RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (25)

Nga Asllan Muharremi

7 prill 1983

     Më dukej se po e dëgjoja Dervish Shaqën duke kënduar këngën e “Kamer Loshit!” Kur hapa sytë, e pashë Skënderin duke me prekur me duar e thirrur me zë të ultë që  të zgjohesha nga gjumi: “Çohu se policia!” “Çohu se policia!” Nga jashtë dëgjohej edhe trokitja në derën e oborrit e shoqëruar me thirrjen:

    ‒ Hape derën, policia! Hape derën, policia!…

     E kuptova se isha i shtrirë në shtrat e i mbuluar me jorgan; se më kishte zënë gjumi, se kisha fjetur i veshur në odë dhe dikush më kishte mbuluar me jorgan. Nuk dija sa ishte ora. U çova menjëherë nga shtrati dhe u ofrova pranë dritares. E largova vetëm pak perden dhe e ofrova kokën pranë dritares.  Jashtë, ishte gjysmë errësirë.  Dy tre metra pranë dritares,  një polic me automatikë në dorë. Pak më larg, disa policë tjerë dhe një makinë para dyerve të oborrit, që ishte ndalur në rrugë. I pashë dhe i njoha punonjësit e UDB-ës Zeqir Sadria dhe Enver Maxhuni. E kuptova se çfarë kishte ndodhur dhe përse kishin ardhur. E rregullova shpejtë e shpejtë shtratin. Vëllait tim, Skënderit, ju afrova pranë e i thashë:

      ‒ Mbylle derën nga brenda dhe shtiru se je duke fjetur! Kur të pyesin për mua, ju thua se nuk di se ku ndodhem.

      Edhe më tutje, nga jashtë, dëgjohej zëri që i kërkonte nënës sime, të hapej dera. Më dukej se ishte zëri i udbashit Zeqir Sadria:

     ‒ Hape derën, oj Hallë! Hape derën, oj Hallë!        

    Dola nga oda dhe eca ngadalë gjer tek fundi i korridorit të odës. Nga aty e pashë se nëna ime e kishte hapur një dritare të një dhome të fjetjes dhe po shikonte në drejtim të dyerve të oborrit. Unë i lëshova një çikë sy oborrit për të shikuar se mos kishte hy policia në oborr. Nuk pashë njëri. Pas pak e dëgjova zërin e nënës e cila ju përgjigj me zë të lartë udbashit:

     ‒ Nuk e hap derën, se na e keni lodhur shpirtin! Çka është kjo puna e juaj, kështu? Jemi lodhur nga  ardhjet tuaja përditë. Jeni duke ma marrë djalin, pa asnjë fije faj!

     ‒ Vetëm dy fjalë i kemi… Hape derën,  oj Hallë! – dëgjohej zëri i udbashit  Zeqir Sadria.

    Nëna dhe Zeqir Sadria vazhdonin e grindeshin, me njëri-tjetrin, nga larg. Udbashi i “lutej” nënës ta hapte derën, ndërsa nëna qëndronte në dritaren e dhomës së fjetjes dhe vazhdonte të ishte e vendosur se nuk e kishte ndërmend ta hapte derën.

  • Plema (plevica) ku më datë 7 prill 1983, Asllan Muharremi i shpëtoi arrestimit nga policia dhe UDB-a serbe!

Meqenëse nuk pashë njëri në oborr, mendova ta kaloja murin e të dilja jashtë oborrit, prandaj u kacavara në një tra të kulmit të odës. Nga aty u ngrita mbi murin që e lidhte odën dhe shtëpinë. Sapo u kacavara mbi mur, e pashë nënën duke ma bërë me dorë, që të mos shkoja andej. Meqë, nëna ishte më lartë nga unë, e mora me mend se ajo duhet të ketë parë ndonjë policë prapa murit të shtëpisë. E ktheva kokën në drejtim të arës, prapa shtëpisë, e aty e pashë se ndodhej një polic i armatosur. Kërceva nga muri brenda në oborr dhe me vrap dola mbi shtëpinë e re, ku ndodhej edhe një deriçkë tjetër, nëpërmjet të cilës mendoja të largohesha  nga oborri i shtëpisë. Sapo e hapa deriçkën, pranë saj e pashë një tjetër polic me armë në dorë. E mbylla deriçkën dhe u nisa në drejtim të shtëpisë së vjetër, e cila ndodhej diku rreth 50 metra përballë shtëpisë ku banonim, por që ishte brenda në oborr.

     E mallkova gjumin që më kishte zënë dhe shpejtë e shpejtë ika në drejtim të shtëpisë së vjetër! Së pari, u futa në shtëpinë e vjetër dhe pastaj nëpër hajat kalova në ahur.  Aty kishte një dritare të vogël, prej nga mund të kaloja jashtë oborrit, por nuk e shihja se a kishte ndonjë policë, aty afër. Ahurin e braktisa dhe kalova në nevojtore, që e kisha aty pranë dhe që shtrihej në mes shtëpisë së vjetër dhe plemes. Nga nevojtorja shikova në të tri frëngjitë e saj dhe pashë se policë kishte në veri, lindje dhe në jug.  Më këtë, e kuptova se isha i rrethuar në të katër anët dhe se largimi nga shtëpia do të ishte shumë i vështirë apo gati i pamundur.

    Ndjehesha i zhgënjyer me vetën dhe gjumin, por nuk e kisha ndërmend të dorëzohesha. Duhej të gjeja një rrugëdalje!

     Duke i shikuar policët nga vrimat e nevojtores më ranë ndërmend tregimet e hallës Nuri se si ushtarët turq ia rrethonin kullën Beh Mihaliqit dhe se si ai luftonte me shokë dhe anëtarët e familjes, gjithë ditën, gjersa ushtarët turq e braktisnin rrethimin. Mirëpo, unë nuk isha në kullën e Behës dhe këto frëngjitë e nevojtores sonë nuk ishin si frëngjitë e kullës së tij. Prandaj, krahasimi ishte i pavend.  Aty për aty më shkoj mendja ta vrisja policin, që nuk e kisha më shumë se katër pesë metra larg, por hoqa dorë nga një ide e tillë. Ai nuk më ka faj që më ka zërë gjumi! Mund të jetë njëri i mirë dhe hallexhi që punon si polic? Mendja më thoshte se edhe nëse e vras, një apo dy policë, nuk isha i sigurt se do të mund të largohesha dhe ta çaja rrethimin! Pastaj çdo të ndodhte me familjen?! Jo, nuk do ta bëjë një budallallëk të tillë.  Le të më arrestojnë. Burgjet janë përplot me shokë që e duan lirinë, – mendoja dhe përpiqesha të gjeja një zgjedhje në kokën time.

    Nga larg, dëgjohej britma e udbashëve, por edhe zëri i vendosur i nënës sime:

    ‒ Nuk e çel derën!

    E braktisa nevojtoren. Ende nuk kishte zbardhur dita dhe nuk dija se sa ishte ora? Kalova në pragun e  plemes (plevicës). Në pleme e gjeta qenin e shtëpisë të bërë rrotull mbi kashtën e shtrirë dhe që ishte shkapërderdhur nëpër tërë plemen. Aty për aty, më lindi ideja të  futesha në kashtë. Mu kujtua se kur isha i vogël e fshihesha në kashtë dhe ata që me kërkonin mua nuk mund të më gjenin derisa dilja vetë nga kashta. Ta provoj e të fshihem, – thashë vetë me vete. Kërceva nga pragu i plemes, rreth dy-tre metra në brendi të saj. Këmbët më sharruan rreth një gjysmë metër afër qenit, i cili për çudi nuk lëvizi nga vendi. Menjëherë fillova t’i fusë këmbët në kashtë. Pasi futa këmbët dhe e preka tokën, fillova t’i lëviz këmbët në pozitë horizontale mbi tokë dhe nëpër fundin e kashtës. Kur e futa edhe kokën deri në fund të kashtës, me duar fillova ta mbyllë gropën me kashtën që e merrja nga fundi dhe brendia e kashtës. Pas pak minutash u shtrira trupin horizontalisht në fund të kashtës. Nga xhepi i pantallonave nxora dalëngadalë një letër, ku kisha shkruar një trakt të cilin mendoja ta shumëzoja dhe ta shpërndaja së bashku me shokët. Gjithashtu,  nga xhepi nxora dhe e  lash aty një fotografi të Xhafës. Trakti në xhep dhe fotografia e Xhafës do të m’i “dhuronin” disa vite burg, prandaj, mendova, se bëra mirë që u kujtova dhe i lashë në kashtë.

     Nga aty ku ndodhesha, e dëgjoja gërhitjen e qenit. Baloshi nuk kishte lëvizur nga vendi. Edhe unë u sistemova mirë në kashtë. Qëndroja i shtrirë dhe nuk bëja asnjë lëvizje. Çuditërisht,  qetësia e pushtoi edhe oborrin. Gjithashtu, shteruan edhe britmat e Zeqir Sadrisë. As zëri i nënës sime nuk dëgjohej… Në ato momente mendja nisi të më fluturonte gjithandej. Ma merrte mendja se Zeqir Sadria  dhe Enver Maxhuni së bashku me zagarët e tyre ishin futur në oborr dhe shtëpi. Vallë si do të sillen me nënën dhe familjen? Apo ndoshta janë futur në oborr dhe presin se kur do të dal nga zgafellja ime?

      Pas një kohe qetësinë dhe rehatin, që kisha gjetur në kashtë, ma prishi  një gjysmë zëri e gjysmë britmë, që Zeqir Sadria po e nxirrte nga goja dhe po ia drejtonte dikujt, që unë nuk e dija se kush ishte. Nga zëri që po  dëgjoja kisha përshtypjen se Zeqir Sadria me shokë e kishin vërë dikë nga anëtarët e familjes para tyre dhe po më kërkonin nëpër shtëpinë e vjetër, ahur dhe gjetiu. Ata mund t’i kenë vërë përpara nënën, Skënderin apo motrat dhe vëllezërit e mi, – i përgjigjesha vetës. Në atë rast mu kujtua historia, që e kisha dëgjuar nga nëna ime, për Aziz Zhilivodën… E merrja me mend se u frynte fllad qelbësirave të UDB-ës të më dalin përpara, prandaj i vendosin si mburojë të gjalla nënën time, motrat dhe vëllezërit e mi! ‒ më shkonte mendja.

     Kaloj edhe një kohë dhe përsëri e dëgjova një zë të panjohur që po e pyeste Zeqir Sadriun:

     ‒ Ku e lëshoi toka?!

     Kjo ishte shenjë e mirë dhe që më tregonte se ata nuk më kanë parë se ku isha fshehur. Edhe qenit tim, Baloshit po ia dëgjoja gërhitjen dhe kjo më  tregonte se ai nuk kishte lëvizur nga vendi.

     Përsëri heshtje. Toka ishte e ftohtë dhe ndjeja se këmbët më ishin mpirë. Nuk guxoja të lëvizja. Mendja ma merrte se ishin në oborr apo duke kontrolluar diku në shtëpi.

      Nuk vonoi shumë dhe e dëgjova një ecje  mbi kashtë. E dëgjoja zhurmën që lëshonin hapat dhe zhytja e këmbëve të atij nëpër kashtë.  Pas pak, ai që ecte nëpër kashtë, u afrua rreth një metër afër meje, por mbi mua nuk shkeli. Qenit edhe më tutje ia dëgjoja frymëmarrjen e tij. Papritur, dëgjoja goditje të vazhdueshme në murin e plemes. E kuptoja se muri i plemes goditej me një mjetë të fortë, që lëshonte një trokëllimë të fuqishme! Po më çudiste se përse nuk largohej Baloshi nga vendi pas gjithë zhurmës që lëshonte goditja në mur dhe prania e njerëzve të huaj në oborr dhe pleme?!

      Isha bërë një me kashtën. Më dukej vetja sikur e kisha gjetur “birën e miut” për të cilën renegati Fadil Hoxha, menjëherë pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, na kishte kërcënuar se do ta kërkonim, por nuk do ta gjenim! Madje, përkundër rrethimit që më ishte bërë, mpirjes së këmbëve dhe frikës që kisha se policët mund të vinin e të më gjenin, ndjehesha mjaftë komod në plemen time.

      Kishin kaluar katër-pesë orë dhe unë vazhdoja të qëndroja i fshehur në kashtë. Këmbët i kisha vazhdimisht të mpira. Edhe kur e lëvizja këmbën, lëvizjet i bëja me hapa milingonash. Kisha frikë se policët ishin në oborr dhe se ata vetëm prisnin që unë të dilja nga vendi ku isha fshehur. Mendja më fluturonte sa andej e sa këndej. Papritur, një mendje e keqe më hyri në kokë. Mendja me shkoj se policia mund të sillnin aty ndonjë qenë të ushtruar i cili mund të vije deri tek unë me ndihmën e nuhatjes dhe kështu do të më gjente se ku isha fshehur! Qen të llojllojshëm më dolën parasysh. Po erdhën me qen, do të më gjejnë, – i thosha vetës. Po më gjetën, policia do të bëjnë shaka me mua dhe do të thonë se më kanë gjetur, jo në shtëpinë time, por në “birën e miut!” Si të bëja? Të largohesha nga kashta apo të qëndroja aty ku isha? Një mendje tjetër më thoshte se ata qëndronin të fshehur diku në shtëpi, apo diku tjetër, dhe vetëm presin që unë të dilja nga vendi ku isha fshehur. Prandaj, duhej të kisha durim dhe të qëndroja aty ku isha edhe një kohë.

      Heshtja dhe mendimet nëpër kokë po më mbysnin. Kishin kaluar disa orë apo ndoshta kishte shkuar dita dhe unë nuk kisha idenë se sa ishte ora? Unë pritja, pritja e pritja e vetëm pritja. Heshtja e padurueshme dhe që po më mbyste vazhdonte të ishte kokëfortë dhe nuk dorëzohej. Por kokëfortë isha edhe unë dhe se kisha ndërmend të largohesha nga “bira e miut”.

     Kaloi gati një orë, që nga koha kur më ishte futur në kokë ideja e qenit, dhe papritur i dëgjoj duke biseduar nënën dhe motrën time, Arifen. Ma merrte mendja se ato ndodheshin  diku në oborr.  Nuk i dëgjoja mirë se çka flisnin, por  kisha përshtypjen se ato ndodheshin afër shtëpisë së re. Pas pak, më dukej se zëri i nënës dhe motrës, po vinte gjithnjë e më afër meje. Ato i dëgjoja më mirë. Ky ishte një sinjal i mirë. Ndoshta ato po më kërkonin? Ndoshta janë larguar ata maskarenjtë, – thashë vetë me vete? Nuk ma merrte mendja se ato mund t’i detyronte policia të zhvillonin një bisedë të tillë në oborr.

     Në ato momente e dëgjova nënën duke e pyetur Arifen:

     ‒ Ku mbet, moj?!

     Dhe pas pak e dëgjova edhe përgjigjen e motrës.

      ‒ Ata janë tek dyert e oborrit!

      Sapo dëgjova se ata janë tek dyert e oborrit,  menjëherë dola nga kashta dhe u nisa në drejtim të nënës dhe motrës, të cilat i pashë se ndodheshin në oborr, në mes plemes dhe shtëpisë së re.

      Nëna, sapo më hetoi më tha:

      ‒ Rri aty ku ishte se ata janë tek dyert e oborrit!

      Unë e vazhdova vrapin në drejtim të nënës, motrës dhe deriçkës që më shpinte të ara mbi shtëpi. E hapa deriçkën. Meqë nuk pashë policë, aty afër, u nisa me vrap arës përpjetë. Nga shtëpia deri në maje të arave të muratovitëve e kalova për disa sekonda. Po të isha në një garë do të isha shpallur kampion bote, në vrapimin dyqind metra!

       Sapo kam arritur në krye të arës, mbi shtëpi, e kam kthyer shikimin në drejtim të shtëpisë, për të pa se mos po më vinte prapa ndonjë policë. Nga aty i kam parë makinat e policisë në rrugë, para dyerve të oborrit. Pastaj kam vazhduar vrapin në drejtim të shtëpive të muratovitëve.

     Mbi malin e halitovitëve e kam pa Hysenin e muratovitëve, që ndodhej para shtëpisë së tij. Jam nisur në drejtim të tij dhe pasi e kam përshëndetur i kam treguar se çka më kishte ndodhur. Hysenin e luta të hynte në shtëpi dhe të m’i gjente një palë këpucë apo opinga të vjetra. Hyseni nuk u nis në drejtim të shtëpisë, por menjëherë i zbathi opingat e tij dhe më urdhëroi:

     ‒ Merri,  e i mbash me shëndet! Mos u dorëzo në dorë të qenve! Ata na e kanë burgosur edhe një nip tonin dhe e kanë dënuar me dy vite burg, para disa muajsh.

      Unë i mora dhe i mbatha opingat e tij. E falënderova dhe u përshëndeta:

       ‒ T’u rritë nderi e tungjatjeta, baca Hysen! 

        Nga aty e kam ndërruar drejtimin e ikjes, jam kthyer në drejtim të Malit të Hajdar Agës17. Pastaj, jam futur në mal dhe kam vazhduar vrapin në afërsi të shtëpisë së prekajve. Pas pak, kam dal mbi shtëpitë e moratovitëve dhe jam futur përsëri në malin e halitovitëve. Nga aty kam vazhduar tutje nëpër pyll dhe kam dal poshtë shtëpisë së Shaban Bunjakut. Pas pak, kam dal tek shtëpia e të bijve të Veli Golit dhe kam vazhduar kurrizit në drejtim të Beçukut.

      Vazhdimisht, duke ecur e ktheja kokën dhe shikoja prapa. Puna e qenit të policisë m´u kishte ngulitur në kokë dhe ende kisha frikë se policia me ndihmën e qenit  do të mund të më vinte prapa. Për shkak të frikës, vazhdoja të ecja nëpër kurriz të kodrës që ndanë Mihaliqin Kaçakë me Mihaliqin e Nemozhëve. Vazhdoja ta ngushëlloja vetën se nëse policia vije kurrizit të kodrës do ta shihja dhe kështu do ta ndërroja drejtimin e ikjes.

       Pas më shumë se një gjysmë ore më doli parasysh shtëpia e Ragip Beçukut në kodrën tjetër. Ragip Beçukun e kisha jo vetëm kushëri, por edhe të besës. Atij do t’i trokitja së pari në derë. Pas pak,  kalova afër mullirit të bijve të Sefer Beçukut dhe u ngjita sokakut përpjetë.

       Derën e shtëpisë ma hapi i biri i Ragipit, Nysreti. Ai më futi në odë të burrave. Unë i tregova se çka kishte ndodhur. Për një çast Nysreti nuk nxori fjalë nga goja. Pas pak, ai shkojë ta kërkonte plakun (Ragipin). Në odë e pashë orën e murit. Tek atëherë më ra ndërmend ta shikoja edhe orën time. Ato përputheshin. Ora bënte njëmbëdhjetë e një çerek. Nuk e dija se sa ka qenë ora kur  Skenda më ka zgjuar nga gjumi, por duhej të kenë kaluar shtatë-tetë orë.

      Në odë, erdhën Ragip Beçuku dhe e shoqja e tij, Elhemja. Ata u shqetësuan shumë pasi morën vesh se çka kishte ndodhur.  Nuk vonoi shumë dhe ma shtruan sofrën.

       Unë vazhdoja të isha i shqetësuar. Nga dritarja e odës së bacës Ragip dukej rruga nga kisha ardhur, që nga shtëpia e të bijve të Veli Golit. Kohë pas kohe e ktheja shikimin kah dritarja dhe shikoja rrugën nga kisha ardhur. Fatbardhësisht askush nuk po vinte pas meje.

      Pas ngrënies së drekës nuk prita shumë dhe e luta bacë Ragipin që të ma jepte “lejen” dhe të më tregonte se kah duhej të shkoja për të dal në kurriz të Qyqavicës.

     Për një moment baca Ragip doli nga oda dhe nuk vonoi shumë e u kthye përsëri. Nxori nga xhepi një tubë me para dhe më tha:

      ‒ Merri se të duhen! Edhe armë, të gjej, nëse të duhet!

       ‒Të faleminderit, baca Ragip, nuk më duhen as paratë e as arma! ‒ i thashë dhe u ngrita.

       Pas pak, baca Ragip foli me të birin e tij dhe i tha të më shoqëronte deri në kurriz të Qyqavicës.

       Së bashku me Nysretin, u nisëm bjeshkës përpjetë. Pas njëzet-tridhjetë minutash e luta të kthehej. Ai më tregoi se nga duhej të vazhdoja dhe u përshëndetem me njëri-tjetrin.  U rrokëm ngrykë si dy vëllezër. Unë vazhdova bjeshkës përpjetë, ndërsa ai u kthye në shtëpi.    

       Ende pa arritur në kurriz të  Qyqavicës,  dëgjova gumëzhimën e një helikopteri ushtarak, që po fluturonte ulët mbi fshatrat e Artakollit. Ndonëse, isha disa qindra metra me lartësi mbidetare mbi helikopterin serbo-jugosllav, sapo e pashë helikopterin, u fsheha prapa një druri  të madh ahu. Nuk ma merrte mendja se helikopteri po fluturonte për mua, por ec e besoj UDB-ës!? Helikopteri bëri edhe një fluturim në drejtim të Aeroportit të Prishtinës dhe pas pak u kthye përsëri në drejtim të Mitrovicës, nga kishte ardhur.

       Nuk e mbaj mend sa kohë më është dashur gjersa kam arritur në kurriz të Qyqavicës?  Ishte mesditë. Qyqavica ishte e veshur me dru ahu, ndonjë bung, qarr apo lis i rrallë dhe barishte të ndryshme.  Mugullimi i malit sapo kishte nisur.

      U ula në trungun e prerë të një ahu. Nga aty,  para veti kisha një pjesë të madhe të Kosovës.  Si në pëllëmbë të dorës dukej pothuajse i gjithë Rrafshi i Kosovës. Në të majtë më rrinte Sokolica e Isa Boletinit, një pjesë e Mitrovicës. Pastaj krejt  në veri, shihej Kodra e Cerrnushës dhe Shala e Bajgorës. Në veri-lindje, Vushtrria dhe krahina e Llapit..  Në lindje dukej si në pëllëmbë të dorës vendi i Betejës së Fushë Kosovës dhe pak më në juglindje Prishtina, Obiliqi dhe Fushë Kosova. Në të djathtë e në juglindje vazhdonte edhe më tutje Rrafshi i Kosovës, gjersa piqej me malin e Sharrit. Luboteni shndriste nga bora e bardhë. Kalova pak më tutje, nëpër kurriz dhe në anën tjetër dukej e gjithë Drenica. Nga aty nuk e kisha shumë larg Gradicën – vendlindjen e shokut Vehbi, që armiqtë e lirisë së shqiptarëve e kishin futur në burg. Por unë nuk e kisha ndërmend të kaloja andej. Unë e kisha ndërmend të zbrisja poshtë dhe t’ia zija derën shokut tim Sheremet Saraçi.

      Në Qyqavicë,  qëndrova katër-pesë orë. Rreth një orë e gjysmë,  para se të binte terri në tokë, u lëshova teposhtë malit të Qyqavicës, nëpër fshatin Zhilivodë dhe zbrita në fshatin Bivolak. Kur u afrova pranë fshatit,  ende ishte dritë.  Zura i vend në mes ferrash e drunjë  të tjerë dhe nga aty po pritja të vinte muzgu e t’ia  mësyja  shtëpisë së Sheremetit.

     Sapo ra muzgu, u nisa drejtë shtëpisë së Sheremetit. Trokita tri herë, ashtu siç bëja zakonisht. Nuk vonoi dhe doli Sheremeti. U përqafuam dhe më tha:

     ‒ Isha duke të pritur, se mora vesh se të kishte rrethuar shkau!

       Sheremeti më njoftoi se kishte dëgjuar se policia menjëherë pas rrethimit dhe kontrollimit të shtëpisë e kishte marrë me vete tim vëlla, Skënderin, mirëpo më vonë e kishin liruar. Lirimi kishte ndodhur pas shkuarjes së babait tim në Stacionin e Policisë në Prelluzhë. Policia e kishte akuzuar Skënderin, që ishte shtatëmbëdhjetë vjeçar, se nuk kishte treguar se unë ndodhesha në shtëpi para rrethimit të shtëpisë.

     Pas ngrënies së darkës, Sheremeti më tha:

     ‒ Shtrati është  i shtruar ! Shko dhe pusho, se sot ke pasur një ditë të mundimshme!

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (26)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura