U PROMOVUA LIBRI QË I KUSHTOHET HEROIT, XHAVIT HAZIRI (VIDEO)

Një përurim i shkëlqyer për veprën që i kushtohet Heroit, Xhavit Haziri

Nga Isuf Ismaili

Para pak ditësh u bë përurimi i veprës jetëshkruese “Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri”   në praninë e rreth 200 pjesëmarrësve, në një sallë të madhe, në Achen të Gjermanisë, ku erdhën familjarët, shokët e heroit Xhavit Haziri, studiues e veprimtarë, si dhe bashkatdhetarë, të cilët shfaqën nderimet  e dëgjuan shumë dëshmi të dhëna, përshkrime ngjarjesh e idesh pikërisht për Xhavit Hazirin, si shëmbëlltyra më mirë e vazhdimësisë shqiptare dhe veprimtarisë atdhetare.

Përurimi i veprave dhe vlerave të mirëfillta kulturore, shoqërore e atdhetare ka një rëndësi të madhe, jo vetëm për pjesëmarrësit e një tubimi të tillë, por mbi të gjitha ka rëndësi edhe për vetë rrugën që duhet shtruar mirë,  në të cilën brezat e rinj e nisin jetën e vazhdojnë përpjekjen dhe veprimtarinë për të qenë edhe ata pjesë e rrënjëve dhe shpirtit atdhetar të etereve e stërgjyshërve të tyre. Njëkohësisht, veprat të cilat përshkruajnë jetën e veprimtarinë e dëshmorëve, heronjve e njerëzve të përkushtuar në rrugën e lirisë, pavarësisë, emancipimit, të humanizmit e atdhedashurisë, janë e do të jenë gjithmonë shkëlqimi më i mirë për vetë njerëzit që kanë qenë bashkëkohës të dëshmorëve e  heronjve, për njerëzit që janë dashamirës e për vetë brezat e së ardhmes. Vepra e poetit dhe veprimtarit Mustafë Krasniqi për heroin e popullit dhe të atdheut Xhavit Haziri, është një vepër ku shquhet jo vetëm përshkrimi për ta paraqitur  jetën dhe veprën së këtij heroi, por ajo së bashku me vepra të tjera për heronjtë e dëshmorët e atdheut janë edhe  porosi që e thërrasin ndërgjegjen shqiptare.  Kështu jeta e lavdishme dhe veprimtaria heroike e bijve e bijave më të mirë të atdheut, që dhanë çdo gjë, pra edhe jetën e tyre,  duhet të jetë një lidhje e natyrshme e vazhdimësisë  me brezat e popullit shqiptar, duke shprehur gjallërinë jetës  së tyre e duke pasur si busull drejtimi veprën e jetën pikërisht të këtyre heronjve e dëshmorëve si heroi Xhavit Haziri. Pikërisht, këtu është një moment për të dalë edhe te përurimi i veprës : “ Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri “. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur vepra e dëshmorëve e heronjve përkujtohet e shënohet e përurohet nga brezat e rinj. Në këtë kuptim organizimi për përurimin e veprës për heroin Xhavit Haziri, nga familjarët e tij nga shoqëria e tij që u bë në Achen të Gjermanisë është një nga veprimtaritë e shkëlqyera atdhetare e shoqërore. 

Programin e këtij përurimi e udhëhoqi mësuesja e shkollës shqipe Elizabeta Statovci. Ajo pasi përshëndeti dhe uroi mirëseardhjen e të pranishmëve, pasi foli për rëndësinë e librit dhe heroit Xhavit Haziri ia dha fjalën menjëherë, shokut të idealeve të veprimtarisë e të burgut të Heroit Xhavit Haziri, bashkatdhetarit tonë, Binak Berisha. Ai në fillim tha:

─ Jam shumë krenar e i lumtur që shoh shumë njerëz në këtë mbrëmje për përurimin e e veprës së shokut tonë, Xhavit Haziri. Kjo më bën të ndjehem mirë, meqë shoh se mundi, sakrifica, veprimtaria dhe gjithçka që ka bërë Xhavit Haziri dhe shokët e tij ka dhënë frytet e çlirimit, lirisë e bashkimit të Atdheut! Dua ta falënderoj Mustafën e Arbenin të gjitha ata që dhanë ndihmesën e tyre në këtë mbrëmje përurimi, por arsyeja e vërtetë pse jemi këtu është heroi Xhavit Haziri. Për këtë hero, po ta kishin një të tillë popujt të tjerë, do të kishin bërë dhjetëra libra e filma.

Dua që në fillim ta bëj një vërejtje, për sa i takon titullit të veprës: “Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri” më duket se do të ishte mirë të thuhej  “Atdhetari udhës së madhe të lirisë”, sepse unë, Mustafa e disa shokë të Xhavitit, kemi mbetur në shtigje, ndërsa Xhavit Haziri e shtroi udhën e madhe të lirisë, udhë kjo në të cilën ka mundur të hyjë secili shqiptar. Megjithëkëtë, e falënderoj, Mustafë Krasniqin, sepse e ka bërë një vepër shumë të mirë për shokun tonë e heroin Xhavit Haziri. 

Xhavitin pata rastin e njoha në ditët e kohërat e vështira, kur vepronim ilegalisht për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Jugosllavia pushtuese. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm, vetë pamja e tij tregonte: mirësi, bujari, dashuri, atdhetarizëm, sakrificë etj., me ato syze që na shëmbëllente si heroi Qemal Stafa. Unë mund të flas edhe për kohë kur qemë në burgje. Ai qe stoik dhe nuk i trembej syri kurrë. Ai vepronte edhe në burgje dhe arrinte t’i bashkonte shokët, por edhe kurrë nuk u dorëzua gjatë torturave çnjerëzore që i bënte armiku dhe kurrë nuk gjunjëzua.

Më pas fjalën e mori Arbër Haziri, njëri nga pjesëtarët e familjes së Heroit Xhavit Haziri, ndër të tjera tha:

─ Jam shumë krenar, që sot keni ardhur për përurimin e kësaj vepre. Jeni shumë të nderuar të gjithë, por disa i falënderoj në mënyrë të veçantë, se kanë bërë qindra kilometra për të ardhur këtu, për ta nderuar Heroin Xhavit Haziri, për të na nderuar ne. Ju falënderoj nga zemra dhe unë nuk dua ta zgjas më shumë fjalën time, sepse studiuesit e veprimtarët para publikut do t’i thonë ato që kanë përgatitur. 

Mësuese Elisabeta sipas programit e ftoi profesor dr. Vaxhid Sejdiun. 

Profesor Vaxhidi e nisi fjalën e tij me përgëzimet për veprën e Mustafë Krasniqit, foli edhe për atë se kurrë nuk mund të thuhen të gjitha ato të dhëna, ngjarje  e veprimtari që i ka bërë një dëshmor, një hero, siç është Xhavit Haziri. Profesor Vaxhidi, duke bërë një punë të shkëlqyer sistematike e me përkushtim, analizën për veprën e kishte ndarë në disa nëntituj dhe ndër të tjera tha:

─ Nuk ka titull më të lartë, se titulli hero. Xhavit Haziri është hero, ai dha gjithçka për ne, për lirinë, për Atdheun, për të gjithë shqiptarët, për të gjithë Shqipërinë. Ne kemi nevojë të mësojmë, studiojmë e ta nderojmë veprën e tij e të dëshmorëve e heronjve të tjerë. Ne kemi nevojë të ecim sipas mësimeve e veprimtarisë që ata e bënë.

Si mund të përkufizohet, përpjekja, organizimi e veprimtaria e heroit Xhavit Haziri? Si mund t’i themi disa fjali të përmbledhura për punën, veprimtarinë, përkushtimin, sakrificat e tij e të shokëve të tij, gjeneratës së tij, të cilët qenë në shërbim të Atdheut?

Mund të themi me plot gojën, se ideali i tyre që i ka shtyrë, që ua ka mbushur shpirtin, që i ka  udhëhequr është gjuha, trojet shqiptare, Shqipëria, bashkimi i tërësisë së saj, flamuri shqiptar e motivet e shkëlqyera njerëzore.

Kështu, vijmë edhe te edukimi i Heroit dhe bashkëveprimtarëve, bashkëluftëtarëve, bashkëvuajtësve të tij, duke theksuar, se pikërisht ato që u cekën më sipër, ato ideale e motive që fëmijë e të rinj janë ushqimi i tyre shpirtëror, edukativ. Për ta, pra gjuha, kultura e Atdheu janë një e të pandara. Ky pra është mësimi më i mirë edhe për të gjithë ne. Të gjitha këto që u thanë lidhen pa u ndarë me atdhedashurinë.

Ndër të tjera profesor Vaxhidi tha se liria që e gëzon Kosova, si shteti i dytë shqiptar, për të cilin vepruan shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare, kurrë nuk do të dilte në dritë, kurrë nuk do të vinte, pa sakrificën e veprimtarinë e heroit Xhavit Haziri e të shokëve të tij, bashkëveprimtarëve të tij, të cilët përkushtimin e veprimtarinë e kulmuan me krijimin e UÇK – së heroike dhe fitoren e çlirimin e Kosovës.

Profesor Vaxhidi, aty nga fundi tha:

─ Heroi ynë Xhavit Haziri dhe bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij ditën të bashkohen jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trevat shqiptare, sepse vetëm bashkimi i shqiptarëve  dhe i të gjitha trevave të tona shqiptare sjell forcë, përparim kombëtar e shoqëror.

Më pas ma dhanë fjalën edhe mua edhe si redaktor i librit. Unë të them të drejtën fola për disa ngjarje e për rëndësinë e librit. Shokët që kanë shkruar më parë siç janë: profesor Vaxhid Sejdiu, e Mustafë Krasniqi e kanë përfshirë në shkrimet e tyre edhe atë që thashë unë, por edhe në librin “Atdhetari i shtigjeve të lirisë – Xhavit Haziri” e kam vështrimin tim, prandaj nuk do të doja t’ i përsërisja ato që kam shkruar e thënë, por dua të theksoj një moment kur e shfrytëzova pas recitimeve të nxënësve e fjalimeve të kumtuesve. Në atë rast thashë se është vështirë, madje e pamundur të përfshihen të gjitha ngjarjet e të dhënat në një libër të vetëm për heroin, prandaj do të doja që kushdo që ka të dhëna t’i mbledhë ato dhe t’i dërgojë te autori ose te njerëzit që mund të shkruajnë për heronjtë e dëshmorët dhe të botohen edhe libra të tjerë. Por, unë e shfrytëzova edhe këtë rast për të folur për arsimin, për gjuhën shqipe, për shkollat e nxënësit në diasporë, për rëndësinë që ka shkolla shqipe, për shqetësimet tona, sepse një pjesë e madhe e njerëzve tanë  po e bjerrin, po e humbasin gjuhën, kulturën e rrjedhimisht edhe shqiptarësinë tonë, prandaj me dhembje të madhe dhe emocione të fuqishme thashë:

─ Unë kam vënë re se një pjesë e madhe e fëmijëve nuk dinë shqip, nuk i dërgojnë prindërit  e tyre në shkollat shqipe, kjo është shumë e dëmshme, sepse gjuha është çelësi më i mirë që i hap dyert, të cilat i mbyll harresa, i mbyllin ndikimet e zhvillimet e dëmshme në vendet e huaja. Gjuha na e ruan zanafillën tonë, kulturën e shqiptarësinë.

Më pas, gati me lot në sy, thashë se edhe dëshmorët e heronjtë si Xhavit Haziri, vepruan, e derdhën gjakun për lirinë, pavarësinë e bashkimin e atdheut, por u flijuan edhe për ne në mërgim, për fëmijët tanë që të mos shuhen këtej në vendet e huaja, por ta ruajnë gjuhën e përkatësinë shqiptare, prandaj dërgoni fëmijët në shkollat shqipe e t’i mësoni të flasin shqip! Por, uroj që të mos shkojë dëm edhe puna e vepra jonë, si mësimdhënës!

Edhe vetë autori Mustafë Krasniqi, foli e i falënderoj pjesëmarrësit, foli me admirim për heroin Xhavit Hziri etj. Në këtë linjë foli edhe poeti Hasan Qyqalla.

Më pas me emocione e me nderim të thellë përshëndeti të pranishmit edhe Arsim Haziri, vëlla i Heroit Xhavit Haziri, i cili tha:

─ Të dashur bashkatdhetarë ju përshëndes në emër të familjes Haziri, në emër të shoqes e të dy djemve të Xhavit Hazirit! Kjo është një ditë plot mall e kujtime, por edhe gëzime se po shoh kaq shumë njerëz, shokë të Xhavit Hazirit, bashkëveprimtarë të tij e studiues për jetën e veprën e vëllait tonë.

Ai përshëndeti mysafirët nga Zvicra e Italia, njerëzit e afërm e të gjithë të pranishmit që e nderuan jetën e veprën e heroit Xhavit Haziri.

Nxënësit  e shkollës shqipe të mësueses së nderuar  Elizabeta Statovci, të cilët ajo i kishte përgatitur mrekullisht e të cilët mbanin veshur edhe kostumet kombëtare shqiptare, recituan vjersha për heroin Xhavit Haziri, por edhe disa krijime që vetë Heroit që i kishte shkruar.

Në fund po e theksojmë nderimin dhe respektin për Arsim Hazirin, Arbërin e për të afërmit e tyre të cilët na u gjetën pranë e na nderuan, na pritën e na përcollën me dashuri e përkushtim të madh vëllazëror. Nderime pa fud!

Lavdi të përjetshme Heroit Xhavit Haziri!

___________

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura