Berlin, pranverë 2023
Dëshmia e luleve…
(Mbi një skenë faji)
Nga Rexhep Kasumaj
1.
Vjeshtë e vonë diku larg, në një konte të Amerikës së paanë. Rreze të kursyera përvidhen mes résh që dynden shtigjesh të panjohura. Dhe nën këtë pikturë natyre që nuk shfaqte ndonjë shenjë t’përzishme, kumti i një jete të shuar do përhapej shpejtësisht.
Kurrëkush s’mund t’a besonte. Në të parë linte përshtypjen e një djali të qetë e të lumtur. E nderonte xhaxhain që i kishte siguruar punë në firmën e tij dhe e përkujdeste me dashuri atnore.
Afria e gjakut ishte, ndaj, aq e natyrshme. Madje, zgjonte zili e admirim në kohën e një ftohtësie sociale që, si një mallkim, ka rënë mbi botë.
Por njëj dite të bukur e, disi, të pafajshme, xhaxhai u gjet i vrarë në ambientet e kancelerisë së tij.
2.
Hetues e prokurorë që do ndërhyjnë vrullshëm, hamendësonin për dorasin e fshehtë. Kush, vallë, duhej të ketë shkrepur armën e krimit kundër këtij njeriu të mirë?
Dyshimi i parë i vente armiqëve, por ai s’kish të tillë. Pastaj rivalëve që, sërish, s’patën motiv, sepse fitimet e tij ishin modeste. Ose, ah, ndonjë dashuri e vjetër hakmerrej për orët e djegura rinore. Veçse zemra dashunore, e pathyer kurrë, i jetonte bashkë me të ditët e numëruara t’kësaj bote.
Mirëpo, kur dukej se misteri do mbulonte gjithçka, një plak i urtë, pasi kishte heshtur pak, u kujtua për një provë të epërme, të pakapshme nga ansambli shqisor i njeriut: shpirtin e luleve. Të gjithë mbetën të habitur. Si qenkësh e mundur që lulja të dëshmojë? Që ajo të ketë ndjeshmëri aq të hollë, madje përtej teknikave të sofistikuara të kriminalistikës mondane.?!
Të shtyrë beftas njëj shprese aventuroze, eprorët dhanë urdhërin e çuditshëm: të pandehurit duhej të parakalonin ndanë lules që sikur priste çastin e të vërtetës në zyrën e të ikurit. Dhe ecnin ata përbri si në defile, të indinjuar e të trëmbur, por lulja nuk lëvizte dot. Mbaruan. S’kishte të tjerë. Zhgënjimi, madje përtallja, lexohej në sytë cinikë të autoriteteve hetimore. Ndërkohë, njëri prej tyre që rrinte menduar, do t’hidhte propozimin e papritur: të kalonte tejkqyrjen fajprerëse të lules dhe nipi i të vrarit.
Më shumë nga natyra e zejes, ata pajtohen për të shpënë këtë dësh’rim fantazmagorik deri në fund. I zënë nga hakmarrja e mëkatit, ai dridhmonte përlutshëm: si mund t’ma bëni këtë turp, thërriste e kundërshtonte, mua që e doja deri në përulje xhaxhain tim? Por hetuesit nuk sprapseshin. Dhe mrekullia do të vinte shpejt si dhuratë qielli: kur ai do t’i afrohej lules besnike, gjithë petalet, kurora e saj trishte dhe e bukur, si e shtyrë nga një ftomë stuhie, do varej ndjekshëm drejt tij. Grupi që ndiqte zbardhjen e krimit s’pati as më të voglën ndërdyshje: ky ishte vrasësi, dora e zezë që kërkonin.
3.
Tani skena ngjan pak e errtë e mbireale: aktorë, ndjekës e të pandehur dhe, midis tyre, dëshmia e lules…
Ndërsa evokoja këtë ngjarje të pazakontë, s’kish si t’mos i ndjeja keqardhshëm, lulet shqiptare.
Çdo rrëfenin ato për gjakun që, më shumë se shiu, ka rimun tokën e vjetër, represaljet mizore të stinëve sllave, zgavrat e zymta ku tretet e paemër jeta e ndërprerë, për vajtim grash (“me ata sy të bukur që dijnë me kja”)…Pastaj, o Zot, për shnjerëzime vajzash, britma fëmijësh: mos më lërë nënë, për gropa plot ëndrra të pushkatuara gjithandej tokës armike…
E, për dhunën mortore mbi të pafuqishmit që flisnin të njëjtën gjuhë e kishin po atë vuajtje, për besëprerjen, goditjet pas krahësh nga miku i idealit dhe, ah, për të mundurit e lirisë – çdo thoshin akoma?
Por njerëzit, të mësuar (si do thoshte gjenerali i Markezit) me një fat prej teatri, flasin pak. Kurse ato, të mirat, nuk i pyet askush..!