MANIFESTIM NË PËRKUJTIM TË LIRISË

Manifestim historik letrar në nderim e përkujtim të lirisë

Nga Hamdi Hysuka

Për të nderuar festat madhore kombëtare, 16-vjetorin e Pavarësisë, 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, më datë 24 shkurt 2024, në sallën solemne “Albergo di Italia”, të Novarës në Itali, Bashkimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit”, organizoi takimin solemn historiko-letrar: “Në nderim dhe përkujtim të lirisë”. Morën pjesë artistë, aktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë, moderatorë, recitues, drejtues të Shoqatave Kulturore Artistike, diplomatë, familjarë e të ftuar. Pas himneve kombëtare të dy shteteve, fjalën e mori znj.Trandafile Molla (Baja), kryetare e Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Zëri i Mërgimtarit”.

– Çlirimi dhe Pavarsia e Kosovës, -theksoi ajo, -erdhi me luftë të drejtë për liri, kundër barbarisë e padrejtësisë njerëzore. Tashmë të gjithë e dimë dhe e njohim qëndresën heroike në shekuj të popullit dardan, i madh dhe i vogël, plaku dhe i riu, gra dhe burra. E njohim qëndresën heroike të Prekazit, ku vjen aromë lirie, aty ku rrjedh loti i dhimbjes dhe i dashurisë për lirinë. Në Prekaz është dhënë fjala për bashkim kombëtar, aty u shtrënguan duart për të shkallmuar njëherë e përgjithmonë skllavërinë. Dhe atëherë kur dikush mendonte se po shuhej dielli i lirisë, dhe se liria do të vinte nëpërmjet dialogut në pjatën e argjendtë, UÇK-ja solli diellin e florinjtë të lirisë në qiellin e hapur të Kosovës, duke shuar mendimet ekspansioniste të polikës kriminale të Beogradit.

Në fjalën e saj nuk la pa përmendur betejën e Reçakut, Prekazit e Drenicën, Bllacën e Vushtrrinë, Prishtinën, Prizrenin e Vitinë.

– Kudo krisi pushka për liri, – tha ndër të tjera, – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, udhëhequr nga legjendari bacë Adem Demaçi, ishte e vetmja rrugë e drejtë dhe forcë njerëzore që çoi Kosovën në pavarësinë e saj. Nuk mund të harrojmë rolin e madh të NATO-s. Ndihma e saj dhe e shumë vendeve të botës ishte fondamentale dhe bëri të mundur që Serbia mos të realizonte ëndrrën për spastrimin etnik, që ajo shpresonte shumë.

Manifestimi “Në nderim dhe përkujtim të lirisë” u cilësua emocionues dhe vlerësues, duke shprehur mirënjohje për referuesit dhe fjalët përshëndetëse nga Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Kosovës në Milano, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës në Prishtinë, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri”, Përmet; Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës, Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat etj.

-E gëzofshim për mot e jetë 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovë, – uroi Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, z. Diamand Kastrati.

-Bashkimi i Shkrimtarëve dhe i Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” në Novara është një zë buçitës atdhetar, i cili në këto rrethana po rifreskon vetëdijen kombëtare -tha në emër të LSHK-së kryetari prof. dr. Shyqri Galica, -dhe po ngre lart figurat çlirimtare, pa të cilat sot shqiptarët vështirë se do të mund të afroheshin e të takoheshin sikur ne sot. Por po shpresojmë, -shtoi ai, -se strukturat tona shtetërore e shoqërore do të veprojnë më shpejt për t’u integruar në segmentet parësore për ta bindur botën, se kombi ynë është një dhe i pandarë. Ndihmesa jonë kudo që jemi, kudo që jetojmë e punojmë emrin e ka Shqipëri dhe secili nga ne jeton dhe vepron për ta bërë atdheun një, kombin dhe vetë jetën. Në rrethana të tjera, populli ynë nuk do të braktiste atdheun, sepse mundësitë për të jetuar me komoditet do të ishin pa dyshim të nivelit edhe më të lartë se Perëndimi. Janë pasuritë e jashtëzakonshme që presin dorën tonë, dashurinë tonë dhe jetën tonë të lumtur. Shkrimtarët, krijuesit në përgjithësi, janë vlera që veprojnë dhe çmojnë atdhedashurinë, janë ëndërruesit e parë që bëjnë realitetin, idealistët, pa të cilët nuk mendohet as bashkimi i trojeve tona të pushtuara.

Në përshëndetjen e tij, zv. kryatari i BShASh, prof. Myftar Gjonbalaj, tha se në vitin 1974 Kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi, por regjimi i Millosheviçit e shfuqizoi në vitin 1989. Ishin Kombet e Bashkuara që, për marrëveshje armëpushimi midis UÇK-së dhe forcave militare serbe, organizuan Konferencën e Rambujesë, në të cilën dilema hamletiane ishte nëse delegacioni i Kosovës do të nënshkruante apo jo armëpushim me Millosheviçin. Marrëveshja u nënshkrua dhe forcave të NATO-së, pas nënshkrimit, iu hap rruga për të sulmuar makinën gjakatare ushtarake serbe. Luftëtarët e UÇK-së dhe populli i Kosovës e vunë kokën në altarin e lirisë, ndërsa forcat ushtarake të NATO-së vunë forcën e armëve. Pas operacionit 78-ditor, duke bombarduar e shkatërruar forcat serbe, lufta mori fund. Përfundimi i luftës çlirimtare solli në Kosovë forcat paqëruajtëse ndërkombëtare. 

-Urimi i Pavarësisë së Kosovës më del nga shpirti, -u shpreh kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve “Naim Frashëri” Përmet, z. Ligor Shyti, -se për një Shqipëri të bashkuar, më parë bashkojmë shpirtërat…

Me porosinë e qytetit të tij, Shkodrës, prof. Zija Vukaj falenderoi znj. Trandafile Molla, të cilën e quajti artiste me A të madhe, zonjë e artit të fjalës. Nuk kemi së çfarë të ndajmë, -tha ai, -por të numërojmë ato që kemi arrit.

Në vazhdim kujtoi Albert Kamy te romani Lapest (Mortaja), i cili porosit banorët e një qyteti, në mënyrë alegorike: “Dëgjoni o njerëz! Ata minj që sollën mortajën dhe u zhdukën diku nën tokë, ka rrezik që në qoftë se ne na len kujtesa jonë kolektive dhe historike, të rishfaqen përsëri…”. Kjo është arsyeja që takimi i sotëm, -theksoi z. Vukaj, -dhe takime të tjera, shërbejnë më së miri për konsolidimin e kujtesës historike që duhet të ketë secili shqiptar për mos me pá ma asnjë nga tmerret që kemi pá.

Sipas tij, çdo individ shqiptar, çdo familje e ndërgjegjshme shqiptare e ka të qartë se çfarë ka heq. Kemi shkuar në Qafë-Morinë, në Kukës, pa njoft askend se kë do të marrim. Dhe këtu ka kuptim thënia e Kadaresë: “Ra ky mort dhe u pamë”. Po cila është e pamja? U pamë, po si? Ne shqiptarët kemi parë veten së brendshmi, shikim introspektiv, kemi studiuar botën tonë të brendshme. Kush jemi ne? Sa vlejmë ne? Cilat janë provat? Është vetmohimi për t’iu gjendur pranë gjysmës së popullit tonë matanë kufirit. E them me plot gojën që ky i sotmi është takim madhështor, një thirrje drejtuar krijuesve që të merren me motive serioze. Se mërgimtari ka shumë ngarkesa mbi supet e tij, ngarkesa të mbijetesës, të ekzistencës së vet në tokën e huaj, ndaj bëhet zë patriotik më i fuqishëm në arenën ku jetojnë shqiptarët.

-Paç urimin e gjithë shqiptarëve, meritoni vlerësimet më të larta bashkë me kolegët tuaj! -iu drejtua poetes Trandafile Molla. Poetikisht, me vargje kushtuar Kosovës, dhe mua më dukej se i thashë të gjitha. Por… jo… për nder të festave madhore kombëtare, 16-vjetorit të Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka shumë e shumë për të thënë, sot e gjithmonë.

Liria dhe pavarësia e Kosovës kanë emër, emrin UÇK, emrin NATO, Europë, Amerikë… Kanë emrin e shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga ushtria dhe policia serbe, kanë emrin e fëmijëve të vrarë e të masakruar, të grave, vajzave e nënave të vrara, emrin e pleqve, plakave, të qytetarëve të vrarë, emrin e njerëzve ende të pagjetur. Gjithashtu kanë emrin e mbi 50 mijë ushtarëve të NATO-së që u instaluan në Kosovë. Pse jo, kanë dhe emrin e 117 shteteve të botës që e njohin: Republika e Kosta Rikës, ShBA, Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe, Afganistani, Australia, Senegali, Gjermania, Letonia, Danimarka, Estonia, Italia, Luksemburgu, Peruja, Belgjika, Polonia, Zvicra, Austria, Iralnda, Suedia, Islanda, Sllovenia, Finlanda, Japonia, Kanadaja dhe Izraeli. Por, siç thotë kënga:

Nga do që të shkoj, t’eci ditë e natë
m’pyesin zogjët e malit, nuk më lën’ rehat
m’pyesin ato m’pyesin, sikur nuk e dinë
ku shkojnë kosovarët, pse n’Kosovë nuk rrinë…

Në veshët e shqiptarëve kudo që ndodhen, të kumbojë porosia e Heroit Kombëtar, Skënderbeu: “Shkopinjtë e brishtë, një e nga një, janë lehtësisht të thyeshëm edhe nga një fëmijë i vogël, por… të bashkuar, as forca e burrave më të fuqishëm nuk i thyen dot!”

*     *     *

Organizimi i takimit “Në nderim dhe përkujtim të lirisë”, kushtuar Kosovës, ishte i drejpërdrejtë, iu dhurua publikut. Emocionet nuk i sollën vetëm poetët e shkrimtarët, por dhe miqtë e ftuar që i përkisnin artit në përgjithësi, historisë dhe studimeve shkencore.

Gjatë manifestimit u përuruan veprat “Për Sulejman Krasniqin” vëllimi I, botuese LShK, dhe vëllimi me poezi “Pioggia sul vetrata d’amore” i poetes Blerta Tmava Veselaj, përkthyer në italisht.

-Sulejman Krasniqi ishte nga ata shkrimtarë që talentin e lindur e skaliti ndër vite e dekada, në qindra e mijëra faqe, -tha prof. dr. Shyqri Galica, -ku u dha shpirt e jetë luftëtarëve, atdhetarëve, shtetformuesve, martirëve legjendarë e heronjve të vjetër e të rinj, për t’i kthyer në shëmbëlltyra të heroizmit dhe për të frymëzuar heroizëm. Për këtë arsye, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës vendosi të sjellë para lexuesit këtë përmbledhje kumtesash e kërkimesh shkencore për “Balzakun shqiptar”, që në shumë aspekte mbetet unik në historinë e letërsisë shqiptare.

-Jo rastësisht, -tha gjatë promovimit Hamdi Hysuka, -për njeriun që ngriti në art figurat historike të kombit, duke i kthyer në mite të pavdekshëm dhe që i bëri ballë presioneve e internimeve në Shqipëri vetëm për hir të kombit, u propozua që studiuesit të bëjnë një monografi për jetën dhe veprën madhore të tij, pasi gjithë vepra e Sulejman Krasniqit ka qenë në shërbim të çlirimit të Kosovës. Personazhet e romaneve të tij njohin një gjeografi gjithë etnike, duke lëvizur nga Preveza e Çamëria në tregun e ri të Kosovës, nga Tivari në Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug të etnisë shqiptare. Shkrimtari Krasniqi mbështeti të gjitha zhvillimet pozitive në Kosovë, pa mohuar kontributin më të vogël të askujt. Ky shkrimtar, duke shkruar me besnikëri historinë e popullit të vet, pa dashur u bë pjesë e paharruar e historisë dhe letërsisë shqiptare. Për kontributin në fushën e letrave, shkrimtari Sulejman Krasniqi është lauruar me “Çmimin e Republikës” dhe nga Kuvendi i Shqipërisë është dekoruar me “Urdhërin e Punës”.

-Letërsia jonë i ka të hershme fillimet e romanit historik, qysh me Marin Barletin e këndej dhe me sa duket, -thaksoi prof. Zija Vukaj, -lëvrimin e këtij zhanri e ka imponuar vetë historia, antropologjia, shpirti dhe rrugëtimi i vështirë i kombit tonë. Ashtu si edhe në kultura të tjera, romani historik shqiptar është roman individësh të shquar, që nga heroi kombëtar e deri te heronjtë e kohës së re. Po kështu autorët e këtij zhanri kanë qenë ndër penat më relevante të letërsisë shqiptare. Në këtë panteon artistësh zë vend me dinjitet edhe autori Sulejman Krasniqi, me të gjitha veprat e tij kushtuar kësaj tematike, ndër të cilat veçoj romanin “Oso Kuka”. Ky roman, i botuar në vitin 1990, pasuroi më tej opusin e veprës së autorit Krasniqi, por edhe fondin elitar të këtij romani në letërsinë tonë. 

Pesha më e madhe e luftës për liri kanë qënë gratë, nënat, ata që kanë mbledhur copat e trupave, ato që i kanë mbuluar me flamur, ata që kanë mbledhur në çerdhe fëmijët dhe mes lotëve kanë dashur të këndojnë, ato që kanë gatuar kaçamakun dhe e kanë ndarë lugë më lugë, ato që në mëngjes herët janë zgjuar dhe kanë qarë mbi varre, ato që kanë pluguar dhe tokat, kanë shkruar letrat e para dhe kanë pritur telefonatat e atyre që ikën e fluturuan në emigrim, ato që çdo mëngjes me frymën mundoheshin të shkrinin dhimbjen dhe të mbijetonin, ato që kanë qënë baza e fortë e mbijetesës së popullit të Kosovës e Shqipërisë. Kështu që një nderim special shkon për të gjitha nënat, motrat dhe gratë e Kosovës që mbajtën gjallë jetën dhe mbijetesën e popullit. 

Për të pranishmit moderatorja e talentuar, Etleva Rrapa, solli urimet speciale të Zhaneta Ruzaj nga Kreta e Greqisë, Enkelejda Trokës nga Mynihu i Gjermanisë dhe Alma Mehmetit nga Londra.

*     *     *

Mes emocionesh për këtë ditë kaq të shënuar, kushtuar Kosovës sonë të ndarë, por të bashkuar në ndjenja e me zemër, vazhdoi “Ora poetike e fjalës shqipe” me motivin “atë që ndan politika, arti e bashkon”. Znj. Anila Qiriazi recitoi poezinë “Ditët e tua kanë fytyën e erës”, Flamur Jakupi lexoi vargjet e poetit Robert Shkurti, me titull “Tokë dardane”, poeti Lumo Kolleshi u paraqit me poezinë “Krihen qiejt”, ndërsa Hamdi Hysuka me “Kërkesë betimi”, kushtuar përvjetorit të çlirimit të Kosovës, në vargjet e së cilës lexojmë:

Mëngjezet i kishe nga Perëndimi,
andej nga shkon dielli rrugës së gjatë,
natën e përzure, zbardhi agimi
dita erdhi me peisazhe pa natë.

Shpëtove jetën, kapërceve vdekjen
shekulli yt mos pastë tragjedira,
ditët e zeza zbriti, nxirru mbetjen
mblidh e shumëzo ditët e mira!

Se koha të vuri në provën e zjarrit,
ndaj me themele gjaku lirinë e ke,
betohu në emër të komandant Jasharit
për të shenjtin flamur, për një atdhé.

Nga Vitia e Kosovës, Beqir Cikaqi lexoi poezinë kushtuar një nëne që e ka djalin të humbur. Poezi lexuan Xhulieta Grabocka dhe poetë të tjerë. Veprimtaria kulmoi me “Mirënjohje” për pjesëmarrësit në takimin solemn historiko-letrar dhe “Medalje”, akorduar Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, me motivacion: “Për krenari kulturore kombëtare shqiptare, që kultivon dhe afirmon vlerat letrare artistike, emancipon vetëdijen estetike, kritike dhe demokratike”. Për të gjitha zonjat pjesëmarrëse u shpërndanë trëndafila të kuq, dedikuar Kosovës.

Për kontribut të çmuar shumëvjeçar si gazetar, shkrimtar, pedagog, studiues letërsie, drejtues i suksesshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e më gjërë, BShASh “Zëri i Mërgimtarit” pranoi anëtar nderi prof. dr. Shyqri Galica. I njejti titull iu dha z. Ligor Shyti: “Për kontribut të çmuar në krijimtari letraro-artike, si studiues, përkthyes e drejtues i suksesshëm i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet; prof. Zija Vukaj: “Për kontribut të shquar në fushën e krijimtarisë si shkrimtar, studiues, përkthyes, kulturolog, lartësimin e kulturës sonë kombëtare dhe drejtues i suksesshëm i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës”, si dhe z. Hamdi Hysuka: “Për kontribut të shquar, përkushtim e profesionalizëm në drejtimin e Klubit Letrar “Pjetër Budi”, gazetar i suksesshëm në median e shkruar e vizive, arritje cilësore në krijimtari poetike dhe publicistikë”.

Festimi i tri ngjarjeve madhore të historisë sonë kombëtare u mbyll në Restorant “Allegro” Corzo XXIII Marso, ku u shtrua drekë. Gëzuar Kosova jonë e dashur, ditën e lirisë e të pavarësisë! Gëzuar të ardhmen e ndritur që ne shpresojmë ta ndërtojmë të gjithë së bashku!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura