MASAKRA E KOMUNISTËVE GREKË MBI SHQIPTARËT E KOSOVËS MË 9 MAJ 1947 NË KRETË TË GREQISË

Masakra e komunistëve grekë mbi shqiptarët e Kosovës më 9 Maj 1947 në Kretë të Greqisë

Nga Nue Oroshi

Në mesin e shumë Masakrave që kanë kryer serbët, malazezët dhe grekët që asnjëherë nuk u ngopën me grabitjen e tokave shqiptare hyn edhe Masakra e komunistëve grek më, 9 Maj të vitit 1947 në Kretë të Greqisë. Kjo Masakër është ndër më të veçantat për llojin e masakrave të kryera. Është e veçantë për faktin se këta shqiptarë atdhetarë që ishin antikomunistë të përbetuar kishin marrë strehim politikë në Greqi. Por greku nuk ka besë e proletarët komunistë gjithëherë kanë bashkëpunuar në mes vete siç ishte edhe ky bashkëpunim në mes të komunistëve grek, jugosllavë dhe shqiptarë për vrasjen e nacionalistëve atdhetar nga Kosova. Jam i bindur se shumica nga familjarët e të vrarëve nuk e kanë ditur dhe nuk mund ta dinë edhe sot se ku ju janë vrarë familjarët e tyre, e mos të flasim për varret e tyre dhe vendin se ku janë gjuajtur pas vrasjes se tyre,që ju ka humbur çdo shenjë.

Vlenë të veçohët fakti i qëndresës dhe mosdorzimit të këtyrë atdhetarëve shqiptarë nga Kosova të cilët edhe pse pa armë ata shfrytzuan çdo gjë që kishin të qëndrojnë heroikisht ku shumica prej tyre u vranë në përpjekje për të mos u dorëzuar asnjëherë.Tre prej tyre u dogjën mbrenda në shtepi dhe pjesa tjetër shpëtuan me plagë në trup. Kjo masakër tregon qartë se komunistët pansllavistë kryen masakra të çmendura kundër shqiptarëve si në Kosovë, Shqipëri,Mal të Zi, Maqedoni dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare. Para lexuesve po e sjell këtë shkrim ekskluziv dhe me fakte historike për këtë Masakër që ndodhi më, 9 Maj 1947. Ky material është marr nga Arkivi i Kapidan Ndue Gjon Markut që është edhe arkivi i Blokut Kombtar Independent ku këto materiale më janë afruar nga e bija e kapidanit Bianca Gjomarkaj të botuara në “Albania Libre “që ishte organ i Blokut Kombtar Independent, e ku po e japim në tersi:

“Më 9 Maj të vitit 1947, në ora 4 mbas mesit të Natës, në qendrën e Nënprefekturës Fera Petra në Kretë, një batalion i komunistave grekë e rrethojnë shtëpinë, ku po flinin 28 shqiptarë nga Kosova, emigrant politik. Shqiptarët ishin vendosur në këtë vënd prej auktoriteteve greke, dhe merreshin me punime bujqësie pranë familjeve greke të vendit.

Në këtë mënyrë ata siguronin shpenzimët e jetesës së tyre. Natyrisht nuk kishin me vete asnjë lloj arme. Nuk kishin gjithashtu asnjë mbrojtje të posaqme nga ana e auktoriteteve. Ata e kalonin gjithë ditën duke punuar dhe ndaj të ngrysur mblidheshin së bashku në një shtepi që u kishin caktuar për fjetje e banim. Natën e 9 Majit 1947 batalioni i komunistëve grek i përbërë prej më tëpër se 300 vetash nis të rrethoj ndërtesën e nënprefekturës kazermen e korofillakavet dhe mbasandej shtëpinë ku flinin.Mbas e plotsojnë rrethimin mirë e mirë fillojnë sulmin. Patrullat komuniste i lëshojnë za shqiptarvet dhe kërkojnë tu hapin portën e shtëpisë dhe tu dorzohën të gjallë.

Në fillim shqiptarët të habitur nga kjo ngjarje e papritur dhe ashtu të përgjumuar siç ishin nuk po kuptojnë se çpo ngjiste rreth fatit të tyre. Prandaj qëndrojnë në heshtje. Mirpo nuk shkon shumë kohë dhe patrulla komuniste fillon të zbrasë me armë kundër shtëpisë dhe përpiqen që të thyejë portën e të hyj mbrenda.Njëkohësisht i gjithë batalioni fillon sulmin duke u afruar drejtë banesës së shqiptarve me qëllim që ti zere të gjallë.Mirpo komunistët grekë i kishin bërë hesapet keq sepse nuk e dinin që bijtë e shqipes nuk i dorzohen gjallë armikut.

Shqiptaret kur e panë se po rrezikoheshin seriozisht filluan të luftojnë kundra komunistëvet. Mirpo më së leftonin vallë?

Ata nuk kishin armë të tjera përveç trimerisë personale,përveç zëmrës dhe idealit të tyre. Por kishin edhe veglat e punës kishin shata, lopata, kazma, sëpata kishin fronat ku uleshin per tu qlodhur kur ktheheshin nga puna dhe ndonjë copë tullë që munt ta nxirrnin me duar e me thonj prej murevet të shtëpisë. Me këto armë pra e fillojnë luftën e tyre këta trima shqiptarë e kështu leftojnë për gjashtë orë rresht. Ndërkaq filluan të bien dëshmorët e parë. Jonuz Emini kryetar i grupit, Idriz Sallova, Latif Kuqi, Riza Matoshi, Zejnel Mehmmeti, Qerim Hajdari e Halil Idrizi.          

 Por edhe nga ana e komunistëve mbetën pesë të vrarë e disa të plagosur,që tërhiqen e largohën. Duke parë se Shqiptarët po qëndronin si burrat dhe nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin të gjallë. Komunistët i venë zjarrin shtepisë duke ndezur disa fuqi me benzinë që ndodheshin në katin e poshtmë të shtëpisë.Mënjeherë e gjithë shtëpia u rrethua prej flakvet. Rreziku u bë aq i madhë dhe vdekja po afrohej aq shpejtë sa që për luftëtarët shqiptarë nuk mbeti tjetër rrugë veqëse të kalonin përmes zjarrit e flakës. Osman Sinani sulmon i pari duke dal jashtë shtëpisë e për mrekulli mund të ja marr armën një komunisti që i doli përpara të cilin edhe e vrau.Por pas pak edhe Osman Sinani bie për tokë i vrarë, duke thirrur Rrnoftë Shqipnia dhe Rrnoftë Kosova! Poshtë Komunizmi!

Mbas Osmanit sulmon vëllai i tij Bajram Sinani e fill mbas këtij Isak Ahmeti, Haxhi Halili, Banush Berisha, Bajram Berisha, Kadri Berisha, Mustafa Bajraktari, Ahmet Uka, Fiqri Sejda dhe Hidajet Arifi. Këta për qudi munt të shpëtojnë nga flakët e nga plumbat e armiqvet.U plagosën rand Qerim Ibrahimi, Bajram Gorani, Hysen Rama, Nazif Vata, Nazif Varoshi, Azis Murati dhe Istref Selmani. Prej këtyre të plagosurve tre të parët Qerim Ibrahimi, Bajram Gorani, Hysen Rama vdiqën pak ma vonë. Mirëpo kishin mbetur mbrenda në shtëpi në mes te zjarrit dhe flakevet Xhemal Matoshi, Rexhep Gashi dhe Ymer Sakoli. Këta duke mos mundur të kalojnë përmes flakevet qëndruan dhe e pritën vdekjën si burrat e hershëm, duke e kënduar Hymnin e flamurit e duke thirrur Rroftë Flamuri kombtar! Bajram Sinani njëri nder ata që shpëtuan prej t´rrezikut të zjarrit shkon e futet në shtëpinë e priftit por për fat te keq edhe këtu e rrethojnë armiqtë.

Në Luftë e Dytë fillon për Bajram Sinanin i cili lufton duke e përdorur në vend të armës shkopin e priftit e ndonjë send tjetër që i bije në dorë.Vret një komuniste e më në fund shpëton duke u hedhur prej dritares e duke u mshehur në një vend të sigurt. Asnjë shqiptarë nuk u dorzua i gjallë,në duarë e egërsirave komuniste të tërbuara. Mbas kësaj ngjarje të shëmtuar autoritetet greke mënduan ti sigurojnë shqiptarët emigranta duke i mbledhur të gjithë ata të Kretës 400 vetë në një qendër të Athinës.

Lajmi i hidhur i vrasjes tragjike të vëllëzërve tonë shqiptar nga Kosova shkaktoi ndër të gjithë të mërguarit shqiptarë një dëshprim të patreguarshëm. Egërsia dhe barbarizma e armiqve tanë në vend që të paksohet kërkon të shtohet gjithnjë e më tepër. Enver Hoxha i pangopur nga gjaku që derdhi e që po derdhë mbrenda kufijve të Shqipërisë deshti ta shtrijë egërsinë e vet edhe përtej këtyre kufive. Ai u muerr vesht me kriminelat e kategorisë se tij që mjerisht ndodhën edhë në Greqi dhe kërkoi që këta kriminela të lyenin duert e tyre edhe me gjakun e refugjatvet shqiptar që punonin të qetë në Ishullin e Kretës. Duke qëlluar mbi refugjatet shqiptar nga Kosova, Enver Hoxha ishte i sigurt se bënte një shërbim të math besnikërie kundrejt ustait të tij marshalit Tito i cili ka shkaktuar sa e sa mjerime në at vënt thjesht shqiptar që është Kosova. Mirpo veglat e vërberta të Barbarismes së kuqe nuk i kishin bërë hesapet mirë.Ata pandehnin se refugjatet shqiptar të Kretës do tu bin në dorë si pa gjë të keq.

Ndonëse s´kishin armë me vehte trimat shqiptarë dijtne të leftojnë si luan dhe ta shesin shumë shtrenjt gjakun e tyre e tu japin te kuptuar armiqvet të kuq se atëhere kur smunt të shpetojnë dot pranojnë te vdesin në mes të flakevetë e të zjarrit pse të gjallë nuk dorëzohen kurrë. Ne mes të këtij hidhërimi të math burrerija që kanë treguar këta vëllezër përpara një armiku shumë më të fortë përbën një ngushllime të vërtetë për zemra tona të helmuara. Gazeta jonë përgezon ata që shpetuan nga ky rrezik e u shpreh ngushllimet më të sinqerta farë e fisit të dëshmorevet duke u treguar heroizmin e këtyreve si shembull për gjithë Shqiptaret e tjerë e përfundon shkrimin “Albanie Libre”.

Si përfundim në këtë Masakër që e kryen komunistët grek më 9 Maj 1947 në Kretë ranë heroikisht 14 atdhetar shqiptarë:

1.Jonuz Emini kryetar i grupit,

2.Idriz Sallova,

3.Latif Kuqi,

4.Riza Matoshi,

5.Zejnel Mehmmeti,

6.Qerim Hajdari,

7.Halil Idrizi,

8.Osman Sinani,

9.Qerim Ibrahimi,

10.Bajram Gorani,

11.Hysen Rama,

12.Xhemal Matoshi,

13.Rexhep Gashi,

14.Ymer Sakoli, kurse u plagosën rëndë:

15.Nazif Vata,

16.Nazif Varoshi,

17.Azis Murati dhe

18.Istref Selmani.

Nuk kemi të dhëna më shumë se si përfunduan me pas këta katër atdhetarë që u plagosën rëndë. Kurse të palënduar ose me plagë më të lehta shpëtuan:

19.Bajram Sinani,

20. Isak Ahmeti,

21.Haxhi Halili,

22.Banush Berisha,

23.Bajram Berisha,

24.Kadri Berisha,

25.Mustafa Bajraktari,

26.Ahmet Uka,

27.Fiqri Sejda dhe

28.Hidajet Arifi.

Kjo ishte tragjedia e 28 shqiptarëve të Kosovës ku 14 prej tyre u vranë, u dogjën dhe u masakruan nga komunisitët grek. 

Të tjerët që shpëtuan nuk dihet për fatin e tyre të metutjeshëm dhe nëse ndonjë familjarë mund të ketë ndonjë dëshmi më të gjanë nga këta 14 të mbijetuar është mirë të afroj shënimet rreth kësaj Masakre të kryer nga 300 komunistë grekë kundër 28 shqiptarëve atdhetarë nga Kosova, të cilët nuk u dorëzuan dhe nuk shkuan gjakëhumbur por e paguan vetën shumëfish. 

Këtu pra, shihet qartë se ripushtimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare është paguar shumë shtrenjët më gjakun e 47314 atdhetarve shqiptarë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura