(Prishtinë, 09. 04. 2012) – Akti terrorist i sulmit mbi familjen Haradinaj është pasqyrë e realitetit të hidhur që mbretëron tash e 13 vjet në veriun e vendit. Qeveria jonë në vend që të merr masa efikase për kapjen e atentatorëve vrasës dhe zhbërjen e bandave kriminale të Serbisë, (të cilët jetojnë në çerdhen e izoluar matanë Ibrit), kjo vazhdon plane nënshtruese ndaj shtetit serb, kinse për pajtim historik. Me këtë politikë të retarduar, udhëheqësit tanë, jo vetëm se veriun do t’ia dorëzojnë pa kushte Serbisë, por edhe pjesën tjetër me shumicë shqiptare do ta bëjnë të varur ekonomikisht dhe politikisht nga Beogradi.
Terrori serb kundër shqiptarëve vazhdon. Akti terrorist i vrasjes se Selver Haradinajt dhe plagosjen e katër fëmijëve në shtëpinë e tij në veriun e Mitrovicës, nuk është as i pari e as i fundit që bandat terroriste të Serbisë po demonstrojnë kundër qytetarëve shqiptarë në këtë zonë të trazuar. Sulmi fatal për familjen Haradinaj, nuk ishte i papritur, ngase kërcënimet e bandave serbe kundër shqiptarëve në veri janë të përditshme dhe nga më të ndryshmet. Pra, mungesa e dorës së shtetit e të ligjit, bëri që Selver Haradinaj, të bëhet dëshmori i ri i rrugës sonë për liri. 13-vjet të lirisë së Kosovës (dëbimi i makinerisë pushtuese serbe), po kaq vjet shqiptarët e veriut të Mitrovicës, jetojnë nën ethet e terrorit serb, nën sulmet e kërcënimet e vazhdueshme të mbeturinave millosheviqiane të njohura si struktura paralele. Sulm terrorist ishte edhe dëbimi i shqiptarëve nga vendbanimet e veta në veri (1990), atak terrorist ishte edhe vrasja e policit Enver Zymberit, atak terrorist është edhe bllokimi i rrugëve e shumë sulme tjera kundër autoriteteve shtetërore të Kosovës, KFOR-it, Policisë, EULEX-it, etj.
Pamje nga varrimi i Selver Haradinajt.
_________________________
Kur mungon liria, “ujqërit”, ngrenë krye
Mungesa e shtrirjes së ligjit në veri si dhe paaftësia e institucioneve unikate shtetërore për të vepruar dhe shpartalluar bandat terroriste e kriminale serbe në këtë pjesë delikate të shtetit tonë, mund ta shëndrrojnë veriun e Mitrovicës në një çerdhe të terrorizmit ballkanik. Shqiptarët në veri të Kosovës i janë nënshtruar terrorit të egër nga elementet e paligjshme të instrumentalizuara nga Serbia, me qëllim të ndjekjes edhe të atyre pak familjeve shqiptare qe kanë mbetur në këtë pjesë të vendit tonë. Ashtu siç ishte planfikuar nga UDB-ja dhe MUP-i serb, kidnapimi i policëve tanë në zonën kufitare, edhe akti terrorist kundër familjes Haradinaj, është kuzhinë e përgatitur nga strukturat e sigurisë e të spiunimit serb, të cilat veprojnë lirshëm nëpër enklava. Familja Haradinaj, shquhej për qëndrimet e pathyeshme të saj, për të jetuar në pronën e vet të shenjtë në këtë pjesë të vendit, përkundër tendencave e kërcënimeve të vazhdueshme të bandave terroriste serbe për t’i larguar nga pronat e tyre në veri. Ky akt tregon notën më të lartë të dështimit të institucioneve qeveritare në mbrojtjen e jetës së lirë qytetare. Këtu ka dështuar EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës, të cilat nuk po arrijnë t’i zhbëjnë strukturat kriminale serbe e as bandat terroriste qe vijnë e “mrizojnë” nga shteti fqinj Serbia. Edhe pse popullata shqiptare në veri vazhdimisht ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet tona shtetërore, një gjë e tillë nuk është ofruar asnjëherë, por “ligjin, rendin e sigurinë” në këtë pjesë delikate e bëjnë strukturat kriminale të Serbisë. Reagimi i presidentes sonë, Qeverisë, MPB-së dhe institucioneve ndërkombëtare, nuk ka qenë aspak në shkallën e duhur të veprimit. Akterët e sulmeve terroriste duhet të kapen e të ndëshkohen, jo vetëm të dënohen me retorika boshe. Në raste të tilla çdo shtet normal do të mobilizohej dhe do të ngriste shkallën e sigurisë së lartë kombëtare, do t’i moblizonte njësitet antiterror, e jo siç ndodh zakonisht tek ne, qe sulmet e vrasjet të dënohen nga kafenetë a zyrat e buta të ndërtesave qeveritare.
Dënime deklarative
Mosefikasiteti dhe paaftësia e institucioneve tona për kontrollin e tërësisë territoriale do të përcjellin probleme të mëdha, rreth sigurisë qytetare, por edhe për vet autoritetet policore, doganat etj. – Agresioni i xhandarmërisë serbe në kufirin verior, atentateti vdekjeprurës dhe bllokimi i rrugëve, janë sinjale se në të armen jo shumë të largët mund të kemi perballje edhe me uniformat e policisë dhe ushtrisë serbe, të cilat tashmë janë funksionale dhe veprojnë nën petkun e MUP-it dhe të UDB-së. Kjo kërkon masa urgjente për marrjen e veriun nga dora a pushtuesit serb, por edhe çlirimin përfundimtar të kësaj pjese të shtetit tonë. Duken absurde deklaratat e kreut të MPB-së, Bajram Rexhepi, kur thotë se “akti kriminal i sulmit kundër familjes Haradinaj, mund të tensionojë situatën në veri”. Ku ka tensionim më të madh se kur ta ndalojnë lirinë e lëvizjes (bllokimi i rrugëve). Edhe krimi i fundit terrorist është pjesë e pandashme e blllokimit të rrugëve. Po kaq i tmerrshëm është imazhi teksa lëshon në banesën e fundit të dashurin, i cili u vra vetëm pse është shqiptar. Nëse një udhëheqës nuk jeton me ndjenjat e çdo qytetari të vet, ai njeri nuk meriton të mbajë atë post. Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, nxjerr në pah nevojën urgjente që strukturat e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, etj., të izolojnë strukturat kriminale serbe që po terrorizojnë qytetarët shqiptarë në veri. Kjo thirrje duhet të vlejë për qeveritarët tanë të cilët më tepër se administratorë nuk po tregojnë menaxhim të duhur të elementeve kyçe të shtetit. Gjithashtu edhe thirrja për gjakftohtësi është pothuajse shabllon. Ku ka gjakftohësi më të madhe se sa të qëndrosh në shtëpinë tënde, pranë familjes së shenjtë dhe pronës qe e ke siguruar me mund e sakrificë. Vrasja në gjumë është ekzekutimi më i rëndë dhe më i shëmtuar që mund të ndodhë. Akti i tillë do duhej t’i mobilizonte të gjithë mekanizmat shtetëror të Republikës së Kosovës (politik, policor etj.), për kapjen e aktorëve të krimit dhe zhbërjen e strukturave kriminale serbe në veri. Reagimi i presidentës sonë është gati shabllon, pa asnjë pikë reference për kapërcimin e situatës. “Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që të kapin autorët e këtij incidenti dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës”. Akti terrorist nuk është incident, e as prishje e rendit dhe qetësisë, por është vrasje e lirisë, e cila është e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare. E nderuar Presidente, autorët e krimit e kanë çerdhen e vet.Unë nuk e di se ku mendon presidentja jonë qe të ndiqen ata, (nëse nuk kapen në çerdhen e tyre), ndoshta nëpër koridoret e Kuvendit të Kosovës! Dhe kjo, nëse një ditë banditët mësyjnë të vijnë në godinë. Edhe reagimi nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht tonit më të nxehtë, serish nuk përkon me realitetin. Qeveria duhet të veprojë, jo të deklarojë rastin. “Ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt”. Ky është akt kriminal dhe terrorist, por çfarë po bënë Qeveria dhe institucionet tjera për kapjen e këtyre aktorëve, ose zhbërjen e bandave dhe terroristëve. Reagimi i kryeministrit Thaçi ngjanë me reagimin e ndonjë zyre diplomatike a ambasade në Republikën e Kosovës. Kreu i Qeverisë është dashur ta thërret kabinetin e tij qeveritar, udhëheqësit e MPB-së e PK-së, për të ngritur gjendjen e jashtëzakonshme, ngase ky akt terrorist është vrasje edhe për institucionet shtetërore të Kosovës,shpërfillje ndaj aktit juridik e kushtetues, dhe atentat ndaj lirisë qytetare e njerëzore. Vetëm fjalët nuk kanë kuptim në këtë rast. Më mirë dhe më qnjerëzishëm reagon Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, duke thënë se ka mbetur i tronditur nga shpërthimi në Mitrovicë. “Mbeta i tronditur kur dëgjova për shpërthimin në të cilin humbi jetën z. Selver Hajradinaj. Shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij”. Aktet të tilla tronditëse përjetohen çdo ditë nga qytetarët shqiptarë të kësaj ane, të cilët akoma nuk e ndjejnë aromën e lirë e të pavarësisë së Kosovës.
Mosveprimi institucional mund të prodhojë konflikt ndëretnik
Terrorizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve të veriut, nga ana e bandave dhe strukturave kriminale serbe mund të çojnë deri tek hapat e konfliktit etnik. Kjo për faktin se shqiptarët nuk mund të bëhen gjithmonë “kurban” për t’i kënaqur epshet e sëmura sllave. Nëse Qeveria e Kosovës dështon në krijimin e sigurisë qytetare për të gjithë dhe nuk merr masa të duhura për zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri, situata lehtësisht mund të merr dimensione të paparashikueshme. Qytetarët shqiptarë kërkojnë nga institucionet e shtetit të Kosovës të veprojnë me urgjencë për vendosjen e kontrollit policor dhe kushtetues edhe në ato pjesë të veriut ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë qe të mbrohet jeta e tyre, prona dhe terrorizimi. Ndryshe ti lënë dënimet deklarative e boshe, ngase të qeverisësh shtetin nuk është vetëm luks, por edhe sakrificë dhe përgjegjësi. Akti terrorist i sulmit mbi familjen Haradinaj është pasqyrë e realitetit të hidhur qe mbretëron tash e 13 vjet në veriun e vendit. Qeveria jonë në vend qe të merr masa efikase për kapjen e atentatorëve vrasës dhe zhbërjen e bandave kriminale të Serbisë, (të cilët jetojnë në çerdhen e izoluar matanë Ibrit), kjo vazhdon plane nënshtruese ndaj shtetit serb, kinse për pajtim historik. Me këtë politikë të retarduar, udhëheqësit tanë, jo vetëm se veriun do t’ia dorëzojnë pa kushte Serbisë, por edhe pjesën tjetër me shumicë shqiptare do ta bëjnë të varur ekonomikisht dhe politikisht nga Beogradi.
– Autori është publicist.