RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (26)

Nga Asllan Muharremi

Në gjirin e njerëzve të dashur

    Të nesërmen, u zgjova nga gjumi herët. U çova nga shtrati dhe u afrova pranë dritares me pamje kah oborri i shtëpisë dhe lindja e diellit. Perdet e dritares ishin të lëshuara. E afrova kokën afër skajit të perdes dhe po shikoja jashtë. Dielli ende nuk kishte lindur, por qielli dukej i skuqur. U ktheva përsëri në shtrat.

      Nuk vonoj shumë kohë dhe drita e diellit u përhap edhe në dhomën time.  U çova nga shtrati dhe u afrova pranë vitrinës e po i shikoja titujt e librave që gjendeshin aty. Kryesisht, ishin libra të kohës së studimeve të Sheremetit, por kishte edhe libra të tjera. Mora një libër dhe nisa ta shfletoj.

     Pas një gjysmë ore, u çova përsëri nga shtrati. E rregullova shtratin dhe u afrova përsëri pranë dritares. Tani dielli kishte lindur dhe dukej se do të kishim një ditë të bukur. Nga aty mund të shikoja një pjesë të Rrafshit të Kosovës. Dukej Termocentrali “Kosova”, madje edhe vetë qyteza e Obiliqit.

     Me Sheremetin ishim marrë vesh të mos dilja nga dhoma, pa më paralajmëruar se nuk kishte njeri në oborr. E dija se po ta hapja derën e dhomës, dilja menjëherë në oborr. Prandaj, për të evituar zbulimin nga farefisi i Sheremetit, të cilët mund të vinin pa paralajmërim, më duhej të pritja gjersa të vinte i zoti i shtëpisë.  

    Nuk vonoi shumë dhe dëgjova një trokitje të lehtë në derë. E  vura dorën mbi dorezë, rrotullova çelësin dhe hapa derën ngadalë.

      ‒ Mirëmëngjesi! A fjete hiq, o kaçak?! ‒ më përshëndeti duke më dhuruar një buzëqeshje dhe pyetje, Sheremeti.

      Sheremeti u fut brenda në dhomë. Pas pak, ai doli nga dhoma dhe u kthye përsëri. Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua një trokitje e lehtë në derë. Sheremeti e hapi derën. Elhemja u fut brenda dhe në duar mbante një tabaka me ushqimin e mëngjesit.

     ‒ Mirëmëngjesi! Urdhëroni, hani mëngjes, ju të dy, se më vonë ua sjellë edhe çajin! ‒ na urdhëroi zonja e shtëpisë,  e cila pothuajse menjëherë doli nga dhoma dhe iku tek fëmijët.

      Gjithë paraditën e parë e kalova i mbyllur në dhomë. Mendja më shkoi tek shtëpia. Vallë, si është nëna? Shpresoja se ajo ndjehet mirë meqë unë arrita të ik nga dora e policisë! Mendja më shkonte edhe tek shokët. Sidomos kisha frikë për Ferkiun. Por, meqë asnjë shoku nuk i kisha folur për lidhjet e mia me atë, besoja se policia nuk mund ta arrestonte Ferkiun, pa pasur asnjë fakt për veprimtarinë tonë.

Jeta në ilegalitet, ishte një botë krejt e panjohur për mua. Gjithçka dija, për këtë “botë”, ishin një grusht historish që kisha dëgjuar dhe lexuar nëpër libra. Mirëpo, historitë që kisha dëgjuar, për rrethimin e kullës së Beh Mihaliqit, për jetën e Shaban e Avdullah Mihaliqit nëpër bunkerët e Qyqavicës,  ato për bunkerin e Aziz Zhilivodës, në pusin e shtëpisë së tij, apo filmat për luftën e Çetës së Bajo dhe Çerçiz Topullit si dhe ata të Luftës Nacionalçlirimtare, ku pasqyrohej jeta e ilegalëve, druaja se mund të më hynin në punë. Kjo ishte një kohë tjetër. UDB-a (Shërbimi i Sigurimit të Shtetit Jugosllav) ishte shumë më e organizuar. E merrja me mend se UDB-a do t’i angazhonte informatorët dhe spiunët që kishte për të më zbuluar se ku strehohesha. Sidomos në komunën e Vushtrrisë dhe fshatrave rreth fshatit tim do të bëhej një përqendrim më i madh i spiunëve, si asnjëherë më parë!

Pasdite, Sheremeti u kthye nga puna. Erdh dhe u futë në dhomë. E kuptoja se ishte i shqetësuar për mua, prandaj më ngushëllonte ta merrja me të lehtë, gjendjen e re.

     I mbyllur në shtëpinë e shokut tim, mendja me fluturonte gjithandej. Situata në të cilën isha përplasur ishte shumë e pazakontë dhe me shumë sfida. Duke u fshehur e dal nga kashta, si Feniksi i përrallës së  mitologjisë pellazge, që digjej dhe ripërtërihej nga hiri i vet, unë i kisha dhënë UDB-ës një flakaresh dhe e kisha sjell në një situatë poshtëruese, me të cilën ajo vështirë se do të pajtohej. Prandaj, duhej ta kisha mendjen se çfarë veprimesh do të bëja në të ardhmen. Sidomos tani që kisha zbritur nga maja e Qyqavicës, me duhej të ecja nëpër tokë dhe të mos shihja ëndrra se jam duke fluturuar! Fitoren e 7 prillit nuk guxoja ta ktheja në disfatë!

      Sheremeti dhe Elhamja së bashku me katër fëmijët (Arbëria, Kujtimi Nora dhe Gëzimi) banonin në shtëpinë e tyre të vogël. Ajo kishte vetëm dy dhoma dhe një kuzhinë. Unë isha bërë pjesëtari i shtatë i familjes. Ndonëse, familja e Sheremetit ma kishte hapur derën dhe më kishte pranuar si anëtarin e saj të shtatë dhe unë ndjehesha si në familjen time, qëndrimi im aty ishte me rrezik të madh, jo vetëm për mua, por edhe për familjen e shokut tim. Ky fakt më brengoste. Unë e njihja Sheremetin dhe e dija se ai mund të ndjehej i fyer, nëse do të kërkoja të zhvendosesha diku tjetër. Edhe ky fakt më shqetësonte.

     Gjithashtu unë nuk pajtohesha që unë ta zija dhomën. Isha i gatshëm të qëndroja në pleme të Sheremetit dhe për këtë kisha biseduar, rrotull, me Sheremetin, por e keqja ishte se ai nuk dëshironte që të dëgjonte për këtë çështje!

     ‒ Ti e ke dhomën dhe nuk dua të flasim për këtë çështje, ‒ më tha Sheremeti.

    Ashtu si isha i vetëm në dhomë, më dukej vetja si personazhi i komedisë “Krevati i perandorit”, ku rolin e fshatarit e luante aktori i madh shqiptar, Pandi Raidhi.

     Dalëngadalë nisa të përshtatem me rrethanat e krijuara dhe të sillem në përputhje me ato. Zakonisht flija që  nga ora pesë e mëngjesit e gjer në drekë. Pasdite Sheremeti vinte nga puna dhe hynte brenda e rrinte pak kohë me mua. Në mbrëmje së bashku me familjen qëndronim në dhomën e ditës. Pas darkës vinte koha e gjumit për fëmijët dhe unë kaloja në dhomën “time”. Nga mesi i natës e deri në mëngjes, zakonisht, qëndroja në shtëpinë e re, që kishte vetëm muret e ngritura dhe që ndodhej në oborrin e shtëpisë ku banonte familja. Nganjëherë, kur ndjehesha i lodhur, kohën nga mesi i natës e gjer në mëngjes, e kaloja në pleme të Sheremetit, që ndodhej në fund të oborrit. Gjithmonë me vete e mbaja parabellin “tim” dhe pushkën e Sheremetit. Xhepat i kisha të mbushur me fishekë.

     Shtëpia e re e Sheremetit  ishte ndërtuar në një kodër dhe nga aty, si në pëllëmbë të dorës, dukej rruga, nga fshati Bivolak e deri tek ura mbi lumin Silnicë. Meqë nga ai drejtim kisha frikë se mund të vinte policia, unë, gjithmonë qëndroja aty dhe vrojtoja rrugën,  i gatshëm për çdo të papritur.  Por në anën tjetër edhe uroja që të mos kisha kurrë nevojë ta përdorja pushkën e Sheremetit, sidomos aty afër shtëpisë së tij. E kisha menduar mirë këtë punë. Nëse do të paraqitej ndonjë lëvizje e dyshimtë apo lëvizje të ndonjë makine të policisë,  e kisha ndërmend të largohesha nga aty në drejtim të Qyqavicës. Kështu mendoja se policia edhe nëse do të vinte nuk do të më gjente aty dhe kështu nuk do të mund t’i bënte ndonjë të keqe familjes së Sheremetit. Në anën tjetër ndjehesha shumë mirë aty dhe isha i sigurt se UDB-a nuk dinte për vendqëndrimin tim.  Shokët që e dinin se ku ndodhesha ishin vetëm Xhema, Ferkiu dhe Hoxha. Të treve u besoja si vetës sime. Por UDB-a ishte e paparashikueshme dhe për çdo të papritur unë nuk guxoja të zihesha në gjumë ashtu siç isha zënë me 7 prill 1983.

     Një ditë sapo erdhi nga puna, Sheremeti më trokiti në derë dhe pasi hyri brenda më tregoi se kishte dëgjuar se policia e kishte “vizituar” shtëpinë e Ragip Beçukut!

      Më erdhi keq për familjen e bacës Ragip dhe shqetësimin që mund t’i kishte shkaktuar atij dhe familjes  së tij, vizita e policisë!  Meqë nuk më kishte parë  asnjë njeri gjersa isha duke hyrë në shtëpi të bacës Ragip e as gjatë kohës sa qëndrova tek ai,  nisa të dyshoj se mos  baca Ragip  ka folur me ndonjë kushëri tjetër dhe i ka treguar për rastin tim.  Ndoshta baca Ragip ka folur me ndonjë njeri që mezi ka pritur ta njoftojë policinë?‒ më shkoj mendja.

     Atë natë me Sheremetin kemi folur për jetën e bacës Ragip. Sheremetit i thashë se baca Ragip gjithë jetën është marrë me bujqësi dhe ka jetuar nga puna e tij.  Por gjatë asaj bisede unë ia tregova edhe disa histori, nga jeta e bacës Ragip, që na bënë të qeshnim, por, siç dukej,  edhe e ngacmuan Sheremetin të m’i lëshonte disa “sharje”. Sidomos historia që kisha dëgjuar për bacën Ragip: se si e kishe zënë gjumi duke u falur në xhami dhe se si në atë rast u kishte lëshuar qeve të tij thirrje: “kuqo, kuqo!,- Sheremeti nuk u durua pa më thënë:

    ‒ Ah komunisti i dreqit! Të njoh unë ty! Po më tregon histori komuniste!

    Qeshëm një kohë së bashku dhe i thamë njëri-tjetrit “Natën e mirë!”

    Ndonëse, Sheremeti ishte i  zgjedhur në një të ashtuquajtur “Këshilli i Arsimtarëve” që  ishte një organ këshillëdhënës në shkollë, nuk besonte në socializmin vetëqeverisës jugosllav dhe Jugosllavinë nuk e konsideronte si vend socialist. Megjithëkëtë,  unë dhe Sheremeti kishim botëkuptime të ndryshme për jetën dhe shoqërinë. Unë isha simpatizues i materializmit dialektik dhe historik e besoja se  në Shqipëri ndërtohej socializmi i vërtetë, ashtu siç e konsideroja Jugosllavinë një vend kapitalist laraman. Në anën tjetër, Sheremet Saraçi nuk ishte i interesuar shumë për politikë e filozofi; ai më me dëshirë fliste për letërsi e sidomos për veprat e Gjergj Fishtës dhe për veprat e shkrimtarëve të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Megjithëkëtë, mund të them, pa hezitimin më të vogël, se ai ishte një nacionalist i ndershëm dhe një patriot i zjarrtë që e donte shumë popullin e vendin e tij.

      Dallimet që kishim në botëkuptime nuk ishin pengesë në marrëdhëniet shumë miqësore dhe vëllazërore që mbretëronin në mes nesh,  përkundrazi, ato, vetëm e plotësonin boshllëkun e njëri-tjetrit.  Për mua Sheremeti ishte një patriotë i madh  dhe një shok shumë i dashur dhe i respektuar. Ai kishte mision të jetës së tij çlirimin e Kosovës  nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me nënën Shqipëri. Këtë qëllim  e kisha edhe unë  dhe kjo na bashkonte dhe na bënte të ndjeheshim jo vetëm si shokë, por edhe si vëllezër.

      Ndonëse nuk guxoja të sillesha afër shtëpive të Xhemës dhe Ferkiut, isha shumë i sigurt se ata ishin të informuar për ditën dramatike të 7 prillit. Sidomos, Ferkiu do të duhej të ketë dëgjuar nga i ati i tij, që punonte në Termocentralin e Obiliqit.  Pastaj Ferkiu mund ta ketë takuar Shabanin apo Shabani ndoshta e ka takuar  Dritën, Mirveten apo dikë tjetër dhe lajmi patjetër duhet të ketë shkuar tek shokët. E merrja me mend se ata e dinin se ku ndodhesha edhe pa marrë asnjë lajm nga unë. Unë kisha besim të plotë se Xhema dhe Ferkiu nuk do të bien në ndonjë grackë të UDB-ës dhe nuk do të bëjnë ndonjë veprim të gabuar. Kjo më qetësonte dhe më bënte edhe më të vendosur që edhe unë të tregohesha i kujdesshëm. UDB-ën e kisha mundur deri me tani dhe duhet të vazhdoja të mbetesha fitimtar edhe në të ardhmen, ‒ i thosha vetës.

      Pas disa ditësh qëndrimi në shtëpinë e Sheremetit e kam vizituar Nusret Pllanën në fshatin Milevc afër Prishtinës. Nusretin e kam njoftuar për ngjarjen e 7 prillit 1983. Në shtëpinë e tij kam qëndruar tre ditë. Gjatë qëndrimit jam  njohur me familjen e tij liridashëse dhe mikpritëse.  

      Nga Milevci, nëpër rrugica të fshatrave dhe arave, pas disa orë udhëtimi në këmbë, jam kthyer përsëri në Gllavotin.

      Shpeshherë kur kthehej nga puna, Sheremeti, më sillte edhe lajme të ndryshme që i merrte nga kolegët e tij, por edhe nga shokët dhe të afërmit që i takonte.

       Një ditë, Sheremeti sapo erdhi nga puna dhe u fut në dhomën “time”.  E vërejta menjëherë se ishte i mërrolur dhe se diçka duhet ta ketë shqetësuar! E pyeta se ç’kemi të re dhe ai nisi rrëfimin e tij:

      ‒ Demë Jashari më tha se, Asllan Muharremi nga Mihaliqi, është agjent i UDB-ës dhe se ai po shtiret se gjoja është i rrezikuar dhe i përndjekur, por në të vërtet ai është njeri i shitur!

     Më shkoi buza në gazë!

      ‒ Shoku Demë Jashari i di punët më thellë… Ke kujdes se kë je duke e mbajtur në shtëpi! ‒ ia ktheva Sheremetit.

     U zhgënjeva shumë për këtë “xhevahir” të Demë Jasharit. Nuk më kishte shkuar mendja se ai kishte rënë aq poshtë. Nuk më dukej miqësor ky qëndrim i tij. Pse vallë po e bënë punën e UDB-ës, shoku Demë Jashari, e pyeta vetën?

    Nga shokët kisha mësuar se shoku Demë Jashari, dikur na ishte anëtar i Grupit “Shkëndijat e Kuqe”, prandaj po më befasonte shumë përhapja e gënjeshtrave të tilla udbeske!

       ‒ Sigurisht se i di shumë thellë punët Demushi, por nuk më ka shkuar kurrë mendja se është kaq burrë i lig!‒ u përgjigj Sheremeti.

      Unë i rraha krahët dhe i thashë:

      ‒ Po befasohem nga këto gënjeshtra udbeske, të shokut Demë Jashari! 

        Qëndruam edhe një copë herë së bashku dhe Sheremeti  më foli edhe për disa punë të liga që kishte dëgjuar për Demë Jasharin.

      Pasi i thamë natën e mirë njëri-tjetrit unë u shtriva në shtrat në “dhomën time”. Lajmi që më dha Sheremeti për Demë Jasharin i trazoi kujtimet e mia. Përse përhap shpifje të UDB-ës Demë Jashari, vazhdoja ta pyetja vetën time? Mos vallë Demë Jashari ka qenë informator i UDB-ës edhe atëherë kur e kam takuar për herë të parë në Kodrën e Shtitaricës së bashku me Danin, Latën, Xhemën, Ferkiun dhe Samiun? Nëse kjo është e vërtetë atëherë Demë Jashari duhet të jetë personi që ka dekonspiruar lidhjen time me Danin, por mund të jetë edhe ai që ka zbuluar edhe lidhjen e Danit me Shefqet Jasharin. Deri diku ky lajm e sqaron pse-në e izolimit tim në prill të vitit 1981. Ndoshta UDB-a ka ditur se unë i kam njohur jo vetëm Danin dhe Ferkiun, por edhe Xhemën, Latën dhe Samiun para arrestimit të vitit 1979? Gjatë hetimeve të bëra ndaj meje, ndoshta UDB-a e ka vërtetuar se unë nuk jam treguar i sinqertë dhe nuk ia kam thanë të vërtetën? Ndoshta UDB-a, përkundër kësaj, me ka liruar dhe më ka ruajtur për ndonjë rast tjetër? Përndryshe po të mos kishte fakte se po e fsheh të vërtetën nuk do të më kishte izoluar pranverën e vitit 1981! Përhapja e shpifjeve të tilla nga ana  e Demë Jasharit mund të jetë edhe një tregues  se sa i duhem UDB-ës?

     Ashtu si Sheremeti edhe unë u bëra tym në përhapjen e gënjeshtrave të Demë Jasharit. Atë natë edhe sikur të isha përpjekur të flija nuk do të më zinte gjumi. Por kjo humbje gjumi, s’kishte edhe gjë të keqe, sepse unë edhe ashtu do të vazhdoja të qëndroja i zgjuar derisa të përshëndetesha nga dielli i lindjes së një dite të re.

     Të nesërmen, në të kthyer nga puna, Sheremeti më njoftoi se e kishte takuar Hoxhën dhe ngaai ishte njoftuar për gjendjen në rrethin e njerëzve me të cilët mbante kontakte, për gjendjen e Vehbi Mujës në burg si dhe për faktin se familja ime kishin vërejtur se policia po e mbante të rrethuar shtëpinë time çdo natë:

     ‒ Një natë, ‒ e kishte vazhduar tregimin e tij Hoxha, ‒ disa punëtorë të fshatit duke shkuar në punë, në ndërrimin e tretë, në malin e Hajdar Agës, i kishte ndaluar policia dhe i kishte legjitimuar. Gjithashtu edhe në një kodër në mes fshatit Mihaliq dhe Gllavotin, Strofc dhe Beçuk, që quhet boqovinë, një fshatar nga Mihaliqi,  duke kaluar atypari kishte hasur në tre-katër policë, që ishin futur në një gropë dhe po qëndronin dhe vëzhgonin nga aty gjithë kodrën nga lumi Silnica e deri mbi vreshta në mes Mihaliqit, Beçukut dhe Strofcit.” Hoxha e kishte  njoftuar Sheremetin, në atë rast, gjithashtu, se “im atë ishte ankuar tek udbashi Burhan Prishtina kundër pranisë së policisë rreth shtëpisë dhe se ai madje edhe e kishte akuzuar Burhan Prishtinën se: ”mbajtja në rrethim e shtëpisë, po bëhej shkaktare e humbjes së djalit”. Pas dëgjimit të ankesë së tim atë, Burhan Prishtina i kishte premtuar se “gabime të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen!”

      Mbi bazën e  informacioneve që kisha marrë nga Sheremeti, por edhe të atyre gjatë kontakteve që ai kishte pasur me Hoxhën, unë isha i sigurt se afrimi afër shtëpisë time do të ishte fatal për mua. Prandaj duke e ditur këtë unë kisha hequr dorë nga çdo ide e tillë dhe nuk e kisha ndërmend t’ia mësyja shtëpisë sime edhe për një kohë.

      Edhe më tutje kontakti me shokët ishte një problem në vete. Kishin kaluar disa ditë dhe Xhemën e Ferkiun  nuk kisha arritur t’i takoja. T’i mësyja  shtëpitë e tyre, ishte sikur ta mësyja shtëpinë time. Isha shumë i sigurt se edhe ata të dy, por edhe shtëpitë e tyre, ishin në vëzhgim të rreptë të agjentëve të UDB-ës. Të dërgoja ndonjë shok tek ata ishte punë gjithashtu me shumë rrezik. Sheremetin nuk guxoja ta vë në lëvizje. Prandaj, në gjendjen që ndodhesha e vetmja mundësi që më ngelte ishte të tregohesha gjakftohtë dhe të prisja të ecte koha.  Vetëm koha mund ta bënte UDB-ën të lodhej dhe hiqte dorë nga rrethimi i hekurt i shtëpisë sime, – thosha vetë me vete. Tani lufta jonë ishte bërë një luftë nervash! Gjithmonë shpresoja se shokët do ta kuptojnë drejtë gjendjen dhe se ata nuk do të bëjnë ndonjë gabim, që  do të ishte shumë i kushtueshëm jo vetëm për mua por për të gjithë shokët e organizatës sonë.

      Disa ditë më vonë, Sheremeti më njoftoi se nga Hoxha, kishte mësuar se Komandanti i Stacionit të Policisë së Vushtrrisë, Muhamet Meniçi, e kishte thirrur tim atë në një bisedë informative dhe në atë rast e kishte pyetur për farefisin tonë, për adresat e hallave, dajave, kushërinjve dhe të afërmve të tjerë. Im atë, që luante rolin e njeriut që s´di gjë për veprimtarinë time, ia kishte thënë shefit të policisë të gjitha vendbanimet dhe adresat e të afërmve. Në fund të bisedës Muhamet Meniçi i thotë tim atë:

     ‒ Unë e njoh Asllanin. Dikur, unë isha kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste në Vushtrri, ndërsa Asllani ishte Kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste në Mihaliq. Si duket Asllani është përzier në këtë punë dhe unë nuk besoi se ai rri nëpër këto adresa!

      U entuziazmova nga ky lajm! Unë e dija se shtëpitë e të afërmve mbaheshin të vëzhguara, por  më erdhi  shumë mirë që Komandanti i Stacionit të Policisë së Vushtrrisë ma kishte dhënë një “këshillë” që të mos dukesha andej, se do të më prangoste. Sido që të jetë unë e merrja këtë si një këshillë dashamirëse, që besa edhe si ndihmë të madhe! Muhamet Meniçi ka mundur të mos ia thotë këtë fjalë tim atë, prandaj unë i isha shumë mirënjohës për këtë! Kjo ishte shenjë e mirë dhe që tregonte se UDB-a nuk i kishte të gjithë në anën e saj, se edhe nga radhët e policisë kishte njerëz që së paku guxojnë të mendojnë në liri dhe ta ndihmojnë lirinë me aq sa munden!

      Një ditë papritur erdhi i ati i Sheremetit, baca Lif, dhe më zuri në dhomën e ditës. Baca Lif nuk më njihte se kush isha. U prezantova se isha nga Mitrovica dhe se isha ardhur t’i lutesha Sheremetit të më ndihmonte për t´u punësuar si mësues në Shkollën Fillore “Liria” në Strofc. Sheremeti bënte shaka dhe më përgjigjej se nuk mund të më ndihmonte pa u “kruar pak”. I ati i Sheremetit ia ktheu të birit të tij:

      ‒ Mos u bërë i keq! Nëse mundesh ndihmoje të punësohet se po më duket se qenka djalë i mirë!

       Edhe kjo fjalë ma kujtoj fjalinë e Danit gjatë takimit tonë të parë. Pasi pimë çaj, unë u bëra se po largohesha,  u përshëndeta me  bacën Lif  dhe Elhamen dhe dola e u futa në dhomën tjetër.

       Një ditë tjetër Sheremeti kthehet nga puna dhe më tregon një histori interesante që e kishte dëgjuar nga Hoxha. Sipas Sheremetit, udbashi Burhan Prishtina e kishte thirrur në polici tim atë dhe e kishte  kërcënuar: Nëse nuk dorëzohet Asllani edhe pak ditë do ta publikojmë fotografinë e tij në televizion dhe me ndihmën e popullit do ta zëmë ashtu siç e zumë Paçarizin!

     Sheremeti si me shaka më pyeti:

      ‒ Athua cilën fotografi do ta publikojnë? Atë të letërnjoftimit, indeksit të Universitetit, të pasaportës apo ndonjërën nga fotografitë që mund ta kenë marrë UDB-a gjatë përpjekjes për arrestim dhe bastisjes së shtëpisë tënde?

      Unë e rregullova flokët dhe i thashë me shaka Sheremetit:

       ‒ Besoj se në të gjitha dukem bukur!‒ dhe pastaj qeshëm një kohë të gjatë me përpjekjet dëshpëruese të udbashit, Burhan Prishtina.

      E kuptoja se në çfarë sikleti ndodhej Burhan turku dhe se kjo ishte vetëm një përpjekje dëshpëruese e tij për ta thyer qëndresën tonë dhe mbështetjen që gëzonte lufta jonë tek populli. Mirëpo kërcënimin e Burhan turkut unë e kuptoja edhe si një presion të madh që i bëhej familjes sime. E kuptoja mesazhin e UDB-ës, por kisha besim të patundur se familja nuk do të thyhej, ashtu siç nuk më shkonte mua mendja të dorëzohesha.

       Kishte disa ditë që po binte shi, bënte mjaftë ftohtë dhe si zakonisht netëve të tilla, pas darke, e shtronim çajin e rusit, të cilin Sheremeti e kishte shumë merak dhe e pinte shumë të “rëndë”. Ai e donte gjysmën e gotës me çaj të zi dhe gjysmën tjetër me ujë të vluar.

     Një mbrëmje, pasdarke dhe gjersa po pinim çaj, Sheremeti filloi të ma tregonte një histori që e kishte dëgjuar nga njëri nga vëllezërit e tij. Sipas vëllait të Sheremetit, një polic rezervist nga Vushtrria, gjatë pjesëmarrjes së tij në ushtrimet e policisë rezervë në Gazi Mestan takohet me komandantin e Njësive Speciale Federative, i cili ndodhej aty si vëzhgues i ushtrimeve. Sapo komandanti  e merr vesh se nga ishte rezervisti e pyet:

     ‒ Çka po bëni ju të Vushtrrisë, që nuk po e zini Asllan Muharremin?!

    Rezervisti shqiptar ngelet i habitur dhe e pyet komandantin e policisë speciale:

      ‒Kush është ai?!

      ‒Kështu është puna “he ta marrsha te keqen! – më tha Sheremeti.

     Më dukej shumë interesant lajmi që mora nga Sheremeti. Megjithëkëtë nuk ma merrte mendja se pyetja e komandantit të Njësive Speciale të Policisë Federative, kishte të bënte me vendndodhjen time. Po ta dinte UDB-a e Kosovës adresën time, një komandant i Njësive Speciale nuk do të bisedonte me një rezervist për çështjen time. Duhet të jetë një rastësi, ma thoshte mendja, që komandanti i policisë dhe rezervisti janë takuar. Se komandanti ia ka thënë emrin tim rezervistit, kjo nuk më befasonte, sepse udbashët e Kosovës e kanë njoftuar eprorin e tyre me emrin tim menjëherë pas dështimit të tyre.

    ‒ Të jesh i  sigurt se i vëllai im nuk di se ti banon tek ne! ‒më tha Sheremeti!

    Pyetjen e komandantit të  Njësive Speciale e kuptoja më shumë si një pyetje hetuese, të bërë, me qëllim zbulimi! Mirëpo kur komandanti i Njësive Speciale i heton rezervistët, kjo nënkuptonte se ai nuk ishte i kënaqur me punën e shërbëtorëve të tij në Kosovë. Kjo tregonte se UDB-a nuk ishte dorëzuar dhe unë duhej të vazhdoja të tregohesha i kujdesshëm.

      Një dite gjersa po bisedonim, Sheremeti më thotë: 

      ‒Ti po “lavdërohesh” se nuk po të gjen UDB-a, por Elhemja më tha se e di se kush është Aliu! Sipas saj Aliu po i  përngjan  nënës së tij-Nailes! Naile Mirena, e bija e Feratit dhe Vahides, nga Hadja është mbesa e bacës Zenun Berisha nga Grabovci! Të ka gjet, Ali, s’ke ku shkon!

     ‒ Nuk kemi nevojë ta mbajmë të fshehtë ketë fakt para Elhemes. Flasim bashkë kur të kthehet në shtëpi. Unë i besoj Elhemes, aq më tepër që tani po del se e paskam edhe teze të nënës ‒i thashë Sheremetit.

      Gjatë një bisede tjetër Sheremeti më tha se Kujtimi e kishte pyetur Elhamen se :

     ‒ Kur do të shkoi xhaxhi Ali në shtëpinë e  tij?

      Kujtimi e kishte kuptuar se unë isha duke banuar në shtëpinë e tyre. Ai vinte nganjëherë dhe e luante rezën e  derës së “dhomës”  sime. Unë e dija se është Kujtimi dhe e hapja derën. Kujtimit ia tregoja librat që kisha në dhomë dhe e pyetja se a dinte ta recitonte ndonjë vjershë. Kur e lutja një copë herë, ai recitonte dhe e zgjatke trupin e qëndronte gatitu e ia niste vjershën që dinte. Pastaj, unë e lutsha të shkonte tek Arbëria, Nora e  Gëzimi  dhe i shpjegoja se “unë i kisha disa detyra të shkollës që duhej t’i kryeja derisa të vinte Sheremeti nga puna”.

      Diku rreth dy javë që nga dita e rrethimit jam takuar për herë të parë me Ferkiun. Gjatë takimit  biseduam për çështjen e vënies së kontakteve me shokët e LNÇKVShJ-së, jashtë Kosove. Ishim të mendimit se në Turqi duhet ta dërgojmë një shok, i cili do t’i njoftonte shokët me gjendjen e krijuar si dhe të kërkonte nga shokët mendimin se çka duhej të bëja dhe nga t’ia mbaja?

     Çështja e udhëtimit të një shoku jashtë vendi, edhe mua më hodhi para telashesh: se cilin shok do ta nisnim për rrugë? Unë për vete i kisha të kufizuara mundësitë e përzgjedhjes. Rexha ishte ushtar në Maqedoni. Sheremeti, kishte mundësi udhëtimi, por udhëtimi i tij në Turqi, mund të zgjonte kureshtjen e UDB-ës. Madje, ai ishte pyetur njëherë për çështjen e udhëtimit të tij në Turqi. As Hoxhën nuk mund ta angazhoja, sepse një udhëtimi i tij në Turqi do të binte në sytë e UDB-ës. Mundësi udhëtimi kishte Shyqëri Imeri, Bedri Selmani, por nuk kisha njohuri se si qëndronin ata me pasaportë? Pastaj këta të fundit nuk i kisha takuar ende.

     Mirëpo unë isha i mendimit që Ferkiu ta bisedonte çështjen e udhëtimit me Burim Zagragjën ose Behxhet Ahmetin dhe në këshillim me ata  ta bënte përgatitjen e nisjes së  njërit prej tyre në Turqi. Për këtë çështje, kështu edhe u pajtuam me njëri-tjetrin. Gjithashtu me Ferkiun caktuam një ditë kur do të takoheshim në Prishtinë dhe unë do të fotografohesha. Duhej të fotografohesha sepse ishim pajtuar që shoku që do të udhëtonte t’ua dërgonte fotografitë e mia shokëve në Turqi dhe ndoshta ata mund të bëjnë ndonjë pasaportë për mua?

      Mëngjesin e ditës kur duhej të shkoja në Prishtinë, u përpoqa t’i rregulloja flokët e mia, por ato i kisha zënë keq, gjatë natës, dhe nuk mund t’i rregulloja e krihja si dëshiroja. Dukesha sikur të kisha lëkur iriqi në kokë! Në Prishtinë arrita  me kohë dhe u takuam aty ku ishim pajtuar me Ferkiun. Unë  hyra brenda te Foto “Iliri” ndërsa Ferkiu qëndronte jashtë dhe bënte roje! Bëra fotografitë dhe e njoftova fotografin se pasdite do të vinte një vëlla i imi dhe do t’i merrte fotografitë.

      Më vonë  Ferkiu më ka njoftuare se e ka dërguar Shabanin për t’i marrë fotografitë. Ferkiu më ka thënë se ka qenë Selatin Novosella që ia ka dorëzuar fotografitë Shabanit.

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (27)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura