NDËRHYRJA NDËRKOMBETARE NË KOSOVË, MË 24 MARS 1999

NDËRHYRJA NDËRKOMBETARE NË KOSOVË, MË 24 MARS 1999

Në datën 31 Janar 2000, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA i paraqet Kongresit Amerikan raportin e titulluar: “Kosovo / Operation Allied Force After-Action Report”, ku, midis të tjerave, jep edhe këtë bilanc: “Nga 78 ditë vetëm 24 ditë NATO arriti të godiste forcat serbe në Kosovë, pasi në 54 ditë koha ishte shumë e keqe dhe nuk mundësonte përdorimin e aviacionit mbi këtë terren”.

Nga Dilaver Goxhaj, Tiranë 24. 03. 2023

Ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës që e vuri në lëvizje  aktive tërë diplomacinë ndërkombëtare. Prandaj, në Tetor  të vitit 1998, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkoi nga Sërbia: ndalimin e veprimeve ushtarake e të zjarrit; tërheqjen e të gjithë forcave të sjella në Kosovë prej fillimit të vitit; pjesa tjetër e ushtrisë të futej nëpër kazerma; të lejonte kthimin e refugjatëve nëpër shtëpitë e tyre; t’u krijonte urgjentishtë mundësi hyrëse agjensive të ndryshme të ndihmave humanitare; të  lejonte rreth 3500 vëzhgues civilë  të  OSBE-së, si dhe të bënte një grafik kohor për bisedime me  shqiptarët, për autonominë  e Kosovës.

Qëllimi i KS të OKB-së ishte: t’i jepte fund dhunës në Kosovë, pasi ajo rrezikonte të përhapej edhe në vëndet e tjera ku ka shqiptarë, gjë që do të ndizte një konflikt ballkanik, ku mund të përfshiheshin edhe dy antarë të NATO-s, (Greqia dhe Turqia) etj.

Kjo bëri të mundur që UÇK-ja ta pranonte më 1 tetor 1998 armëpushimin e propozuar. Armëpushimi u shfrytëzua nga të dyja palët ndërluftuese. Prezenca e vëzhguesve ndërkombëtarë ishte një shans për UÇK-në, pasi i dha mundësi që të riorganizoi tërë strukturat e saj; të ridimensionohej; të rivendoste lidhjet e humbura; të eleminonte pasojat; si dhe të bënte furnizime me materiale luftarake, municione, ushqime, veshmbathje, medikamente etj.

Por edhe Serbia nga ana e saj e shfrytëzoi këtë periudhë armëpushimi, ku mundi të përqëndroi në Kosovë rreth 100 mijë forca të  ushtrisë, policisë, sigurimit, paramilitarë  dhe të moblizuar nga popullsia serbe në Kosovë. Krahas këtyre veprimeve, pala serbe vazhdonte të shpërngulte shqiptarë, ndërkohë që shtetet e BE-së bënin një sy qorr e një vesh shurdh, drisa duke gdhirë 16 Janar 1999 kreu edhe masakrën e Reçakut. “Perëndimi u zu në befasi nga ajo që ndodhi në Reçak. – shprehet analisti Pedi Eshdaun – Ai tregoi se Millosheviçi nuk është pjesë e zgjidhjes, por problemi”. (Zëri,30.03.2000).

Por masakra e Reçakut u nxit nga një ngjarje tjetër. Në 13 janar 1999 UÇK-ja kapi rob 9 ushtarë serbë dhe në 14 janar Serbia u detyrua të dorëzonte 13 ushtarët të UÇK që i kishte kapur rob në 14 dhjetor 1998 (në bjeshkët e Pashtrikut). Këtë shkëmbim robërish e dhanë me filmim gjithë mediat botërore. Si rrijedhojë, UÇK-ja u bë jo vetëm faktor ushtarak i barazvlefshëm me ushtrinë serbe, por edhe faktori politik kryesor në Kosovë, duke i bërë hije LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, të përkëdhelurit e BE-së dhe Serbisë. Për ta eklipsuar këtë fitore të UÇK-së, Serbia kreu masakrën e Reçakut. Këto dy ngjarje nxitën Anglinë dhe Francën të propozonin Konferencën Ndërkombëtare në Rambuje.

Refuzmi mëndjemadh i Serbisë për të pranuar vendimet e Rambujesë, bëri të mundur kalimin në përdorimin e forcës nga ana e ndërkombëtarëve, pasi politika i kish konsumuar të gjitha burimet e saj.

NATO-ja vendosi të kryej goditje vetëm nga ajri!

Pse vetëm nga ajri?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë nga deklarimet e disa personaliteteve ndërkombëtare.

1.Presidenti Klinton, qysh më 24 Mars 1999, natën e parë të bombardimeve, deklaroi në TV se, “Unë nuk kam ndërmend të fus trupat tona në Kosovë për të bërë luftë”. 2. Ish shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Klaus Nauman, shprehet: “Kurrë nuk ka ekzistuar dëshira për të zhvilluar një luftë kundër Jugosllavisë, me qëllim që ta mposhtë këtë vënd. Sikur NATO të kishte patur një interes të tillë, atëhere një operacion i tillë do të ishte zhvilluar në mënyrë krejt tjetër, shumë më  shkatërues.” (Zëri,25.4.2000).

Lufta ajrore e NATO-s, e cila fillloi më 24 Mars 1999, e gjeti UÇK-në në përleshje të ashpra me ushtrinë serbe, e cila (Serbia) më 20 mars 1999 pati ndërmarrë dy goditje të fuqishme të njëkohëshme, të sfazuara në dy ditë: në ZO të Drenicës dhe në atë të Pashtrikut, ku pati angazhuar mbi 400 tanke e transportues të blinduar, si dhe mbi 40 mijë forca, të mbështetura me artileri lëvizëse e stacionare të shumtë.

Gjatë javës së fundit të Marsit, dhe dy javët e para të prillit, e cila ishte faza e parë e bombardimeve nga NATO, jo vetëm që mbi Kosovë binte pa reshtur dëborë, por edhe aviacioni nuk parashikonte goditje të objekteve ushtarake serbe në Kosovë. Në atë fazë ishte parashikuar nga NATO thjesht fitimi i supermacisë në ajër dhe goditja e gjithë objekteve serbe në ish Jugosllavi, të karakterit ekonomiko-strategjik, që ndikonin në ecurinë e luftës, ku përfshiheshin edhe uzinat ushtarake, qendrat e rafinimit e ruajtjes së karburanteve, linjat hekurudhore, urat etj. Në këto kushte, ushtria serbe në Kosovë ende nuk e ndjente goditjen e NATO-s, prandaj ajo vepronte me intensitet të lartë. Kjo periudhë është faza e shpërnguljeve më të mëdha të popullsisë, si dhe kemi luftimet më të ashpra nga ana e forcave të UÇK-së.

Në pasditën e 23 marsit 1999 u vendos bashkveprimi midis Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe NATO-s, i cili fillimisht ishte vetëm për shënjë tregimin e objektivave serbe në Kosovë, por më vonë u kalua në bashkëveprim të gjithanshëm luftarak.

Faza e dytë e goditjeve të aviacionit nga ana e NATO-s, 13 deri 30 Prill 1999, kishte për objekt goditjeje një gamë më të gjerë objektivash serbe në Kosovë, ku hynin armët dhe mjetet kundërajrore, objektet ushtarake, grumbullimet e forcave dhe të teknikës të tyre etj.

Në këtë fazë ushtria sere kishte kaluar në shpërndarjen e forcave të veta, duke i nxjerrë forcat nga kazermat dhe duke i fshehur nëpër shtëpitë e fshatarëve, në pyje dhe në banesa (lagje) qytetesh, por edhe si rrjedhojë e kalimit të UÇK-së në strategjinë e luftës partizane. Këtë lloj strategjie të UÇK-së e pohon edhe gjenerali serb Bozhidar Deliç, (komandant i Br.549 K.Mot), i cili, në Gjyqin që i bëhej Millosheviçit në Hagë, thotë: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdonin taktikën: godit dhe ik”. (Božidar Delić, July 5th, 2005, Milošević).

Strategjia e ushtrisë serbe, qysh në fillim të ofensivës së saj të emërtuar “Operacioni Patkoi”, ishte: të përfundonte spastrimin etnik të Kosovës; të përçante unitetin e NATO-s dhe të përjetësonte Kosovën si pjesë të saj, sikundër ishte pranuar në Rambuje nga pala shqiptare.

Ndërsa strategjia e NATO-s ishte: Të dëmtohej aftësia ushtarake dhe ekonomike e Serbisë, për ta pa-aftësuar atë ta mbante Kosovën nën pushtim ushtarak.

Shpopullimi total i pjesës më të madhe të Kosovës, brenda një afati kohor shumë të shkurtër 3 javor që bëri Millosheviçi, e befasoi jo vetëm NATO-n por të tërë komunitetin ndërkombëtar, i cili shpresonte se pas javës së  parë  të  bombardimeve Serbia do të  dorzohej.

Mirëpo gjatë këtyre tri javëve të UÇK-së me ushtrinë serbe, luftimet ishin aq të ashpra, sa na u konsumua një sasi e madhe dhe e pa parashikuar municionesh. Si rrjedhojë, repartet e UÇK-së filluan t’i pakësonin luftimet sulmuese me forca të shumta. Gjithashtu, një pjesë e madhe e popullsisë u strehuan në zonat që kontrollonte UÇK-ja, gjë që formacionet tona u detyruan të kryenin edhe luftime mbrojtëse, në mbrojtje të  kësaj popullsie, si p.sh. në Kosovën Qëndrore, në Shalë të Bajgorës, Qyqavicë, Nerodimë, Dushkajë, Gallap etj., ku popullsia arrinte nga 25-150 mijë në secilin rajon.

Në 1 Prill 1999 Qeveria e Përkohshme e Kosovës, (e cila ishte krijuar në Rambuje me propozim të zonjës Ollbrajt), lëshoi thirrjen për mobilizim të përgjithshëm. Kjo, jo vetëm që e fuqizoi luftën, por ngriti lartë edhe moralin e luftëtarëve të UÇK-së si dhe të popullsisë që qëndroi në Kosovë. Mirëpo, në këtë moment dramatike për Kosovës, LDK-ja nuk pranoi të kyçej në këtë qeveri, edhe pse e kish nënshkruar marrëveshjen, duke vendosur interesat partiake dhe personale mbi ato kombëtare. Këtë e shprehu qartë më pas Kryeministri i Qeverisë së LDK në ekzil, Bujar Bukoshit, i cili e shpjegoi: “Ngutja e udhëheqjes politike në emër të UÇK-së, për të krijuar qeveri, ka pasur qëllim që të shkatërronte institucionet që kish Kosova, në vend qe t’i adaptonim e t’i bënim ato githëpërfshirëse”. (Zëri,05.04.2000).

Në këto kushte UÇK-së iu desh që të  kërkonte furnizime nga NATO, por ato u refuzuan.

Pse u refuzua furnizimi i UÇK-së nga NATO?

Arsyet janë të shumta, por ne po rendisim disa:

1. Perëndimi i ruhej akuzës se mos akuzohej nga Serbia, Rusia, Kina dhe pasuesit e tyre, si aleat i UÇK-së;

2. Perëndimi ka hezituar në përkrahjen pa mëdyshje të UÇK-së, sepse i është  friguar qëllimit të UÇK-së, i shpallur në betimin e saj, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, prandaj edhe sot BE-ja heziton ta njohë pavarësinë e saj;

3. Nga frika se mos fuqizohej së tepërmi UÇK-ja dhe e bënte fakt të kryer bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. 4. Dhe, kryesorja, nuk ka patur konsensus nga të gjitha vendet anëtare në NATO, për të ndihmuar luftën e popullit tonë. Këtë e shpreh shumë qartë z.Xhimi Shia: ”Në një aleancë prej 19 demokracive, gjithmonë  do të  ketë  opinione të  ndryshme… Më  duhet të  jem i sinqertë, para fillimit të  konfliktit jo të gjithë aleatët pajtoheshin me aktivitetet e UÇK-së.” (Zëri,23.03.2000).

Dhe më qartë akoma e jep ambasadori pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, z.Kristian Pauls, kur thotë: “Sepse ne kurrë nuk jemi bindur në besimet politike të  UÇK-së dhe kurrë nuk jemi pajtuar me filozofinë politike të UÇK-së”, (Zëri, 03.04.2000). Bindjet politike të tyre për UÇK-në ishin ato të propaganduara nga LDK dhe aletatët e saj.

E megjithatë, duhet ta pranojmë me guxim, se NATO-ja nuk mund ta fitonte për dy muaj atë luftë me Serbinë, nëse nuk do të kishte bashkvepruara ngushtë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë përfundim na vjen në ndihmë studimi i botuar nga autorët: Bruce R. Nardulli, Walter L. Perry, Bruce Pirnie, John Gordon dhe John G. McG, prezantuar në librin: “Lufta e Shpërbërë-Operacionet ushtarake në Kosovë,1999” (f.178,179), publikuar nga: RAND Corporation – 2002, të cilët shkruajnë: Aleanca luftoi me zgjerimin e operacionit të saj vetëm në ajër, ngaqë forcat tokësire serbe ishin të shpërndara. Siç treguan provat, forcat serbe në terren i mbijetuan kryesisht sulmeve ajrore të NATO-s të paprekura, për shkak se ato ishin të shpërndara.

Kuptohet. Serbia kaloi në atë strategji e detyruar nga kalimi  i UÇK-së në strategjinë e luftës partizane. 

Dhe janë po këta autorë që vijojnë: “Për të sulmuar më me sukses forcat tokësore të armikut, forcat ajrore kanë nevojë për njohuri mbi operacionet e forcave tokësore të armikut… Asnjë komandant i komponentit tokësor nuk u caktua gjatë operacionit nga Forca Aleate. Edhe kur nuk përfshihen forca të konsiderueshme tokësore, duhet të jetë një komandant i komponentit tokësor për të ndihmuar në përgatitjen e inteligjencës informuese në fushën e betejës, për të planifikuar përdorimin e forcave ajrore në bazë të rasteve… Një komandant i komponentit tokësor mund të ofrojë ndihmë të vlefshme duke mbajtur nën vëzhgim (synim) forcat në terren, duke u fokusuar në objektivat e potencialit luftarak të armikut, për shënjestrimin dhe vlerësimin e dëmeve të betejës si dhe për të ndihmuar në zhvillimin e një game të plotë objektivash në operacionet e përbashkëta (f.152)”.

Dhe, gjithë këto detyra funksionale të domosdoshme në atë luftë aero-tokësore i kryejti shkëlqyeshëm, në interes të NATO-s, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Për të bindur edhe më skeptikët, se pa kontributin e UÇK-së nuk mund të çlirohej Kosova, po shtojmë: Në datën 31 Janar 2000, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA i paraqet Kongresit Amerikan raportin e titulluar: “Kosovo / Operation Allied Force After-Action Report”, ku, midis të tjerave, jep edhe këtë bilanc: “Nga 78 ditë vetëm 24 ditë NATO arriti të godiste forcat serbe në Kosovë, pasi në 54 ditë koha ishte shumë e keqe dhe nuk mundësonte përdorimin e aviacionit mbi këtë terren”.

Duam apo nuk duam ne, ishte UÇK-ja ajo që e nxorri faqebardhë Aleancën Veri-Atllantike, duke mos pësuar vetë NATO asnje lloj kostoje njerëzore apo materiale, prandaj dhe ajo, në shenjë “mirënjohjeje”, e çarmatosi UÇK-në, duke i “dorëzuar KFOR-it 38.000 armë krahu, 173 mortaja, 300 armë antitanke, 27.000 predha artilerie, duke i lënë vetëm 200 armë krahu dhe, njëkohësisht, të mos inkurajohej ish-UÇK-ja të kalonte në forcë politike”; (Përveç 1593 pushkë automatike; 143 mortaja; 6 topa pa dridhje; predha artilerie 1313 copë; 225.054 copë fishekë, dorëzuar policisë serbe nga oficerat e FARK-ut më 29 shtator 1998); si dhe u çua në Gjyq Ndërkombëtar; ndërkohë që Serbia nuk dorëzoi as edhe një fishek!

Pse u morën këto vendime?

Këtë na e shpjegojnë Ivo H. Daalder and Michael E. O’Hanlon: “Bashkëpunimi i NATO-s me UÇK-në gjithashtu u rrit. Por ky nuk ishte një hap i lehtë që aleanca mori, ngaqë NATO nuk dëshironte të përafrohej haptazi me UÇK-në, duke pasur parasysh shqetësimet e saj për natyrën dhe qëllimet e asaj organizate. Kjo ngaqë udhëheqësit e aleancës nuk donin të humbnin qëndrimi neutral në konflikt; ndërsa në mënyrë të qartë, në anën e shqiptarëve etnikë në fushën e betejës, ata ende shpresonin të luanin rolin ndërmjetësues në diskutimet e mëvonshme për të ardhmen politike të Kosovës, madje dhe kur rifilluan negociatat.” (Po aty, 152). Jo më kot Sami Frashëri thotë: “ç’ka s’mund të ta bëjë armiku, ndonjëherë ta bën miku.”

Pavarësisht kësaj, UÇK-ja i është mirënjohëse përjetësisht NATO-s, që e mundësoi UÇK-në të arrinte ta çlironte Kosovën në një afat shumë të shkurtër.

Tiran, 24 Mars 2023

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura