ILJASA SALIHU: MA GJEJ NJË SHTET NË BOTË…

Kumanovë, 21. 05. 2015 – Ma gjej një shtet në botë, ku në vagëllimën e parë të mëngjesit, vetë shteti i trishton me krisma dhe rrapëllima të trishtueshme qytetarët e tij? Ma gjej një shtet në botë, ku qytetarët më së shumti i frikësohen veprimeve të shtetit të tyre? Ma gjej një shtet në botë, ku asnjë marrëveshje nuk zbatohet? Ma gjej një shtet në botë, ku është kampion në bërje të marrëveshjeve të cilat kurrë nuk jetësohen? Ma gjej një shtet në botë, ku pensionistët janë prijës politik, të cilët mes tjerash i premtojnë punë të papunëve?
Ma gjej një shtet në botë, ku gjykatësit dhe prokurorët e shtetit emërohen prej shefit të shërbimit sekret?
Ma gjej një shtet në botë, ku kazermat trajtësohen në fakultete, mirëpo jo edhe ushtarët partiak në studentë të mirëfilltë?
Ma gjej një shtet në botë, ku qytetari me rastin e arrestimit menjëherë akuzohet?
Ma gjej një shtet në botë, ku prezumimi i pafajësisë prej vetë shtetit pandehet si fajtor?
Ma gjej një shtet në botë, ku shteti në rajonet shqiptare shihen vetëm përgjatë ndonjë bastisjeje dhe mbledhje të tatimit?

Ma gjej një shtet në botë, ku shteti për ndërmarrjet tregtare dhe prodhuesi shpreh kërshëri vetëm për t’i dënuar dhe jo për t’i nxitur në zhvillimin e veprimtarive të tyre?
Ma gjej një shtet në botë, ku shumë nëpunës shtetëror shqiptarë rrinë në shtëpi me të vetmin qëllim që të mos e mësojnë punën dhe të mos i fusin në sistemin e atyre që mendojnë se shtetin ia kanë lënë trashëgimi gjyshërit?
Ma gjej një shtet në botë, ku qytetet ndahen sikurse me thikë në vija etnike?
Ma gjej një shtet në botë, ku ndaj romëve ushtrohet racizëm i hapur, mes tjerash duke mos i lënë të dalin jashtë shtetit, gjoja se po ia prishkan imazhin një të shëmtuarit?
Ma gjej një shtet në botë, ku flamurit të një etniteti të dytë me ligj i zvogëlohen përmasat krahas një flamurit tjetër?
Ma gjej një shtet në botë, ku gjuha shqipe nuk është e shqiptarëve, por e 20 përqindëshit?
Ma gjej një shtet në botë, ku politikanët e dështuar në politikë bëhet profesor universitar dhe analistë politikë?
Ma gjej një shtet në botë, ku pushteti kapërthehet prej pesë njerëzve tejet të fuqishëm?
Ma gjej një shtet në botë, ku Ministria e Financave është e gatshme të ngulfatë çdo kërkesë që ndërlidhet me shqiptarët e punësuar nëpër ministri të ndryshme?
Ma gjej një shtet në botë, ku prej parave të qytetarëve ndërtohen aq shumë kryqe dhe kisha?
Ma gjej një shtet në botë, ku ndërmarrja helmuese nuk mbyllet vetëm për hir të disa oligarkëve?
Ma gjej një shtet në botë, ku partneri i koalicionit për vendimet e pushtetit njoftohet prej medieve?
Ma gjej një shtet në botë, ku pikërisht sot mëtohet të ndërtohet e kaluara duke ia zbrazur xhepat e varfra qytetarëve të shkretë?
Ma gjej një shtet në botë, ku komunistët e mbajnë gojën plot me BE dhe me NATO?
Ma gjej një shtet në botë, ku marksistët i prijnë besimtarëve?
Ma gjej një shtet në botë, ku të vrarin nuk e lënë pa vrasës, qoftë vrasësi edhe njeri i shpikur – i pafajshëm për veprën në fjalë?
Ma gjej një shtet në botë, ku qytetarët nuk dëgjohen, mirëpo përgjohen që nesër t’i përgjërohen përgjuesve?
Ma gjej një shtet në botë, ku më të paaftit në shoqëri kanë pozita më të larta në shtet?
Ma gjej një shtet në botë, ku deputeti në vend t’i përfaqësojë hallet dhe kërkesat e votuesve, ai merret me doktoraturë jashtë shtetit?
Ma gjej një shtet në botë, ku vetë shteti bën eksperimente me çështjet arsimore?
Ma gjej një shtet në botë, ku varfëria ekonomike mëtohet të mbulohet përmes ndonjë sulmi të armatosur?
Ma gjej një shtet në botë, ku ministri i arsimit akuzohet për diplomë të rreme?
Ma gjej një shtet në botë, ku partia fiton jo si rrjedhojë e premtimeve të realizuara, por si rrjedhojë e shantazheve dhe mashtrimeve të praruara?
Ma gjej pra një shtet të këtillë në botë? Nëse nuk mund të ma gjesh, atëherë shiko nëse ndonjë të tillë mos po e gjen në ndonjë planet tjetër. Mos u lodh, edhe pse gjërat nga afër nuk shihen. Mos e kërko një shtet të këtillë nëpër botë. Atë e ke para këmbëve tua!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura