KMDLNJ: FALJA SI AKT MËSHIRE, DETYRIM KUSHTETUES APO VAZHDIM DËNIMI?!

(Pashtriku, 20. 02. 2013) Reagim i KMDLNj-së: Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës (është megjithatë një jubile !!), si akt mëshire të shtetit ndaj personave që kanë rënë në kundërshtim me ligjin dhe janë në vuajtje të dënimit i fali katër-4 të dënuar pas rekomandimit të komisionit Ad-Hoc. Për falje kishin aplikuar 441 të dënuar që i plotësojnë kushtet e parapara me ligj. Këto kërkesa janë shqyrtuar edhe me rekomandimet e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ligji për Falje përkatësisht Neni 4 e specifikon qartë se cilët persona të dënuar kanë të drejtë për falje pa i ndarë të dënuarit me vepra të lehta apo të rënda. Vetëm të dënuarit në bazë të Kreut XIII apo të Kreut XIV të Kodit Penal të Kosovës për vepër penale kundër Kosovës apo qytetarëve të saj, apo kundër të drejtës ndërkombëtare janë të përjashtuar nga e drejta për falje.
Me rastin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ish presidenti Sejdiu pati falur 62 të dënuar me ulje dënimi apo falje ndërsa ushtruesi i detyrës së presidentit z. Jakup Krasniqi kishte falur pjesërisht apo tërësisht 103 të dënuar. Për këto falje ka pasur reagime deri te denoncimi në prokurori duke kërkuar përgjegjësi penale mirëpo ato janë hedhur si të pabaza gjë që nënkupton se z. Sejdiu dhe z. Krasniqi nuk e kanë shkelur ligjin gjatë dekretimit për falje.
Vitin e kaluar presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga e uli dukshëm numrin e të falurve, qoftë për shkak të shkrimeve në medie të personave që nuk kanë njohuri elementare për ligjet, të burgosurit dhe të drejtat e tyre, qoftë nga frika se do të përfshihet në Raportin e Progresit apo në raportet e tjera ndërkombëtare. KMDLNj ka qenë pjesë e komisioneve Ad-Hoc në vitet 2011 dhe 2012. Ndaj faljeve të vitit 2012 ka shfaqur rezerva të cilat edhe mund t’i argumentojë nëse është nevoja. Mbase për këtë arsye KMDLNj në vitin 2013 nuk është ftuar fare dhe nuk është njoftuar fare për falje! As në cilësinë e anëtarit Ad-Hoc (që nuk do të pranonte) e as në cilësinë e monitoruesit (që do ta pranonte). Në mungesë të monitoruesve (nuk është ftuar as Avokati i Popullit) procesi i faljes ka qenë krejtësisht jotransparent. Mungesa e transparencës vetvetiu nënkupton se mund të ketë dyshime në rregullsinë e këtij procesi.

Arsyetimi se janë falur të dënuar për vepra të lehta penale (prerja e pyjeve dhe aksident në trafik) është i papranueshëm, diskriminues dhe në kundërshtim me Ligjin për Falje.
Ligji për Falje shprehimisht përcakton kush ka të drejtë për falje duke mos i përjashtuar edhe kategoritë e tjera të dënuarve. Cilësimi i të dënuarve si “kriminel të rrezikshëm” është paragjykues, përjashtues dhe diskriminues dhe paraqet shkelje të rëndë të drejtave të personave të privuar nga liria.
Vetëm Gjykata me një vendim të prerë e përcakton peshën e krimit dhe për këtë e shqipton masën e dënimit. Vitet e dënimit nuk mund dhe nuk duhet të jenë përcaktuese për përjashtim nga e drejta për falje. Madje, lartësia e dënimit për të dënuar që kanë sjellje të mira, që kanë pranuar programin e risocializimit e që gëzojnë beneficione duhet të paraqes përparësi sepse të dënuarit për vepra të lehta penale mund të përfitojnë nga Paneli për Lirim me Kusht dhe nga falja e Institucioneve Korrektuese. Që nga përfundimi i luftës, përkundër ndryshimeve rrënjësore të sistemit shoqëror dhe politik, në mungesë të ligjit për Amnisti nuk ka pasur një falje më gjithëpërfshirëse prandaj ka pasur shumë revolta, greva dhe greva urie të dënuarve që, në masë të madhe e ka penguar punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës duke rrezikuar personelin , të dënuarit, duke i shqetësuar familjet e të dënuarve dhe për pasojë, me 23 shtator të vitit 2003 janë mbytur apo kanë vdekur 5 të dënuar ndërsa rëndë dhe lehtë janë lënduar afërsisht 100 të dënuar. Askush nuk është ndëshkuar për këtë. Edhe në kohën e ministrave z. Jonuz Salihaj,znj. Nekibe Kelmendi edhe këtij aktual z. Kuqi ka pasur greva ku të dënuarit kanë shfaqur pakënaqësi për mungesë të Ligjit për Amnisti dhe numrin e vogël të përfituesve të faljes.
Edhe pas kësaj faljeje të presidentes Jahjaga, të dënuarit kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme që do të ndikojë në tensionimin e situatës brenda burgjeve dhe jashtë tyre. Në të gjitha këto protesta KMDLNj ka qenë ndërmjetësuese duke bërë përpjekje për qetësimin e situatës. KMDLNj gjithmonë i ka mbrojtur të drejtat e personave të privuar nga liria kur ato kanë qenë të bazuar në ligj dhe do t’i mbrojë edhe në të ardhmen.
KMDLNj ka përvojë 15 vjeçare në monitorimin e burgjeve prandaj gëzon besueshmëri edhe te personat e privuar nga liria por edhe te zyrtarët që punojnë me këta persona. Pas gjithë kësaj KMDLNj shtron disa çështje si:
– Çfarë kuptimi ka procesi i risocializimit, sjellja e mirë e të dënuarve nëse ata përjashtohen nga falja?!
– Ku shkon dhe sa vlerësohet angazhimi dhe mundi i zyrtarëve korrektues nëse nuk përfillen rekomandimet e tyre?!
– Pse të dënuarit duhet të viktimizohen përkundër sjelljeve të mira, për hir të një Raporti të Progresit apo raporti tjetër dhe a duhet të jetë përcaktues risocializimi i të dënuarve apo shkrimet e mediave dhe raportet e ndërkombëtarëve për falje ?
– Ç’kuptim ka Ligji për Falje nëse ai nuk zbatohet?!
– A është qëllimi i vuajtjes së dënimit përpjekja e shoqërisë për risocializimin e të dënuarve dhe integrimin e tyre në shoqëri pas vuajtjes së dënimit apo kontributi për t’i shndërruar këta të dënuar në kriminel të përjetshëm?!
– A po ndihmohet në këtë mënyrë Shërbimi Korrektues i Kosovës apo jo?!
KMDLNj mendon se pas kësaj faljeje pikërisht Shërbimi Korrektues i Kosovës do të gjendet para sprovave të mëdha pas paralajmërimit të grevës së të dënuarve. Pa fajin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ata që flasin për falje duket se nuk kanë njohuri se si vepron Komisioni Ad-Hoc i presidentes, si Paneli për Lirim me Kusht dhe si veprojnë mekanizmat tjerë prandaj i ngatërrojnë gjërat e shkaktojnë huti në opinion. Sepse, refuzimi i faljes nga presidenti nuk nënkupton automatikisht që Paneli për Lirim me Kusht duhet të refuzojë kërkesën për të dënuarit.
Është koha që përfundimisht të bëhen ndryshime në përbërje të komisioneve për falje dhe Panelit për Lirim me Kusht. Sa më pak gjyqtarë në këto komisione për falje si rezultat do të ketë vendime më objektive. Është problem që gjyqtari që merr vendimin për dënim të merr edhe vendim të drejtë për falje apo lirim. Sepse, ata gjithmonë nisen sipas parimit: “pak janë dënuar prandaj pse t’i falim”. Për falje apo lirim me kusht më shumë do të duhej të angazhoheshin mekanizmat jogjyqësorë përkatësisht njohës të mirë të rrethanave, punëtorë socialë, psikologë, ata që përkujdesen për të dënuarit pas lirimit dhe të tjerë. Komisionet dhe përbërja e Panelit për Lirim me Kusht duhet të kenë mandat 4 vjeçar dhe të merren ekskluzivisht me shqyrtimin e kërkesave të dënuarve.
Kriminaliteti në Kosovë nuk mund të parandalohet me numrin e vogël të të falurve por me një politikë të drejtë ndëshkimore. Me një gjyqësi të pavarur dhe profesionale.
Është paradoks i llojit të vet por po del se më humane është Tribunali për Krime të Luftës në Hagë që i dënon ata që janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit se faljet që bëhet në Kosovë nga presidentja apo Paneli për Lirim me Kusht për vepra penale të rrezikshmërisë shumë më të vogël!
KMDLNj bënë thirrje publike të rishqyrtohen edhe një herë kërkesat për falje në praninë e monitoruesve ndërsa gjithashtu u bënë ftesë të dënuarve që kanë paralajmëruar grevë të mos ndërmarrin veprime të ngutshme por të kërkojnë zbatimin e Ligjit për Falje dhe miratimin e Ligjit për Amnisti. KMDLNj do të përkrahë kërkesat e arsyeshme të dënuarve por nuk do t’i përkrah kërkesat dhe veprimet radikale që e rrezikojnë jetën e tyre, të zyrtarëve korrektues, punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe situatën e Sigurisë. KMDLNj gjithashtu nuk e përkrah kushtëzimin e kërkesave nga ana e të dënuarve por as të institucioneve dhe në raste të tilla do të qëndrojë anash. Respektimi i ligjit duhet të vlej edhe për të dënuarit edhe për institucione!
Prishtinë, 19 shkurt 2013


Behxhet Sh. SHALA – Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-se

==================================

KMDLNJ: INFORMONI DREJTË, JO LINҪIME PUBLIKE!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1271

—————————————————————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura