zërit të përgjakur nga gjaku i Jusufit dhe të të vrarëve

“TERHEQJA” E ZËRIT ME 8 SHKURT

Xhafer Durmishi: “Zëri i Kosovës”, organ i LNÇKVSHJ-së, i drejtuar nga Jusuf Gërvalla

Dalja me “Zërin e Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së ishte planifikuar në verën e vitit 1981, por bisedimet me OMLK-në e që nxirrte revistën “Liria” e pezulluan këtë punë gjer në nëntor 1981, kur doli numri i parë i saj. Në janar 1982 doli numri i dytë. Vetura e Bardhosh Gërvallës në të cilën u vranë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka ishte e mbushur me këtë numër i cili posa kishte dalë nga shtypshkronja. Mu për këtë, për aktivistët e rrethit të Shtutgartit kjo gazetë mori një përmbajtje shumë më të thellë se sa që kishte pasur përpara.” (Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985, 1992, Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 334 dhe www.pashtriku.org)

 Plani i AP dhe OO: “Të nesërmen, më 8 shkurt (1982-shën i Xh. D.), shkova në shtypshkronjën „Luzifer-Verlag“ në Ludvigsburg, për ta tërhequr numrin e dytë të „Zërit të Kosovës“, me ç’rast bëra pagesën në shumë prej 1.300 markash.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, 2010, faqe 118)

Xhafer Durmishi: “Me të vërtetë tani jemi në njëfarë krize materiale. Puna ime tani nuk është aq me rëndësi: me rëndësi është ajo se ne tani kemi edhe 1300 marka borxh për këtë numrin e “Z” (Zërit të Kosovës-shën i Xh. D.) e janë mbi emrin e Hafizit (Gagicës). E ai në këto momente nuk e ka punën mirë. Shokut larg ia dërgova një letër të gjatë lidhur me këto e gjithashtu me përmbajtjen e bisedimeve që i patëm te Uka (Xhafer Shatri) në H.” (Letër Faridin Tafallarit më 30 dhjetor 1982, Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 442)

Faridin Tafallari: “Jusufi: Po ti Suzanë, kujdes fëmijët, t’i rritësh dhe t’i bësh trima. Amanet po të lë edhe materialet që i kam shpërndarë tek shokët; bodrumi është plot.” (Terror Dhimbje Qëndresë, f. 52)

Përkundër faktit të ditur prej të gjithëve që kanë qenë në Shtutgart se bodrumi, e jo vetëm bodrumi por edhe gepeku i kerrit, të rrethuar nga atentatorët, me targë HN-CY353, ka pasur pako me numrin 2 të Zërit të Kosovës, i cili ka qenë gati krejtësisht i përfunduar para 10 dhjetorit 1981, Plani i AP dhe OO e servon këtë gënjeshtër:

“Të nesërmen, më 8 shkurt, shkova në shtypshkronjën „Luzifer-Verlag“ në Ludvigsburg, për ta tërhequr numrin e dytë të „Zërit të Kosovës“, me ç’rast bëra pagesën në shumë prej 1.300 markash.” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, f.118)

Më 8 shkurt 1982 është bërë pagesa e borxhit për gazetën e cila është tërhequr në janar. Bardhi ka bërë kontratë me atë firmë dhe në kontrata të tilla kur në pyetje janë me mija marka, nuk janë paguar çdo herë të hollat në dorë sikur e paguan dikush një litër qumësht në dalje të vetëshërbimit. Kjo gënjeshtër në këtë formë është gatuar nga Abdullah Prapashtica, për ta zbutur luftën e tij kundër veprës së atyre që u vranë më 17 janar 1982. Nuhi Sylejmani nuk ka shkuar për ta tërhequr numrin dy të Zërit të Kosovës, se atë e ka tërheq Bardhoshi rreth 8 janarit 1982, por ka shkuar për ta paguar borxhin.

Letra ime dërguar Faridin Tafallarit e dëshmon më së miri këtë punë, se në të shumtën e rasteve pagesa është bërë në një kohë pas marrjes së gazetës. Ajo çka bien shumë në sy është edhe përputhja e shumës 1300 marka gjermane, megjithëse fjala është për dy ngjarje, njëra në shkurt e tjetra në dhjetor 1982.

Shtrohet pyetja se pse e nxitë Abdullah Prapashtica ta bëjë këtë dëshmi të rrejshme Nuhi Sylejmanin? Ai e bënë këtë pasi po të ishte kështu, ia thotë atij logjika e vetë, lufta e tij që gjithçka të filloj nga zeroja, nga aty ku e kanë lënë vrasësit e UDB-së Serbe do të dukej pakëz më e justifikueshme se sa në rastin e ekzemplarëve të Zërit të Kosovës, që ishin përgjakur me gjakun e Jusufit nga ulëset e prapme të veturës, apo me gjakun e tre të vrarëve.

(VIJON …)

_______________

PLANI I PARTISË KOMUNISTE (PKMLSHJ-SË) KUNDËR JUSUF GËRVALLËS – (GJENEZA E EMRIT “LNÇKVSHJ”) ( 3 )

Autori: Xhafer Durmishi, Suedi 12 mars 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura