HYZRI REKAJ, IDEALIST I ORËVE TË PARA NË MARGATË

Nga Xhafer Shatri, Pashtriku, 03. 07. 2023

Hyzri Rekaj, idealist i orëve të para në Mërgatë

Me Hyzriun jam takuar për herë të parë nè fund të tetorit të vitit 1982. Nga Zvicra shkuam me Hasan Malën. Në Dysseldorf na pritën Avdi Begisholli dhe Hyzri Reka. Ndejtëm gjatë dhe u informuam për gjendjen në Dysseldorf, në Gjermani po edhe në Ferizaj e rrethinë, sepse që të dy ishin të asaj ane. Për mua që kisha vetëm disa muaj që po shijoja idhtësinë e mërgimit, ishte e rëndësishme të takoj njerëz me përvojë dhe të lidhur me Lëvizjen Kombëtare, siç ishin këta të dy dhe plotë të tjerë aty.

Nga ajo që vërejta, ashtu si edhe në shumë mjedise të tjera në mërgim, ishte se vrasja e prijësave të Lëvizjes Kombëtare vëllezërve Gërvalle e Kadri Zekës nuk i kishte frikësuar as aktivistët e njërës prej vatrave të saj në mërgim që militonin rreth Klubit “Emin Duraku”. Përkundrazi, njerëzit ishin mllefosur e trimëruar edhe më shumë. Në vetëdijen e tyre, krimi në Untergrupegrah, kishte krijuar një humnerë me Jugosllavinë mbi të cilën nuk do të mund të ndërtohej kurrë asnjë urë. Dysseldorfi ishte njëra prej qendrave kryesore të mërgatës së re të Kosovës, aty klubi ynë iparë që ishte pavarësuar nga përfaqësitë dhe përfaqësuesit e Jugosllavisë. Kjo kishte ndodhur falë aktivitetit të një grupi atdhetarësh aty. Mësova sidomos për përpjekjet perfide të UDB[1]së për t’i përçarë veprimtarët dhe simpatizantët e klubit. Hyzriu dhe baci ishin burra të pjekur, të përkushtuar dhe të gatshëm për të bërë çdo gjë në favor të lirisë së Kosovës. Ishte kënaqësi të bisedoje me ta.

Më vonë me Hyzriun jemi takuar me 10 dhjetor 1982, në Demonstratën e madhe që mbajtëm para Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ishte ndër demonstratat më të mëdha e më të suksesshme deri atëherë. Shkaku i saj Kryesia e Jugosllavisë pati kërkuar nga Zvicra që të ndalojè veprimtarinë e Lëvizjes në këtë shtet. Me qëllim që rrëfimi im për Hyzriun të jetë sa më origjinal, po i referohem ditarit, të cilin e kam mbajtur rregullisht.

***

E martë 18 janar 1983, ishim me Plakun në Bruksel, ku e formuam një lloj rrjeti të Lëvizjes. Dhe pastaj shkuam në Dysseldorf te Hyzriu. Biseduam gjatë me të. Isha ende nën përshtypjet e rënda të kontakteve ne Bruksel dhe i fola hapur për këtë. Atmosfera politike atje dallonte shumë nga mjediset tjera në mërgim. Ndërkaq, Hyzriu me atë buzëqeshjen e tij të përhershme, ma ktheu: Në Bruksel kanë mbjellë harpaxhikë shumë duar dhe është vështirë të gjinden dhe të lidhen fijet e duhura. Qeshëm të gjithë me shprehjen “harpaxhik”.

Por takimi më i rëndësishëm me Hyzriun ka qenë më 3 prill 1983, kur ai erdhi në Gjenevë me një ilegal nga Kosova. Ishte ditë me shi. Pasi fola me shokun që kishte ardhur, dolëm me Hyzriun në një park dhe shetitëm gjatë, ani se u bëm qull. Folëm gjatë për gjendjen në Lëvizje, për nevojat e mëdha e mundësitë e vogla, për nevojën që të dalim gradualisht nga gëzhoja e ilegalitetit dhe të strukturohemi në rrethana të reja. Ishte shumë i qartë. Këtë bisedë pastaj e kam interpretuar te shokët më të afërm dhe disa muaj më vonë, në Biel mbajtëm një mbledhje të zgjeruar, konsultative ku morën pjesë rreth 80 aktivistë të besueshëm të Lëvizjes nga krejt Evropa. Ky ishte takimi më i madh i kuadrove të Lëvizjes që ishte mbajtur ndonjëherë. Aty pati diskutime për gjendjen organizative dhe për çështje programore. U fol hapur edhe për përçarjet që kishin filluar në Lëvizje dhe të cilat do përsëriten në formë kaskadash shumë vjet rresht.

Këtë çështje një aktivist, Shyqeri Ukshini e shtroi në mënyrën e tij atipike: Shokë, çka të bëjmë me disa që po kokokokorizen (Shyqa kur ishte nervoz, belbonte…) në Lëvizje, ndërsa venë po e bëjnë tjetërkund? Edhe Hyzriu diskutoi dhe si gjithnjë dëshmoi edhe aty, me dijen dhe përvojën e tij, se ishte njëri ndër kuadrot kryesor të Lëvizjes. Zatën këtë e pranoi shumë vjet më vonë në një intervistë edhe shefi i UDB-së për Kosovën se Hyzri Rekaj ishte ndër 7-8 shqiptarët më të rrezikshëm për Jugosllavinë në Evropën Perëndimore.

***

17 dhjetor 1983, sot ia dërgova Hyzriut me postë expres, traktin që do të shpërndahet në Kosovë, me fotografitë e shokëve të rënë dhe me kërkesat themelore të Lëvizjes. Ideja e Hyzriut ishte që trakti të jetë me letër të dyfishtë speciale, në mënyrë që kur t’i hiqet shtresa e poshtme, atëherë trakti të ngjitet kudo dhe të mos mund të hiqet aq lehtë. Traktin pastaj e ka shtypur Hyzriu dhe ia ka dhënë Jakupit, mirëpo, ky si duket është arrestuar në kufi. Nuk më kujtohet saktësisht se çka ka ndodhur pastaj me traktin, a ia ka dhënë edhe ndokujt tjetër apo jo dhe sa është shpërndarë në Kosovë?

***

16 janar 1984, dje ishin shokët e Dysseldorfit dhe të Lozanës: Hyzriu, Nazmiu, Haxhiu, Hamiti etj. kanë ardhur për ngushëllime, sepse para pesë ditësh janë vrarë në Prishtinë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Jemi për tokë. Plaku (Hasan Mala) po mbahet mirë, por vetë jam në një gjendje të rëndë dhe nuk po mund të marr veten. Më është errësuar çdo gjë. Kjo është goditja më e rëndë që kemi marrë. Të gjithë shokët që po vijnë, sidomos këta nga Dysseldorfi, u përpoqën të na forcojnë me fjalët e tyre të matura e të vendosura. Por gjëma është tepër e madhe. Pasojat e saj janë të pariparueshme që Lëvizja do t’i vuajë shumë vjet. Kur dolëm t’i përcjellim nuk munda të përmbahem e të mos ia them Hyzriut: është krijuar një kaos që askund nuk po ia shoh fundin. Ata ishin arkitektë të organizimit ilegal…

***

E diel 30 shtator 1984, ka ardhur Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Shqipëria. Ishim në Lozanë dhe në Bazel. Këtu erdhën shokët nga Dysseldorfi: Hyzriu, Sylë Thaçi, baci Avdi, baca Zymber. Kishin ardhur edhe disa shokë nga Suedia. U gëzuam se u pamë. Më veçoi Hyzriu dhe më tha se po flitet edhe për një përçarje tjetër që po përgatitet. I tregova shkurtimisht për çka është fjala, pa hyrë tepër në detaje. Nuk doja ta dëshproj. Më shikoi me sytë e tij inteligjentë dhe më tha: Kam përshtypjen se prej vrasjes së shokëve ti je disi si në nokdaun. Po, është e vërtetë, i thashë. Por duhet të mbahemi, të luftojmë e të mos dorëzohemi. Shi, më tha, ne duhet të mësohemi me këto gjëra. Te kroatët, ta zëmë, ka përçarje shumë më të mëdha dhe dihet kush i shkakton ato. Por përpjekjet e tyre nuk po ndalen. Ashtu duhet të veprojmë edhe ne. Është e vërtetë kjo, iu përgjigja, por lufta brenda llojit është më e tmerrshmja nga të gjitha dhe dëmet e saj janë të pariparueshme. Mbeti që ai të dërgoje dikë te familja e Enver Topallit për të marrë ndonjë informatë për rrethanat e arrestimit. Sepse në valën e arrestimeve të fundit që quan te vrasje e Rexhepit dhe Nuhiut, janë bërë dekonspirime dhe lajthitje të tilla si asnjëherë më parë. Thjesht një rrëmet i tmerrshëm është përplasur mbi ne. Janë këputur lidhjet dhe nuk po arrijmë ta kemi një pasqyrë të qartë për gjendjen.

***

14 shkurt 1985, sot kanë ardhur te ne Hyzriu, Baci dhe Malushi. Po bisedojmë për tërmetin tjetër në Lëvizje. Ishin ato përçarjet e fundvitit 1984 që më bënë të largohem nga Lëvizja. Prandaj u ndjeva shumë keq kur i pashë. Hyzriu ishte në dijeni për shumë çka dhe sipas analizës së tij kjo është një tollovi e madhe që ka për qëllim që qëndresa jonë të dobësohet përmes grindjesh banale në thelb të të cilave janë gishtërinjtë e UDB-së, ambicjet dhe budallakitë e njerëzve tanë. Selmani, një ndër aktivistët e parë në Gjenevë, e pyeti: a bën me më tregu Hyzri ku po e gjen ti gjithë këtë gjakftohtësi, bre shoq? Ndërsa Hyzriu me atë buzëqeshjen e tij ia ktheu: Pikërisht në momente si këto, njeriu duhet të jetë me këmbë në tokë.  

***

15.5.86, më thirri Hyzriu dhe më tregoi se paskan zgjedhur Këshillin Drejtues të Bashkësisë së klubeve. Aty qenkan disa aktivistë të spikatur të Lëvizjes: Faredin Tafallari, Sylë Thaçi, Qamili dhe Hyzriu. E përgëzova. Paskeni zgjedhur një ekip shumë të mirë. Gjatë gjithë këtyre viteve, Hyzriu ka dërguar letra gjithandej dhe ëshë përpjekur singerisht që Lëvizja jonë Kombëtare të jetë unike, efikase dhe gjithë energjia e saj të koncentrohet në përballje me Serbine. Jo gjithnjë bëhej ashtu siç ai kishte dëshirë. Por përpjekjet e tij fisnike nuk u ndalën asnjëherë.

Njera prej këtyre përpjekjeve ishte edhe debati që Hyzri Rekaj e organizoi në Dysseldorf në dhjetor të vitit 1996, kur lufta po trokiste edhe në dyert e Kosovës. Në debat ishte Profesor Qosja, Petrit Duraku, Ibrahim Kelmendi, Islam Spahiu dhe unë.

zgjidhjen e çështjes Ishte një debat interesant me pikëpamjet dhe këndvështrimet më të ndryshme. Me këtë rast Hyzriu lexoj një kumtesë, përmes së cilës vërtetohet dhe njëherë se ai ishte ndër kuadrot më të përgatitur të Lëvizjes tonë Kombëtare në mërgim. Hyzri Rekaj, analizën e tij të thukët e përfundoi më një thirrje e paralajmërim serioz: Të nderuar bashkatdhetarë, zonja e zotrinj, duke dashur t’i mbetemi konsekuent qëllimit të organizimit tëkësaj tribune dhe duke mos pretenduar që t’i ndajmë leksione askujt, mendojmë se është momenti i fundit që i gjithë truri kombëtar të ulet pranë një tryeze të përbashkët dhe të hartojë një platformë të qartë me detyra konkrete afatshkurtëra dhe afatgjata, ku pos tjerash vend të merituar do të zërë organizimi i mërgatës dhe detyrat konkrete të saj në dhënien e ndihmës për kombëtare. Jemi të sigurt se vet akti i tillë do të ishte faktori qenësor i mobilizimit të gjithëmbarshëm kombëtar dhe do të mundësonte tejkalimin e gjendjes ekzistuese si në Atdhe ashtu edhe në mërgatë.

Hyzri Rekaj kontriboj shumë në rrugëtimin tonë kombëtar por fatkeqësisht vdekja e hershme ia pamundësoj shijimin e lirisë së shumëpritur.

Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit Hyzri Rekaj

(I marrë nga libri “Monografi – Hyzri Rekaj” me autorë Shabi Rekaj & Sabri Shehu, Ferizaj 2023, faqe 51 – 56)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura